KOSOVARËT JANË SHQIPTARË, JANË VËLLEZËRIT TANË

30
May
2025
(Nga Ditari i shokut Enver Hoxha për Çështjet Ndërkombëtare)


E HËNË 15 JANAR 1968
Sot shkuam në Krujë për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit këtij qyteti të titullit «Qytet Hero», dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Me këtë rast në Krujë ishte grumbulluar popull i madh dhe kishte shumë entuziazëm. Mbasi shoku Haxhi Lleshi mbajti fjalimin e rastit, i dorëzoi sekretarit të Komitetit të Partisë, shokut Pirro Kondi dekoratën e lartë. Krutanëve, të pranishëm në miting, iu bë shumë qejfi. Gëzimi dhe brohoritjet arritën në kulm. Nga mitingu, i cili u mbajt përpara Monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, vepër e skulptorit Janaq Paço, kaluam në këmbë për në kala, ku inauguruam Muzeun e Skënderbeut. Aty na foli Aleks Buda. Muzeu ishte i ri, i mirë. Sigurisht me kohë ai do të pasurohet. Si godinë, mund dhe duhej të mos bëhej me atë stil modern që është bërë, por t’i jepeshin karakteristikat e stilit tonë popullor dhe t’i përshtatej ambientit të kalasë.
Pamja nga kalaja ishte madhështore, dhe sot këtu nuk frynte si çdo herë, bile, me gjithë borën që kishte rënë, nuk bënte shumë ftohtë.
Duke kaluar për në kala, pamë pazarin e vjetër të qytetit që ishte restauruar, u ndalëm në një kafe ku patëm edhe një bisedë të improvizuar me një grup profesorësh kosovarë, që kanë ardhur për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Dytë të Studimeve Albanologjike.
Gjatë bisedës vëllezërve kosovarë iu thashë afërsisht këto gjëra:
Jemi shumë të gëzuar që ju kemi këtu midis nesh, me rastin e jubileut të stërgjyshit tonë të madh të përbashkët, Skënderbeut. Ai është yni dhe juaji. A nuk është kështu?
Ata u përgjigjën: Po ashtu është.
Unë vazhdova:
Ne ju përshëndesim ju, si përfaqësuesit e inteligjencies kosovare dhe si bij të asaj pjese heroike të popullit shqiptar të Kosovës që ne e duam shumë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, jemi pra një popull. Qiejt mund të rrëzohen, por e vërteta që ju jeni vëllezërit tanë e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe, nuk lëviz. Furtuna të tmerrshme kanë kaluar mbi popullin shqiptar. Mundet edhe nesër të bëjnë vaki gjëra të tilla, por populli shqiptar nuk do të robërohet tani më nga kurrkush. Nuk ka forcë në botë që ta ndalojë popullin shqiptar të rrojë i bashkuar, i lirë, i pavarur e sovran. Këtë e kanë vërtetuar kohët e lashta dhe kohët e reja. Po ta lypin rrethanat, këtë do ta vërtetojnë edhe kohët e ardhshme.
Ne nuk mund të mos i themi këto të vërteta të mëdha, ndryshe do të bënim një krim. Këto që po jua them tash juve, ia kam thënë edhe Titos, kur u poqa me të për herë të parë më 1946 në Beograd. Ai më dëgjonte dhe, kur mbarova, më pyeti se ç’mendoja unë për Kosovën.
Unë i thashë: – Kosova është shqiptare, i përket Shqipërisë dhe duhet t’i kthehet Shqipërisë.
Ai më tha se tash për tash serbët nuk mund ta kuptojnë një gjë të tillë.
I thashë: Ashtu është, por në rast se nuk e kuptojnë sot, duhet ta kuptojnë nesër.
Titoja tha:
Po, kështu jam dakord.
Por në të vërtetë ai nuk ishte dakord, as dje, as sot, dhe as nesër nuk do të jetë. Ai nuk u besonte fjalëve që thosh, por edhe unë nuk e besova atë.
Unë, vëllezër kosovarë, nuk dëshiroj të polemizoj me ju, për këto çështje, pse nuk dëshiroj të prish gëzimin e madh që ju ndieni me rastin e kësaj feste, por përfitoj nga ky rast që më jepet për të sqaruar që t’i kuptoni mirë, ju vëllezërit tanë të Kosovës, disa çështje të cilat ata që nuk na duan të mirën, i shtrembërojnë. Ne nuk kemi për qëllim kurrë të sulmojmë Jugosllavinë, por, në rast se reaksioni dhe revizionizmi jugosllav cenojnë kufijtë tanë dhe do të na sulmojnë, ne do të kundërsulmojmë, do t’i thyejmë dhe do të fitojmë mbi ata.
Kur ne afirmojmë dhe mbrojmë parimet e mëdha për të cilat fola në fillim, armiqtë tanë na akuzojnë se jemi nacionalistë, shovinistë, irredentistë e tjera. Natyrisht ne nuk jemi të tillë, ne jemi marksistë-leninistë dhe patriotë revolucionarë shqiptarë, por ata sulmojnë të vërtetat e mëdha që mbrojmë ne, sepse përpiqen të mbrojnë gënjeshtrën, krimet që u janë bërë me kohë dhe që vazhdojnë t’u bëhen shqiptarëve.
Ju do të përkujtoni, më duket, Kongresin e Mana-stirit dhe Lidhjen e Prizrenit. Na keni ftuar edhe ne, apo jo? (ata u përgjigjën: Po). Atëherë ne do të vijmë dhe nuk do të vëmë kondita siç bëri zoti Fadil Hoxha, por, nuk do të mbyllim gojën. Jo, nuk mund të mos themi në konferencat që do të organizoni ju në këto raste, ato të vërteta që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar e që numërova më lart; ne nuk mund të mos zbulojmë arsyet e vërteta që janë në bazë të këtyre ngjarjeve historike, gjatë të cilave vëllezërit tanë heroikë të Kosovës luftonin për të drejtat e kombit shqiptar, për mbrojtjen e trojeve të atdheut dhe bashkimin e tij në shtetin e vet kombëtar. I thoni zotit Fadil Hoxha nga unë, se ai nuk bëri mirë që nuk dërgoi një grup kosovarësh për festën te ne. Arsyet që ai nxjerr për këtë, nuk qëndrojnë në këmbë.
Ka në Kosovë njerëz që thonë: «Shqiptarët e Shqipërisë nuk na kuptojnë. Kjo nuk është e vërtetë. Ne ju kuptojmë ju, por duhet të dini se armiqtë tanë shohin që ne ju kuptojmë dhe prandaj na e kanë frikën edhe neve dhe juve dhe, në këtë situatë, të ndërlikuar për ata, përpiqen «të sugjerojnë, për të mos përdorur termin urdhërojnë, që disa njerëz në Kosovë të na «bindin ne që t’i kuptojmë ata, siç do armiku ynë i përbashkët. Jo, kësaj ata nuk do t’ia arrijnë kurrë.
Çfarë do armiku ynë që të themi ne?
Ne i duam popujt e Jugosllavisë me frymën e vërtetë internacionaliste, por në asnjë mënyrë në rrugën e «Bashkim vëllazërimit się do ai.
Armiqtë tanë duan që ne të pranojmë e të themi se populli shqiptar i Kosovës «rron në lumturi të madhe, se i ka fituar të gjitha të drejtat dhe liritë, se toka dhe fabrikat janë të tijat, se ka në çdo fshat shkolla, se ai është në pushtet, se rron në bollëk, se nuk dëbohet në Turqi» etj., etj. Jo, ne nuk mund t’i pohojmë këto gjëra, ne nuk mund të gënjejmë dhe të bëhemi bashkautorë të kësaj gënjeshtre me rrezikshmëri të madhe për popullin shqiptar të Kosovës.
Përkundrazi për të mbrojtur popullin e Kosovës gati 20 vjet më parë ne i kemi denoncuar këto veprime të egra e të tmerrshme. Tash, në gazetat shqipe të Kosovës, po shohim të flitet për këto padrejtësi. Sigurisht jo plotësisht, por edhe këtë ne e kuptojmë.
Ju keni kërkuar ndihma nga ne në lëmin e kulturës dhe të arsimit. Ne e kemi për detyrë t’ju ndihmojmë. Shqipëria duhet të bëjë sakrifica për kosovarët dhe sa më shumë t’ju ndihmojë, aq do të themi se është pak.
Ju keni kërkuar që djem dhe vajza të Kosovës të vijnë të mësojnë në Shqipëri, t’u japim dy-tri bursa, ashtu siç u jep Beogradi. Jo. Këtu unë ju them vetëm mendimin tim personal, pse kjo çështje as që është studiuar ende dhe as nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare nga udhëheqja e Kosovës. Ne, sipas mendimit tim, duhet t’ju japim juve me qindra bursa. Por në qoftë se bëhet kështu, a do ta pranojë qeveria jugosllave një gjë të tillë? Ç’do të mësojnë të rinjtë dhe të rejat kosovare te ne? Do të mësohen të jenë patriotë revolucionarë shqiptarë, të jenë internacionalistë, të jenë marksistë-loninistë, të duan socializmin dhe komunizmin, të zotërojnë diturinë, shkencën dhe mbasandaj të kthehen në Kosovë për ta vënë atë në shërbim të popullit të tyre. A do ta pranojë Beogradi një gjë të tillë? Me siguri jo. Ai do të nxjerrë pengesa. Ne nga ana tjetër nuk do të lejojmë që ambasada jugosllave në Tiranë, e cila për ne është një qendër spiunazhi dhe diversioni, të bëhet qendra e këtyre të rinjve kosovarë. Ndryshe e gjithë kjo punë, në qoftë se realizohet, për qëllime aq të mira edhe tuajat edhe tonat, do të kthehet në një fatkeqësi për të rinjtë dhe të rejat kosovare që do të mund të përfitonin duke ardhur për të studiuar në vendin tonë. Merreni me mend, se ç’masa të egra do të merren kundër tyre, kur vetëm sepse patën rastin të piqeshin e të shkëmbenin nga një fjalë me volejbollistët ose futbollistët tanë që luajtën në Beograd, policia jugosllave po merr në pyetje të rinjtë kosovarë.
Ju keni kërkuar prej nesh tekste dhe libra të ndryshëm. Ne patjetër do t’jua japim ato; për veten tonë ne do të pranojmë edhe sakrifica në këtë drejtim, por edhe ju duhet të keni parasysh disa gjëra. Ne e kuptojmë dhe e pranojmë që ju të hiqni, po të doni, nga tekstet tona, ato pjesë që flasin kundër titizmit, kundër Titos. Ju mund të hiqni dhe emrin tim, por ne nuk mund të lejojmë të hiqet asnjë pjesë që flet për Partinë tonë, për vijën dhe luftën e saj, pse është ajo që e çliroi Shqipërinë dhe e bëri atë socialiste dhe të lulëzuar. Në drejtime të tjera ju mund të bëni ndonjë ndryshim me dijeninë e autorit dhe me pëlqimin e tij. Dëshirojmë, gjithashtu, që me tekstet tona të mos spekulohet nga ana tregtare, në kurriz të nxënësve, të studentëve e të pedagogëve kosovarë.
Jugosllavët bërtasin: «Të hapim kufijtë dhe të organizojmë takime masive të popullit. Këto gjëra, ashtu siç i do udhëheqja jugosllave, ne nuk i pranojmë, se e dimë çfarë fshihet prapa këtyre veprimeve të tyre. Ne do t’i ruajmë me vigjilencë kufijtë tanë. Kjo është në interesin tonë dhe tuajin. Ne e dimë dhe e ndiejmë mallin që ju keni për Shqipërinë, por për interesat e mëdhenj të kombit e të lirisë sonë, disa herë i duhet vënë një «gur zemrës, siç thotë populli ynë.
<<Të zhvillojmë turizmin thërresin jugosllavët. Turizmi, me përjashtime të vogla, dhe këto ne i mbajmë kurdoherë parasysh, në situatat që po kalojmë, praktikohet nga pasanikët dhe nga spiunët e diversantët. Për vëllezër të ndershëm kosovarë ne do ta lejojmë atë kur të paraqitet rasti, por jemi të sigurt se këtë përjashtim, që ne do të bëjmë, jugosllavët do ta shohin keq dhe në dëm të vëllezërve tanë kosovarë. Prandaj për të mirën tuaj ne do të jemi prudentë.
Unë, vëllezër kosovarë, ju fola hapur dhe sinqerisht.
Nuk kam pasë asnjë qëllim t'ju vë në vështirësi. Mundet dhe sigurisht ka çështje që ju mund t'i mendoni dhe t'i arsyetoni ndryshe nga ne, çdo njeri ka mendimet e tij dhe të drejtën t'i mbrojë ato.
Me këtë rast që keni ardhur këtu, vizitojeni Shqipërinë, shikoni me sytë tuaj, dhe ndieni me zemrat tuaja prej shqiptari, ndryshimet e mëdha cilësore dhe sasiore që ka bërë Partia jonë për popullin shqiptar. Ne nuk pretendojmë se kemi kapur qiejt, se kemi krijuar bollëkun e madh. Jo, ne kemi shumë për të bërë, por ne ecim në rrugën e vërtetë të socializmit, as kurrkujt dorën nuk ia shtrijmë, kurrizin përpara askujt nuk e përkulim; ne revolucionarizojmë masat, kalitim tek ato virtytet më të larta të popullit tonë, patriotizmin, ndershmërinë, heroizmin, dashurinë e zjarrtë për Partinë, për lirinë, për pavarësinë, për unitetin. Ne e kalitim popullin që, duke ndërtuar socializmin ta dojë atë dhe të mendojë e të rrojë si komunist, si revolucionar. Kështu si populli, të rrojë dhe të luftojë edhe udhëheqja e tij, e cila duhet të jetojë thjesht, të jetë e para në sakrifica, t'i ketë kokën, ndërgjegjen dhe duart të pastra.
Unë ju uroj suksese të mëdha në punën tuaj, dhe shumë të mira popullit vëlla kosovar!
Pas meje e mori fjalën njëri prej tyre dhe, me fytyrë të çelur, falënderoi për bisedën, falënderoi shokët e universitetit për pritjen dhe për ndihmën që u dhanë dhe tha: «Unë jam një profesor dhe jo një politikan». Unë qesha dhe i thashë se edhe unë kam qenë profesor, por jam edhe politikan.
Nga përshtypja që pata më duket se ata dëgjuan me vërejtje të madhe, disa prej tyre disa herë aprovonin, fytyrat e tyre nuk u vrenjtën asnjëherë, por ishin shumë ekspresive. Në dukje u ndanë si të kënaqur, në brendi nuk mund të dimë. Por një gjë është e sigurt dhe do të ngjasë, këto që thashë unë, ata do t'i përhapin në Kosovë. Kjo do të jetë pozitive.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk