I vogli me komplekse të mëdha

12
May
2025
Shkruan: Feim Tahirsylaj


I vogël është dhe i tillë mbetet, sepse 6-7 vjet stazh në politikë nuk e bëjnë gjigant politik. Aq më tepër kur katapultohet në krye të një partie me moshë gati sa e tij si rast aksidental, pa meritokraci dhe me injorim të rregullave të demokracisë së brendshme.
Aktron liderin, sepse e di dhe ai që nuk është as kopje e zbehtë e liderit. Ndaj disa e quajnë edhe LuLmir.
Kualifikimin akademik “Dr” e vë në pah krahas postit politik. Nuk e bën nga pakujdesia protokollare, as nga injoranca. Por nga arroganca për t’u imponuar brenda llojit si “i gjithëdijshëm”. Ndërsa në sy të publikut sa më “kompetent” dhe “i madh”, por gjithsesi i tejfryer sikur gjoksat e gusanit kur kapërdinë arra me lëvozhgë për dhjamosje të shpejtë.
Politika nuk është akademi. Në sferën politike, legjitimiteti vjen nga vota dhe përfaqësimi, jo nga kualifikimet akademike “Dr, Mr, Prof, Ing…”.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit u vërtetua se Ldk-ja dhe Lumiri nuk e kanë mbështetjen popullore. E, megjithatë, ky vazhdon të mbështetet te titujt formal për legjitimitet.
Nëse një politikan dhe drejtues partie ka pësuar humbje të qartë politike, insistimi në theksimin e titujve akademikë s’është tjetër veçse arrogancë, mungesë vetëreflektimi, mospranim dhe shkëputje nga realiteti elektoral.
Për dallim nga Lumiri i vogël, ka shumë politikanë të njohur botërorë – presidentë, kryeministra apo liderë partish – të cilët kanë pasur tituj akademikë të avancuar, por nuk i kanë përdorur fare në komunikimin publik apo në paraqitjet politike. Kjo është praktikë e zakonshme në demokracitë e konsoliduara ku titujt akademikë nuk janë pjesë e imazhit politik, por pjesë e biografisë. Disa raste konkrete: Kancelarja Angela Merkel (Doktor i shkencave natyrore) asnjëherë nuk është referuar apo prezentuar si “Dr. Merkel” në komunikimet politike, as nga mediat apo nga kancelaria; Presidenti Barack Obama (Doktor i shkencave juridike) kurrë nuk është quajtur në mënyrë të formalizuar “Dr Obama” – vetëm President Obama; Kryeministri Mario Draghi (Doktoraturë në ekonomi) nuk përdori asnjëherë titullin “Dr.” në komunikime politike; Presidenti Emmanuel Macron, Kryeministri Tony Blair etj.
Titujt akademikë zakonisht përdoren për të ndërtuar autoritet personal dhe prestigj, veçanërisht në vendet ku liderët nuk kanë legjitimitet të fortë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ose ku shoqëria e vlerëson shumë formën mbi përmbajtjen.
Kjo praktikë është e pranishme sidomos në shtetet diktatoriale, autoritare ose gjysmë-demokratike. Si për shembull në Siri ku diktatori i rrêzuar Bashar al-Assad prezentohej si “Dr. Assad” në media pro-regjimit ose në kontekste zyrtare, pastaj diktatori “Prof. Dr. Alexander Lukashenko” në Bjellorusi ose zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit “Akademik Ali Ahmadov” etj.
Qëllojani vetë pjesë e cilit grup liderësh është “Dr. Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”!?

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk