Kush i frikësohet diasporës?

18
Oct
2024
Shkruan: Ramazan Bekteshi


Kush i frikësohet diasporës?
(dhe dy fjalë për Memlin dhe Lumirin)
Kushdo qoftë ai që merr guxim të deklaroj se diaspora nuk duhet të përfshihet në zgjedhje, sepse sipas tyre, ata përfshihen emocionalisht, ky është një trillim dhe besoj se e ka origjinën nga partitë që e zhvatën shtetin dy dekada, dhe ato janë të vetëdijshme për fuqinë e mërgatës dhe se ajo nuk fal kur i përmbyset buka.
Turpi tjetër i radhës është kur thuhet, se mërgata nuk e njeh realitetin në Kosovë, e kjo është edhe një farse e qëllimshme për të ndërpre bashkëveprimin me mërgatën në proceset shoqërore të demokratizimit të vendit. Disa TV studio janë të parat, që ditë e natë pa ndërpre mbjellin urrejtje, përçarje dhe defetizëm në shoqërinë tonë, sikur të ishin paguar për një mision të çmendur, ndoshta dhe paguhen.
Diaspora është një shoqëri vitale, më e çmueshmja e shoqërisë sonë. Ajo nuk është vetëm furnizuese e hambarit të Kosovës por dhe damari që i jep jetë më të rehatshme mirëqenies sonë, ekonomisë dhe financave tona dhe më shumë. Diaspora është ambasadorja jonë më reprezentative kudo që ndodhet, dhe fatmirsisht ajo ndodhet në qendrat më me ndikim në botë.
Diaspora edhe pse e nënvlerësuar turpshëm nga klasa politike por edhe nga klasa akademike kurrë s’është dekurajuar, por gjithmonë ka lëviz aty ku është interesi kombëtar. Nuk e di nëse pa diasporë a do të kishte sistem paralel të rezistencës në kohë okupimi gjatë viteve të 90-ta, a do të kishte pavarësi pa lobimin epik të diasporës në qendrat ku vendoset fati i popujve.
Do të doja që në këto zgjedhje politikanët që riciklohen në politikë pa ndërpre dhe me bark të pangopshëm, të tërhiqen nga politika dhe tua lëshojnë vendin më meritorve.
Do të doja që parlamentarët e përjetshëm si gjest moral të mos konkurojnë për parlament, se mu këta persona nuk kanë bë parlamentarizëm por ç’parlamentarizëm, kanë qenë zë neveritës militantësh vetëm për interesa të partive të tyre por jo për interes kombëtar.
Do të dëshiroja fort, që dy liderët e rinj të dy partive që e zhvatën shtetin për dy dekada, të dalin në foltoren e parlamentit dhe të denoncojnë paraardhësit e tyre. Nëse nuk e kanë kurajën t’i kritikojnë për vjedhjet, le t’i kritikojnë për vendimet fatale që sollën për Kosovën.
Nëse, Memli Krasniqi do të hy në histori dhe ta shpëtoj partinë nga katastrofa e mundshme, nuk mjafton dorëzimi i pozitës së kryeministrit një bashkëpartiaku, por do t’i duhej guximi të kapte mikrofonin dhe tu drejtohej bashkëpartiakëve dhe popullit shqiptar të Kosovës me këto fjalë:
Unë, Memli Krasniqi, u kërkoj falje votuesve të mi dhe nuk pajtohem me idenë për këmbim territoresh, as kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura 2013 për Asociacionin, ku dialogu rrëshqiti nga ai teknik në politik. Unë nuk pajtohem as me vendimet kur bëhet fjalë për demarkacion, për Specialen dhe Ballkanin e hapur të Ramës dhe as me qeverisjen e stilit PRONTO. Unë kurrë nuk do të pranoj t’i nënshtrohem trysnisë ndërkombëtare në dëm të sovranitetit të vendit tim si paraardhësit.
Do të dëshiroja fort, që Lumir Abdixhiku, po ashtu të distancohej nga ish-lideri shpirtror i tij , për të gjitha shkeljet dhe vuajtjet që ia shkaktoi LDK-së sa ishte filialë e PDK-së me tendencë të bëhet përsëri. Lumiri ua ka borxh qytetarëve këto fjalë:
Unë, Lumir Abdixhiku, nëse bëhem kryeministër, kurrë nuk do të lejoj që pushtetarët pasanikë të kurohen jashtë vendit, si ish bosi im me buxhet të shtetit, por ata para do tu dedikohen rasteve të rënda, fëmijëve e të rinjve. Unë, si kryeministër kurrë s’do të nënshkruaj marrëveshje të dëmshme si bosi im Isa Mustafa dhe kurrë s’do të fluturoj në DC me thes në krye si bashkëpartiaku im Hoti, që u bë kryeministër me ndihmën e HTH dhe Grenell-it që fatmirësisht dështuan të tre.
Dyshojmë se partitë që i frikësohen diasporës tani, para zgjedhjeve kanë dalë me një ide të turpshme dhe qesharake, që të përjashtohet diaspora nga zgjedhjet e përgjithshme. Ata e duan diasporën vetëm si objekt për shfrytëzim dhe jo si faktor relevant që të mund të vendosi për fatin e vendit. Disa e quajnë diasporën fatkeqësi për lëshimin e vendit, megjithatë, diaspora është një ‘uragan’ me fuqi magjike për vendin nëse shfrytëzohet në mënyrë racionale e të ndershme. Sa më shumë që të interesohet shteti për diasporën aq më i ngadalshëm ështe asimilimi në kazanin e madh të shkrirjes.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk