Në trevën e Pollogut përgjithësisht, dhe, jo vetëm, këtë këngë mund ta gjejmë të kënduar dhe të shënuar me tituj të ndryshëm, si: “Pse mo qaj or Haziri i ngrat”, “Haberi Hazirit i ka shku”, “ Ndër ata male ndër ata fusha”, “N’koftë se jam Haziri Xhall”, etj. Por ky variant i paraqitur më posht, më duket më eksplikativ, sepse përmban edhe elemente të të kënduarit burimor dyzërësh, me ç’rast emri i personazhit të këngës na del herë si Hazir Orç(q)ushi, e herë si Hazir Requshi. Ja teksti i këngës i kënduar nga rapsodët nga Kopanica e Tetovës: Dehar Emurllahi dhe Tahir Vejseli, të cilën edhe e kam të regjistruar në shirit kasetofoni:
HAZIR ORÇUSHA
Haj, se(je) k’to pun’, jalla kush-o naj ba(ja) ni ,je,
Ip’ – o Çajushi, jalla pi-o Reça(ja) ni, je,
Ipo Çajushi, jalla me(je) zapti(i)je, ne
Oj, kajn shku në Raçush-o, me bastis(un) Hazir’n-e.
–
Oj, kan-o bastis(un) ç’at Hazirin e ngra(ja)t-ene
Ja kajn marun gru e ja kan mar na(ja)n-e
Aje, se ja kan mar-o loken, e i kan mar xhat-e.
–
Oj, prap-o te shpija Haziri kur-o ka ja(ja)rdh-e, ne
Aj se xhet-o kunatën, more tuj m’i ka, jene
– Ç’kije kunat, o tej xhi-o po kan-e?
–
O, jam-o tuj kajt-o, jalla ment-o me m’la(ja)ne
Oj kan ardh pram naj kan ma(ja) run xha(ja)n-e
Oj, se i kajn çu-e në hiqima(ja)t-e.
–
Haj, besa kunat ment s’kan pse me t’la(ja)n-e
N’ koft-o se jam-o, jalla Haziri xha(ja)ll-e,ne
I kthej robt, jalla i kthej xha(ja)t-e.
-O, haj, ka mar udhën, Haziri,jo tuj shku(ju) e
Shkon-o tuj sha, jalla tuj-o mallku(ju)-e ne
-Oj, martin-o, jalla, kofsh-o beku (je) ne
S’e çaushin, besa kam me e faru(ju) e.
–
Hej, moj-o martin, jalla ta puthsha ça(ja)rkun-o
Se(je) Çaushit, jalla mushe ba(ja)rkun-o,
Se(je) Çaushit, jalla mushe ba(ja)rkun.
–
Këndoi: Dehar Emurllahi dhe Tahir Vejseli (Kopanicë-Tetovë)
–
SHPJEGIME TË PARAQITUR SIPAS KËNGËS DHE TË DHËNAVE GOJORE
Rapsodët e mëdhenj të f.Kopanicë – Tetovë, ruajnë në “kasafortat” e tyre të “blinduara” me qindra e qindra këngë të zhanreve të ndryshme, e të cilat i këndojnë me një stil të veçantë të nënqiellit të Pollogut e të Dervenit, siç është këndimi dyzërësh. Lum ai që ka patur fatin e beftë e të ketë dëgjuar këngët e tyre epike, historike e lirike në periudhën e viteve shtatëdhjeta e tetëdhjeta…! (Fati jonë i padiskutueshëm është edhe fakti që, akoma i kemi shëndoshë e mirë në mesin tonë (v. 2017). Edhe pse të lodhur nga idarja e jetës hileqare, ata gjejnë forcë e kurajo për dashamirët që të “rrëfehen” e të shpalosin arkat e tyre me pajën e pafund të këngëve folklorike e rapsodike, të kënduara me një bifoni mbresëlënëse. Zoti u dhashtë jetë të gjatë e të shëndetshme!)
Nga gjithë ky thesar e mbushullim repertoari, mbresë të veçantë më ka lënë kënga (e lartëshënuar) për Hazir Orçushën.
SË PARI: IP ÇAUSHI
Sipas këngës, në vargjet e para potencohet personazhi IP’ ÇAUSHI, i cili na del si: Ip’ – nga Sheip (Çaushi), i cili duhet të ketë qenë nga f. Reçan i Gostivarit, personi që u ka pri zaptive në aktin e bastisjes dhe marrjes peng të familjarëve të Hazirit. Në një këngë tjetër, në vend të Ip (Sheip) Reçani, si çaush përmendet një tjetër person, Naip Çaushi, madje, edhe Jup (nga Ejup), ndërsa në një rast tjetër – krejtësisht tjetër person, si Hazir Çegrani.
SË DYTI: HAZIR ORÇUSHI
Në këngën tjetër (variant), “Hazir Orçushi ni kaçak ishte konë”, ngjarja e këngës tregon kësisoj: Haziri (Orçushi) – ndoshta sipas origjinës – nga f. Orçush, me të tre vëllezërit ka dalë kaçak në mal, kurse Hazir Çegrani – Çaushi me zaptitë shkon e rrethon shtëpinë e Hazirit, ia kidnapon anëtarët e familjes dhe ia konfiskon bagëtinë, për t’i dërguar në Gostivar (opshtinë) – sipas porosisë së kryetarit të komunës. Haziri në konsultim me vëllezërit e vet, ngre pushkë kundër zaptive për t’i liruar “robt” e shtëpisë, siç thuhet madje, “pi hapsënes” me i shpëtu. Dhe, sërish sipas këngës: Haziri i shpëton anëtarët e familjes nga “hapsënja”, por Hazir Çegrani me zaptitë që i ka mbledhur sërish, e ka mashtruar këtë të parin dhe e ka çuar në burg në Prizren, prej ku, më vonë (nuk dihet se n’çfarë rrethanash), del nga burgu dhe gjen Hazir Çegranin dhe, më në fund e vret në shenjë hakmarrjeje.
Pra, si do që të jetë, nënkuptohet që, ngjarja ka ndodhur në rrethinën e Gostivarit, kur kryetar (presednik opshtine, të Gostivarit, bile, ndoshta, edhe të Vrutokut), ka qenë, njëfarë Jove ?
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!