KUR POPULL E USHTRI ISHIM NJI

31
Jan
2023

Shkeuan: Dilaver Goxhaj
Tiranë, 31 Janar 2023
Dalja e Shqipërisë politikisht e juridikisht nga Traktati i Varshavës, më 13 shtator 1968, krijoi një gjendje të re në politikën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ishte bërë anëtare e këtij Traktati prej ditës së parë të themelimit të tij, më 14 maj 1955, në të cilin bënin pjesë Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Shqipëria, me qëllim mbrojtjen reciproke të palëve nënshkruese të Traktatit. Megjithëatë, forcat ushtarake shqiptare nuk morën asnjëherë pjesë në manovrat e organizuara në kuadrin e Traktatit të Varshavës. Madje, nga viti 1960, Shqipëria nuk mori më pjesë edhe në asnjë aktivitet ose mbledhje të këtij Traktati.
Më 20-21 gusht 1968, BRSS invadoi Çekosllovakinë, akt të cilin Shqipëria e vogël e dënoi fuqishëm. Me 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Traktatit të Varshavës, Shqipëria deklaroi daljen nga ky Traktat. M’u për këtë, më 13 shtator 1968, Kuvendi Popullor vendosi largimin zyrtarisht të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës.
Si rrjedhojë, prej asaj date Shqipëria filloi të ndjeki politikën e pavarur, asnjanësisë, dhe të qëndrimit jashtë blloqeve politiko-ushtarake, sikundër ishin NATO dhe Traktati i Varshavës. Natyrisht që kjo filloi të nxiste edhe më shumë se në të kaluarën orekset e shpresat shoviniste historike të fqinjëve tanë. Edhe pse cilësimi “armiq” të dy blloqet ushtarake të dy superfuqive që i drejtonin, kjo nuk presupozonte domosdoshmërisht e në çdo moment një agresion të armatosur e të njëhershëm të tyre kundër vendit tonë. Por, megjithatë shteti shqiptar, agresionin e njërës apo tjetrës palë, së bashku me një a më shumë fqinj, e quante të mundshëm hapur e me theks. Më me përparësi pritej një agresion i armatosur nga BRSS sesa nga SHBA dhe blloqet përkatëse. Kjo, për shkakun sepse shteti ynë mbajti një qëndrim të hapur kritik ndaj Moskës, madje në Kremlin, pavarësisht se mbetëm pa u ndëshkuar.
Ajo që politika e shtetit shqiptar nuk e përjashtonte mundësinë e një agresoni nga secili bllok ushtarak ishte, së pari, pozicioni gjeostrategjik i vendit tonë dhe, së dyti, kundërshtitë themelore politike dhe ato të interesave midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Pra, Shqipëria gjendej në një pozicion të vështirë, ekzakt sikur të thuash: “mes çekiçit dhe kudhrës”. Për këtë arsye politika e shtetit mendonte se asnjëra palë nuk do të pranonte që këtë hapësirë gjeografike t’ia linte në zotërim palës tjetër.
Në rrethanat e kësaj pashmangshmërie të përfshirjes së vendit tonë si fushe lufte, politika e shtetit tonë me të drejtë theksonte që kundërshtari, kushdo që të ishte ai, do të pritej me armë, si agresor, pavarësisht si do të shfaqej ai dhe cili do të ishte fati i luftës. Pavarësisht kundërshtarëve, ne do të hynim në luftë për mbrojtjen e vendit. Si rrjedhojë, shteti i atëhershëm mori guximin dhe u përgatit intensivisht të mbronte Atdheun. Pa marrë parasysh kritikat që mund të bëhen sot, ai shtet nuk mund të bënte ndryshe. Dhe ajo politikë mbrojtëse, për mua shënon një vlerë të shtuar, të pamohueshme, atdhetare në hiostorinë e shtetit tonë.
Bazuar në sa më sipër, shteti i atëhershëm përcaktoi politikën mbrojtëse të të qenit i gjithë populli: ushtar, sipas trinomit: punë – mësim – stërvitje ushtarake. Dhe, bazuar në këtë politikë mbrojtëse, pas 5 muajsh filloi organizimi dhe zhvillimi i stërvitjeve ushtarake të mëdha masive me pjesmarrje të gjithë popullit shqiptar, sipas Tezave të Këshillit të Mbrojtjes të formuluara në vitet 1966-1967, mbi bazën e të cilave u hartua Arti Ushtarak i Luftës Popullore.
Në vitet ’60-’70 u ngritën 14 njësi operativo-strategjike (korpuse dhe komanda të barazvlefshme), ku llogaritej që në një luftë të mundshme, në front dhe në interes të tij Shqipëria të mobilizonte rreth 1 milion njerëz: 90.000 forca aktive, 361.000 efektivë rezervistë, 300.000 efektivë të forcave vullnetare dhe të rinisë shkollore e studentore,(G.Elezi “Tej fasadës”,2010,f.82). Gjë që në rast agresioni nuk do të kishim një përleshje të armatosur ndërmjet dy ushtrive të rregullta, por në mes të ushtrisë së rregullt armike dhe të gjithë popullit tonë të armatosur.
Për këtë qëllim, në muajin Shkurt të vitit 1969 u organizua stërvitja e Bodesë. Në këtë stërvitje mori pjesë e gjithë popullsia e dy rretheve fqinjë me njeri-tjetrin: rrethi i Korçës dhe ai i Përmetit. Në këto dy rrethe u shpall “gjendje lufte”. U angazhuan në stërvije nëpër formacionet e regullta të ushtrisë dhe ato vullnetare 80 mijë forca të të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve të të gjitha Forcave Tokwsore dhe Ajrore, krahas strukturave ndihmëse. Stërvitja zgjati gati tri javë. Konkluzionet e asaj stërvitjete i bëri Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku para forcave pjemarrëse, të reshtuara në fushën midis fshatrave Mborje-Drenovë.
Në këtë stërvitje morën pjesë edhe studentët e vitit të dytë të Shkollës së Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”. Toga e artilerisë kundërajrore ku unë bëja pjesë, me komandant Fiqiri Isufi, u inkuadruam në Brigadën e Këmbsorisë në Maliq, në përbërje të Grupit të saj Kundërajror dhe të togave të mitralozave KA të batalioneve, dërsa studentët e tjerë u shpërndanë në njësitë e tjera dhe repartet autonome të Korpusit, në Korçë.
Kur Ministri Mbrojtjes e shpalli të përfunduar stervitjen të gjithë studentët e shkollës sonë shkuan pranë makinave të tyre që i patën sjellë në Korçë, ndërsa ne artilierët kunëdërajrorë të BrK të Maliqit u nisëm në këmbë, në intenerarin Drenovë-Fabrika e birës-qyteti i Korçës-Maliq. Gjatë rrugës për në Korçë vendosëm si togë se do të ishte mirë që gjatë kalimit përmes qytetit të Korçës të ecnim me hap e këngë rreshtore.
Në ora 17.00 mbritëm te Fabrika e birës “Korça”. U reshtruam në kolonë për dy. U dha komanda: “Me këngë e hap rreshtor, Para-Marsh!”. Kënga rreshtore që ne zgjodhëm për ta kënduar, ishin dy strofa të poezisë së Naim Frashërit: “Korça”, që i dedikohen Mësonjëtores së Parë të Shkollës Shqipe. Këtë këngë e këndonim shpesh gjatë lëvizjeve në rresht nëpër rrugët e Shkollës, e cila ishte kompozuar e përshtatur për këngë rreshtore:
Korça, Korça, Korça lule!
Korça, Korça, Korça nuse!
Korça!
Lumja ti, moj, Korç’ o lule,
Që le pas shoqet e tua,
Si trimi në ballë u sule,
Ta paçim për jetë hua!
Korça, Korça, Korça lule!
Korça, Korça, Korça nuse!
Korça!
S’jemi grekër, as bullgarë,
Asgjë tjetër, nukë jemi,
Jemi vetëm Shqipërtarë,
Një kët’ emër nder e kemi.
Korça . . .
Pa mbritur ende plotësisht te hyrja e Komandës së Korpusit të Korçës, u befasuam kur pamë se i gjithë populli i qytetit të Korçës, i të gjitha moshave dhe gjinive, porsa dëgjuan tingujt e këngës rreshtore filluan të delnin me vrull nga shtëpitë dhe vërshuan duke u grumbulluar përgjatë dy anëve të rrugës kryesore përmes qytetit; madje, filluan të na duartrokisnin sipas ritmit të hapit tonë dhe të këngës që ne këndonim. Kur mbritëm në qendër të qytetit, te Monumenti i Ushtarit të Panjohur, në ato mente populli filloi të na shoqërionte jo vetëm me duartrokitje, i gjithë njëherësh sipas ritmit të hapit tonë, por edhe duke kënduar këngën rreshtore së bashku me ne. Gjëmonte i gjithë qyteti i Korçës nga hapi rreshtor, kënga dhe duartrokitjet. Ky duet, ushtarë e popull, me hap rreshtor e duartrokitje dhe zwrash, nuk reshti asnjë moment derisa mbritëm në dalje të qytetit, ku kthen rruga për në Bilisht, Devoll. Atje kishte dalë e na priste makina për t’u kthyer në Tiranë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk