NË SHENJË PËRKUJTIMI TË 17 VJETORIT TË VRASJES SË TRIBUNIT ENVER ADEMI
(Kur me datë,14.12.07, dita e premte, nga “dora tinëzare” – në Kosovë vritet veprimtari i çështjes kombëtare nga Sllatina, Enver Ademi – Xhaxhi, më 18.12.2007, dita e martë – bëhet ceremoniali i varrimit të këtij tribuni liridashës – në vendlindjen e tij. Në këtë ceremonial, përveç numrit të madh të bashkëfshatarëve dhe bashkëveprimtarëve të shumtë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar e përcolli “garda” e të rinjve të uniformuar, kurse te varri u lexua referat- të përgatitur nga rinia e fshatit dhe fjalim rasti mbajti ish gjenerali i USH, Veli Llakaj… Pas shtatëmbëdhjetë vitesh, me shumë përdëllim po e kujtoj përmes këtij shkrimi në vazhdim. Lavdi i qoftë veprës së Enver Ademit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!)
___________________________________________________________________
Kush do t’i numëronte vitet, muajt dhe ditët e ikura? Kush s’do të donte të të ketë edhe më në këtë jetë? Ishte dora tinëzare ajo që të mori nga kjo botë, e që kalli dhembjen dhe indinjatën për të gjithë ne. Një kumt që tronditi zemrat tona, zemrat e sllatinasve, tetovarëve dhe mbarë shqiptarisë bujare. Dhembja për shuarjen tënde, gjithnjë do të na mbajë zgjuar ndjenjat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, për t’i reflektuar madje edhe te brezat e ardhshëm të fisit. U shua krenaria e fshatit, shembëlltyra e dinjitetshme patriotike, simboli i punës së palodhshme për komb dhe ATDHE…
…Mburreshim me Ty, “Xhaxhi”, jo vetëm se ti ishte një patriot i madh, por edhe se, mbi të gjitha ke qenë edhe i çiltër, i respektuar, me zemër dhe shpirt të përkushtuar për kultivimin e vlerave pozitive kombëtare, humane e njerëzore. Fjalët e tua të përligjura me atdhedashuri të flaktë, edhe mëtej do të përkujtohen dhe gjithnjë do të ndezin shkrepëtimat e mllefit dhe urrejtjes ndaj padrejtësive dhe hileve të pushteteve dhe vazalëve të tyre. Me shuarjen tënde fizike, nuk u lëmek ideali dhe ëndrra e njeriut me shpirt të përshkënditur liridashës, por qëndresa që Ti tregove ndaj gjakprishurve do të mbetet si një lis I patundur në Tokën e lashtë të Pollogut e Sharrit hijerëndë; një zog shqiponje që prore mësyn bardhësitë; një udhërrëfyes për t’u ndjekur… një dëshirë për të dëgjuar gjuhën që flisje me plotë elozhe për mëmën Shqipëri, kur të tjerët dridheshin nga frika vetëm kur e përmendnin rastësisht. Re, e u ngrite – I pamposhtur, me parime të larta njerëzore e me bagazh aktiviteti dhe veprimtarie vetëmohuese për të ndrequr defektet e ndërgjegjes atdhetare të provincës, e, me këtë rast, Ne të gjithë, ama të gjithë, mbetëm më të varfër për një zemërflaktë, për një shembull unikat e të rrallë. Pati fat ky vendbanim që të pati udhërrëfyes…Ti ishte një kurajë, një fanar drite që dinte t’i ndriçojë rrugët e errësuara që, gjeneratat për të ecur më të sigurt në kërkim të dritës e, mos ta braktisin kurrë vendlindjen, ashtu siç ndodh tani mbas 17 vjetësh mbasi mbete lapidar në Varrezat e Dëshmorëve. Andaj, Ti ke mbetur një ndërgjegje për brezat e rinj, një shembull që di vetëm për veprim, një shembull që duhet ndjekur – që, gjithnjë për të ecur vertikalisht dhe të pathyer nga stuhitë e kohës, kurse neve s’na mbetet gjë tjetër, veçse ta kultivojmë me shumë kujdes dhe pa hile farën kuqezi që mbolle në arat e plleshme të Pollogut të gjërë det.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!