KATUNDI I LASHTË ARBINOVË NË RRETHINËN E OHRIT

10
Jun
2023


Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Shpalime
“Nga propaganda e fuqishme politike dhe fetare e huaj gjatë dy shekujve të fundit, popullsia e sotme e Arbinovës nuk e di pse katundi quhet Arbinovë, as nuk e dinë kur ka ndodhur dhe si ka ndodhur kjo.”
Arbinova
Arbinovë-Arbinova (maqedonisht: Арбиново) është një katund në komunën e Debarcës, rrethina e Ohrit në Maqedoninë Veriore. Dikur ka qenë pjesë e ish-komunës së Belçishtës.
Katundi Arbinovë është një vendbanim shumë i lashtë, dhe nuk dihet kur dhe si është krijuar, vetëm dihet se është përmendur në librin e regjistrimit të Sanxhakut të Ohrit në vitin 1582, dhe se ka qenë në rrethin e Debracës.
Gjatë kryengritjes së Ilindenit (1903) katundi u dogj dhe u vranë disa fshatarë, por nuk dihet me saktësi nga kush u dogj dhe u vranë këta banorë vendës, nga pushteti sundues Osman, nga komitët bullgarë ose nga çetnikët serbë, për qëllimet e veta propaganduese.
Në fillim të shekullit të 20-të, katundi Arbinovë përmendet në veprën demografike të Kançovit dhe hartën e Jaranovit si Ъpбино/Ărbino, në një hartë të vitit 1903 si Arbino dhe në dokumente të tjera të periudhës së mëvonshme si Рбину/Rbinu.
Banorët vendas maqedonas e shpjegojnë prejardhjen e këtij emri nga fjala sllave врба/vrba (dru i shelgut) dhe se toponimi është formuar me prapashtesën -ino, së bashku me prapashtesën shtesë të gjuhës sllave -ovo.
Gjuhëtari polak, Pianka Włodzimierz pajtohet se kjo është etimologjia e saktë e emrit të vendit, për shkak të pemëve të shumta të shelgut në Arbinovë dhe se humbja e tingullit fillestar -v në toponim është e mundur për shkak të të folurit të vendasve maqedonas.*
Profesori maqedonas i gjuhësisë Petar Illievski ka vënë në dukje se emri Arbinovë është një toponim hibrid, me origjinë arumune dhe sllave dhe i formuar nga një themel protoshqiptar dhe jo nga trajtat H’rbino ose Harbino dhe as Vrbino.
Toponimi rrjedh nga termat Arban/Alban të cilat në gjuhën arumune përmes metatezës së tingullit -a në -i u bënë Arbin krahas prapashtesës sllave -ovo.
Në gjuhën arumune termat për shqiptarët janë Arbinas/Arbines, për të cilin gjuhëtari Iljaz Rexha thotë se Arbinova në mesjetë ishte e banuar nga shqiptarët.
Në vitet 70 të shekullit të 20-të në këtë fshat jetonin 500 banorë. Fshati ka një sipërfaqe relativisht të vogël prej rreth 8 kilometra katrorë, në të cilën pyjet zënë një sipërfaqe prej rreth 400 hektarësh, kullotat 30 hektarë, dhe tokë pjellore e punueshme rreth 300 hektarë.
Të dhënat thonë se në vitet 70-ta të shekullit të 20-të në Arbinovë kulloteshin rreth 6000 dele, 4000 dhi dhe bagëti të tjera të mëdha dhe të imta. Në vitet 60-ta të shekullit të kaluar u kultivuan mbi 5000 pemë frutore të ndryshme.
Nëse dikur vetëm burrat shkonin për të punuar jashtë vendit, sot 150 familje kanë emigruar përgjithmonë nga Arbinova në Australi, 100 familje në SHBA, rreth 150 familje nga brezi i tretë në Kanada dhe mbi 300 familje janë në vendet evropiane.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, katundi kishte gjithsej 26 banorë, të gjithë me përkatësi etnike Maqedonase.
“Popullata e Arbinovës nuk e di pse fshati quhet Arbinovë. Nuk e dinë as kur ka ndodhur dhe si ka ndodhur.”**
1. Shtrembërime të këtilla ky gjuhëtar polak ka bërë për shkaqe personale, që të pranohet anëtar në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, jo pse teza e tij ka ndonjë bazë shkencore të pranueshme nga qarqet shkencore vendëse dhe të huaja.
2. Branislav Rusiq, Rajoni i Ohrit. Fondi arkivor i ASHAM, AE 89/1.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk