Mekuli: Kjo marrëveshje tregon se shqiptarët nuk janë më spektatorë në lojën gjeopolitike, por faktor politik dhe ushtarak me peshë
“Ka kaluar koha kur shqiptarët gjuanin tankset serbe me gurë e me kallashnikovë!”
Opinionisti Gëzim Mekuli në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo marrëveshje është një zhvillim i natyrshëm dhe i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe se është një garanci se asnjë forcë nuk mund të cenojë sovranitetin e këtyre shteteve.
ImageGëzim MekuliFoto galeri
“Ky bashkëpunim trepalësh midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është një zhvillim i natyrshëm dhe i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Kjo aleancë nuk është një kërcënim për askënd, por një garanci se asnjë forcë nuk do të mund të cenojë më sovranitetin e këtyre shteteve. Shqipëria dhe Kosova, të bashkuara në një strukturë të përbashkët mbrojtëse, tregojnë se shqiptarët nuk janë më spektatorë në lojën gjeopolitike, por faktor politik dhe ushtarak me peshë. Kjo marrëveshje stopon përfundimisht çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë me dhunë dhe ndalon çfarëdo tentimi për të destabilizuar rajonin”, thotë ai.
Tutje, thotë se shqiptarët dhe kroatët kanë përjetuar gjenocidin serb, andaj edhe marrëveshja është e natyrshme.
Ai shton se, kjo marrëveshje “kjo aleancë ushtarake dërgon një porosi të qartë se Beogradi nuk mund të sillet më si një forcë e paprekshme ushtarake apo politike në Ballkan”.
“Aleanca shqiptaro-kroate është krejtësisht e natyrshme, pasi të dyja kombet kanë përjetuar agresionin dhe gjenocidin serb. Serbia për dekada ka ndjekur politikën e krijimit të entiteteve të paligjshme përmes spastrimet etnike, siç ndodhi me Republikën Srpska në Bosnje. Por me këtë aleancë, çdo ëndërr për të krijuar një tjetër “republikë serbe” është përfundimisht e vdekur. Nuk do të ketë më ushtri serbe që të masakrojë civilë për të realizuar projekte nacionaliste. Në vend që të ankohet për këtë bashkëpunim, Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj kriminale dhe të kuptojë se nuk është më një forcë e pakontestueshme në rajon.
Serbia tradicionalisht është përpjekur të paraqitet si viktimë sa herë që vendet fqinje organizohen për mbrojtjen e tyre. Megjithatë, realiteti është ndryshe: Beogradi ka shpenzuar miliarda për të forcuar ushtrinë e tij, duke blerë armë nga Kina, Rusia dhe Perëndimi. Prandaj, shqetësimi i Serbisë për këtë bashkëpunim është hipokrizi. E nënvizoj edhe njëherë se kjo aleancë ushtarake dërgon një porosi të qartë se Beogradi nuk mund të sillet më si një forcë e paprekshme ushtarake apo politike në Ballkan”, shpjegon ai.
Në fund, potencon se shqiptarët janë faktorë ushtarak dhe politik në Ballkan, dhe këtë realitet askush nuk mund ta ndryshojë më.
“Kjo marrëveshje i dërgon një mesazh të fortë jo vetëm Serbisë fashiste, por edhe çdo aktori të jashtëm që synon ta shohë Ballkanin si një zonë kaosi dhe konflikti. Aleanca mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë tregon se shqiptarët dhe kroatët janë të bashkuar dhe nuk do të lejojnë më që të përsëriten skenarët e viteve ‘90. Politikat e “Botës Serbe”, të bazuara në dhunë, zjarr dhe gjenocid, kanë marrë fund. Një aleancë e tillë ka qenë e vonuar, sidomos midis Tiranës dhe Prishtinës, por më mirë vonë se kurrë. Tani shqiptarët janë faktorë ushtarak dhe politik në Ballkan, dhe këtë realitet askush nuk mund ta ndryshojë më.
Ka kaluar koha kur shqiptarët gjuanin tankset serbe me gurë e me kallashnikovë!”, përfundon ai.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!