Përvjetor
Në ditën e sotme, 14 nëntor 1908 – 2023
Kongresi i Manastirit, i njohur si kongresi i njësimit të Abecesë së Gjuhës Shqipe, 115 vjet më parë i mblodhi shqiptarët më të ditur nga të gjitha krahinat dhe nga mërgata jashtë vendit, pa dallim të përkatësive fetare, bindjeve politike apo çfarëdo përkatësie e dallimi tjetër mes shqiptarëve.
Sot, 115 vjet më vonë, me dallime mbi baza partiake, politike, ideologjike, fetare e të tjera, shqiptarët e shënojnë këtë ngjarje historike të kombit shqiptar, secili në mënyrën e vet, për interesa të pushtetit e të klaneve partiake, pa mësuar asgjë nga e kaluara, nga historia e luftës dhe përpjekjeve të rilindësve shqiptarë, për njësimin e Abecesë, shkrimin e gjuhës, letërsisë dhe historisë, për bashkimin e kombit dhe trojeve etnike të ndara në shumë copa nga shtetet fqinje dhe nën sundime të huaja.
E gëzofshin e festofshin gjithmonë shqiptarët ndër breza, këtë ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore, historike dhe kombëtare, por jo në këtë mënyrë siç e festojnë sot, më shumë për të promovuar surrate nga skena politike dhe pushtetet aktuale, se për figurat e shquara pjesëmarrës në atë Kongres, 115 vjet më parë.
Sidoqoftë, gëzuar për shqiptarët që në mendje e zemër e kanë gjuhën e njësuar shqipe, bashkimin dhe përparimin e kombit, Atdheun e shenjtë, që më së paku u takojnë politikanëve dhe pushteteve, me këtë frymë dhe orientim siç janë sot.
Deri në shpalljen e kësaj dite historike festë shtetërore në Tiranë dhe Prishtinë, reflektoni dhe veproni pa ndalur, shqiptarë kudo që jeni!
(14. XI. 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!