-Gazeta SOT. 9 Korrik 2024-
Thonë, se në një vizitë pune në Paris, diplomati i ri i Perandorisë turke, shqiptari I madh Ismail Qemali, pati rastin të hante një darkë, i shoqëruar nga Kryeministri francez Klemenso dhe shkrimtari i madh Viktor Hygo. Gjatë darkës, midis të tjerave, Klemenso i thotë: “Zoti Ismail, ju e njihkeni historinë e Francës, ndërsa ne pak e njohim Shqipërinë”! Ismail Qemali, pa u vonuar i kthen këtë përgjigje: “Shkëlqesi, ju francezët merrni baltën dhe pasi e gatuani mirë e mirë, bëni Heronjtë. Ndërsa ne shqiptarët, i kemi heronjtë, por fatkeqësisht shpesh i hedhim në baltë”!
Nuk di se sa i saktë është ky dialog, por fraza e Ismail Qemalit është e vërtetë. E vetmja periudhë qe arriti të vlerësojë plotësisht meritat e atyre që u sakrifikuan për çështjen Kombëtare, ishte periudha e Socializmit. Në këtë vlerësim nuk u përfshinë vetëm Heronjtë dhe Dëshmorët e LANÇ e të Ndërtimit Socialist, por të gjitha figurat, duke filluar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu; luftëtarët e kontribuesit e Rilindjes Kombëtare e të Pavarësisë; e madje dhe individë që u angazhuan në Brigada Vullnetare Internacionaliste. Dhe këtë, sistemi në fjalë, e bëri me vendime të posaçme të organeve shtetërore, shoqëruar me ngritjen e memorialeve, monumenteve, busteve, lapidarëve e pllakave përkujtimore, e gjer tek varrezat e përbashkëta të Heronjve e Dëshmorëve në Kryeqytet dhe në gjithë rrethet e vendit.
Sistemi i vetëquajtur “demokratik”, siç rezultoi shumë shpejt, jo vetëm nuk i ruajti këto vendime ligjore e simbole të Heronjve e Dëshmorëve, por i nakatosi duke i sfiduar me piedestale të rreme të tradhëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Lideri “i famshëm” i Demokracisë së rreme, Sali Berisha, shkoi gjer atje sa, në një përvjetor të Fitores Botërore mbi nazifashizmin në Paris, të deklaronte se Shqipëria nuk kishte 28 mijë heronj e Dëshmorë, por vetëm rreth 4500 të tillë. Nën shembullin e këtij “komunisti” të konvertuar në ballist, ballistët e vërtetë dhe pinjollët e tyre, jo vetëm shifrën e ulën tek 2000 apo 2500, por një pjesë të Heronjëve dhe Dëshmirëve të LANÇ dhe të periudhës së konsolidimit të pushtetit popullor të pasçlirimit, i shpallën edhe banditë e reaksionarë.
Sigurisht, qëndrimi i Berishës, (i mbiquajtur edhe “Hitleri shqiptar”), dhe i ballistëve të vjetër e pinjollëve të tyre të rinj, ndaj kësaj çështje madhore, nuk habiti asnjeri, sepse ata erdhën në pushtet, ose më saktë “u kooptuan” në atë pozicion, me qëllimin e vetëm, të degradonin e degjeneronin gjer në gen, Shqipërinë Socialiste dhe banorët e saj. Ajo që nuk pritej, është hipokrizia e pashoqe e politikanëve dhe pushtetarëve socialstë, të cilët, ndërsa me llafe mbrojnë LANÇ dhe Dëshmorët e Atdheut, në praktikë veprojnë “tëpkë” si sivëllezërit e tyre salistë e ballistë.
Vini re: në fund të vitit 1990, kur me dhunë e tradhëti u përmbys socializmi, në teritorin e Shqipërisë, gjendeshin mijëra lipidarë e pllaka përkujtimore për Dëshmorët dhe eventet e LANÇ dhe të periudhës së konsolidimit të pushtetit të popullit; qindra buste e monumente kushtuar Heronjëve të Popullit dhe figurave të tjera të Historisë, Rilindjes, Pavarësisë dhe Ndërtimit Socialist; dhe dhjetra e qindra muzeume kushtuar periudhave të ndryshme te historisë së vendit. Sot pas 34 viteve të sundimit të “demokracisë fashiste” të Saliut me shokë, shumica e këtyre objekteve, janë shkatërruar e shdukur gjer në themel. Në këta 34 vjet, gati dyfshin e kohës (plot 19 vjet) pushtetin qendror e kanë patur socialistët, dhe po në këtë masë edhe pushtetin vendor. E megjithëse kanë qenë në pushtet pothuaj dyfishin e kohës së demokratikasve, socialistët, jo vetëm nuk kanë rregulluar ndonjë objekt të ri kushtuar LANÇ dhe Dëshmorëve, por nuk kanë riparuar pothuajse asnjë nga ato që prishën e shkatërruan demokratikasit.
Shkoni në Pezë, të shihni varrezat e Dëshmorëve, të cilat jo vetëm dhuna “demokratikase”, por edhe vetë koha dhe erozioni, i ka kthyer varrezat e nderuara si objekte të shekujve të mesjetës. Shkoni tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Kryeqytet, të gjeni plot pllaka varresh të nxira e të copëtuara, apo rrugica midis varreve të degraduara, etj. E njëjta gjë edhe për vendprehjet e Dëshmorëve në disa rrethe të vendit. Të vetmet objekte që nuk prishen dhe ruhen me kujdes edhe nga socialistët, janë monumentet e mbretit ikanak, Ahmet Zogu e të familjes së tij mbretërore, si dhe disa figurave të tjera, që kanë lindur “na majë të fikut” dhe po aty e kanë realizuar “veprën” e tyre në dobi të Shqipërisë.
Për konkretizim të kësaj situate të mjerueshme të objekteve të LANÇ dhe varrezave të Dëshmorëve, po përshkruaj sa më shkurt, vendprehjen e Dëhmorëve të Mirditës: Vendprehja e Dëshmorëve të rrethit të Mirditës u ngrit në vitin 1979 në qytetin e Rrëshenit. Materialet jo të rezistueshme të kohës, erozioni 46 vjeçar dhe shkatërrimet që herëpas’here kanë bërë pinjollët e bajraktarëve, ballistëve dhe neonazistëve, i kanë kthyer këto varreza, sikur të ishin tuma të lashta të mesjetës së hershme. Nga 34 vite të pas vendosjes së “gërrmërrkracisë”, plot 20 vite pushtetin vendor e kanë drejtuar socialistët, por asnjë pllakë nuk është riparuar apo ndërruar, asnjë punëtor i Bashkisë nuk u shërben atyre për mbirëmbjajtje, përjashtuar dy-tre veta të kryesisë së veteranëve, që një apo dy ditë para eventeve të LANÇ shkojnë e pastrojnë vetë disi barin dhe ferrat, që kanë mbuluar varret dhe borduret e tyre.
Qysh në fillim të këtij vitit, unë autori i këtij materiali të shkurtër, shqetësimim tim si qytetar dhe si bir dëshmori për Varrezat e Dëshmorëve të Mirditës e përcolla tek organet vendore dhe ato të qendrës. Fillimisht takova Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Kombëtar të Veteranëve, i cili më qetësoi duke më thënë se “gjendjen e njohim dhe shumë shpejt do të veprohet”. Më vonë kontaktova edhe me shokët e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, ku mora përgjigje se janë planifikuar edhe fonde për rregullimin e tyre. Sipas njoftimit zyrtar, në fund të muajit dhjetor 2023, me VKM, është ngritur Komisioni Qeveritar për Kremtimin e Jubileut të Madh të 80 vjetorit të Çlirimit, në krye të të cilit është komanduar Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Kjo gjë më ngrohu disi, sepse siç mora vesh, këtij komisioni qeveritar i janë akorduar edhe fonde të konsiderueshme të cilat, siç më thanë, do të përdoren si për rregullime të objekteve të LANÇ e të Dëshmorëve, ashtu dhe për aktivitetet që do të zhvillohen gjatë gjithë vitit në kuadrin e Jubileut të madh.
Por ndonëse kaluan tre muajt e parë të vitit 2024, Komisioni Qeveritar i ngritur në fund të dhjetorit 2023, nuk bëri asnjë lëvizje. Me datën 22 prill 2024, ju drejtova me letër “rekomande” Ministrit të Mbrojtes zotit Niko Peleshi, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit Qeveritar për kremtimet e 80 vjetorit të Çlirimit, por edhe sot pas plot 78 ditësh, nuk mora asnjë përgjigje. Unë, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për kremtimin e 80 Vjetorit të Çlirimit, duke qenë njëherësh edhe Ministër i Mbrojtjes, e konsiderova të fortë si çeliku, të paktën si hekuri . . . Por ja që më doli prej leshi, siç ka dhe mbiemrin. Edhe pas 6 muaj e tetë ditë, Komisioni në fjalë, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, nuk ka shpallur programin, realizimin e të cilit duhej ta niste këtu e gjashtë muaj më pare. Madje, gjer tani, nuk ka bërë transparente as fondet dhe planet e riparimit të objekteve të LANÇ e të Dëshmorëve.
Dhe as që do t’i bëjë këto, përderisa në krye të Pushtetit Qendror të jenë hipokritët socialistë me në krye Edi Ramën, një neonazist i fshehur në guackën e ngjyrave të shpëlara të socialistëve.
Për Presidentin, nuk po them asnjë fjalë, mbasi ai me siguri nuk e din se ku bie Mirdita. Ai, madje nuk dinte as Pezën, 15 kilometra nga Kryeqyteti, ndaj dhe nuk mundi të shkonte as në 80 vjetorin e Konferencës Famëmadhe të Pezës, që u zhvillua më 16 Shtator 2022, kur zoti Bajram Begaj sapo ishte emëruar President!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!