KUJT I KONVENON DHE KUSH TRUMBETON PËR GJAKDERDHJE NË KOSOVË?
Dy fjalë për një emision të televizionit Klan Kosova, me titull Kosova Today, e që është shpërndarë edhe në Youtube në linkun e më poshtëm:
Pos shumë gjërave të trilluara nga kuzhina e propagandës kundër Qeverisë dhe VV-së, nuk kursehen as emra të caktuar, të cilët në mënyrën se si përmenden, dhe shpifjet që bëhen në adresë të tyre, në çdo shtet normal, ku drejtësia funksionon, nuk do të mbeteshin pa iu nënshtruar procedurës gjyqësore.
Ndonëse është kohë fushate, dhe e kuptojmë qëllimin e secilit, që ka të drejtë të propagandoj, pro apo kundër ndonjë partie politike, por, askush nuk ka të drejtë të shpif, duke potencuar madje edhe gjëra kriminale, që në mënyrën se si janë thënë, dhe si thuhen, janë tronditëse për opinionin.
Kështu, në minutën 9:30 të këtij emisioni që gjendet në këtë link të sipërshënuar thuhet: “…dhe kronologjia e grupacionit për vrasje, siç është Ramabaja…” për ta vazhduar pastaj për ta përmendur organizatën fantome të ashtuquajtur “Syri i Popullit”, ku pastaj potencojnë “grupi është mirë i strukturuar, sepse ato nuk ndodhin brenda ditës”, të cilat fjalë i potencon gazetari Ardian Gaxherri, ku “edhe këto lista” sipas edhe gazetarit dhe udhëheqësit të emisionit, thuhen se “janë aktive”, ku sipas tyre “Ramabaja çdo ditë e mbron VV-në, se është antarë i VV…”, e të tjera xhevahire si këto, ndërkaq në ndihmë të këtyre pohimeve akuzuese, është edhe mysafiri tjetër i këtij emisioni, Jeton Halimi, çuditërisht, i ndihmuar edhe nga udhëheqësi i këtij emisioni, ku në këtë rast, ky gazetar, e luan rolin e ‘servuesit’ të topave duke ia “centruar” herë Ardian Gaxherrit herë Jeton Halimit, e herë Bedri Elezit, për të vazhduar pastaj me Milaim Zekën, e duke u thirrur, në të thëna e të pathëna të Berat Buzhalës.
Kështu Bedri Elezi, në rolin e “ekspertit të sigurisë”, në minutën 15:20 të këtij emisioni, çuditërisht deklaron, “si ka mundësi që të jetë i lirë z. Ramabaja?! Minimalisht duhet të përgjigjet para drejtësisë për aktivitetet që ka pasur në këtë organizatë!”
S’ka dyshim, se ky emision, ka një qëllim, prandaj për realizimin e këtij qëllimi, ka edhe një mision. Por që të gënjejnë dhe shpifin kaq trashë, është jo vetëm e turpshme, por edhe kriminale.
Këta zotni që e quajnë veten gazetarë, ekspert sigurie, e analistë, do të duhej të paktën të ishin të informuar për zhvillimin e ngjarjeve që kanë ndodhur.
Nuk dua të arsyetohem me asgjë para këtyre shpifjeve dhe sulmeve tendencioze të këtyre “muskëterëve”, por dua t’ua rikujtoj se Dr. Sadri Ramabaja, pikërisht mbi bazën e kësaj logjike, që këta bëjnë sulme sot, ka qenë i arrestuar dhe peng i lloit të vet për një kohë jo të shkurtër, në të kaluarën e afërme.
Dhe përkundër të gjitha këtyre shpifjeve, nga kjo prokurori dhe polici e kapur, megjithatë me datën 29.12.2022, përmes aktgjykimit nr. 03812796 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, jam shpallur i pafajshëm. Ky aktgjykim është verifikuar pastaj edhe nga dy shkallët tjera ët gjyqësorit tonë – Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme.
Këtë po e potencoj, jo për ta ‘shpërlarë’ veten nga akuzat e këtyre “analistëve, gazetarëve e ekspertëve monstrum”, por për t’ia bërë me dije opinionit, që të shohin, se deri ku shkon logjika irracionale e urrejtjes dhe e shpifjeve nga njerëz të këtij soji dhe ç’rol destruktiv luan TV Klani!
Prandaj, kush don të trumbetoj për derdhje gjaku, dhe përse e bëjnë një gjë të tillë, nuk është vështirë për ta ditur.
Por, në Kosovën e çliruar nga Serbia, tani kur Republika jonë ka bërë hapa serioz drejt etablimit të saj, nuk mund të besohet se mund të ketë akoma njerëz, që do të hyjnë në aventura të derdhjes së gjakut, edhe nëse këtë shumë e dëshirojnë stafi i Klan Kosovës, dhe i sojit të Ardian Gaxherrit, Jeton Halimit e Bedri Elezit…
Ftoj Prokurorinë, që edhe e tillë çfarë është aktualisht, të merret me këtë çështje, dhe t’i thërras këta nxitës të vëllavrasjes, këta “falltorë”, për t’i deponuar të gjitha të dhënat e tyre që i ‘paskan’. Në të kundërtën, Prokuroria, duhet ta thotë fjalën e vet, edhe për shpifjet e ngritura në këtë emision, nëse të paktën edhe ajo nuk është e angazhuar në këtë mision.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!