KATUNDI GËRMEN NË TRAKI, BULLGARIA E SOTME

17
Jun
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shpalime
Vendbanimet ilire me lashtësi mijëvjeçare në Traki

Vendndodhja
Katundi Gërmen dhe komuna me këtë emër (Garmeni) ndodhet në Rodopet jugperëndimore. Ai mbulon një pjesë të luginës së lumit Mesta dhe shpateve perëndimore të maleve Rodope. Në lindje kufizohet me komunën e Satovcës, në verilindje me Velingradin, në veriperëndim me Banskën, në jugperëndim me qytetin Goce Dellçev dhe në jug me Haxhidimovin. Territori i komunës përfshin këto fshatra: Baldeva (Baltova), Ognjanova, Skrebatna, Osikova, Ribnova, Marçeva, Leshteni, Gorno Dryanova (Drenova e Epërme), Kovaçevica, Debreni, Dabnica, Kostana, Krusheva, Oresha dhe Dolno Dryanova (Drenova e Poshtme), me një popullsi prej afër 16.370 banorësh (21.07.2005). Fshati Ribnovë ka numrin më të madh të banorëve (2.601), kurse më të vogël fshati Leshten (9). Fshati Gërmen ka 1.810 banorë dhe është qendër administrative, ekonomike dhe kulturore.
Historia
Në kohët e lashta, zona ishte e banuar nga fise dhe grupe të ndryshme fisnore. Gjurmët më të qëndrueshme kanë lënë trakët. Fisi trak Besi (Besianë) ka qenë i vendosur kryesisht në vendet e sipërme dhe të mesme në shpatet e Rodopeve Perëndimore. Informacione për trakët mund të gjejmë edhe në “Iliada” të Homerit, ku përshkruhet mbreti trak Rhezos (Rrezi nga Edonia). Dëshmi e jetës së pasur të trakëve në këto vende janë mbetjet në tumat e shumta që ndodhen në fushat e Gërmenit. Në disa prej tyre janë gjetur fragmente enësh antike, veçanërisht në zonën e Draçës mbi fshat. Nekropolet e varreve janë edhe në tokat e fshatrave fqinjë, Blatska (Baltova), Debren, Dabnicë, Kostane. Gjetje interesante janë gjetur gjatë ndërtimit të një tharëse duhani në fshatin Debren, në vendin ku tani është shkolla e fshatit.
Pas betejave të gjata midis ushtrisë romake dhe trakasve vendës (Besëve ilirë), më 146 kjo zonë bie nën sundimin e Romës. Në zonën e Draçës, mendohet se romakët themeluan fshatin trak Keirpara, sigurisht të emërtuar sipas ndonjë vendbanimi më të lashtë të zonës. Jo shumë larg tij, perandori Trajan (98-117) ndërtoi një qytet të ri dhe për nder të fitores ndaj dakëve në Dobruxhë e quajti Nikopolis ad Nestum (qyteti i fitores). Qyteti është ndërtuar në vitet 102-106 të erës sonë, në bregun e majtë të lumit Mesta dhe ndodhet rreth 7.5 km nga qyteti i sotëm Goce Dellçev, ku sot ndodhet lagjja “Zagradi”. Ndoshta është ndërtuar mbi mbetjet e një fshati më të lashtë ilir të Trakisë.
Në qytetin Nikopol, monedhat u prenë në kohën e perandorëve Commodus (176-192), Septimius Severus (193-211), Caracalla (192-217) dhe Geta (209-212), të vrarë nga vëllai i tij Caracalla. Janë gjetur monedha me imazhin e Julia Domna – gruaja e perandorit Septimius Severus dhe nëna e Caracallës dhe Getas.
Qyteti u shkatërrua në shekullin e VI nga sllavët. Më vonë këtu u vendos fisi Smolian, i cili sundoi vendin deri në Rodopet Qendrore. Sllavët ndërtuan shumë vendbanime. Nga kjo periudhë fillon shfarosja dhe dëbimi sistematik i popullsisë së lashtë ilire të Trakisë.
Fiset e para sllave të ardhura në këto vise, nga disa studiues thuhet se ata u morën me bujqësi dhe blegtori – “mbjellin mel, grurë, li, kërp dhe bishtajore, rritin bagëti të mëdha e të vogla dhe shpendë.* Ata, thuhet se adhuronin shumë perëndi, por Peruni, që supozohet si perëndi pagane sllave, ka qenë veçanërisht i nderuar prej tyre. Kur e pranuan besimin e krishterë, ata e lidhën kultin e Perunit me shenjtorin e krishterë Elia (Eliasin-Iliasin, Ilin) dhe krijuan shumë faltore për nder të tij. Në lindje të katundit Gërmen edhe sot ndodhet një vend që konsiderohet i shenjtë, ku theren kurban, sigurisht sipas ndonjë tradite shumë të lashtë, nga periudha pagane.
*Në Gadishullin Ilirik ka disa vendbanime me këtë emër dhe të ngjashëm, në Bullgari, Shqipëri, Maqedoni, Greqi etj., që nuk është sqaruar nga studiuesit prejardhja dhe lidhjet e tyre, mes vendbanimeve Gërmen, Gërman dhe German. Ne supozojmë se, të gjithë këto emërvende kanë prejardhje nga gjuha shqipe, emri “gur” dhe mbiemri “i madh”, Gërmen-German-Germad-Gurmadh. Shih kuptimin e fjalëve shqipe: Gurmadh dhe Gërmadhë.
(16. VI. 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk