Shkruan: Fadil Shyti
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Duke lexuar librin e luftëtarit të lirisë, Rexhep Ahmeti
“Kujtime nga lufta e UÇK-së I
Kreshniku i Zhabarit – Ajet Mahmut Uka”.
Prishtinë, 2021
Pjesa e katërt:
“Motër, nëse i mbijetoj kësaj lufte, do t’i çliroj një nga një tokat shqiptare”.
Bekim Berisha, i kishte thënë motrës së tij, Zyrafete Berishës.
Motoja e librit të kujtimeve:
“Këto kujtime ia kam pasur borxh ” Abesë” – Bekim Berishës. Atij i kemi shumë borxhe, jo vetëm unë, por tërë Kosova dhe Shqipëria. Bekim Berishë më nëna nuk lind!” – përfundon me lot në sy rrëfimin e tij pothuaj me shkrehje në vaj burri, ushtari besnik i “Abesë” kreshniku i kësaj ane, Ajet M. Uka.
Ose
“Qysh po munden disa me shkelë mbi gjithë atë gjak edhe me e çue veten kaq “nalt”?!…
-“Abeja” dhe kolaboracionistët, spiunët e infiltruar në radhët e UÇK-së.
Është shumë me rëndësi për lexuesit e nderuar që të dinë qëndrimet e luftëtarëve të lirisë, heronjve dhe heroinave ndaj tradhtareve dhe tradhtarëve të vendit. Sesa, i kanë urrejtë ata/ato dhe si kanë dhe vepruar kur ndaj tyre kishte dyshime dhe fakte që ishin në rrugë të gabuar, që flisnin shqip, mund të ishin dhe në radhët e LÇ-re, por në fakt ishin kolonë e pestë, si mish i keq i pjesës më të pistë të kombit shqiptar.
Lidhur me këtë temë mjaft me interes, nuk ka ngurruar të flet për lexuesit kreshniku i UÇK-së, Ajet Uka, për Komandantin e tij vigjilentë, mendjendritur dhe syshqiponjë, Bekim Berishën-“Abenë”.
“Është gjynah të harxhosh plumbin për spiunin e armikut, e tradhtarin e kombit. Këtyre, do t’ua nxjerrim shpirtin me tel”.
Bekim Berisha – “Abeja”.
Ja, një rrëfim i sinqertë, për një ndodhi gjatë asaj lufte heroike:
…”Kaluan disa ditë dhe luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe zhvilloheshin pandërprerë asnjëherë. Isha në pikën ku më kishin caktuar, andej nga ana e Gjakovës. “Abeja” dhe Bedriu kishin dërguar dy ushtarë për të më thirrur. I kishin zënë shtatë spiunë që i kishin qitur shqiptarët në dorë të shkijëve. Më pyetën se, a e njeh ndonjërin prej tyre? E njihja vetëm njërin. Dy veta, kishin qenë babë e djalë. Pesë të tjerët nuk i njihja. Babai i djalit iu thoshte: “Bëhuni 50 veta ( persona) dhe unë ju qes në Kosovë, pa ferrë në këmbë!” Ne, “Abeja” na pat porositur jo njëherë: “Mos i besoni gjithkujt, mos gaboni sepse ka mashtrues të cilët iu qesin në prita, e iu fusin në kurthe!”. Kemi pasur këshillën se, pa ditur “Abeja”, nuk bënte ta kalonim kufirin.
Ku e njeh ti këtë? -më pyeti “Abeja”.
E njoh sepse çdo mbrëmje vinte dhe na luste që të bëhemi 300, 400 ose 500, duke na thënë se, ju qes pa ferrë në këmbë në Kosovë. Vinte në darkë dhe çdo mbrëmje këtë e përsëriste.
Kishte qenë mbi pesëdhjetë vjeçar dhe spiun i Serbisë. Atë e kishin ngujuar me djalin dhe pesë veta të tjerë në një bodrum.
– Po ta shohësh, a mund ta njohësh?- më pyetën sërish.
Po. U përgjigja shkurt.
-A mund ta përshkruash se si duket pa e parë? Pra, si duket pamja e tij?- më pyeti “Abeja”.
I tregova se sa ishte i gjatë, ia përshkrova sytë e fytyrën, mustakët e shkurtër. Më dërguan aty dhe më thanë që të tregoj cili ishte! E identifikova menjëherë dhe iu thashë se cili ishte.
Çka do t’i bëje ti e si do ta gjykoje këtë njeri, që i ka bërë dëm popullit tonë?- më pyeti Bedri Shala.
-Më lejoni mua ta gjykoj, se ky është më i keq se serbi gjakatar. Ky, kur e shet popullin e vet, e meriton dënimin me vdekje. A po më lejoni mua dhe këqyrni se çka i bëj?! Nuk ua ka dashur të mirën as nënave, as vëllezërve, as motrave tona, vetëm serbomëdhenjve iu ka shërbyer, pra i ka dashur pushtuesit.
-Jo. S’do të lëmë që ti ta gjykosh, sepse ti e mbytë menjëherë!-ma ktheu “Abeja”, i cili i shënonte të gjitha. Kur hyri brenda, u dëgjuan britma gjithfarësh. Pastaj, doli dhe shënoi se çfarë kishte thënë ai. “Abeja” thoshte se ta mbysësh spiunin është kollaj, por duhen shënime, t’i nxjerrim sekretin. I ka shënuar dhjetë faqe prej atij.
Atëherë, djali i tij iu rrëfye “Abesë”: “Babai më ka marrë me zor, se unë e dua dhe e kam dashur këtë ushtri, por babai do t’më vriste, po të ndahesha prej tij. Mua më dhembë zemra për këtë ushtri.
Çka të ka tregua babai yt? Duhet të tregosh të vërtetën, përndryshe…- iu drejtua prapë “Abeja” duke e shikuar në dritëz të syrit.
Djaloshi rrëfeu fije e për pe. Në fund “Abeja” iu drejtua me këto fjalë.
-Nëse vazhdon të bësh punë të këqija në dëm të ushtrisë dhe të popullit, do të dënojmë. Ta dish se je nën kontroll. Nëse të zëmë se ke bërë diçka kundër ushtrisë sonë, do të të vrasim!-tha “Abeja” dhe e liroi. Babain e tij me ata të tjerët i ndali.
“Është gjynah të harxhosh plumbin për spiunin e armikut, e tradhtarin e kombit. Këtyre, do t’ua nxjerrim shpirtin me tel” – shtoi.
“Abeja” i ka njohur njerëzit dhe ka pyetur. Për cilindo që ka nisur të bëjë dredhi, ai i ka njohur dhe i ka thënë: “Ose largohu, ose të të largoj unë vet!…”.
-Kështu, e përfundon rrëfimin e tij, bacoku ynë, Ajet Uka.
Në këtë vepër madhështore ku preket historia me dorë dhe përjetohet me mendje dhe zemër nga çdo atdhetarë dhe atdhetare, ka edhe rrëfime të tjera nga të bëmat heroike të trimave dhe trimëreshave të UÇK-së Heroike e cila i doli përballë një lukunie të bishave serbomadhe me surrate njerëzore, por me veprimtari të poshtra, kriminale dhe tejet mizore.
Rrëfim tepër i hidhur është kur Baci Ajet rrëfen kur e miri lajmin për rënien heroike në altarin e lirisë të Bekim Berishës -“Abesë”:
“Na treguan, është vrarë “Abeja”. Ne ushtarët shkuam e varrosëm. Shkova te Bedri Shala i plagosur, për ta parë edhe atë. Bedriun e kishin mbuluar me një batanije. Një mjek i përgjithshëm ia ka dhënë ndihmën e parë. E shikova i mërzitur shumë, më dhimbseshin pa masë “Abeja” edhe Bedriu, sikur t’i kisha vëllezër. Frikësohesha se me vdekjen e tyre do të përfundonte dhe lufta jonë… Nuk i fola, sepse kishte qenë në kllapi. Hazir Kryeziu, një shok imi ka shkuar një gjysmë ore pas meje dhe kishte folur me Bedriun. E kishte pyetur për të gjithë ushtarët. Haziri i kishte thënë se janë mirë të gjithë, por nuk i kishte treguar të vërtetën për “Abenë”. Kishte pyetur edhe për mua. Po, Baca Ajet , si është? Ruajeni se ai nuk po di ta ruaj veten!”- e kishte porositur: më shumë po na ruan ai ne, se ne atë!”- i është përgjigjur Haziri. Nuk shkoi kohë e gjatë dhe ai ndërroi jetë. Ilir Konushevcin gjithashtu, e kishin plaguar rëndë, bri më bri. Ishte djalë i ri , rreth 28 vjet. Për shërimin e plagëve të tij, përkujdesej një mjek i përgjithshëm. Mjeku, Hajrullah Fejza nga Zhabari, vendës imi, erdhi më vonë në Junik. Mbetëm një kohë të gjatë duke luftuar si gjithherë. Forcat ushtarake e policore nuk e kanë kuptuar se është vrarë “Abeja”, i cili ka qenë një strateg i madh i luftës, sypatrembur e njeri që shkoi nga kjo botë pa e parë lirinë…”
– Pse Ajet Uka është i zhgënjyer?
Në përfundim të rrëfimit të tij, Ajet Uka pyet: “E sot?! Sot, udhëheqësit tanë janë treguar fare të pandërgjegjshëm ndaj këtij populli të shkretë, i cili ka vuajtur, ka sakrifikuar, ka shpresuar shumë se pas fitores së lirisë, do të bëhet mirë.
-Këta udhëheqës kanë harruar edhe luftëtarët që luftuan dhe kontribuan për këtë liri. Askujt nuk i bie ndërmend që t’i thërras në përvjetorë e në tubime të ndryshme, t’ i gëzojnë së paku me fjalë, e jo me ndonjë gjë tjetër. Ata që iu kanë përgjigjur zërit të atdheut dhe kanë shkuar në luftë, nuk kanë shkuar për të fituar diçka për vete, ndonjë post apo pasuri, por për ta dhënë veten për këtë Atdhe-Kosovë- Shqipërinë. Në përgjithësi po flas për disa eprorë që kanë thënë se po shkojmë të luftojmë për Atdhe e Liri. Sot disa prej tyre po luajnë me gjakun e ushtarëve të rënë, e amanetin e heronjve si “Abeja” me shokë. Qyshë munden këta me shkelë mbi atë gjak dhe me çue veten kaq “nalt” ?!
Me fajin e tyre dhe të huajve me shty popullin e vet e me qitë fund pusi!…
-Më mirë ka qenë që të tillët të vdisnin, sesa ta sjellin popullin deri në këtë deregje (gjendje) në fatkeqësi dhe në mjerime pas luftës. ky popull është i mrekullueshëm.
Ka vuajtur e ka duruar shumë. Edhe durimi ka një fund. Ky popull meriton dhe kërkon një jetë më të dinjitetshme! – thotë në fund , Ajet Uka.
Intervistoi: Rexhep Ahmeti Mitrovicë, 2011
Fund
8 qershor 2023
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!