Kush po e pengon Kosovën?

17
Apr
2025
Shkruan: Ferat Selmani


Sot për herë të dytë dështon votimi për betimin e deputetëve të rinj. Jo për shkak të mungesës së vullnetit qytetar, por sepse opozita po e bllokon me qëllim formimin e institucioneve. LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe janë bërë bashkë në një mision të përbashkët: të rrëzojnë Qeverinë Kurti – ashtu siç e dëshiron edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Rreshtimi i tyre politik me Lista Serbe është më shumë se sa strategji – është alarm për çdo qytetar të këtij vendi.
Deputetët e opozitës po veprojnë si zëdhënës të partive të tyre, jo të popullit që i ka votuar. Vota që kanë marrë nga qytetarët është shndërruar në vegël për interesa partiake, e jo për ndërtimin e shtetit. Pavarësia e deputetit është zëvendësuar me bindje të verbër ndaj kryetarëve të partive.
Argumenti i tyre kryesor është se LVV nuk i ka numrat. Mirëpo, asnjëherë nuk e kanë lejuar që rendi i ditës të shkojë deri aty që kjo të provohet. Si mund të paragjykosh rezultatin e një votimi pa e lejuar atë të ndodhë? Kjo është hipokrizi politike. Le të vijë rendi i ditës, le të votohet – aty do ta shohim kush i ka numrat dhe kush jo.
E gjithë kjo është një lojë e rrezikshme që po e mban peng vendin, vetëm për interesa të ngushta pushteti. Bashkëpunimi me një subjekt si Lista Serbe, që hapur merr udhëzime nga Beogradi, nuk është vetëm politikisht i papranueshëm – është një kërcënim për integritetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Sot, më shumë se kurrë, kërkohet që qytetari të jetë vigjilent dhe të mos harrojë se kush po pengon shtetin, kush po e shantazhon demokracinë dhe kush po bashkëpunon me armiqtë e saj për interesa të ulëta politike.
Qytetarë, mos harroni: Kush po e pengon shtetin, nuk e do Kosovën. Ashtu siç nuk e meriton as besimin tuaj.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/04/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk