Osllo
Në vend që të marrin mësim nga Kryeministri, i cili në fakt po ua jep leksionet dhe formulën e fitores, opozita ka zgjedhur sulmet kundër tij. A nuk e shihni që ai ju ofron rrugën e qartë drejt suksesit, ndërkohë që ju, me një reper në krye – kenga e parë e të cilit titullohej “Krejt mbrapsht” – po shpresoni për mrekulli? Çfarë pritni të ndodhë kështu?
Me Memlin, Samiun, Ganen, Abelardin, Mërgimin, Bekimin dhe të tjerë si ata, harroni se do të arrini ndonjëherë te fitorja. Partia Demokratike e Kosovës, në vend që të reformohet dhe të ndërmarrë ndryshime të thella, vazhdon të ëndërrojë kthimin në pushtet pa asnjë bazë reale. Për të nisur një rrugë drejt suksesit, Bedri Hamza duhej të ishte zgjedhur kryetar i partisë, duke e drejtuar atë dhe duke qenë njëkohësisht kandidat për Kryeministër – ashtu siç është norma që kryetari të jetë kandidat. Mirëpo, Memli Krasniqi, për shkak të frikës nga humbja e zgjedhjeve dhe për të shmangur përgjegjësinë personale, vendosi ta “digjte” politikisht Bedri Hamzën, duke ia lënë atij gjithë barrën e dështimit.
Është e habitshme që Bedri Hamza e pranoi këtë karrem. Në histori nuk mbahet mend një rast ku kandidati për Kryeministër nuk është kryetar i partisë që përfaqëson. Sikur Bedriu të ishte kryetar i partisë dhe të mos kishte në krah figurat e përmendura më lart, ai do të kishte qenë kandidati i vetëm që mund të dilte përballë Albin Kurtit në këto zgjedhje. Por, për shkak të historikut dhe skandaleve të PDK-së, ai nuk pati asnjë mbështetje reale dhe përfundoi si viktimë e djegies politike – një gjë që ai nuk e meritonte. Nuk është e nevojshme të jesh gjithmonë i dëgjueshëm për të djegur veten, pavarësisht presioneve që të bëhen.
Deklarata e Kurtit për opozitën dhe koalicionet
Kryeministri aktual dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh asnjë mundësi për koalicion me partitë e tjera politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai ka përmendur fjalinë e tij të njohur se “opozita nuk është reformuar” dhe ka dhënë si arsye kryesore sulmet e opozitës ndaj partisë dhe qeverisjes së tij gjatë muajve të fundit.
“Nuk shohim mundësi për ndonjë koalicion paszgjedhor, prandaj kemi bërë koalicionet parazgjedhore me partinë Guxo dhe Alternativën. I kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë – PDK, LDK dhe AAK – në këto katër vite nuk kanë treguar asnjë shenjë reforme. Përkundrazi, gjatë muajve të fundit sulmet ndaj subjektit tonë politik dhe qeverisjes sonë demokratike kanë qenë të shumta. Për këtë arsye, nuk shohim mundësi për ndonjë koalicion në mandatin e ardhshëm. Për më tepër, një koalicion i tillë nuk do të jetë as i nevojshëm,” tha Kurti për “Kosovapress.”
Përfundim
Pa reforma të thella dhe një ndryshim rrënjësor, PDK-së i mbetet vetëm të ëndërrojë për kthimin në pushtet. Deri atëherë, ju uroj ëndrra të këndshme!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!