KAONIA- pjesë e EPIRIT. Epiri – krahina më jugore e ILIRISË, shtrihej në jug të lumit Vjosa dhe kufizohej me krahinat veriore të Greqisë së vjetër. Fiset kryesorë të EPIRIT ishin Kaonët, Thesprotët, Molosët dhe Athamanët; mund të shtonim edhe nënfiset: parorajt, amfilohët, kasopët, prasaibët (që banonin rreth Butrintit), mesapët, omfalët (nënfis i kaonëve), arkatanët etj., por këto, për arsye se qenë nënshtruar apo të lidhur në federate, ishin nënfise të mëdha, që lujanë rol të dorës së dytë në shtjellimin e ngjarjeve të Epirit.
Shumica e historianëve dhe e gjuhëtarëve, duke u nisur kryesisht nga burimet e shkruara historike të kohës antike, në radhë të parë të vetë autorëve me origjinë greke, pranojnë se banorët e Epirit kishin prejardhje ilire, disa prej tyre, edhe këta jo me më pak autoritet, i japin të njëjtave burime kuptimin e kundërt dhe duan t’i nxjerrin epirotët si grekë. Historiani i famshëm Tukididi, që shkroi në shek V p.Kr., bën një dallim të qartë ndërmjet helenëve dhe fiseve kryesore epirote dhe i quan këto fise barbare. Grekët me këtë quanin të gjithë ata popuj që bënin bër-bër (kështu e shpjegojë gjuhëtarët kuptimin e dikurshëm, etimologjinë e kësaj fjalë).
KAONËT banonin në veri të Thesprotëve (Çamëria etnike-krahinë e Epirit) jo vetëm gjatë bregut të detit, prej lumit Kallama e deri në majat e Llogarasë, duke përfshirë kështu krejt rrethet e Sarandës dhe të Himarës, por pjesë të Kaonisë ishin edhe krahinat e Kuveleshit, lugina e Shushicës, Dropullit e Lunxhërisë.
Nga veriu Kaonët kishin kufi të përbashkët me fisin ilir të Amantëve, që i kishin venbanimet në luginën e Shushicës (Vlorë), kurse nga fiset e Bylisarëve dhe të Atintanëve, që banonin në Mallakastër e Skraparin e sotëm, i ndante lumi i Vjosës. Përtej maleve të vargut të Lunxhërisë, që formonin kufirin lindor të kaonëve, shtrihej Molosia.
Një pjesë e mirë e popullsisë Kaone, në radhë të parë, natyrisht, banorët e bregdetit, mereshin qysh në kohë shumë të lashta me lundrim, duke vozitur me barkat e tyre jo vetëm gjithë bregdetin lindor të Adriatikut e të Jonit, por guxuan me mjetet e tyre të thjeshta lundrimi të hidheshin deri në brigjet e përtejme për të bërë tregëti, ose të grabitnin krahinat e Italisë Jugore.
Qysh në shek XII e XI p.Kr., disa nënfise të Kaonëve, në krye të të cilëve Mesapët, (ka një krahinë ne Italinë e Jugut që quhet Mesaplik), u shpërngulëm tërësisht apo pjesërisht për t’u vendosur përgjithmonë në anën tjetër të detit. Ata sollën këtu kulturën e tyre dhe e ngritën këtë në një shkallë shumë të përparuar. Mesapët, bartësit kryesorë të kësaj kulture të re në tokën italike, u dalluan nga bashkëatdhetarët ilirë të bregut të këtejmë sidomos nga fakti, se ata lavruan gjuhën e tyre, duke marë për bazë alfabetin grek dhe latin. Mbishkrimet, të skalitura kryesisht mbi gur, që na kanë lënë Mesapët, nuk janë të pakta, por me qenë se nuk e njohim gjuhën ilire, ato nuk kanë mundur të shpjegohen në mënyrë të kënaqshme; vetëm një pakicë fjalësh të këtyre mbishkrimeve Mesape gjejnë shpjegim me anën e gjuhës së sotme Shqipe.
Në shek.V p.Kr., Kaonët e shtrinë pushtetin e tyre jo vetëm mbi shumë fise të Epirit, ndët të cilët Thesprotët, por të lidhur në aleancë me qytetin Ambrakia sulmuan edhe Ambrakinë (Arta e sotme).
Edhe te Kaonët sundimi mbretit i përkiste në shek.V p.Kr, së kaluarës. Në krye të shtetit qëndronin dy kryetarë, të zgjedhur krye çdo viti nga mesi gjinisë apo fisit sundues. Sundimi i përbashkët i dy personave dhe ndërimi i tyre në krye çdo viti tregon për një regjim qeverisjeje mjaft të përparuar te Kaonët, qeverisje që mund të krahasohet me regjimin Republikan të Romës, ku në krye të shtetit qëndronin dy konsuj.
Vendosja e një qeverisjeje të tillë në Kaoni përputhet më mirë me përparimin e tyre në fushën ekonomike, përparim të cilin e dokumentojnë më së miri sasia e madhe e qyteteve dhe e vendeve të fortifikuara, që mbulonin krahinat e ndryshme të Kaonisë në kohën antike.
Brenda territorit shqiptar ne njohim sot për sot këto gërmadha qytetesh të Kaonisë epirote: Himerën (emir i vjetër i Himarës), Tragjas, Sarandën (emrin antik Anhesmos), Çukën, Kalivonë, Çukën e Ajtojt, Vagalatin, Mallçanin, Karroqin dhe Finiqin (Foinike e vjetër) pranë Delvinës; në rrethin e Gjirokstrës: gërmadhat pranë teqesë së Melanit, Labovën e Kryqit, Suhën, Saraqinishtin dhe Shtëpëzin (Fanota e vjetër); në rrethin e Tepelenës: Leklin (aso kohe quhej Antigoneia), Dukajn, Matohasanajt dhe në rrëthin e Përmetit Limanin dhe Këlcyrën.
Në krye të këtyre qyteteve qëndronte kryeqyteti FOINIKE (fshati i sotëm Finiq pranë Delvinës) me muret impozantë të rrethimit, që mbronin një sipërfaq me rreth 70 ha.
Në sistemin shtetëror të Kaonëve bënte pjesë për një kohë edhe Buthroti (Butrinti), kolona e vetme helene e vendosur në tokat kaone. Vartësinë e Butrintit nga kaonët e vërtetojnë gjetja e gërmimeve e një tog mbishkrimeve, që mbajnë emrat e kryetarëve të kaonëve. Disa ndër to flasin për faljen e lirisë nga ana e pronarëve skllevërve të tyre, të përmenur një për një me emër; këto dokumente mbishkrimore vërtetojnë njëkohësisht, se zhvillimi ekonomik që mori Kaonia në shek.V p. Kr. e këtej i detyrohej në radhë të parë përdorimit me shumicë të skllevërve në prodhim.
Aty nga mesi i shek.IV p. Kr. kaonët hyjnë në Lidhjen e Molosëve. (Shek. IV p.Kr. quhet ndryshe edhe “koha e artë”, i cili dëshmon për një jetë më të gjallë politike në Ilirinë e Jugut dhe në Epir, por edhe interesin më të madh të Greqisë, që nuk ishin rrjedhime për vetë historinë e saj. – Neritan Ceka “Ilirët”, Tiranë,2002, f.76)
Sipas Arkeologut Pr.Hasan Ceka
(Materiali është nxjerë prej veprës së Pr. Hasan Ceka “Në kërkim të historisë ILIRE”, Tiranë, 1998, f.266-268; 279;286-288)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!