Politikë
Ata votuan kundër Kosovës, në mes të një lufte për mbijetesë. Këta nuk janë opozitë, por vegla të armikut dhe krimit të organizuar.
Apr 16, 2025
Më 15 prill 2025, në një akt që do të mbetet si turpi më i madh parlamentar në historinë e Kosovës, një shumicë deputetësh nga radhët e atyre që u nxorën me votë popullore në opozitë në vitin 2021 hodhën votën e tyre kundër mandatit të vet. Nuk ishte thjesht një votë politike. Ishte një atentat institucional. Një autogol parlamentar që shënon pikën më të ulët të demokracisë së re kosovare.
Në një ditë ku përfaqësuesit e zgjedhur të popullit u thirrën të konfirmojnë mandatin që vetë populli ua kishte dhënë me votë më 2025, ata të komanduar nga praktikat e vjetra, të korruptuara dhe kriminale që për 20 vjet kishin ndërtuar një aparat plaçkitës shtetëror në bashkëpunim me strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, zgjodhën ta përmbysin vullnetin qytetar. Zgjodhën ta djegin votën. Jo të tyren. Por votën e njerëzve që besuan se demokracia funksionon, sado të lodhur nga tradhtitë e tyre të njëpasnjëshme.
Ky ishte një akt i llogaritur, i paramenduar, i orkestruar nga një korporatë politike me shumë emra, shumë ngjyra partiake, por me vetëm një mision: të rikthehet kapja e shtetit. Të ruhet pushteti i tyre i dikurshëm, tani në agoni, që rrëshqet çdo ditë drejt varrit politik. Ata që një herë sunduan Kosovën si komandantë lufte dhe më pas si oligarkë pa moral, sot janë bërë veçse shërbëtorë të një strategjie më të madhe: rikolonizimin e Kosovës përmes rrënimit të institucioneve të saj.
Nuk është më vetëm grabitja e fondeve publike apo ndarja e tenderëve si tortë pas dasme. Jo, është më keq se kaq. Këta deputetë, të financuar, të mbështetur dhe të komanduar nga interesat më të errëta brenda dhe jashtë vendit, përfshirë nga vetë Beogradi dhe proxy-t rusë në rajon, votuan për t’i hequr legjitimitetin vetes, me shpresën se rrëzimi i Kuvendit do të rrëzojë edhe Qeverinë Kurti, e vetmja qeveri që prej pavarësisë ka guxuar të luftojë në mënyrë të organizuar strukturat kriminale të Serbisë dhe pastrimin etnik institucional që Beogradi ka zbatuar përmes bashkëpunëtorëve të tij në Prishtinë.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Do të thotë se për herë të parë në historinë e Kosovës, Kuvendi është bërë armiku më i madh i vetes. Nuk kemi të bëjmë me opozitë, kemi të bëjmë me kolaboracionizëm. Me një orkestër hajdutësh që luajnë simfoninë e fundit para fundosjes. Dhe, në një akt paniku dhe hakmarrjeje primitive ndaj një populli që i votoi kundër, vendosën t’i minojnë vetë themelet e demokracisë.
Këta nuk janë më politikanë. Janë administratorë të humnerës. Janë noterë të pushtimeve të reja që po trokasin në derën e Kosovës.
Kjo nuk është një krizë politike, është një krizë ekzistenciale. Sepse ndërkohë që Serbia, me përkrahjen e heshtur të Rusisë, e mban ende Kosovën si “krahinë autonome” në Kushtetutën e saj, këta deputetë që në letër janë “përfaqësues të popullit të Kosovës”, në praktikë janë kalë Troje në zemër të institucioneve. Ata nuk luftojnë për demokracinë. Ata luftojnë për mbijetesën e krimit.
Nëse kjo është ajo çka kanë bërë në prill, imagjinoni çfarë janë gati të bëjnë në korrik, në shtator, në nëntor.
Kosova duhet të zgjohet. Sepse kur njerëzit që ke zgjedhur për të të përfaqësuar votojnë kundër vullnetit tënd, nuk është më thjesht çështje politike. Është tradhti. Dhe për tradhtinë, historia nuk fal.
Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme. Dhe me to vjen edhe një shans i dytë, ndoshta i fundit për ta shpëtuar republikën tonë.
Në këto zgjedhje, populli i Kosovës nuk duhet të japë më thjesht votën. Duhet të japë dënimin. Një dënim i pakthyeshëm për secilin nga këta deputetë që votuan kundër mandatit qytetar. Ata nuk meritojnë më as titullin “opozitë”, as statusin “deputet”, as ndonjë mikrofon në ndonjë studio televizive. Ata meritojnë një ndëshkim demokratik të thellë, të plotë, të përhershëm.
Kjo është koha për pastrim.
Kosova nuk ka luksin të votojë më nga zemra, nga fisi, nga bindja naive. Kosova duhet të votojë si popull që e kupton rrezikun, që e di se kjo është një betejë për mbijetesë kombëtare.
Sepse, në fund të fundit, nuk është vetëm për qeverinë që po e votojmë. Është për të ardhmen ose mungesën e saj.
Kur tradhtia vishet me kostum deputeti dhe vota bëhet armë kundër republikës.
I dashur lexues, në këtë klimë të errët politike, më 15 prill 2025, parlamenti i Kosovës u bë vendi ku u ekzekutua simbolikisht besimi qytetar. Ishte momenti kur vota nuk u përdor për të ndërtuar, por për të ç’montuar. Kur shumica e deputetëve, të dalë nga partitë e vjetra, të ricikluara si “opozitë”, votuan jo për të konsoliduar institucionin përfaqësues të demokracisë, por për ta minuar atë. Ata nuk ishin aty për të përfaqësuar popullin, por për të rikthyer hijet e një pushteti të kaluar, të përlyer me krim dhe kolaboracionizëm me armiqtë historikë të shtetit të Kosovës.
Në një votim që duhej të shënonte fillimin e një kapitulli të ri parlamentar, u mboll një akt flagrant i sabotimit politik. Nuk ishte vetëm një votë kundër qeverisë, ishte një votë kundër legjitimitetit të vetë zgjedhjeve. Ishte një përpjekje e pastër për të bllokuar funksionimin e republikës, në një moment kur Serbia, e mbështetur hapur nga Rusia dhe fshehurazi nga disa diplomaci perëndimore, intensifikon përpjekjet e saj për të delegjitimuar Kosovën në çdo forum ndërkombëtar.
Dhe pikërisht në këtë moment kritik, ata që për dy dekada ishin arkitektët e dështimit institucional, votuan për ta bërë këtë shtet të duket i papërgjegjshëm, i paqëndrueshëm, dhe i pamundur për t’u vetëqeverisur. Ata u vunë në anën e Serbisë jo me armë, por me votë. Me dorën e ngritur, ata vulosën një nga tradhtitë më të mëdha institucionale të epokës së pasluftës.
Këta nuk janë më partnerë në sistemin demokratik, ata janë sabotatorë. Dhe sabotatorët në kohë krize nuk kanë vend në asnjë institucion të një shteti që aspiron liri, drejtësi dhe paqe të qëndrueshme. Koha e kompromisit ka mbaruar. Nuk mund të ketë më dialog me ata që votojnë për rrënim, e jo për ndërtim. Nuk mund të ketë më bashkëqeverisje me ata që kanë bërë të qartë se do të shkatërrojnë gjithçka që nuk mund ta kontrollojnë.
Në këtë moment të historisë, Kosova nuk ka nevojë për asnjë formulë aritmetike parlamentare që mbijeton me pazare, por për një sqarim moral: kush jemi dhe në kë mund të besojmë? Zgjedhjet që pasojnë nuk janë më vetëm për të ndarë mandate. Janë për të ndarë përgjegjësinë, për ta dhënë dënimin, për ta shpëtuar republikën.
Çdo votë e ardhshme duhet të jetë një akt vetëdijeje, jo vetëm kundër partive të vjetra, por kundër gjithë sistemit që ato përfaqësojnë. Sepse kjo nuk është më një betejë për pushtet. Është një betejë për shpirtin e Kosovës.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!