Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Por, çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh sot me sistemin arsimor në trojet tona?
Korrupsioni, nepotizmi dhe fiktiviteti janë dukuri mjaft të përhapura në sistemin e arsimit shqiptar. Përballë këtyre dukurive dhe këtij realiteti, kemi heshtur dhe vazhdojmë të heshtim pa e ditur se nga heshtja lindin përbindësha dhe gërmadha.
Shkatërrimi i sistemit tonë arsimor nuk ka ardhur nga jashtë. Atë e kemi shkaktuar vetë. E kemi shkaktuar përmes përfitimeve të vogla të çastit dhe indiferencës kolektive ndaj veprimeve korruptive, nepotike dhe ndërhyrjes së panevojshme të politikës në stafet dhe programet e shkollave dhe universiteteve të vendit.
Në shkolla dhe universitete ka kohë që është instaluar dhe funksionon një proces drejtimi dhe administrimi i përqendruar në pak duar, një proces i mbuluar me mister, me mungesë oponence dhe i mbarsur me frymë përjashtuese deri dhe denigruese për specialistët e ditur e të ndershëm të fushave të ndryshme. Janë krijuar dhe konsoliduar grupe të ngushta interesi, të formuar nga lidhjet e gjakut dhe krushqive, si rrathë koncentrikë.
Në këto kushte, mësuesit më të mirë, studentët më të mirë, specialistët më të mirë, njerëzit me moral e shpirt të pastër, u mërzitën, u mënjanuan dhe u lanë jashtë përfshirjes në proceset e shumëdëshiruara të arsimit dhe zhvillimit shoqëror.
Në vend të meritës dhe talenteve të reja, u rekrutuan njerëzit e afërt të drejtuesve, si gratë, shoqet, shokët, kushërinjtë, miqtë, madje, në shumë raste, djemtë dhe vajzat e këtyre drejtuesve, në një ditë të bukur u gdhinë si talente dhe u emëruan mësues, pedagogë apo edhe punonjës në zyrat e ngrohta të administratës. Këta djem e vajza “të zotë” e “me fat”, e kanë gjithçka më të lehtë sepse shkojnë dhe vijnë me babin dhe mamin në shkollën, universitetin apo çifligun e “trashëguar”.
Emërimet nepotike janë një “minë me sahat” në themelet e sistemit të arsimit në trojet tona, ndërsa titujt fiktivë që janë dhënë në vite, kanë zhvlerësuar aftësitë, shkencën, talentet, përpjekjet dhe gjithë inteligjencën e mirëfilltë të vendit. Ne do t’i vuajmë gjatë plagët e rënda të shkaktuara nga nepotizmi dhe korrupsioni në sistemin arsimor, por jam shumë i bindur se ata që janë pasuruar me fondet e arsimit, kurrë nuk do të jenë të lumtur. Pasuria e krijuar me fondet e vjedhura të arsimit, shkencës dhe kulturës, do të jetë ndëshkimi dhe mallkimi i përjetshëm hyjnor.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!