-Botuar në gazetën SOT, date 14 Korrik 2023-
Kush ka lexuar historinë e popullit tonë, është njohur midis të tjerave edhe me Kuvendet e tij të hershme e të vonshme, Kuvende, të cilat përbënin një nga institucionet më të rëndësishme të vetqeverisjes së fshatit, krahinës dhe gjithë vendit. Në kuvendet e shqiptarëve, të cilat organizoheshin për probleme të ndryshme lokale e kombëtare, mbizotëronte një rregull i përsosur, një urti e tolerancë shembullore, një demokraci perfekte. Kushdo që vinte në Kuvend, si përfaqësues fisi, fshati apo krahine, ose i ftuar nga organizatorët e tij, kishte të drejtë të merrte fjalën dhe të thoshte në liri të plotë, se çfarë mendonte ai për problemin që diskutohej. Fjalën e tij, askush nuk mund ta ndërpriste, edhe nëqoftëse folësi thoshte të paqena e të pavërteta. Askush nga pjesëmarrësit nuk mund t’i thoshte folësit se “po gënjente”, apo ndonjë shprehje tjetër kësisoj. Aq më pak të mendohej për ndonjë ofezë më të rëndë, apo goditje me grushta. Dhe të mos harrojmë, Kuvendet e shqiptarëve në shumicën e rasteve zhvilloheshin ndër livadhe, në lëmin e fshatit, afër ndonjë objekti kulti, apo në kulla të ndonjë bashkëfshatari, etj., dhe pa praninë e asnjë force ushtarake, policore, apo bodigardësh të armatosur, siç i kemi parë e po i shohim gjatë këtyre viteve të “gërrmërrkracisë”, në sallën e “Kuvendit” të burrave tanë “kuvendarë”.
Për fat të keq, sëmundja “foshnjore” e Kuvendarëve tanë këtej Drinit, tashmë ka kaluar edhe matane Drinit. Më fjalë fyese, nga të gjitha llojët e fjalorit të shqipes dhe huazimeve nga të tjerët, Kuvendet e dy Republikave shqiptare janë mbushur kapicë. Për koiçidencë, me datën 13 korrik 2023, të dy Kuvendet tona shqiptare, ky i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, sikur ta kishin bërë me fjalë, si një “dueto” i kurdisur, na dhanë një nga çfaqjet më të turpshme të historisë sonë. Në Kuvendin e Shqipërisë, akuzat, ofendimet, ndërprerja e fjalës, trokëllima mbi tavolina, çirrjet nga tribuna apo plateja, etj., ishte muzika kryesore dhe e vetme e seancës së kuvendit. Paralel me këtë, kurdisur pothuajse në të njëjtën orë, Kuvendi i Kosovës, pasi i kapërcei akuzat, mallkimet dhe fyerjet në adresë të njëri-tjetrit, ia nisi grushtimit, si në një arenë gladiatorësh të Romës së lashtë.
Problemet e dy Kuvendeve ishin serioze. Ky i Shqipërisë, po rrekej të bindej për hajninë dhe korrupsionin e një pjesëtari të mazhorancës, me pseudonimin “Tigri”, i cili, sapo ka dëgjuar se po e kërkonte SPAK-u, “ka çarë ferrën”, drejt Kuvajtit, Dubajtit, apo Hajt-hajtit. Ndërsa kuvendarët e Kosovës, ngase nuk e dinë se si të sillen me Vuçiçin e me serbin, i kthehen “Stanit” të tyre me bidona e shishe uji dhe me grushta e kacafytje me njëri-tjetrin, si në ato sherret që pëlcasin në fundin e dasmave të dështuara prej rakisë së tepërt.
Nëse do të ishte sot gjallë, një plakë e moçme dhe e mençme e fshatit tim në Mirditë, dhe të shihte mjerimin e burrave të të dy kuvendeve tona, do të hiqte shaminë e kokës dhe do të vajtonte: “O bijt e mi, e mjera unë për ju . . Hasmi mbi ju, e ju mbi njeni-tjetrin, e zeza unë “!.
Çka ndodhur me burrat e rracës shqiptare, që jo shumë kohë më parë ishin modeli i komunikimit dhe ligjërimit në Kuvende Burrash, një sjellje që, bota përreth, e pati vlerësuar si një nga virtytet më të çmuara e më të arrira të kombit tonë? Bota, dhe vendi ynë, vërtet kanë evoluar, por jo gjer në transformim e gjer në shformim të neveritshëm të traditës shekullore.
Arsye për këtë shformim karakteresh të racës sonë, sidomos të elitës sonë politike, shtetërore e shoqërore, mund të rreshtohen disa. Unë, do të ndalem në dy arsye, të mjaftueshme për ta spjeguar këtë fenomen kontravers të lindur në këta tri dekada të “gërrmërrkracisë” borgjeze, që nuk paska të sosur.
E para arsye, janë partitë politike, ku grupohet kjo elitë e shoqërisë sonë, e destinuar të na udhëheqë në rrugën moderne të globalizmit e të kozmopolizmit. Dhjetra e qindra parti politike, në dy republikat tona shqiptare, të cilat as kur u krijuan, e as tani që janë pjekur e argasur, nuk kanë patur e nuk kanë në bosht një politikë, një ideologji, apo një projekt kombëtar për mbrothësinë e popullit e të vendit. Me përjashtim të Partisë Komuniste, të cilën e mbajnë të rrethuar e nën survejim, të gjitha të tjerat janë kthyer në klane, komandën e të cilave e kanë marrë në dorë oligarkët, për ti patur si flamur në marrjen e mbjatjen e pamerituar të pushtetit e të shtetit.
Arsyeja e dytë, që lidhet me të parën, kuvendarët e Kuvendeve, nuk janë përfaqësues të vërtetë të popullit, zgjedhur drejtpërdrejt e demokratikisht, por persona të listuar nga Partitë – Klane, madje nga Kryetari i tyre. Kjo “listë” është zgjedhur nga radhët e “lumpenëve”, të cilët sapo marrin mandatin e deputetit, vihen në dispozicion të Klanit dhe Kryetarit të këtij klani, që në shumicën e rastit është edhe kryetari i oligarkëve.
Po kush janë lumpenët? Lumpenët janë tri llojesh: “Lumpenët” e kohës së Socializmit, “lumpenët” që doemos prodhoi “demokracia” dhe një pakicë e vogël, edhe “lumpenët” e ish klasave të përmbysura nga revolucioni socialist; për rastin e Kosovës, “lumpenë” të krijuar nga agjentura serbe brenda teritorit të saj. Vetë fjalën “lumpenë” nuk po rrekem ta zbërthej shkencërisht, se e ka zbërthyer Marksi, këtu e dy shekuj më parë, por nuk mund të rri pa treguar një variant të “farës” së lumpenëve të sotëm:
Një vajzë nga derë e fisme u martua tek një fshatar, jo vetëm i varfër ekonomikisht, por i varfër edhe nga doket, zakonet, traditat, që nuk kishte mundur t’i përcillte prej paraardhësve të tij. Pas muajit të parë të martesës, vajza e mësipërme, kthehet për disa ditë “në të parë” tek prindërit. Gjatë darkës, halla e saj që u ndodh aty, e pyeti mbesën, se si i dukeshin shtëpia dhe njerëzit e familjes së re. Vajza ju përgjigj:
“Ah moj hallë, më çuditi se si hanin bukë. Të gjithë hanë me njërën nga “bulshitë” (të majtën, ose të djathtën), ndërsa njerëzit e burrit hanin me të dyja bulshitë njëherësh!”
“Lumpenët” tanë të sotëm, pasi bien “në mallin e babait”, i sulen me të dy bulshitë njëherësh dhe nuk kanë të ngopur. Kur dëgjojnë sinjalin e drejtësisë, ashtu si “Tigri” i mazhorancës, “çajnë ferrën” dhe fshihen skutave, në pritje për t’u kthyer sapo të “dalë dielli”. E njëjta gjë ndodh edhe me opozitat aktuale, këtu e matanë Drinit: Mezi presin që kundërshtari të thyej këmbën, që t’i zënë karriken e pushtetit, ku bulshitë mbushen plot, dhe të dyja njëherësh.
Tani, pa e zgjatur: Çfarë shprese kemi ne për një Kuvend të vërtetë shqiptar, kur në sallën e tyre, në vend të burrave atdhetarë, vegjetojnë “lumpenë” mercenarë?! Mercenarë të oligarkëve, por edhe mercenarë të detyrueshëm të hasmëve tanë në rajon dhe më tej tij.
A egziston ndonjë mundësi daljeje nga kjo krizë shoqërore dhe kombëtare?
Mendoj se e vetmja mundësi, është nxjerrja jashtë ligjit e Partive-Klane, dhe marrja e pushtetit nga përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të popullit shqiptar. Koha e partive-klane pa bosht politiko-idelogjik dhe pa program të mirëfilltë ekonomik në interes të kombit, është në venitje.
Siç e kam cekur edhe në një shkrim të para do ditëve, shqiptarët kanë nevojë urgjente për një Besëlidhje të Re Kombëtare, e cila do të zgjedhë një Kuvend të vërtetë Burrash Atdhetarë, që do të merrnin në dorë fatet e vendit e të kombit. Nëse figurat tona të vërteta politike, shkencore, historike, kulturore, ekonomike dhe shoqërore, zgjohen nga gjumi letargjik i këtyre tri dekadave të errta, mundësia e një Kuvendi të vërtetë të Shqiptarëve dhe të kthesës së madhe në interes të kombit, egziston.
Kjo zgjidhje, mendoj se është e vetmja, dhe urgjente, sepse kozmopolizmi dhe globalizmi, popujt e vegjël i gërryen nga traditat, por dhe demografikisht. Dhe kjo gërryrje, për fat të keq ka nisur.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!