Inaugurimi i përfundimit të Kanalit për largimin e ujrave të Kënetës së Maliqit është realizuar në 20 korrik 1947, dy vite e gjysëm pas çlirimit të Atdheut nga nazifashizmi.
Për hapjen e Kanalit të Kullimit për tharrjen e Kënetës punuan gati 12.000 vullnetarë nga i gjithë vendi, të organizuar në 17 brigada pune. U deshën nëntë muaj punime për hapjen e Kanalit të largimit të ujrave malarikë shekullorë. Beu dhe këneta – këto ishin dy shushunjat që u pinin gjakun bujqëve skllevër të fshatrave të Maliqit.
Gjatë asaj periudhe u hapën edhe 8 kurse kundër analfabetizmit, në gjirin e të cilëve mësuan shkrim e këndim 570 vullnetarë.
Pjesa më e madhe e Kanalit përshkrohej me linjë dekovili, në të cilin lëviznin seri vagonash për largimin e gurëve dhe dhérave. Një pjesë e punës u krye edhe me eskavatorë. Argjinatura e kanalit mbaroi më 14 qershor 1947, ndërsa Ura mbi Kanal mbaroi së ndërtuari pas një muaji.
Tharrja e Kënetës së Maliqit pasqyrohet hollësisht në romanin e shkrimtarit partizan Fatmir Gjata, “Këneta”, i cili u botua më 1959, në kuadrin 15 vjetorit të çlirimt të Atdheut.
Gjatë 30 viteve, 1959-1989, romani “Këneta” pati 9 ribotime, domethënë, gati në çdo 3 vjet.
* * *
Ja se si e përshkruan Fatmir Gjata, në romanin e tij “Këneta” ditën e lëshimit të ujrave malarike në Kanalin e Kullimit të Kënetës:
“Dhe ja, më në fund erdhi koha për të lëshuar ujin. Një ditë më parë u hoqën nga kanali të gjitha makineritë, veglat e punës, zhavorri, dërrasat, trarët. Të nesërmen në mëngjes njerëzit u grumbulluan tek ura, dhe në të dy anët e kanalit, tamam si atë ditë që u bë inaugurimi i fillimit të punimeve. Po tani asnjëri prej tyre s’kishte vegla pune, s’kishte as kazma, as lopata, as çekan, as qysqi, as karroca dore. Tani mbanin nëpër duar flamurë. Mijëra fshatarë zbrisnin tatëpjetë bregoreve të zhveshura fshatarët e Zboqit, të Këmbëthekrit, të Gocës, të Kolanecit, të Gorës e të Opartit. Zbrisnin nga kamjonët qytetarët dhe fshatarët nga vendet e largëta, devollinjtë, kolonjarët, pogradecarët. Kishin ardhur të ftuar nga kryeqyteti, ministra, oficerë madhorë, gazetarë. Njerëzit vraponin drejt urës, vështronin me habi kanalin e gjerë shtruar me çimento dhe veshur me mur.
Në cepin e urës ishin policët që ndalonin njerëzit të ecnin më tej. Mbi urë ishte vetëm inxhinier Mborja. . . . I shqetësuar, herë herë vështronte orën e dorës dhe herë digën, në të dy anët e së cilës ishin dy eskavatorë që prisnin urdhërin e tij për të çarë argjinaturën.
– E, shoku Mborja? A jemi gati? – e pyeti Stavri duke iu afruar.
– Gati ! – iu përgjegj inxhinier Mborja.
Stavri vuri re shqetësimin e inxhinierit dhe e pyeti ç’kishte.
– S’kam asgjë. Veç të lutem të largohesh nga ura. Këtu do qëndroj vetëm në.
– Pse ?
– Largohu, shoku Stavri. Ku dihet ç’ngjet.
– E ç’do të ngjasë?
– Ku dihet ! Urë është. Edhe mund të shëmbet.
– Ah, shoku Mbrorja ! Sikur t’i kishim të gjithë teknikët si ju, ne do kishim bërë çudira. . .
Filluan fjalimet e zjarrta të përfaqësuesve të qeverisë e të Partisë, të ushtrisë e të rinisë, të klasës punëtore e të fshatarëve. Këto fjalime ndërpriteshin nga brohoritje e duartrokitje të vazhdueshme. .. Foli edhe Stavri Lara. Zëri i Stavrit u mbulua nga thirrjet e zjarrta, nga brohoritjet dhe këngët… I mallëngjyer nga një gëzim i papërshkrueshëm, ai eci mbi urë duke u dredhur dhe iu afrua inxhinierit plak që ishte mbështetur te parmakët me dorezën e çikrikut në dorë.
– Fillojmë, shoku, Mborja! – i thirri me një zë, i mbytur nga lotët.
Inxhinieri ngriti njërën dorë, rrotulloi çikrikun me tjetrën, dhe tha:
– Për hair qoftë!! Le të thahet këneta ! Le të shpëtoi populli !
Eskavatorët ngulën kovat e mëdha në argjinaturë dhe filluan të çanin. Përsëri shpërtheu si bubullimë një brohoritje e gjatë që u përhap në faqet e bregoreve të zhveshura. Dhe kjo brohoritje u përzie me shpërthimin e ujit që u derdh në kanal, në fillim ngadalë dhe pastaj me një shpejtësi të rrufeshme. . . .
Inxhinieri plak vështronte ujin që i afrohej urës dhe dukej si i ngrirë dhe sikur nuk merrte frymë. Sa mendime të shumta e të ngatërruara i vërtiteshin në tru gjatë atyre pak sekondave që uji rridhte rrëmbimthi duke u shtuar gjithnjë ! Stavri vështronte herë rrymën e verdhë dhe herë inxhinier Mborjen…. Kur uji çiku urën dhe përshkoi nëpër portat e hapura, sytë i dogjën dhe lotët i rrodhën në mollëzat e faqeve.
– Kaloi ! Kaloi uji! – thirri ai dhe veshtroi inxhinierin.
Po inxhinier Mborja ishte tërë sy e veshë. Ishte thyer më dysh mbi parmak, vështronte poshtë dhe dëgjonte se si tronditej ura nga forca e ujit. . . . Më në fund ai ngiti kokën, hoqi kapelen, tundi krahët dhe thirri:
– Mbaaan ! Mbaaan ! Mbaaaaan !
Sytë e veckël i qenë qullur. Stavri bëri një hap përpara dhe e rrëmbeu inxhinierin në krahë. U rrokën për qafe dhe u puthën.
– Urraaa ! Urraaa ! buçiste turma e fshatarëve, e punëtorëve dhe e vullnetarëve. Binin daullet e gajdet, valëviteshin flamurët, fluturonin shami ngjyra-ngjyra.
– Urraaa !……
Njerëzit, duke vrapuar pas rrjedhës së ujit, thërrisnin, brohorisnin, qanin me lotë dhe hidhnin në kanal para, shami, kapa që binin në ujërat e verdha malarike, si ca shpesë të zinj e të bardhë.
– Urraaaa !…
* * *
Nga tharrja e Kënetës së Maliqit u përfituan 4.500 hektarë tokë që flinin me shekuj nën ujë, si dhe 4.500 hektarë tokë që përmbyseshin çdo vit nga lumi Devoll e Dunavec. Pra, u përfituan 9.000 hektarë! Dhe prej asaj date popullsia e asaj zone shpëtoi për gjithmonë nga malarja!
Në pjesën dërmuese të këtyre sipërfaqeve filloi kultivimi i panxharit të sheqerit, dhe më 1 Nëntor 1951 u inaugurua Kombinati i Sheqerit, (me ndihmën e Bashkimit Sovjetik), i cili përfshinte: fabrikën e sheqerit pluhur, atë të tharjes së bërsive, termocentralin dhe ofiçinën mekanike.
Më 1960 u bë rikonstruksioni i parë duke rritur aftësinë prodhuese të sheqerit 30%, atë të tharjes së bërsive 50% dhe të TEC 50%. Njëkohësisht u ngritën fabrika e alkoolit, ajo e majasë së bukës dhe e gazit karbonik ushqimor.
Më 1967 Kombinatit të Sheqerit iu shtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës.
Më 1979 u bë përsëri një rikonstruksion i fabrikës së sheqerit, duke rritur aftësinë përpunuese ditore 3,7 herë në krahasim me atë të vitin 1951.
Kombinati i Sheqerit në Maliq u mbyll në vitin 1996, dhe më 25 Prill 2001 u shitën për skrap edhe hekurishtet e fundit të tij.
Më 28 korrik 2014 – sipas kreut të Bashkisë së Maliqit,- u premtua se do të bëhej rindërtimi i atij Kombinati për 18 muaj dhe do të punësoheshin 20 mijë vetë, financimi do kapte vlerën e 50 milionë eurove, por……
Sot, qyteti i Maliqit, me rreth 6 mijë banorë, i cili ndodhet 13 km larg qytetit Korçës, nuk i ka më ato fabrika për të cilat u krijua.
Shenjat kanë filluar të tregojnë se Fusha e Maliqit mund të kthehet sërish në kënetë.
Referenca:
1. Romani “Këneta”, Tiranë 1981, fq. 473 – 477. Stavri Lara, personazhi kryesor i romanit, Sekretari i Komitetit të Partisë i Maliqit.
2. Gazeta “Puna”, 20 korrik 1947
3. Libri “Beteja të fituara”, vll.1, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, fq.303-310
4. Vizion Plus TV – 24 Jan 2014.
5. Wikipedia
Dilaver Goxhaj
Tiranë, 19 korrik 2023
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!