Jakov Xoxa , shkrimtar i shquar viteve 70-të

19
Apr
2023

Shkruan:Nesip Kaçi
Publicist
Para pak ditësh në Tiranë u përkujtua 100 vjetori i shkrimtarit të shquar Jakov Xoxa, autori i romaneve “ Lumi i Vdekur “ , “ Juga e bardhë “, “ Lulja e kripës “ dhe shumë veprave të tjera në disa gjini letrare. Jakov Xoxa lindi në Fier më 1923. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në Vlorë dhe Berat, kurse shkollën e mesme e kreu në Kavajë, Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Që në bankat e shkollës së mesme ai u hodh në lëvizjen popullore çlirimtare dhe më vovë mori pjesë në Lëvizjen Naçionalçlirimtare, si i ri atdhetar. Pas çlirimit iu fut shkollës, ndoqi studimet e larta për filologji, të cilat i kreu në vitin 1952. Për njëfarë kohe punoi në Institutin e Shkencave, pastaj punoi gazetar, më pas kaloi pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar të Tiranës dhe që nga viti 1957 punoi pedagog në Fakultetin e Histori – Filologjisë të Universitetit, ku dha Teorinë e Letërsisë.
Unë që po shkruaj këto radhë për shkrimtarin Jakov Xoxa, që e adhuroj aq shumë, sepse e kam njohur së afërmi, atë dhe veprat e tij, dua të them se professor Jakovi na ka dhënë një vit e gjysëm lëndën Hyrje në Letërsi në fakultetin Histori-Filologji. Ne studentët e tij, që nuk ishim të paktë në auditor,por ishim mbi 80 veta, se përfshiheshin në këtë lëndë tre apo katër degë dhe që e prisnim me kënaqësi të veçantë kur ai hynte në auditor për të na dhënë leksionet. Nga ai auditor dolën më pas disa shkrimtarë dhe poetë si Ruzhdi Pulaha, Musa Vyshka, Elena Kadare, Klara Kodra, Ruzhdi Qatipi,Koçi Petriti, Minush Jero, Minush Idrizi dhe të tjerë, të cilët mësimet e para në fushën e lerërsisë i kanë marë nga shkrimtari i madh dhe i pavdekshëm Jakov Xoxa. E kush nuk e ka njohur autorin e romanit “Lumi i vdekur “ që bëri jehonë në ato vitet e botimit, por adhe më pas. Vepra letrare e Jakov Xoxës përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e prozës shqiptare, që e shquajti përkushtimi i flaktë ndaj fjalës artistike dhe që kërkoi nga shkrimtari përgjegjësi qytetare, thekson studiuesi Koço Bihiku, kur shkruan për krijimtarinë e të madhit Jakov Xoxa.
Ajo që shkrova pak më lartë se professor Jakovi na ka dhënë lëndën “ Hyrje në letërsi”, më ka dhën mundësinë ta njoh për së afërmi këtë pedagog, shkrimtar të talentuar dhe shumë i komunikueshëm me studentët. Kur na jepte leksionet, ne ai na kënaqte me thellssinë e njohjes së lëndës “ Hyrje në letërsi “, me mënyrën e komunikimit me studentët nga katedra e auditorit, nuk mërzitej kur ndonjë student i lutej të fliste më ngadalë që të arrinim të mbanim shënime për ato që na shpjegonte,ne mbanim shënime për arsye se në atë kohë nuk kishte tekste. Por njohja më e afërt me professor Jakovin ishin seminaret, që organizoheshin veç e veç me çdo kurs, sepse marrja e leksionit në auditor bëhej kolektivisht me të gjitha kurset, siç ishin ai Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, kursi i anglishtes, kursi i frëngjishtes, ai i rusishtes. Në seminare që bëheshin mbasdite me çdo kurs veç e veç, na jepej mundësia që të njiheshim më mirë me profesorin, se ai do na kontrollonte sa i kishim kuptuar dhe mesuar leksionet që na kish dhënë në auditor. Kur nuk ishte i kënaqur nga përgjigjet tona na caktonte një ditë tjetër për të na marrë në seminar dhe na vlerësonte me notë për pëergjigjet tona. Këto seminare ne na detyronin të përgatiteshim mirë për lëndën e tij. Nëpërmjet seminareve ai na njihte me emra e mbiemra një për një, mbante shënime për përgjigjet tona dhe na caktonte detyra të veçanta për secilin student apo studente. Unë isha kujdestari i kursit të rusishtes dhe për ndonjë student apo studente që nuk qe i knaqur nga përvetësimi i lëndës prej tij, apo prej saj, apo kur ndonjë mungonte në seminar më urdhëronte ta raportoja në Sekrerarinë e fakultetit, që t’i tërhiqej vërrejtje, që të mos mungonte më në seminare apo të përgatitej më mirë për leksionet. Unë për çdo detyrë që më ngarkonte profesor Jakovi, i raportoja në fillim të çdo seminari, prandaj më mbante afër, unë e respektoja me përpikmëri. Kjo punë më ka bërë që të njihem mirë me professor Jakovin, gjatë një periudhe prej një vit e gjysëm, që zgjati lënda që na dha ai. Ai të impononte respekt me korrektësën e tij.
Duhet të themi që në fillim se Jakov Xoxa shkroi një varg veprash të shquara, që u bënë të dashura dhe popullore për masën e lexuesve të shumtë. Ato do të ruajnë vlerën e tyre edhe për brezat e ardhshëm. Të tilla janë e do të mbeten libri “Novela”, drama “ Buçet Osumi” dhe “ Zemra “. Romani “Lumi i vdekur”, që u botua më 1964, e vendosi Jakov Xoxën në radhën e shkrimtarëve të sotëm të talentuar, për të cilin u nderua me çmimin e Republikës së Shkallës së Parë. “
Lumi i vdekur, është vepra më e rëndësishme e Jakov Xoxës, ky roman ngërthen një brendi të gjerë ideore në një periudhë të shkurtër historike një vjeçare. Pasqyrimi i thellë i jetës, aftësia për të dhënë pamje të gjalla, larmia e episodeve, herë dramatike, herë tragjike, ndonjë herë edhe komike, në të cilat nuk mungon një humor i shëndetshëm fshatar, përbëjnë veçoritë karakteristike të romanit “ Lumi I vdekur”. Vepra është një rëfim tronditës për jetën e rëndë, të kredhur në vuajtje të papërshkruara të bujkut myzeqar nën thundrën e beut. Autori e fut lexuesin menjëherë në veprimin e romanit me një ton plot trishtim, për skamjen e pallogaritshme. Në këtë roman pasqyrohet me vërtetësi të madhe jeta e fshatarit myzeqar. Shkrimtari Jakov Xoxa që e ka njohur në mënyrë të gjithanshme jetën e Myzeqesë diti të tregojë, jo vetëm realitetin e zymtë të fshatit shqiptar, por edhe anët e tij të ndritura, elementet e shëndosha njerëzore. Në disa skena autori me nota prekëse tregon se sa zemërmirë e të dhemshur janë bujqit, sa kujdes e vëmendje shfaqin ata kur ndonjerit i bie mbi krye ndonjë hall a fatkeqësi. Një nga personazhet e këtij romani, Koz Dynjaja ka mundur t’i frymëzojë bujqit në qëndresën kundër beut, por ai e sheh se bujqit nuk ishin të vetëdijshëm për gjëndjen e tyre dhe për rrugën që duhet të ndiqnin. Kjo e hidhëronte. Koz Dynjasë i afrohen bujqit dhe ia dëgjojnë fjalën. Kozi frymëzon bujqit në qëndresën kundër beut. Në një varg episodesh dalin në shesh cilësitë e shquara të Kozit, si qëndresa e papërkulur kundër beut, krenaria se familja e tij brez pas brezi ka shkuar brisk me bejlerët, bile dhe ai vetë hakmerret kundër çifligarit, siç bëri në rastin kur e hodhi atë në kënetë.
Pilo Shpiragu është vënë në qëndër të romanit. Të tjera personazhe janë pjesëtarët e familjes së tij si Leksi, Llazi, Karilla, të çilët janë në funksion të zbulimit të karakterit të Pilos, rreth të cilit lidhet konflikti kryesor i romanit. Ndryshe qëndron puna me Vitën, e cila ka rolin e saj në idenë e romanit . Jeta e saj, sidomos historia e dashurisë me Adilin, përbën një nga vijat kryesore të subjektit, e cila zë fill në kapitullin e parë të romanit dhe e përshkon këtë deri në fund. Brengat dhe vuajtjet e Vitës, dashuria e saj e pastër dhe e guximshme për Adilin është një protestë kundër jetës së zymtë e vegjëlisë myzeqare. Në përshkrimet e portretit që na njohin me Vitën ka diçka romantike. Autori thekson rininë e saj, bukurinë e myzeqares dhe atë hov ndjenjash të pastra, që është tipari i saj më i dukshëm. Duke portretizuar dhe poetizuar pamjen e saj të jashtme, shkrimtari pohon të bukurën te njeriu, fisnikërinë dhe forcën e ndjenjave të pastra. Jakov Xoxa di të japë me mjeshtëri gëzimin e jetës, aspiratën për lumturi, guximin për t’a mbrojtur dashurinë e saj. Duke lartësuar fisnikërinë dhe bukurinë e ndjenjave të Vitës, Jakov Xoxa , në të njëjtën kohë proteston kundër vuajtjeve që ajo heq, por aureolën poetike, me të cilën e ka rrethuar shkrimtari, Vita mbetet një person i gjallë me zemër dhe me shpirt. Historia e Vitës tregon se me gjithë mjerimin, mungesat e jetës dhe shtypjen e bejlerëve dhe agallarëve, në zemrat e bujqëve myzeqarë rrihte e fortë dashuria për jetën, për gëzimet tokësore, besimi i patundur në ngallnjimin e së drejtësn mbi të keqen, kjo është filozofia që na lë ta nënkuptojmë Jakov Xoxa, pasi të lexojmë “ Lumin e vdekur”.
Një roman tjetër i Jakov Xoxës është “Juga e bardhë “ e botuar në vitin 1971. Letërsia jonë nuk u kaloi anash dukurive të reja në jetën shoqërore. Shkrimtari Jakov Xoxa, u përpoq të pasqyrojë konfliktet aktuale , që zhvilloheshin në jetën e fshatit. Këto konflikte përshkruan në fund të viteve 60 –të edhe ”Tokë e ashpër “ e Teodor Laços, “ Zjarret “ e Sterio Spasses, “ “Brezat” e Fatmir Gjatës etj., që ashtu si Jakov Xoxa në ‘Juga e bardhë”, pasqyruan atmosferën e tendosur të fshatit shqiptar, në ato vite të vështira, që solli kolektivizimi bujqësisë, që koha tregoi se ishte një politikë absurde dhe çnjerëzore.
Jakov Xoxa me aftësite e tij artistike, me kulturën e tij të gjithanshme, nëpërmjet romanit “ Juga e bardhë”, ka përçjellë mesazhe të reja në letërsinë tonë, ai sikur e ka parashikuar tragjedinë e kolektivizimit. Nëqoftëse “Lumi i vdekur” u çmua shumë nga shtypi i kohës, që e ngriti në piedestal Jakov Xoxën, kësaj vepre “ Jugës së bardhë “ nuk iu bë e njëjta jehonë, nuk u çmua shumë dhe mund të themi pa frikë se u vu në surdinë, u la në hshtje, që të mos bëhej zhurmë me këtë vepër kaq të bukur letrare, që i hapi lakrat kooperativizmit dhe kolektivizmit.
Kiu Korroziu, kryetar i kooperativës bujqësore, është tipi i fshatarit, që nuk është “çliruar” nga përfytyrimet dhe dëshirat e pronarit të vogël, i lidhur fort pas mallit të vet. Kiu Korroziun, të cilin që në emër, autori i këtij romani e humorizon, livadhis sipas qejfit, ai ka nxjerrë përfitime të mëdha nga shkeljet e statutit, sepse e favorizon pushteti i tij i pazaptë i kryetarit, nënvizon, autori i këtij romani. Kiu-n, apo, po të doni i shtojmë dhe mbiemrin, Korroziu-n, e favorizonin lidhjet familjare në kryesinë e kooperativës, që të notonte në ujëra të turbullta për shkeljen e demokracisë kooperativiste. Me Korroziun, Jakov Xoxa, synoi të paraqesë burokratizimin në shfaqjen e tij më të koncentruar dhe thelbin më të shëmtuar të sistemit të kolektivizimit me anën e forcës. Ai që nuk futej në kooperativë kalbej burgjeve. Këtu mund të themi se Jakov Xoxa, ka ditur të kamuflohej mirë me anën e artit dhe letërsisë, që janë mjete mbrojtëse demokratike e përparimtare, për të denoncuar të keqen. Romani “Juga e bardhë “, sot, varret si t’a shikosh, por unë mendoj, se në të përshkruhet dhe bëhet kritika më e fortë me mjete artistike e letrare ndaj sistemit kooperativist në fshatin shqiptar të asaj kohe.
Ai që e ka lexuar romanin ” Juga e bardhë “ e kupton mirë këtë roman të shkruar me realizëm e saktësi për gjëndjen e rrëndë që ka ekzistuar në fshatin Pirgan të Myzeqesë siç ndodhte edhe në fshatra të tjera në atë kohë. Por si Kiu Korroziu në Shqipëri kishte me dhjetra. Kryetarët e kooperativave ishin prepotentë , ata nuk i përfillnin aspak masat kooperativiste. Kiu Korroziu është një zbulim i vërtetë artistik përgjithësues në letërsinë tonë të viteve 60-70. Sistemi kooperativist kishte dështuar në Shqipëri. Romani “Juga e bardhë” është një ngjarje e rëndësishme e prozës shqiptare të viteve 70, që e vërteton këtë me mjete artistike. Ai dëshmon për përpjekjet e letërsisë për të depërtuar sa më thellë në jetë, në atë çka ndodh në të vërtetë në fshatin shqiptar, pa e zbukuruar. Vepra , siç e thamë më lartë, është një pasqyrim i guximshëm dhe me vërtetësi i asaj çka ka ndodhur. Jakov Xoxa arriti të shtronte një problematikë të ndërlikuar dhe thellësisht aktuale, të përshkruante disa anë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në fshat të cilat nuk ishin prekur apo trajtuar me kaq hollësi.
Romani i fundit “ Lulja e kripës “ , i cili u botua pas vdekjes së autorit, për nga forma artistike, sidomos për nga mënyra e refimit, zë një vend të veçantë në prozën e Jakov Xoxës. Në qoftë se në romanet e mëparshme tipar karakteristik i stilit të shkrimtarit ishte përshkrimi i hollësishëm i jetës së personazheve, i marrëdhënieve dhe i konflikteve shoqërore, te “Lulja e kripës “ autori priret drejt një paraqitjeje më të përgjithësuar, më të sintetizuar të jetës. Në kërë roman për pasqyrimin e anëve thelbësore të realitetit, shkruan studiuesi Koço Bihiku, autori ka përdorur dhe motive gjysmëlegjendarë, karakteristike këto për medimin artistik të popullit të mishëruar në përvojën e folklorit. Në këtë roman pasqyrohet gjëndja e rëndë e vegjëlisë të popullit të fshatit Nafora nën zgjedhën e klasave shfrytëzuese dhe të armikut pushtues të huaj. Shpallja e Gjolit, burimit të rëndësishëm të jetës së naforiotëve si zone e ndaluar ushtarake, u bë nga pushtuesit italianë me qëllim për të përvetësuar të ardhurat e shumta që vinin nga peshku e ngjala e Naforës dhe për të shtypur frymën e qëndresës së fshatarëve. Jakov Xoxa përshkruan rrezistencën e naforiotëve dhe rritjen e vetëdijes se tyre patriotike. Romani “ Lulja e kripës” zë një vend të rëndësishëm në historinë e zhvillimit të romait tonë në vitet 70-ë dhe një pasuri e re në letërsinë tonë.
Jakov Xoxa u largua nga gjiri i shkrimtarëve në një kohë kur forcat e tij krijuese ishin në lulëzim të plotë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk