INCENERATORËT dhe RINOCERONTËT!

10
Apr
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
-Botuar në gazetën SOT, date 10 Prill 2023-
Sa herë përmenden “Inceneratorët”, çka emri i tyre është bërë refren i ditës, mendja vetiu më shkon tek “Rinocerontët”. Ndoshta për ngjashmërinë pothuaj të plotë në germa, por edhe për madhësinë e tyre fizike. I pari, “Inceneraratori”, një superobjekt i kohëve moderne, që pastron e djeg plehrat dhe mbeturinat urbane; ndërsa i dyti, “Rinoceronti”, një kafshë prehistorike që prodhon e shton plehrat. Duke parë rezultatin negativ e lubingrënës të parave tona nga Inceneratorët, do të thosha se më mirë në vend të tyre të kishim ndonjë Rinoceront, jo vetëm për plehun që u duhet arave të mbjella, por edhe për ta patur në kopshtin zoologjik, ku mund të fitojmë ndonjë kacidhe prej turistëve që do të mblidheshin rreth kësaj specie të zhdukur mijëra vjet më parë. Mirëpo për fat të keq, nga rinocerontët prehistorikë, nuk kemi asnjë, qoftë edhe si fosile kockash, ndërsa inceneratorë, kemi gjer tani plot tre copë, e në perspektivë për t’u shtuar edhe të tjerë.
Historia e “Inceneratorëve”nisi në vitin 2014, kur qeveria vendosi të djegë mbeturinat urbane, njëherësh edhe të prodhojë energji nga djegia e tyre. Për këtë qëllim në Kryeqytet, në Elbasan dhe në Fier u ngritën tre inceneratotë, objekte kaba, me aparatura speciale, që jo vetëm do të digjnin mbeturinat, por do të prodhonin edhe energji për sistemin energjitik. Falë Pi-Pi-Pi-ve dhe Koncesioneve, tashmë të provuara për “saktësinë, cilësinë dhe shpejtësinë” e zgjidhjes së problemeve, inceneratorët u ngritën në kohë rekord. Të sigurtë për suksesin, u bënë gati kontratat dhe pagesat përkatëse, të cilat përfshinin një kuotë prej 29 euro për çdo ton mbeturina, të përpunuara, të djegura e të kthyera në energji. Por, ndërsa pagesat nisën punën, inceneratorët nuk arritën të ndizeshin. Nga rreziku i këtij skandali, që plasi në mes të sheshit, koncesionari me ortakët e tij, ia therën vrapit “në drejtim të paditur”. Ama 29 euroshi për ton, vijoi të rrjedhë nga xhepi i qytetarëve, tek i pronarëve, më saktë tek llogaritë e tyre, sepse vetë ata nuk dihet se ku janë fshehur.
Kur kjo “legjendë urbane” kapërcej kufijt kombëtar, opozita, që ruan rastin ta godasë qeverinë “poshtë belit”, i përcolli “kusuret” e inceneratorëve në dyert e SPAK-ut, krijesës së re të gjyqësorit shqiptar, i cili është betuar se shumë shpejt do të kapë peshqit e mëdhenj të korrupsionit. SPAK-u, pas gati një viti nga padia, njërin nga “qikllopët” e djegies së mbeturinave, atë të Elbasanit, e kopsiti me hetime dhe ia dorëzoi Gjykatës Speciale Kundër Krimit e Korrupsionit. Pikërisht këtu nisi “odisea” e inceneratorëve, që nxjerr zbuluar dhe i bën qesharakë SPAK-un, GJKKO-në, ligjet dhe vetë sistemin që po ndërtojmë.
Me datën 30 mars 2023, u njoftua séanca e parë e GJKKO për Inceneratorin e Elbasanit, çka tërhoqi gjithë vëmendjen e medias dhe qytetarëve. Por “pushka” nuk shkrepi. Seanca e parë gjyqësore, u mbyll pa filluar. Arsyeja? Njëra nga të akuzuarat, nuk kishte arritur të sillte avokatin e saj, sepse ai gjendej jashtë shtetit. Por më e bukura qëndronte me të akuzuarën tjetër, Jonida Zeqon, e cila ishte në “arrest shtëpie”, por polici që shkoi ta merrte, nuk e gjeti në shtëpi. . . ! Akoma më interesante rezultoi situata me pronarët dhe të akuzuarit kryesorë të kësaj historie: Dy bashkëpronarët, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan, Interpol Tirana i kishte lokalizuar në Austri dhe kishte kërkuar ekstradimin e tyre, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga kolegët austriakë. Ndërsa për Klodian Zoton, koncesionarin kryesor, askush nuk e din se ku kullot . . . Me 7 prill 2023, u zhvillua senaca e dytë, por edhe ajo u anullua si e para. Edhe kësaj here, e “arrestuara në shtëpi” nuk u gjend në shtëpi. . . . ! Për pasojë, séanca u rishty për javën pasardhëse.
Imagjinojeni se si do të vejë odisea gjyqësore e tre “Qikllopëve”, të Tiranës, Elbasanit, e Fierit! Kushedi se sa séanca do të pasojnë njëra-tjetrën, kur “shkaqet” dhe “arsyet ligjore” të shtyrjes janë pa limit, si për shembull: Një herë mungon avokati; herën e dytë sëmuret prokurori; radhën e tretë, njeri nga gjyqatrët do të ketë ndonjë punë në Gjykatën e Lartë apo diku tjetër; të katërtën mungon i akzuari apo i burgosuri, i cili preferon më mirë të shullëhet në qelinë e burgut, se sa të dëgjojë séanca për bujë, që mbyten në ujë. Shtoju këtyre edhe seancat e dëgjimit të dëshmitarëve, ballafaqimit me dokumentacionin, përgatitja e mbrojtjes, kërkesë-ankesat e të akuzuarit, dhe pse jo edhe rekurset në gjykatat eprore, çka do ta spostojë historinë e inceneratorëve në kalendat e . . . SPAK-ut që do të “freskohet”mbas tre viteve.
Në një shkrim të këtyre ditëve kishte një frazë interesante: Autori i shkrimit sillte në vëmendje të lexuesit rastin e thirrjes nga Gjykata e Nju Jorkut të ish presidentit amerikan Trump, duke na e reklamuar këtë si shembullin prefekt të Drejtësisë dhe Demokracisë Amerikane. Mirëpo mua, skeptikut, për këtë “demokraci” e “drejtësi” të përtej Atllantikut, lëvdata e analistit m’u duk humoristike. Nëse Gjykata amerikane është perfekt ndaj kujtdo, nuk kishte asnjë arsye, që seancën tjetër me ish presidentin Trump, ta caktonte me 4 dhjetor, plot 7 muaj e gjysëm më vonë! Ky shembull i Gjyqësorit amerikan, më ngjau me Gjyqësorin tonë. Madje ky i yni, vërtet i shtyn seancat gjyqësore, por jo me intervale kaq të gjata, që kapin 7 apo 8 muaj. Jam i sigurtë se pas seancës së 4 dhjetorit 2023, ish presidenti Trump do të përfshihet në fushatën presidenciale, dhe pas kësaj të fundit, me fitore apo humbje, séanca për allishverishin me pornostaren, do të kapërcehet, siç u kapërcye edhe revolta e famshme me vrasje e plagosje brenda Kapitolit. Edhe ne, nuk mund të veprojmë asesi ndryshe nga miku ynë i përtej oqeanit, me të cilin jemi jo vetëm partnerë, por edhe solidar në të gjitha fushat e jetës e të aktivitetit politik, ekonomik, moral e shoqëror. Inceneratorët tanë, Gërdeci, 21 Janari e dhjetra dosje të tjera kësisoj, pas zgjedhjeve të 14 majit, do t’ia këpusin “gjumit” për t’u zgjuar me të njëjtën skemë në prag të zgjedhjeve politike të 2025-sës.
Provat tashmë janë bindëse: rreth 7 vjet nga “themelimi” i organeve të reja të Gjyqësorit, dhe të paktën dy vjet nga plotësimi me organikë të plotë e rroga të majme të SPAK-ut, BKH, dhe GJKKO, përsëri nuk kemi as një peshk të madh, nga ata që perifrazoi ambasadori Donald Lu, para katër-pesë viteve. Pse ka ndodhur e ndodh kjo?!
Po e shpjegoj shkurt me një skenë të komedisë “Kopraci” të Molierit:
Në skenën e fundit, kur Harpagoni ka konstatuar se florinjtë ia kanë vjedhur nga qypat që mbante në bodrum, del në skenë si i çakërdisur, duke thirrur: “Hajdutët, vrasësit, kriminelët, . . . oh . . më vodhën paratë e mija të gjora, më vodhën florinjtë e mi të shtrenjtë . . . Qytetarë, ushtarë, xhandarë, ejani, më ndihmoni, të kap hajdutin që më shkatërroi . . .” Në një moment, ndërsa vijonte ulërimën, zgjat duart prapa kuintës së skenës, ku kap “hajdutin” dhe thërret: “E kapa më në fund hajdutin, për besë të zotit . . . tani po ia rregulloi qejfin . . .!” Dhe del në paraskenë duke shtrënguar dorën e djathtë me të majtën, që pandehte se ishte dora e hajdutit!
As SPAK-u, as GJKKO, dhe asnjë organ tjetë i drejtësisë borgjeze, nuk mund të kapë e të dënojë hajdutët e nivelit “peshk i madh”, “peshkaqen” apo “krokodil”. Ky nivel hajdutësh janë pjesëtarë të sistemit të korruptuar e të degraduar kapitalist, i cili kërkon “Rinocerontë” e jo “Inceneratorë” për ta përmbysur.
—————————————-

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk