<
Ti, o kroi i fshatit, ma thuaj një fjalë,
Për kohën e vjetër, a thua ke mall?
A të kujtohen vashat me shtama në duar?
A të kujtohen gratë, në arë duke shkuar?
–
A të kujtohet bujku, duke u freskuar?
A të kujtohet plaku, këtu duke pushuar?
A të kujtohen djemtë e rinj, duke kënduar?
Ma thuaj të vërtetën, a je përmalluar?
–
A e mban mend, ma thuaj, bariun,
Sa herë nga ti ai ujë ka pirë?
A i mban mend delet e tij të bardha,
Dhe përpara tufës, dashin me brirë?
–
A të kujtohet ajo kohë, ma thuaj, o krua?
Unë e di mirë pse ti nuk flet me mua.
E ke nga malli, edhe nga mërzia,
Se ti u preke nga pyetjet e mia.
–
Edhe njëherë, kur të vij te ti,
Të betohem, krua, më nuk flas me ty.
Ujë do të pi e pak do të freskohem,
E pastaj, në heshtje, ngadalë do të largohem!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!