Kamberi, grafitet antishqiptare në Bujanoc

27
Aug
2024
Nga: Gëzim Mekuli


Grafitet antishqiptare në Bujanoc, Kamberi letër ShBA-së dhe Britanisë: Urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve po rritet
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar ambasadat perëndimore në Beograd për mbishkrimet “vritni shqiptarët”, të cilat janë paraqitur se fundi në Bujanoc.
Për këtë çështje, ai iu ka shkruar letër ambasadës amerikane në Beograd, ambasadës britanike dhe misionit të OSBE-së.
Në letrën e tij, Kamberi ka shkruar se këto grafitë po kontribuojnë në një atmosferë gjithnjë e më toksike në rajon.
“Ju drejtohem në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë, i shqetësuar për rritjen alarmante të ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Bujanoc. Kjo armiqësi në rritje, e dëshmuar nga grafitet që nxisin hapur dhunën me mesazhe si “Vritni Shqiptarët,” po kontribuon në një atmosferë gjithnjë e më toksike në rajon. Këto zhvillime alarmante nuk janë të kufizuara në incidente të izoluara, por po përsëriten nga zyrtarë dhe institucione qeveritare të cilët duhet t’i mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Veçanërisht shqetësues është roli i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Kamberi në letrën e tij.
Po ashtu, në këtë letër ai ka shkrua edhe për pasivizimin e adresave shqiptarëve në Luginë.
“Gjithashtu shqetësuese është intensifikimi i pasivizimit të adresave, një proces që po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet diskriminimi kundër komunitetit shqiptar. Kjo praktikë ka për qëllim të çregjistrojë sistematikisht anëtarët e popullsisë shqiptare duke anuluar statusin e tyre zyrtar të rezidencës e që po ndikon në shpoppullimin e saj nga shqiptarët. Veprime të tilla jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njeriut, por gjithashtu minojnë parimet e barazisë dhe drejtësisë që duhet të jenë themeli i një shoqërie multietnike”, thuhet në letrën e Kamberit.
/ Huazuar nga Mekulipress/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk