Kurti: Vizita e shefit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta e të qëndrueshme SHBA-Kosovë

25
Aug
2024
Huazuar: Mekullipress


Kurti: Vizita e shefit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta e të qëndrueshme SHBA-Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim udhëheqësin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, CIA, William Burns, i cili ka qëndruar për vizitë në Kosovë.
Në një njoftim për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit pas takimit, thuhet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SKBA.
Në njoftim thuhet se në takim është theksuar përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.
“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se Kurti e ka falënderuar drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, “duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”.
Kurti thuhet se në takim ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Në vizitën e paparalajmëruar, shefi i CIA-s ka qëndruar të enjten pasdite në Presidencën e Kosovës.
Ai ka ardhur në Kosovë pasi për vizitë ka qëndruar edhe në shtetet e tjera të rajonit.
Në takim me presidenten ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, ku policia i ka detyruar gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.
Foto: Shefi i CIA-s William Burns me Kryeministrin Albin Kurti/ Foto: Alban Bujari

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk