Korr-e-mos-lidhësit e gjuhës shqipe dhe Agron Dalipaj

10
Jan
2024
Shkruan: Laureta Petoshati


Kam parë ca postime që shajnë e fyejnë pa mendim veprën e Agron Dalipajt, pa e kuptuar se ajo është vepër e mbështetur në algoritëm simbolik. Algoritmet simbolike tashmë fusin në proces gjuhët natyrore dhe dallojnë ato që janë të ndërtuara, por edhe formale si ato që përdoren për të programuar kompjuterët. Në psikologji, gjuhësi dhe filozofi të gjuhës, gjuhë natyrore ose gjuhë e zakonshme është çdo gjuhë që shfaqet natyrshëm në një bashkësi njerëzore nëpërmjet një procesi përdorimi, procesi përsëritjeje, apo ndryshimi pa paramendim të vetëdijshëm. Pra, sipas mendjes së ndritur të Petro Zhejit gjuha shqipe zbërthehet në embriomorfema, të cilat janë bashkuar nëpër kohë sipas një algoritmi simbolik. Zoti Agron Dalipaj arrin që ta zbërthejë duke e futur gjuhën shqipe në hullinë e një sistemi logjik, pra cdo fjalë e gjuhës shqipe tregon se nuk ka brenda vetëm simbolikën, por dhe logjikën. Si çdo sistem logjik edhe gjuha shqipe vjen me një komponent sintaksor, që përcakton nocionin e vërtetueshmërisë dhe një komponent semantik, i cili përcakton nocionin e vlefshmërisë logjike. Pra gjuha shqipe, me anë të fjalëve të saj njërrokëshe, të quajtura embriomorfema, mund të krijojë një tabelë embriomorfemash, si tabela periodike e elementeve e Dmitri Mendelejevit. Në këtë rast, periodat janë embriomorfemat e ikonës Petro Zheji, ndërsa grupet janë si fjalët që zbërthen Agron Dalipaj, të cilat janë si zbërthimi i ngarkesave të atomit. Pra gjuha shqipe sipas këtyre dy korifenjve nuk ka vetëm karakter konvencional, por dhe embrional. Dhe në vend që ne të gjykojmë, të bëjnë analizë dhe sintezë të këtyre punëve, i shajmë, i lëmë në hije dhe i përgojojmë. Dhe e dini se nga kush? Nga ata që korrin dhe nuk lidhin. Kështu thuhet nga anët tona për këta që hiqen se janë me brumë, se kanë bereqet në punën e tyre, por në fakt korrin dhe nuk lidhin, sepse nuk e dinë që edhe lidhja e shumë duajve njëri pas tjetrit është algoritëm. Para disa viteve në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës erdhi si rektor nga Amerika Pr. Tanush Shaska, i cili futi lëndën e matematikës dhe në degën e gjuhë – letërsisë. Sipas tij matematika ishte thelbësore në formimin e mendimit, i cili nuk ekziston pa gjuhën, por dhe të koncepteve filozofike, që nisin që me Platonin , por mbi të gjitha mbi lidhjen e matematikës dhe realitetit material, që ka ndezur debate filozofike që nga koha e Pitagorës. Ai i referohej atyre që kishte mësuar prej korifejve të Institutit për Studime të Avancuara, që është një qendër e pavarur për kërkime teorike dhe kërkime intelektuale e vendosur në Princeton, Nju Xhersi, se matematika është e domosdoshme dhe për shkencat humane sidomos për psikologjinë, estetikën, kreativitetin dhe intuitën. Jo më kot Dante si një arkitekt në mendje, Omar Kajami si një matematicien i shquar dhe poet i jashtëzakonshëm, si dhe Dostojevski si inxhinier edhe në realitet, duke njohur shkencat ekzakte arritën të japin vepra kaq madhore në poezi dhe në prozë, që konsiderohen kryevepra me shumë ndikim në botë. Të mos harrojmë se albanologu i parë që u mor me problemet e origjinës së gjuhës shqipe, duke e perifrazuar gjithnjë si gjuha e ilirëve të lashtë, si dhe me lidhjen e saj me gjuhët tjera indo-evropiane, ishte Gottfried Wilhelm Leibniz, i quajtur “gjeniu i fundit universal” pasi ishte matematicien, filozof, shkencëtar dhe diplomat. Por mbi të gjitha, ai ishte një matematicien i shquar, ku arritja kryesore e të cilit ishte zhvillimi i ideve kryesore të llogaritjes diferenciale dhe integrale, të pavarura nga zhvillimet bashkëkohore të Isaac Njutonit.
Por le të kthehemi te kritikuesit e Agron Dalipajt. Janë që të gjithë “korremoslidhës”, pra njerëz që mendojnë se janë ekspertë, por nuk dijnë të bëjnë dot ekspertizë, sepse siç po del, gjuha shqipe si një gjuhë natyrale, është gjuhë e algoritmit simbolik, është gjuhë që e zbërthen matematika, pra është gjuhë e të menduarit, që sa të madhe ka formën, po aq të madh ka dhe përmbajtjen, shpirtin e saj. ADN e saj është hyjnore, por si çdo ADN tjetër ajo është një matricë, pra trajtë e formulave matematikore, që “korremoslidhësit” nuk e zgjidhin dot, por e bëjnë si dhelpra me rrushtë. Agron Dalipaj është matematicien i gjuhës shqipe, sepse matematika është shkenca që studion cilësinë, strukturën, hapësirën dhe ndryshimin. Ndaj unë si këshillë për “korremoslidhësit”, kam shprehjen e Armand Borel, profesorit të përhershëm në Institutin për Studime të Avancuara në Princeton, New Jersey dhe një nga krijuesit e teorisë bashkëkohore të grupeve algjebrike lineare:
“Unë mendoj se ajo që matematikës i duhet më së paku janë ekspertët që lëshojnë receta ose udhëzime për të vdekshmit me sa duket më pak të shkolluar.” (Vepra IV, f. 452)
Pra, ju “korremoslidhës”, mësoni matematikë që të kuptoni Agron Dalipaj dhe pastaj lëshoni receta për ato mendimet tuaja “gjeniale”, të cilat e kanë lënë këtë komb mbrapa. Sharlatanizmin mbajeni ju, si njerëz që pretendoni në mënyrë të rreme se keni një njohuri, ose aftësi të veçantë. Në fakt keni ca njohuri si të shani, si të lëpiheni, si të hiqeni si të përparuar, por sharjet tuaja rriten në progresion aritmetik, ndërsa admirimi dhe vlerat e Agron Dalipajt rriten në progresion gjeometrik. E vërteta e gjuhës shqipe është absolute, dashuria ndaj saj është relative. Agron Dalipaj, ashtu si Petro Zheji kanë zgjedhur më sublimen.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk