Për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se ndërkombëtarët kishin refuzuar propozimin që ai të shkruante draftin e themelimit të Asociacionit.
Ai ka thënë të dielën se drafti i tij do të bazohej në aktgjykimin e Kushtetueses, letrën e Federica Mogherinit dhe qëndrimit amerikan, por u shpreh se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “na kërcënoi me largim nga tryeza”.
“Më 18 mars 2023, në Ohër kam ofruar të shkruaj një draft. Thashë se s’mund të shkruaj draft pa u pajtuar për frymën e saj.. Shtylla e parë ishte aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i 2013-s, qëndrimi amerikan, dhe letra e Mogherinit…Me këto qëndrime thashë nesër ua sjell draftin. Presidenti Vuçiq kërcënoi me largim nga tryeza. Aty u krijua një sfidë e më thanë s’duhet të shkruash ti draftin, por ekipi menaxhues”, ka deklaruar Kurti.
Ai u shpreh se ekipi menaxhues e parashihte krijimin e një strukture “që i subordinon edhe komunat e dhëna nga Ahtisaari dhe e bën një president”.
“Krejt synimi ka qenë një Dodik i vogël që e shkel Nenad Rashiqin. Qëllimi ishte ky. Unë s’jam kundër nenit 44 dhe lirisë së asocimit. Jam ofruar të shkruaj draft, por më thanë jo. Lajçaku e solli draftin, por unë s’mund ta dërgoj një non-paper në Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se kishte propozuar edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje në pako me Serbinë, por thasë edhe kjo ishte refuzuar nga presidenti Vuçiq.
“Është e vërtetë. Unë kam thënë gjithmonë se ajo marrëveshje është e inspiruar prej marrëveshjes mes dy Gjermanive. Sepse ka paragrafë të tërë ‘copy-paste’…Nuk është marrëveshje shumë e mirë, shumë e shkëlqyeshme. Është një ‘ok’ marrëveshje. Ka pasur shumë betejë aty…Por, ka edhe diçka që mungon, ashtu është….Mungojnë shumë gjëra atje, janë 11 nene gjithsej e 6 fjali në preambulë. Shumë shkurt është, problemet me Serbinë janë shumë më të mëdha. Por, si një marrëveshje në rrugën për normalizim ne e kemi konsideruar se është shumë më e dëmshme të refuzohet, e shumë më e mirë të pranohet e të ecim përpara”, tha Kurti.
Kurti: Dialogu s’ka qenë në tri prioritetet e para për mua, veriu është bërë shpesh numër një
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e ka pasur në Top 3 prioritetet e tij, por ka pranuar se veriu i Kosovës shpesh është kthyer në prioritetin kryesor.
Ai ka thënë se kur erdhi në pushtet prioritet kishte ballafaqimin me pandeminë, pasi nuk kishte vaksina e kontrata për vaksina. Po ashtu tha se kishte prioritet edhe luftimin e krimit e korrupsionit dhe rritjen ekonomike.
“E pastaj kemi thënë në rastin më të mirë do të jetë numër katër dialogu me Serbinë. Dialogu me Serbinë më 2021 s’ka qenë asnjëherë më larë se 4. Në anën tjetër nëse e sheh vëllimin tim të punës gjatë ditës, dialogu me Serbinë nuk është në 4 të parat. Veriu pajtohem, është bërë shpesh numër një. Tash pandemi nuk ka, është bërë numër një. Dialogu si i tillë nuk më ka marrë aq kohë. Ndoshta në tri prioritete të para ka qenë për Besnik Bislimin, që është kryenegociator, por te unë nuk ka qenë në tri të parat. Ama është e qartë se e merr vëmendjen kryesore mediale atëherë kur ndodh. Ajo e bën dallimin”, tha Kurti.
Kurti për sulmin në Ibër-Lepenc: Nëse s’e ka bërë Serbia e kanë bërë Serbia e Rusia bashkë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sulmi mbi kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor. Kurti ka thënë në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se nuk po mund ta paramendojë ligësinë aq të natryshme të dikujt, që në mënyrë kriminale i vendos 20 kilogramë eksplozivë e me lënë gjysmën e Kosovës pa energji elektrike e pa ujë.
Kurti ka thënë se kishte fat në fatkeqësi, pasi ka mundur të ketë vërshime e nuk do të kishte riparime të shpejta qysh janë bërë. Ai ka thënë se me këtë sulm është kaluar nga “lufta hibride në luftë kinetike”.
Kurti ka thënë se s’ka dyshime se kush qëndron prapa sulmit.
“Nëse nuk e ka bërë Serbia e kanë bërë Serbia e Rusia bashkë”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur tri momente në konferencën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ishin indikacione se Serbia qëndron prapa sulmit.
“E para kur tha se në vitin 1985 ekzistonte një projekt për t’ia ndërruar rrjedhën lumit Ibër, e bile edhe myslimanë e boshnjakë të Ribariqit në Sanxhak kishin kërkuar këtë gjë nga unë, por ju thash jo. E çka po i bie kjo, eksplodimi është plani B…Ajo pastaj e vdes Liqenin e Ujmanit që furnizohet prej Ibrit. Tjetra tha se të arrestuarit nuk i njoh kush janë, vetëm njërin e njoh. Tha se është njeri i mrekullueshëm. E treta tha se është e vërtetë që eksplozivi ishte i serbëve, por paraprakisht ishte konfiskuar prej Policisë së Kosovës”, tha Kurti.
Ai ka thënë se është çmenduri të mendohet se vetë Kosova qëndron prapa sulmit.
“S’ka vend në Evropë që ka më tepër mbikëqyrje ndërkombëtare sesa Kosova. Besoj se ia kalojmë edhe Bosnjës. E kemi KFOR-in këtu, kemi aq shumë shtete që kontribuojnë me ushtarë edhe me tjertë. Gjithë këto ambasada janë, plus sot në kohën e teknologjisë së informacionit, u pa që telefoni personal mobil nuk është ndoshta aq personal. A e kuptoni jemi të monitoruar aq shumë. Qysh është e mundshme, që dikush mendon se mund të bësh diçka këtu e amerikanët e evropianët nuk e marrin vesh. Është çmenduri”, tha Kurti, që i hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit se ai vetëm 9 minuta pas sulmit në Ibër-Lepenc kërkoi nga KFOR-i që të futet FSK-ja në veri.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, që tha se Amerika nuk po e sheh një lidhje të Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc.
“Unë e kam përcjellë deklaratën e ambasadorit Hill. Lidhjet e Serbisë me Rusinë janë shumë më të thella e të gjera sa që ai i konsideron. Depërtimi i Rusisë në dekadën e fundit në inteligjencën në Serbi, në Ushtri, në Polici, Akademi, media, është shumë i madh…Kam përshtypjen se ambasadori Hill ka besuar se nëpërmjet presidentit Vuçiq mund ta shkëpusë Serbinë nga Rusia. Unë se kam besuar asnjëherë këtë. E mbaj në mend në pranverën e vitit 2022 thoshte vetëm sa mbahen zgjedhjet në Serbi dhe situata ndryshon. Tash jemi afër prillit të vitit 2025, s’ka ndryshim. Sigurisht ambasadori Hill do të largohet e Serbinë do ta kemi në gjendje më të keqe se sa kur e ka gjetur Serbinë kur erdhi”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për integrimin e serbëve në Kosovë, duke shtuar se ka pasur angazhim në këtë drejtim. Ai ka thënë se ka pasur përkrahje të projekteve të fermerëve, OJQ-ve dhe startapeve e mediave në veri.
“Është ana tjetër e medaljes. 15 vetura të serbëve të integruar në Kosovë janë djegur në viti n2023. Gjithmonë ka alarmim nëse ka aksion të policisë kundër keqbërësve dhe shkelësve të ligjit, por nëse ka dhunë ndaj serbëve të integruar në Kosovë s’po ka reagim…Agresiviteti i Beogradit vjen pasi gjendja po përmirësohet atje. Po të shpresonte Beogradi që gjendja atje po përkeqësohet e po implodon, atëherë do të na lavdëronte. Gjithë piskama e Beogradit vjen pikërisht nga suksesi i integrimit. Në të kaluarën, me atë marrëveshjen e parë të parimeve, nuk ka pasur integrim të serbëve. Ka pasur bashkëngjitje të strukturave. E kur strukturat bashkëngjiten ato edhe shkoqiten, qysh ndodhi më 5 nëntor të vitit 2022 kur dolën 547 policë. Ka integrim të vërtetë të qytetarëve. Frika e tyre ndaj Serbisë po vjen duke u zbehur, por nuk mund të them se ka ndonjë entuziazëm për mua, e pranoj”, tha Kurti.
Ai ka thënë se ka pasur takime me serbët, por se shumica dërrmuese nuk janë publikuar dhe se ka pasur pasoja për disa nga serbët me të cilët është takuar.
“Ka pasur ndonjë që ka humbur punën se është takuar me mua. Unë e pranoj se nuk po arrij me i mbrojtur serbët qysh duhet e qysh kisha dashur. Pas takimit, unë kthehem, por ai mbetet aty”, tha Kurti.
Sa i përket kërkesave për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se ky nuk është në Top 3 të prioriteteve për serbët e Kosovës. Ai ka thënë se për Serbinë ky është prioriteti i parë.
Ai ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti ka thënë se në vitin 2025 do të ndahen 4 milionë euro për Luginën.
“E dimë që në qeverisje dashuria tregohet edhe me buxhet”, tha Kurti.
Kurti: S’ka shpresë për drejtësinë nëse Isufaj zgjidhet kryeprokuror i Shtetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se zgjedhja e Blerim Isufajt në postin e kryeprokurorit të Shtetit nënkupton se s’ka shpresë për drejtësinë kosovare.
Ai ka thënë se Isufaj s’duhet të jetë në këtë pozitë, derisa shtoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës “s’është pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit”.
“Vështirësit i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se po ta dinte se ishte kështu çështja me KPK-në, “do të garoja të isha kryeprokuror, e jo kryeministër”.
“S’mundet kryeministri t’i shtijë hajnat në burg, duhet të ndërrojë sistemi i drejtësisë…Mandatin tjetër i kemi shanset më të mira pasi kur të kemi vulat e 9 shkurtit çka kemi bërë në 4 vjet, e kur të bëhen ndryshimet në Kushtetuese, mund të ecim më shpejtë e më mirë. Të reformohet KPK-ja”, është shprehur Kurti.
Kurti: Prokurorët kanë ardhur edhe më herët në Kryeministri, ta shohim a guxojnë ata të vijnë
I pyetur pse s’po pranon të shkojë në Prokurori për të dhënë dëshminë lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore, kryeministri Albin Kurti ka thënë në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se Isufaj është “regjisori i një pamjeje ku duhet të prodhohet një lajm se kryeministri i Kosovës intervistohet për një rast korrupsioni”.
“…Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.
Kurti: Është rritur konsumi i energjisë, rrjeti i shpërndarjes është vjetruar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se është rritur dukshëm konsumi i energjisë elektrike nga qytetarët, derisa ka shtuar se rrjeti i transmetimit dhe i shpërndarjes s’po e mban kapacitetin.
Ai ka thënë të dielën se problemi nuk ekziston të tregtia e energjisë, por te konsumi dhe te rrjeti i vjetruar i shpërndarjes.
“Numri i amvisërive është mbi 60.000 dhe i bizneseve mbi 8.000. ka rritje të bizneseve, por s’e kemi problemin që në tregti ka energji, por rrjeti i transmetimit dhe i shpërndarjes nuk e mban kapacitetin e këtij konsumi. KOSTT-i është ai që merret me KEDS-in dhe KEK-un. Transmetimi e shpërndarja s’kanë kapacitet. Në orën pesë të mëngjesit s’ka ndodhur që konsumi të rritet. Piku po shkon për 1.5 megavat… Janë 5 njësi gjithsej me 900 megavatë. Tash ka në treg energji pasi ne importojmë, por s’kemi kapacitete për transmetim e shpërndarje që do t’i furnizonin qytetarët pasi rrjeti është i stërvjetëruar. S’mundem unë si kryeministër të merrem me këto agjencitë e pavarura shtetërore që i raportojnë Kuvendit pasi aty do të isha autoritar dhe do të bëja shkelje ligjore. Ajo do të ishte autoritarizëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se do të dalë me një platformë të re për katër vjetët e ardhshme se trajtimin e furnizimit me energji.
“Synimi ynë është që në fillim të dekadës së ardhshme, 30 për qind e energjisë të jetë nga energjia e ripërtritshme, por 70 për qind do të jetë me qymyr. Këto probleme i ka vendi ynë e rrjeti është i vjetruar…Për herë të parë kontrollojmë Ujmanin. Pa të s’kemi as tetë orë energji elektrike”, ka shtuar Kurti.
Kurti: I patëm 4 vjet për t’u korruptuar, por nuk përfitoi askush
Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si të pakorruptuar dhe të pakorruptueshme Qeverinë e drejtuar nga ai për katër vjet. Këto deklarime Kurti i ka bërë në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV.
Derisa ka lavdëruar qeverisjen e tij për rritje ekonomike e shtrirje të sovranitetit në veri të vendit, Kurti e ka përmendur edhe luftimin e korrupsionit, duke thënë se gjatë mandatit të tij askush në ekzekutiv nuk ka përfituar.
“Kemi një Qeveri e cila jo vetëm se është e pakorruptuar, por edhe e pakorruptueshme, sepse i patëm 4 vjet për t’u korruptuar dhe nuk ka përfitime. Nuk ka përfituar askush”, ka thënë ai.
Kurti: 11 ministri bënë 250 kallëzime penale e kërkesa për hetim, asnjë aktakuzë nga Prokuroria
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjatë mandatit të tij katërvjeçar në krye të ekzekutivit, 11 ministri kanë bërë 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë nga Prokuroria.
Duke e quajtur skandal këtë rast, Kurti ka thënë në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se në 70 për qind të këtyre kallëzimeve penale dhe kërkesave për hetim bëhej fjalë për 85 milionë euro.
Ai i ka akuzuar Prokuroritë për veprim të ngadalshëm kur bëhet fjalë për kërkesat e ekzekutivit.
“Herën e dytë kur u bëra kryeministër, ministritë tona kanë filluar që të punojnë nëpër administratat e tyre dhe të mbledhin materiale për trashëgiminë që kanë gjetur aty sepse i pengonte që të ecin përpara dhe me këtë rast i kanë bërë gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim në prokurori, sot e kësaj dite nuk kemi veprim të prokurorive. 11 ministri i kanë dorëzuar gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim, ku në 70 për qind të tyre bëhet fjalë gjithsej për 85 milionë euro, ndërkaq për 40 për qind të tyre koha e pritjes është diku 260 vjet. Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti të dielën.
Kurti: Me letrën e Thaçit ku zotohet se FSK-ja s’do të shkojë në veri, u krijuan kufij të brendshëm
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se skandali më i madh që e ka kuptuar kur ka marrë postin është në mandatin e parë, kur ka marrë letrën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi të dërguar më 2013 për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku thuhet se FSK-ja nuk do të shkojë në veri të Kosovës.
Sipas tij, pas dërgimit të kësaj letre janë krijuar kufij të brendshëm, gjë që ai e ka cilësuar të rrezikshme.
“Skandali më i madh që na ka lënduar më së shumti në fakt ka ndodhur kur kam qenë kryeministër herën e parë në atë periudhën e shkurtër kur e morëm atë letrën që ish-kryeministri Thaçi në vitin 2013 ia pati dërguar ish-Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ku i thoshte se zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të Kosovës dhe unë besoj se shumë probleme që i kemi sot janë pasojë e asaj. Nuk e kam kuptuar asnjëherë justifikimin, arsyetimin apo shfajësimin për të, por ajo ka qenë shoku i parë që e kam përjetuar si kryeministër… Ai është momenti kur ushtria jonë ka filluar të ndahet gjeografikisht, janë krijuar kufij të brendshëm dhe për mua është tejet e papranueshme dhe e rrezikshme për shkak se Policia nuk menaxhon kufij, Policia menaxhon fluks. Kufirin e menaxhon ushtria”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se kjo letër është dërguar pikërisht në kohën kur është arritur Marrëveshja e parë e Parimeve me 15 nene, 6 të parat prej të cilave janë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe katër të tjera për integrimin e strukturave paralele të Serbisë.
“Me vetë faktin që i është dërguar një letër e tillë njëanshëm ish-sekretarit (Anders Fogh) Rasmussen, kjo ka inkurajuar elementet kriminale dhe qarqet politike që gjithmonë e kanë pasur ëndërr ndarjen e Kosovës. Nëse ti thua se ushtria jonë nuk e kalon lumin Ibër, ti shpreh një lloj gatishmërie që atë pjesë nuk do ta trajtosh si pjesë të patjetërsueshme të territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
/ Huazuar nga Portali Koha/
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!