KONFLIKTI MES HAMASIT (NË EMËR TË PALESTINEZËVE) DHE SHTETIT TË IZRAELIT – PENG I INTERESAVE GJEOSTRATEGJIKE TË FUQIVE TË MËDHA

20
Oct
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

A n a l i z ë

(Nga historia e fillimit të konfliktit deri te aktualiteti)
Pushtimi* (lirimi nga sundimi persian) i qytetit Gaza dhe rajonit të tij nga Leka i Madh, në vitin 332 para erës sonë – një histori e shndërruar në mit, i cili edhe sot i ushqen dhe frymëzon pretendimet e palestinezëve dhe të izraeilitëve (hebrenjve) për dominimin e rajonit strategjik të Gazës, ku interesat e Iranit të sotëm dhe aleatëve të tij (Persisë së dikurshme), si edhe të aleatëve të shtetit të Izraelit, në anën tjetër, duhet të konsiderohen si ndërhyrje të jashme, interesa të huaja, jo në dobi të palëve në konflikt, palestinezëve dhe izraelitëve.
1. Aktualiteti
Nuk është aspak një rastësi përputhja e periudhave kohore, muaji tetor, për shpërthimin e konfliktit të fundit (aktual) mes forcave izraelite të provokuara nga organizata politike-ushtarake pro-iraniane Hamas, e cila nuk e ka mbështetjen e shumicës së palestinezëve vendës dhe të botës arabe.
As palestinezët dhe as hebrenjtë (izraelitët), nuk i takojnë racës arabe, që janë dy popuj të lashtë, të ngjizur si kombe të veçantë në rrethana historike specifike, për shkak të traditave fetare dhe etnike të ndryshme, nën ndikimin edhe të faktorëve të jashtëm. Këta dy popuj kanë bashkëjetuar një periudhë të gjatë mes popujve të tjerë, së paku në dymijë vitet e fundit.
Është çështje e këtyre dy popujve, e studiuesve dhe institucioneve të veta kombëtare, për hulumtimin e etnogjenezës së tyre, por sipas emrave që mbajnë sot këta popuj (ndoshta të përzier më vonë edhe me popuj të tjerë), na shtyn të besojmë se palestinezët kanë ardhur në vendin ku ndodhen sot nga rajoni historik Pala (Paphlagonia – Palagonia) në Anadollin Verior, në rrethana që kërkojnë studime shkencore më të hollësishme; ndërsa hebrenjtë gjithashtu janë popull i ardhur në vendin ku jetojnë sot (kryesisht në shtetin aktual të Izraelit), që besojmë sipas emrit etnik të tyre se e kanë prejardhjen nga lugina e lumit Hebros (Evros-Ebros-Ebra-Arba) në Traki.
Sigurisht që këto patronime dhe etnonime lidhen me lashtësinë e hershme të këtyre popujve. Se çfarë ka ndodhur më vonë me ata dhe cili ka qenë fati historik i tyre ndër shekuj, këto çështje janë trajtuar gjerësisht dhe vazhdojnë edhe më tej të trajtohen nga studiuesit dhe shkencat moderne.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, se asnjëri nga këta dy popuj nuk janë arabë dhe nuk i takojnë racës afrikane, por janë popuj mesdhetarë (mediteranë), me të kaluar të hijesuar (mjegulluar) nga propaganda shumëvjeçare e huaj.
2. Burimi i miteve për dominimin e rajonit të Gazës dhe të Palestinës
I njohur në histori me emrin “Rrethimi i Gazës”, si pjesë e luftërave të Lekës së Madh, për lirimin e territoreve dhe banorëve vendës -pellazgë-ilirë dhe popujve të tjerë të shtypur nga sundimet e huaja, u zhvillua në tetor të vitit 332 para erës sonë. Beteja rezultoi me një fitore të madhe të ushtrisë së Lekës së Madh, që i dha fund Dinastisë së Egjiptit, e cila funksiononte më parë si një Satrapi (rajon autonom)nën sundimin e Perandorinë Persiane.
Ky qytet, i mbrojtur nga një garnizon i ushtrisë nën komandën e Batos, u rrethua nga Leka i Madh, në muajin tetor të vitit 332 p.e.s.
Duke përdorur mortajat që kishte përdorur për lirimin e qytetit Tiri në Jordani, që dergjej nën sundimin persian, ushtria e Lekës së Madh ia doli pas disa javësh t’i shpërthente muret e kalasë, pas tre sulmeve të pasuksesshme më parë, dhe e pushtoi kalanë dhe qytetin Gaza, ndërsa ushtarët e garnizonit mbrojtës u vranë të gjithë me shpatë.
Bato, komandanti ushtarak i kalasë së Gazës, më parë e mbante qytetin si dhe pjesën tjetër të Egjiptit në nënshtrim të plotë deri në ngritjen e një ushtrie tjetër pushtuese nga mbreti persian Dariu III. Përballja me Lekën e Madh në Gaza ishte vendimtare për ta ndaluar ushtrinë e Lekës së Madh në rrugën drejt kontinentit egjiptian (Afrikën Veriore). Kalaja ndodhej në një kodër, buzë një shkretëtire nga e cila mund të kontrollohej lehtësisht e gjithë zona përreth, duke përfshirë rrugën kryesore nga Asiria në Egjipt. Kalaja e qytetit Gaza, mbi 18 metra (60 ft) lartësi, ishte përdorur tradicionalisht për ta kontrolluar zonën përreth, e cila, edhe atëherë ishte një vatër mospajtimesh dhe konfliktesh.
Komandanti i garnizonit të Gazës, Bato (Bali, Balsha), ishte i vetëdijshëm se Leka po e udhëhiqte ushtrinë e tij drejt jugut, pasi e liroi me sukses Tirin*, dhe për këtë arsye siguroi Gazën për një rrethim të gjatë nga ushtria e Lekës së Madh. Është gjithashtu e mundshme që ai ishte në dijeni të qëllimit të Lekës, për të siguruar kontroll absolut mbi bregdetin e Mesdheut përpara se të ndërmerrte një ekspeditë ushtarake të gjerë në Lindje, ku egërsisht sundonte një kohë të gjatë Perandoria Persiane.
3. Përfundime
Konflikti i organizatës politike-ushtarake pro-iraniane – Hamas me shtetin e Izraelit i ka rrënjët në mitet e lashta, me qëllim të shtrirjes së ndikimit të Iranit të sotëm në këtë rajon, deri në Egjiptit dhe në shtetet tjera përreth, për ruajtjen edhe të interesave të Rusisë dhe Francës, të cilat pretendojnë të mbeten fuqi botërore (politike, ekonomike dhe ushtarake), përkundër interesave të shtetit të Izraelit, për dominim në këtë rajon, në mbrojtje edhe të interesave strategjike të SHBA-së.
Në këtë konflikt, i cili zgjat për dekada me radhë, asnjëra palë nuk kanë të drejtë historike për dominimin e rajonit të Gazës dhe më gjerë, por aty sakrifikohen popujt e vegjël, palestinezët dhe hebrenjtë, për interesat strategjike të fuqive të mëdha të botës, sepse ky rajon përbën një nga nyjat e rëndësishme ndërlidhëse mes kontinentit të Evropës, Afrikës dhe Azisë, ndërsa çështjet fetare dhe etnike përdoren vetëm si pretekst për mbajtjen e konfliktit të hapur, sa herë kanë nevojë fuqitë e mëdha të botës për interesa të veta.
4. Marrëdhëniet e shqiptarëve me hebrenjtë dhe palestinezët
Janë së paku tri periudha kyçe që i definojnë marrëdhëniet e popullit shqiptar me këta dy popuj:
Me palestinezët marrëdhëniet e sotme të shqiptarëve janë të lidhura për shkak të besimit fetar islam të një pjese të shqiptarëve, si dhe të një pjese të madhe të palestinezëve. Këto marrëdhënie kanë qenë në nivel të mirë sidomos gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, sidomos gjatë ish-regjimit komunist, përderisa ish-Jugosllavia ka qenë shteti lider i Lëvizjes së vendeve të Painkuadruara, në periudhën e Luftës së Ftohtë, mes dy blloqeve politike ushtarake të mëdha të botës, NATO-s dhe ish-Paktit të Varshavës. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët nën ish-Jugosllavi kanë pasur lidhje më intensive me palestinezët dhe organizatën e tyre për liri e pavarësi, nën udhëheqjen e ish-liderit të saj, Jaser Arafati.
Gjatë kësaj periudhe me mijëra studentë palestinezë kanë studiuar në universitetet e ish-Jugosllavisë, edhe në Prishtinë, Shkup dhe Sarajevë, ku kanë studiuar bashkë me studentët shqiptarë atëkohë. Palestinezët kanë studiuar në gjuhën zyrtare të ish-Jugosllavisë, në serbo-kroatishte, jo edhe në drejtimet në gjuhën shqipe. Këto lidhje janë zhvilluar edhe më vonë përmes organizatave fetare pro-iraniane, të cilat e kanë shtrirë ndikimin e tyre edhe në trojet shqiptare, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë.
Ndryshimi më i madh në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Iranit zartar ka ndodhur pas vitit 1979, kur nga pushteti është larguar me dhunë mbreti Reza Pahlavi, dhëndër i shqiptarëve (i martuar me princeshën Fevzije, bija e mbretit Faruku I i Egjiptit), i cili u rrëzua nga pushteti përmes revolucionit për krijimin e shtetit “Islamik”, që e solli në pushtet imamin Ajatollah Homeini, me ndihmën e Francës dhe Rusisë.
Me hebrenjtë, përveç lidhjeve të hershme historike, shqiptarët i lidhin së paku dy periudha të rëndësishme të kohës së re, për fatin e të dy popujve; fatin kolektiv të hebrenjve, të rrezikuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ideologjia fashiste, kur shqiptarët kanë qenë i vetmi popull në mbrojtjen e tyre nga shfarosja, si dhe me fatin e popullit shqiptar të dëbuar me dhunë nga okupatori serb gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, më 1998/99.
Populli shqiptar është paqedashës dhe miqësor ndaj secilit popull të botës, sidomos kur janë në pyetje çështjet ekzistenciale, lirimi i tyre nga shtypja dhe robëria e huaj, për lirinë dhe pavarësinë e tyre kombëtare, por mes tyre shqiptarët dinë t’i dallojnë miqtë e vërtetë, të sprovuar në ditët më të vështira për qenien kombëtare të shqiptarëve. Në këtë pikëpamje, miqësia e shqiptarëve me popullin hebre (dhe shtetin e Izraelit) rritet vazhdimisht, për çështje parimore, por edhe për interesa strategjike kombëtare. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Kosovës, sa dhe si janë ndihmuar nga lobet e hebrenjve në SHBA dhe Evropë gjatë luftës për Liri dhe Pavarësi të Shtetit të Kosovës.
Kjo nuk nënkupton se shqiptarëve u është errësuar arsyeja dhe gjykimi, të mos jenë në anën e së VËRTETËS, sa herë të jetë e nevojshme, për çështje parimore, humane dhe ekzistenciale të popujve miq të tij, kudo në botë.
(19 tetor 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk