Kur Mungesa e Debatit Shndërrohet në Blloki

01
Jan
2025
Shkruan: Ferat Selimi

m

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Oslo

Nuk ka asgjë më të ulët sesa të bllokosh dikë për një koment konstruktiv, dhe pikërisht këtë e përjetova nga Bekim Haxhiu. Komenti im nuk përmbante asnjë fyerje apo sulm personal, por ishte thjesht një këshillë e mirëfilltë: me këto qasje dhe sulme të kota, nuk po bëni gjë tjetër përveçse po ndihmoni kundërshtarin tuaj politik.
Në vend që të angazhohet në një debat të mirëfilltë, të argumentuar dhe civil, Haxhiu vendosi të më bllokojë në Facebook. Ky veprim nuk flet vetëm për mungesën e durimit, por edhe për nivelin e lidershipit të disa figurave të PDK-së.
Komenti im ishte i qartë:
“Shif çfarë niveli kanë arritur këta të PDK-së. Në vend që të merren me sfidat e mëdha që ka vendi, ata zhyten në komente që nuk kanë asnjë rëndësi për qytetarët. Kryetari i partisë suaj, Memli Krasniqi, nuk e ka parë të arsyeshme të vizitojë familjen Jashari dhe Kullën e tyre për vite të tëra, ndërsa ju bëni moral për vizitat e të tjerëve.
Si mund të flisni për respekt ndaj UÇK-së kur lidershipi aktual i PDK-së e ka lënë pas dore gjenezën e saj? Kujt i bëhet vonë për këto fjalë të pabaza, kur veprimet flasin më shumë se çdo deklaratë? PDK duhet të ndalojë të përdorë sakrificën e çlirimtarëve si armë politike dhe të tregojë respekt të sinqertë për trashëgiminë e luftës, në vend që ta shfrytëzojë për sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
Në fund, në vend që të përhapni akuza të kota, më mirë reflektoni se çfarë po bëni ju për ta mbrojtur dhe ruajtur këtë trashëgimi. Sepse derisa kryetari i partisë suaj nuk viziton familjen Jashari, çdo fjalë e juaja për UÇK-në tingëllon hipokrite.’’
Ky ishte komenti im. A kishte ndonjë fyerje apo mungesë respekti? Aspak. Ishte një thirrje e drejtpërdrejtë që PDK të ndalet së merren me gjëra të parëndësishme dhe të kthehet te vlerat e saj. Por, me sa duket, një kritikë e tillë nuk është e pranueshme për njerëz që nuk janë në gjendje të ballafaqohen me realitetin.
Ky bllokim tregon shumë: nuk ka argumente, nuk ka dialog, nuk ka debat – vetëm mbyllje të syve dhe bllokim të atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe.
Edhe pse mund të kem një milion arsye pse nuk e votoj PDK-në, nuk mbaj inat dhe asgjë personale me këtë parti. Pavarsisht arsyeve dhe dëmeve që më janë shkaktuar pikërisht nga qeverisjet e saj, kjo nuk më ndalon të jem objektiv.
Pikërisht kjo është arsyeja që unë do të votoj ata që dinë dhe duan të bëjnë një debat të mirëfilltë, ku respekti dhe argumentet janë në qendër, jo ata që mbyllin diskutimet me fyerje apo injorim. Nëse një mendim ndryshe ju duket i kotë, ndoshta problemi nuk është tek unë, por tek ju që nuk mund ta përballoni debatin e hapur.
Nëse nuk mund të përballeni me një këshillë të sinqertë, atëherë si pretendoni të përballeni me sfidat e vendit? Koha për reflektim është tani.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk