Kristo Mërtiri
8 Janar, 2023
Të njohësh mirë një njeri, duhet të hash një thes me kripë, o bir! Unë, Hysni Milloshin nuk e kam njohur si “komunist” dhe as si Kryetar i PKSH në pluralizëm. Kur isha ushtar(3 vjet), e takova nga afër si student ushtarak shumë simpatik në Degën e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Ishin fillimvitet ’70 të shekullit që shkoi.
Të njohësh mirë një njeri, duhet të hash një thes me kripë, o bir! Unë, Hysni Milloshin nuk e kam njohur si “komunist” dhe as si Kryetar i PKSH në pluralizëm. Kur isha ushtar(3 vjet), e takova nga afër si student ushtarak shumë simpatik në Degën e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Ishin fillimvitet ’70 të shekullit që shkoi.
Pastaj vargjet e tij me prush të vecantë atdhetarie e shqiptarie, e sidomos nga tekstet e këngëve në Festivalet e RTSH me kompozitorë e këngëtarë nga më cilësorët e kohës.(Por gjatë Tranzicionit rrumpallë, në ekranin shtetëror shpesh pa pikë turpi qytetar e profesional, emrin e autorit të tekstit e retushonin.
E bënin ata që vazhdonin të hidhnin baltë me lopata mbi “censurën diktatoriale” të djeshme. Harronin që memoria njerëzore e identifikonte menjëherë !)…Nuk mund të më ikin nga mendja ato ditë kur u dashurua marrëzisht me Netën, që i kishim pallatet ballë për ballë në Tepelenën tonë. I kushtoi edhe një libër të veçantë me vjersha.
Mbaj mend mirë stuhitë e peripecitë e para të dashurisë pa kushte, por edhe psherëtimat e pikat e lotit të kulluar djaloshar të sinqeritetit e të dhembshurisë pa kufi. Ishte dhe mbeti shpirtbardhë si rrallë kush, por edhe trim jo dosido, me cilësitë më të mira të malësorit shqiptar. “…Po të mos kishe xhaketë, ai e hiqte nga krahët e ta falte, kur të duheshin lekë, Hysniu i zbrazte xhepat në cast dhe nuk i kërkoi kurrë borxhet e shumta.
Po të mos kishe bukë, jepte edhe thërrimen e fundit,-tregonte kohë më parë poeti Lirim Deda, dikur i shkarkuar si Kryeredaktor e gazetar dhe i dërguar në një bateri me ushtarë në rrethinat e Elbasanit.-Ata që kishin halle, ishin shumë të sigurt se Hysniu qe gjithnjë në krah të tyre. Ai kishte cilësi dhe virtyte që nuk i gjejmë dot sot, kur këto që them mund të duken si përralla…”.
Si për të mos u larguar as gjeografikisht asnjë moment nga Antoneta bionde bio dhe e bukur që dukej se lezetonte më tepër qytetin buzë Vjosës, ai po vinte më shpesh edhe te shtëpia e prindërve të mi. Ditët e fundit, gjeta një shënim me dorën e tij, kur më fali librin voluminoz e dinjitoz “Atdheu” te Brryli: “Shokut Kristo…Kujtoj me respekt të madh prindërit e tij brilantë Gole e Evanthi, të cilët më kanë pritur në shtëpi, më kanë dhënë bukë e ujë…” etj.(Nëntor 2009). Por jeta nuk të hedh vetëm lule, nganjëherë të vërvit edhe gurë të pamerituar.
Neta vetëm 32 vjece, mbylli sytë përgjithmonë !…Përfytyroni Hysniun gazetar me 3 djemtë e vegjël fare, Renaton, Marenglenin e Gjergjin. Më i madhi 8 vjec ! U ka shërbyer si rrallë burrë në Shqipëri. Duroi edhe baltrat politike si “kryekomunist”. Sepse si Njeri nuk fliste e nuk foli gati asnjë. Vendi përmbytej e mbytet ende nga Polit(h)ika pa moral. Elegjia e Arben Dukës për birin e Macukullit, do të mbahet mend gjatë…Para se ta shkarkonin e degdisnin nga Revista e mirënjohur “10 Korriku”, ishte dënuar e burgosur miku im lab e djalë Dëshmori i Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, gazetari e shkrimtari Halil Laze, të cilin sot mund ta kisha komshi te rruga “Vllazën Huta” në Tiranë !
Kur ishte liruar nga qelitë e Spacit dhe kish nisur udhë Pluralizmi ynë rrumpallë, Halili po punonte si kryeredaktor i gazetës së Sindikatave të Pavarura. “Antikomunizmi” kallp po bënte kërdinë dhe gjëmonte dhunshëm kudo: Që nga rrafshimi i uzinave, fabrikave, kombinateve; djegia e shkollave dhe e Bibliotekave pasurimëdha të Kamzës e të Shkodrës; prishja e përdhunimi i lapidarëve e busteve të Heronjve e Dëshmorëve të Atdheut; shkatërrimi i muzeve historikë; heqja e përzënia paradoksale e këngëve popullore labe të trimërisë etj. nga ekrani i Televizionit të shpërfytyruar edhe prej habereve të SHIK-ut që transmetoheshin direkt pa asnjë filtër qytetar e profesional; intrigat marramendëse politike të partisë në pushtet, duke ia veshur si kau pelës vetëm ish Sigurimit të Shtetit për çdo “pengesë” e veprim anadollak ose atyre veteranëve flokëbardhë që ua mblodhën me urgjencë trofetë e ruajtura nga koha e Luftës Çlirimtarë si “rrezik i madh” për Rendin e Demokracinë( Dhe shkatërruan barbarisht Ushtrinë e hapën depot e armëve luftarake, armë që mjerisht po vazhdojnë të vrasin lirshëm njeriun sot e kësaj dite !) etj. etj.
Por një ditë, në zyrën e Kryeredaktorit Halil (I sapoliruar nga qelitë dhe prangat e padrejtësisë), hyri një ish i burgosur me ca letra në dorë. “Dua të botohet shpejt, sepse ky kryekomunist i PP-së kërkon të na pijë prapë gjakun !”, foli prerë i sapoardhuri. Mirëpo, pa mbaruar së lexuari faqen e parë, buzëqeshja e njohur ironike e Halilit në pak sekonda u kthye në shtrëngim nofullash, i palosi letrat dhe u përgjigj:”- Dëgjo pak, miku im ! Ky “kryekomunisti” që thua ti, nuk ka qenë asnjë ditë anëtar i Partisë së Punës dhe ti nuk e njeh hic nga afër…Kur u diskutua me të madhe puna ime “armiqësore” në Revistën “10 Korriku”, nga të vetmit që nuk u prononcua fare, ishte Hysni Milloshi !
Kur të tjerë më ranë me grykë pushke e topi…Sa të jem unë kryeredaktor, këtë lloj shkrimi denigrues pa doganë e urrejtës të paanë, nuk e botoj ! Ta di sikur të shkarkohem tani. Dhe mos harro: Nuk ka asnjë lidhje me Fjalën e Lirë e të Vërtetën, për të cilat hëngrëm burgje e internime…”. E kujtuam shkurt këtë episod mjaft domethënës për karakteret e shëndosha njerëzore, pasi pimë kafetë dhe cigaret e fundit bashkë, pak kohë se Hysniu i mirë e tepër idealist të ikte nga kjo botë e trazuar. Sa herë kaloj aty te “Brryli”, dicka më rrëqeth vetiu. Ndoshta atëherë e pyeta pa shumë takt e sy më sy: Si është ajo puna e “milionave” që paske marrë sipas disa militantëve të majtë, kur ti dole i pavarur ?…Mori frymë thellë, nuk i uli sytë e rrëmbushur, thithi fort cigaren e mu drejtua jo pa tronditje e sinqeritet: “Kristo, miku im i vjetër, edhe ti e beson këtë rrufjanllëk e maskarallëk me okë ?…Ja, po ta them troc: unë shkova disa herë në selinë e PS për të hyrë në Koalicion, kërkova takime të posacme, por asnjë drejtues aguridh nuk na pranoi në zyrë.
Trembeshin nga akuzat që mund të vërshonin nga e djathta a nuk e di. Pas kësaj mosbegenisjeje të cuditshme, vendosëm të dalim të pavarur në zgjedhje. Tjetër gjë si rrodhën ujërat e votave…Kjo është e vërteta !”.(Si për ta ndryshuar sadopak atmosferën e bisedës, para se të ndaheshim i thashë se djali im i madh u martua me një vajzë nga Burreli. Menjëherë i ndritën sytë, u gëzua si fëmijë, më uroi me zemër dhe më përqafoi fort…).
Pas pak ditësh, në autobuzin e mbushur plot të Unazës së Kryeqytetit, pranë ish ATSH, befas u dëgjua një zë i fortë pasagjeri:”-Ku i ke milionat, o Hysni Milloshi ?! Pse nuk blen një veturë si gjithë liderë-kalanderët e partive shqiptare ?…”. Ironi e revoltë bashkë. Tërë udhëtarët kthyen kokat nga fundi i autobuzit ku qe ulur, mbledhur e ngjeshur edhe Hysniu. Miku im, Iliri, m’i përmend shpesh ato caste të paharruara. Shtëpia e tij e thjeshtë që nga koha e monizmit, mbushur plot me libra, flet e do të flasë më fort se ca militantë llafazanë e provincialë të pagdhendur…
A e shikoni shumicën e liderëve të partive politike sot ? Kanë harruar të ecin me këmbë, me autobuzë, furgona e bicikleta. Kanë harruar apartamentet ku jetojnë shumica e qytetarëve të vendit. Janë strukur nëpër vila, fuoristrada, avionë e zyra luksoze, falë “rrogave shtetërore” ?! Dhe mbajnë me gjongul fjalime patetike kundër Korrupsionit që paska mbytur gjithcka. Dhe guxojnë e bëjnë thirrje e bërtasin në kupë të qiellit për “revolucion”! Revolucion i panginjur për kolltuqe e ulluqe. Dhe kujtojnë ende se përballë kanë një elektorat debil që i ha pa përtypur këto profka e koqe ulliri. Sa shumë larg të vërtetave përvëluese që janë. Ku Hysni Milloshi, e ku këta pehlivanë e zabërhanë që i bëjnë hesapet kaluar dhe shajnë e tallen vetëm se përse u bë Kryetar i PKSH ! (Kur të tjerë që kishin milituar me dekada duartrokiteshin e u lëpihen edhe sot (?). Por ideali dhe bindja e tij personale nuk ishte aspak për karrierë apo për të mjelur lopën sic bënë disa bllokmenë tërë jetën e tyre dhe në fund iknin “si ata minjtë që largohen tufa-tufa nga një anije që po mbytet”. Po kështu bllokmenët e rinj. Idealizmit dhe ndershmërisë së tij nuk i qasen as te thembra e këmbës. Disa tekste të këngëve që kompozoi e interpretoi Avni Mula me shokë, mjaft qytetarë e politikanë majtas e djathtas, i mërmërijnë ende. Paradokse trishtuese. Rrodhën mbi 10 vite që Hysniu iku e prehet te Neta e shtrenjtë, në paqe me veten dhe të tjerët…Ai ishte dhe mbeti disa minare më lart nga këta sojsëzë me spaleta verbuese “demokratike”, që edhe turpin duan ta hanë me bukë !
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!