– INTERVISTA IME DHËNË GAZETËS POLAKE “Guerila”

27
Oct
2023
Shkruan: Hasan S. Zeneli


-Ishim në burgun serb të Mitrovicës së Sremit, kur filluan bombardimet e NATOS.
Pas 10 ditë bombardimesh nga ky burg na transferuan në burgun e qytetit të Nishit.
Aty filluan maltretimet çnjerëzore ndaj neve të burgosurve shqiptarë.
Disa ditë më vonë, na transferuan në burgun e Dubravës.
Aty shihej se kishin qëndruar forcat militare serbë, sepse kishin lenë gjurmë nga të cilat gjetëm pjesë uniformash, bajoneta dhe pjesë të veshjeve të brendshme grash dhe vajzash të cilat ishin dhunuar nga ushtria serbe.
Gjetëm vathë dhe stoli tjera të këputura nga fyti i grave apo vajzave.
Më e dhimbshmja për mua ishte kur gjeta një vesh njeriu të prerë dhe sandalet e një vajze të vogël 3 apo 5 vjeçe.
Aty, filluan maltretimet e përditshme që nga data e 11 Majit e deri me datën 22 Maj 1999 kur edhe nga forcat e NATO-s, u bombardua pjesa e jashtme e burgut, kryesisht karakollët dhe një pavijon i cili gjendej afër murit.
Gardianët të cilët ishin duke na maltretuar, ikën dhe dolën jashtë murit, kurse neve mbetëm nën mëshirën e zotit të mbyllur brenda pavijoneve.
Disa nga të burgosurit, të cilët ishin, “Tip i lirë”, e, që ishin brenda mureve të burgut, filluan me gjësende të metalta dhe na i hapën dyert në mënyrë që ne të dalim jashtë pavijoneve dhe t’i ikim rrezikut nga bombat e aleancës së NATO-s e cila filloi të bombardojë edhe brenda mureve të burgut..!
Nga bombardimet e NAZO-s, vdiqën 9 të burgosur dhe u plagosën mbi 20-të.
Ditë më vonë, një delegacion nga ushtria serbe i përbërë nga pesë veta, hyri brenda mureve, kinse për të na vizituar dhe pyetën për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve.
Ata, ishin njerëz të graduar nga armata serbe dhe njëri prej tyre kishte gradën e kolonelit.
Të nesërmen, rreth orës 05 të mëngjesit, nga altoparlanti dëgjuam se duhet të rreshtohemi në fushën e futbollit e cila ishte vetëm 10 metra afër karakollës dhe murit.
U rreshtuam duke besuar se vërtet kanë ardhur autobusët për t’u transferuar në një burg tjetër.
Pas më pak se 2 minutave nga jashtë murit na sulmuan me dhjetëra granata dore përnjëherë, pastaj kanë filluar të shtënat nga mitralozat, kallashnikovët dhe mortaja e dorës, ku në fushën e futbollit mbetën të vdekur mbi 200 të burgosur dhe të plagosur me qindra tjerë.
Nga aty, kemi ikur për tu fshehur diku nëpër pavijone e nëpër pusetat e kanalizimit.
Me të pushuar prej të shtënave, unë Hasan Zeneli , duke e njohur ne detaje artin e luftës, menjëherë organizova një grup djemsh që të m’i sjellin kapakët e dritave të neonit dhe aty nën fushën e futbollit në luadhin e gjelbër e shkrova fjalën HELP, për ti treguar NATO-s se, këtu jemi në rrezik dhe kërkojmë shpëtim.
Me të shkruar të fjalës HELP, aeroplani vëzhgues i cili gjendej mbi burg ka bërë fotografimin dhe bombardimet e NATO-s, kanë ndaluar fare, por, një grup paramilitarësh prej më tepër se 15 vetave hyri brenda mureve dhe vriste të burgosur nëpër pavijone dhe nëpër pusetat e burgut.
Pas rreth një orë, ata paramilitarët ikën jashtë dhe brenda mureve u shfaqën policia speciale dhe na rekomanduam që të mblidhemi ne të tjerët në sallën e sportit dhe të ikim nga ky burg sa më shpejt të jetë e mundur.
Pas pak erdhën autobusët dhe kamionët për të na transportuar diku tjetër.
Në të dalë nga burgu, vërejtëm me qindra trupa të vrarë dhe të grumbulluar ne një parking automjetesh të personelit të burgut ku parkojnë.
Na dërguan në burgun e qytetit të Lypjanit dhe aty qëndruam deri më 12 qershor datën e nënshkrimit të Marrëveshjes së përfundimit të luftës.
Më 12 qershor na transferuan përsëri drejt burgut të Nishit në Serbi ku qëndruam deri në vitin 2002 pa bukë apo me fare pakë bukë.
Në prillin e vitit 2002 u liruam nga ky burg.
Me respekt për lexuesit; Hasan Zeneli, i burgosuri i luftës së UÇK-së dhe formuesi i saj.
Prishtinë, 25 tetor 2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk