KOMANDANTIT DHE HEROIT SHEMSI AHMETI

26
Apr
2025
Shkruan: Miftar Kurtaj

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shemsi Ahmeti
(8 qershor 1969-26 prill 1999) ishte nga fshati Kodër (i

sh-Zasellë), Komuna e Mitrovicës, ishte ushtarak profesionist dhe komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës të UÇK-së.
Ai ra heroikisht më 26 prill 1999, në Betejën e Majdanit.
Ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës” në vitin 2012.
Emrin e tij e mbajnë disa rrugë, një bulevard në Mitrovicë dhe një shkollë fillore.
Për komandantin, për dëshmorin dhe për Heroin, Shemsi Ahmeti janë kënduar këngë, janë shkruar poezi, janë shkruar shkrime dhe artikuj të natyrave të ndryshme.
Nëpër gazeta e revista, nëpër libra zhanresh të ndryshme. Komandanti Shemsi Ahmeti, është përfshirë dhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Për Shemsi Ahmetin janë bërë vepra në pikturë dhe në skulpturë.
Gjithsecila nga këto vepra të artit pamor, nga këto shkrime letrare, publicistike dhe historike, mbase ka paraqitur aspekte nga jeta dhe vepra e Komandant Shemsi Ahmetit.
E kuptueshme, e kuptueshme dhe e arsyeshme. Megjithatë, libri “Komandanti i lirisë”, i Profesor, Emin Kabashit, Prishtinë, 2010, është shkrimi më i plotë i shkruar për këtë figurë tashmë historike.
Ky libër më ngjalli një kujtim nga lufta, një ëndërr që (nuk) kisha pritur të më bëhet realitet.
*
Vetëm disa ditë pas rënies së komandant Shemsi Ahmetit dhe disa bashkëluftëtarëve të tjerë, ne të plagosurit (ish-ushtarët e tij) ishim vendosur në një shtëpi-spital të improvizuar në fshatin Sllakovc të Vushtrrisë. Pasi kishim marrë terapinë e nevojshme, mua, pas pak, më kishte zënë gjumi. Më kishte mbërthyer dhe një ëndërr. Edhe në ëndërr e njëjta dhomë me atë ku ishim, por pamja e dhomës ishte pak më ndryshe. Dyshemeja ishte e shtruar me bari dhe me lule, lulet shtoheshin (shumoheshin) vazhdimisht. I ngjante një kopshti të bukur në ditë pranvere. Për një moment hapet dera. Brenda në dhomë futet komandant Shemsi Ahmeti me bashkëluftëtarët (Arsim Muzaqi, Faruk Beqiri, Rrustem Hyseni, Enver Musa, Shemsi Istrefi, Bajram Musa, Selim Bislimi, Ferit Preteni, Fehmi Preteni, Mursel Xhemaili-Boletini, Nysret Musa, Ahmet Haxha, Xhemail Haxha dhe Asllan Cimili) me të cilët kishte marrë rrugën e përjetësisë. Komandanti dhe ushtarët kishin po atë pamje, po atë uniformë, po atë qëndrim që kishin para se ta merrnin rrugën e përjetësisë. Ata u ulën bashkë me ne. Të gjallë dhe të vdekur në një vend, në një dhomë. Nuk e di nëse ndërruam ndonjë fjalë, nëse biseduam diçka. Di se po kënaqeshim afër njëri-tjetrit. Pastaj…. ëndrra… u këput kur nuk e prita. Më doli gjumi. Ëndrra kishte ikur. Dhe, komandanti me ushtarë ishin kthyer në përjetësi. Me net e ditë, javë e muaj, disa vite kam pritur dhe një takim të tillë me ta. Së paku në ëndërr. Kurrë. Asnjëherë. Në ëndërr, as në realitet. Pata humbur shpresat se do të takohesha më me ta në këtë botë. Por, ja që edhe ëndrrat u bëkan realitet. Dhe, realiteti për mua është ky libër. Në këtë libër, bota e përtejme dhe kjo e jona, i kanë prishur kufijtë. Unë u takova edhe njëherë, pothuaj ashtu si në ëndërr, me Komandantin, Shemsi Ahmeti dhe me ata që shkuan me të, edhe me ata që sot janë gjallë, por që rrallë shihemi, shumë rrallë.
*
Atëherë pata shkruar se nuk e di si do të pritet ky libër, se si do të pritet “Komandanti i Lirisë” nga të tjerët, qoftë dhe nga bashkëluftëtarët e tij, por di të them që ëndrra për ta takuar dhe një herë komandantin dhe shokët e përjetësisë, m’u kthye në realitet.
Shumë mirënjohës autorit të librit, Profesor, Emin Kabashit!
Lavdi Heroit Shemsi Ahmeti!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/04/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk