INSTITUCIONET FETARE DUHET TA KRYEJNË MISIONIN E TYRE KOMBËTAR DHE HUMAN

22
Jul
2024
Shkruan: Akademik Abulla Mehmeti

Reflekse
Përveç veprimtarisë religjioze, predikuese dhe ceremoniale, institucionet fetare ndër shqiptarët, në vend dhe në mërgatë, duke filluar nga Bashkësia e Fesë Islame, Myftinitë e rretheve, xhamitë e vendbanimeve, si dhe axhamitë që veprojnë në Mërgatë, duhet ta kryejnë edhe misioni e tyre të dobishëm për jetën, mirëqenien dhe dobinë e qytetarëve që i përfaqësojnë ato, si në vend edhe në botën e jashtme.
Institucionet fetare të besimit të krishterë, kishat dhe manastiret e popujve të tjerë e kryejnë këtë mision që nga shek. 16-të, siç është e dokumentuar. Pse edhe në ditët e sotme një mision të tillë të dobishëm dhe praktik për nevojat e qytetarëve të vendit të mos e kryejnë edhe institucionet fetare Islame?
Çfarë është në kundërshtim me besimin Islam, nëse institucionet fetare, krahas institucioneve administrative të shteteve ku jetojnë shqiptarët, të mbajnë regjistra (regjistra me afat të qëndrueshëm, jo evidencë formale afatshurtër), përkatës të evidencës, për fëmijët e sapolindur, kurorëzimet e çifteve, për të vdekurit dhe çështje të tjera, të cilat do të kontribuonin jo vetëm si statistikë, por edhe për çështje të tjera të dobishme për kombin dhe vendin e tyre.
Përderisa qytetarët i kryejnë obligimet e veta ndaj institucioneve fetare, të besimit Islam dhe atij të Krishterë, edhe institucione fetare duhet t’i realizojnë detyrimet e veta ndaj qytetarëve.
Këto institucione, nëse mbajnë evidencë vetëm për taksat dhe kontributet që duhet t’i paguajnë besimtarët, por nuk mbajnë regjistra për besimtarët e tyre, për ata që lindin, kurorëzohen dhe vdesin, atëherë këto institucione nuk mund ta kryejnë misionin e tyre, as fetar dhe as kombëtar.
Në mungesë të këtij përkushtimi dhe detyrimi moral e kombëtar, nga institucionet shtetërore dhe fetare, por edhe nga shërbimi i keq i një pjese të drejtuesve të pushtetit dhe udhëheqësve fetarë, në shërbim të interesave të huaja, asnjëherë shqiptarët nuk e kanë ditur saktë numrin e tyre, sa janë dhe ku janë!
(22. 7. 2024)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk