HESHTJA E SHQIPTARËVE SOT, U KUSHTON SË PAKU NJËMIJË VJET HISTORI, E FALSIFIKUAR, VJEDHUR DHE PËRVETËSUAR NGA POPUJT DHE SHTETET FQIN

24
Aug
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

A k t u a l e JE
(Me shkas, vendimet e Komisionit të përbashkët për çështje të historisë dhe arsimit (2022), sipas Marrëveshjes për bashkëpunim, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore (2017), për shënimin dhe nderimin e “përbashkët” të pesë figurave historike nga Mesjeta: Shën Kirili, Shën Metodi, Shën Klimenti, Shën Naumi dhe Mbreti Samuil)
A thua vërtet besojnë historianët dhe studiuesit shqiptarë, të cilët heshtin si qirinj të fikur, kur studiuesit e shteteve fqinje, bullgarët dhe maqedonasit e sotëm vendosin të vetëm për shënimin e ngjarjet nga e kaluara dhe nderimin e përbashkët (vetëm këta dy popuj) të personaliteteve historike, sidomos ata nga periudha e Mesjetës, kinse vërtet ata kanë qenë me prejardhje sllave dhe si të tillë duhet t’i takojnë botës llave, përkatësisht bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm, të cilët me këtë rast rrejshëm e konsiderojnë veten si popuj të vetëm të botës llave, duke i përjashtuar serbët, rusët, ukrainasit, polakët, kroatët, malazezët, sllovenët, sllovakët, çekët, bjellorusët dhe të popujt tjerë sllavë?!
Asnjëri nga këto figura historike (siç përmendim në vazhdim) nuk ka lindur nga gjiri i këtyre popujve. Fakti se sllavët e Bullgarisë dhe sllavët e Maqedonisë kanë ardhur dhe janë përzier me banorët e lashtë vendës të Gadishullit Ilirik, nuk u jep të drejtë këto figura historike t’i konsiderojnë vetëm si të tyre, përkundrazi, janë shqiptarët autoktonë që duhet ta thonë të vërtetën dhe t’u dalin zot këtyre figurave, të cilë kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën e popujve të rajonit dhe të Evropës, prandaj duhet të vlerësohen si të tillë, figura që i takojnë gjithë qytetërimit evropian dhe botëror.
Nuk ka mundësi që Kirili dhe Metodi, Kelmendi dhe Naumi, as prijësi i kryengritjes së madhe kundër Romës Lindore, Samuili, të kondiserohen sllavë dhe aq më pak shenjtorë vetëm të ritit ortodoks, kur ata kanë jetuar dhe vepruar para se të ndahej kisha, në atë të ritit ortodoks Lindor dhe të ritit katolik Perëndimor, për shkaqe politike dhe interesa të pushteteve të atëhershme, mes Romës Perëndimore dhe Romës Lindore, përderisa historia e fillimit dhe përfundimit të këtyre perandorive çojnë në qytetërimin e lashtë dhe botën ilire-arbërore, te Dardania dhe dardanët e famshëm.
Mbretëria e lashtë e Dardanisë, e mbretit Bardhyl, u themelua në qytetin e Ohrit, nga shek. IV para erës sonë, si vazhdimësi e mbretërisë së lashtë ilire të Enkelejve, me qendër po në këtë qytet (Ohër), së paku edhe tre shekuj më herët, kur as bullgarë dhe as sllavë nuk ka njohur historia e njerëzimit, deri në shek. VII pas erës sonë, domethënë, së paku një mijë e pesëqind vjet më vonë.
I.
Të dhënat për periudhën kur kanë jetuar këto figura historike
1. Shën Klimenti i Ohrit (sllavisht: Kliment; anglisht: Clement; shqip: Kliment ose Kelmend, jetoi mes viteve 840 – 916.
2. Shën Naumi i Ohrit, jetoi mes viteve 830 – 910.
3. Shën Kirili (filozof Konstandini), jetoi mes viteve 826 – 869.
4. Shën Metodi, jetoi mes viteve 815 – 885;
5. Mbreti Samuil (i vetëshpallur), jetoi mes viteve 958 – 1014)
II.
Emrat e mbretërive të lashta dhe shteteve të sotme, periudhat e ekzistimit të tyre, si dhe emrat etnikë të popujve të sotëm, bullgarë dhe maqedonas, me përcaktim historik dhe gjeografik, jo sipas përkatësisë etnike. Këta dy popuj sot e konsiderojnë veten se kanë prejardhje sllave dhe flasin gjuhën e tyre (sllavishte e vjetër kishtare), nga dialektet e së cilës kanë krijuar normat e gjuhëve të sotme kombëtare, gjuhën bullgare dhe gjuhën maqedonase. Nëse këta dy popuj besojnë se janë sllavë, çfarë kanë të përbashkët me bullgarët (vollgarët) e lashtë, përkatësisht me maqedonasit e lashtë, historia dhe etnogjeneza e të cilëve me asgjë nuk përkon me sllavët.
1. Histori e shkurtër e shtetit të Maqedonisë (antike dhe të sotme)
Mbretëria e lashtë e Maqedonisë, e Filipit II dhe Lekës së Madh, ka ekzistuar nga shek IV para erës sonë deri në vitin 146 pas erës sonë. Deri në fund të shekullit XIX ky emër nuk është përmendur, as si emër rajoni gjeografik, as si emër etnik i ndonjë populli të veçantë në Gadishullin e Ilirisë.
Entiteti (njësia me atribute shtetërore me emrin Maqedoni), së pari herë në histori pas shuarjes së Mbretërisë së lashtë të Maqedonisë, afër një mijë e tetëqind vjet më parë, është krijuar në vitin 1944, me formimin e ish-Republikës Federative të Maqedonisë në kuadër të ish-Federatës së Jugosllavisë komuniste.
Entitet me atribute shtetërore së pari është formuar në vitin 1944 si republikë federative në kuadër të ish-Jugosllavisë, ndërsa shteti i pavarur me këtë emër (Republika e Maqedonisë, ndërkombëtarisht e njohur si ish-republika jugosllave e Maqedonisë), është shpallur më 1991, pas rënies së ish Federatës Jugosllave. Emri i sotëm i shtetit, Republika e Maqedonisë Veriore daton nga viti 2018, pas Marrëveshjes së Prespës, mes Maqedonisë dhe Greqisë, me ndërmjetësimin e OKB-së.
2. Histori e shkurtër e shtetit të Bullgarisë (të lashtë dhe të sotëm)
Mbretëria e Parë e Bullgarisë (e Danubit), sipas studiuesve mendohet se ka ekzistuar mes viteve 681 – 971, me kryeqytet të parë në Pliska dhe më vonë në Presllav (shqip: qyteti i Para-sllavëve, i banuar historikisht nga ilirët vendës të Trakisë: qyteti i lashtë me emrat: Parthia-Bardhia, Marciani – Marcianopoli (nën sundimin romak), Devne (nën sundimin e Romës Lindore dhe Eski Stamboll-Stambolli i Vjetër (nën sundimin e Perandorisë Osmane).
Mbretëria e Dytë e Bullgarisë, mendohet se ka ekzistuar mes viteve 1185 – 1396, me kryeqytet Tërnovën, i njohur nga pushteti i Romës Lindore edhe me emrin Kontandinia e Re (për dallim nga kryeqyteti i saj Konstandinia), sot Tërnova e Madhe, bullgarisht: Veliko Ternovo).
Mbretëria e Tretë e Bullgarisë, ka ekzistuar mes viteve 1909 – 1946, me kryeqytet Sofjen.
Pas luftës për liri dhe pavarësi nga sundimi i Perandorisë Osmane, sipas Marrëveshjes së Berlinit (1878), Bullgaria mbeti principatë autonome, nën vasalitetin e Perandorisë Osmane, deri në vitin 1908, por u administrua nga Rusia gjatë viteve 1878/1879.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Bullgarisë ka qenë aleate e Gjermanisë dhe shteteve të tjera të Aleancës naziste-fashiste, deri në pushtimin e saj nga “Armata e Kuqe” e Rusisë.
Në vitin 1946 Bullgaria u bë një shtet socialist njëpartiak, si pjesë e bllokut lindor të shteteve komuniste të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik.
III.
Kisha Katolike (romake-latine, ilire) Perëndimore dhe Kisha Ortodokse (romake lindore, ilire-arbërore)
Më 16 maj të vitit 1054 është ndarë kisha e Krishterë, me skizmën (përçarjen) e saj në Kishën Katolike Perëndimore (latine) dhe Kishën Ortodokse (Bizantine) Lindore (ilire-arbërore dhe dardane-rasiane), më vonë e njohur edhe si kishë greke dhe sllave (bullgare, serbe, ukrainase, rumune, ruse etj.), siç njihet edhe sot. Ndarja e Kishës mes Romës dhe Konstandinisë (Buzanës-Bizantit) ka ndodhur gjatë sundimit të Papës Leoni IX dhe Patriarkut të Konstandinisë Mihali i Parë.
IV. Fakte plotësuese
Që nga lindja e besimit të krishterë, apostujt e Jezu Krishtit filluan me ndarjen në disa kisha, për shkak të përhapjes më të lehtë të këtij besimi ndër popuj të tjerë (paganë) me gjuhë të ndryshme. Ndër gjuhët e para të këtij predikimi dhe përhapje të krishterizmit, ka qenë gjuha e Besëve ilirë të Trakisë, si edhe Kishat në gjuhën siriane (arameishte), egjiptiane, në greqishte e lashtë dhe armenishte. Nga Besët ilirë të Trakisë u ngritën kishat dhe manastiret e para dhe u përhap krishterizmi në Gadishullin Ilirik dhe ndër popujt e Lindjes.
Sikurse u ngrit Perandoria e Romës Lindore nga ilirët, edhe kisha e parë u krijua po nga pjesëtarët e këtij populli, si Patrikana e Konstandinisë (sot Patrikana Ikumenike e Stambollit), Patriakana e Ohrit, Patrikana e Pejës, e ndarë nga Patrikana e Ohrit (e Rasisë dardane) etj.
Patrikana e Ohrit, mbi themelet dhe traditën e Kishës ilire të Justinianit të Parë (shek. VI e.s.) u ripërtri në vitin 1020 nga Shën Gjon Dibrani i Rekës së Epërme, në periudhën kur nuk ka ekzistuar Mbretëri Bullgare as në terrirorin e Bullgarisë së sotme, jo më në rajonin gjeografik të Maqedonisë, dhe as Mbretëria e Samuilit (edhe ky me prejardhje ilire-arbërore, i besimit të krishterë katolik).
Studiuesit që mendojnë rrejshëm se Samuili ka pasur prejardhje armene, le të hulumtojnë me kujdes në tokat e Armenisë së sotme, e cila njihet si shteti i parë i krishterë në botë, ku të gjitha gjurmët më të hershme të këtij besimi lidhen me traditën ilire pagane (më vonë traditën e krishterë ilire) dhe me emrin e Albanëve (Parthëve) dhe Gurianëve të Kaukazit).
Dhe, mos harroni se, misioni jetësor dhe i shenjtë i Shën Kirilit ka qenë gjetja dhe dërgimi i mbetjeve mortore të Papës Klimenti (Kelmendi) I, që besohej se ndodhej në një shpellë-manastir në Krime për t’i dërguar në Romë (Vatikan), ndërsa misioni i shenjtë i Mbretit Samuil ka qenë sjellja e mbetjeve mortore të Shën Akilit (dardan nga Troja), nga Larisa e Greqisë në Prespë, në qendrën e Mbretërisë së vetëshpallut të Samuilit. Pas vdekjes Samuili u njoh si mbret nga Selia e Shenjtë – Vatikani.
Mbretëria e Bullgarisë, gjatë shek. XX dy herë e ka pushtuar dhe sunduar (administruar, siç thotë pala bullgare) rajonin e Maqedonisë së sotme, por asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për gjurmimin e kësaj historie të lashtë, varrin e Samuilit dhe familjes së tij, gjurmët e mbretërisë së lashtë “bullgare”, siç pretendojnë. Varrezat, mbetjet mortore dhe reliktet e kësaj mbretërie janë hulumtuar dhe zbuluar nga arkeologët grekë, në vitin 1969 dhe ato ndodhen edhe sot në Muzeun e qytetit të Selanikut, jo në Shkup apo në Sofje.
Përkundër kësaj, pushteti bullgar ka qenë i interesuar, ka gërmuar dhe plaçkitur çfarë ka gjetur në varrezat e lashta të Mbretërisë dardane-ilire, të njohura si varrezat mbretërore në Tebenisht (katund mes Ohrit dhe Strugës). Ekspeditën e ka udhëhequr arkeologu me prejardhje çeke, Karel Shkorpil (Karel Václav Škorpil, i njohur edhe si agjent i shërbimit ushtarak të Rusisë), në vitin 1918, ndërsa të gjitha gjetjet (artefaktet, edhe disa maska prej ari) nga këto gërmime janë dërguar në muzeun e qytetit Pliska (kryeqyteti i Mbretërisë së Parë Bullgare), disa edhe në Sofje, sigurisht për rekonstruktim dhe falsifikime të historisë.
Ndërsa, shteti i Maqedonisë Veriore ende nuk ka filluar ta shkruaj historinë e vërtetë të tij. Historinë e derisotme qytetarëve të këtij vendi ua ka imponuar ish-regjimi komunist jugosllav dhe është e stërngarkuar me falsifikime dhe urrejtje ndaj popujve fqinjë, bullgarëve, grekëve, turqve dhe sidomos kundër shqiptarëve autoktonë në Maqedoni.
Poshtëshënim
Të gjitha këto ngatërresa të historisë mbajnë vulë politike, që i kanë krijuar pushtetet e derisotme në këto shtete, dhe assesi nuk duhet të lidhen me qëllimet, kulturën, edukatën, karakterin dhe dëshirat e banorëve të tyre, të cilët si të gjithë qytetarët e lirë të botës demokratike duan të jetojnë në paqe, fqinjësi të mirë dhe me dashamirësi ndaj fqinjëve të tyre, sigurisht edhe ta shkruajnë e mësojnë historinë e vendeve dhe popujve të tyre në mënyrë reale, sipas burimeve relevante dhe të vërtetës historike, jo sipas falsifikimeve nga politika dhe regjimet e kohës.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk