LEGENI – QYTET QË JETON NË LEGJENDA E GOJËDHËNA

01
Oct
2023
Shkruan, Syrja ETEMI


(Shkrimi është i nxjerrun nga libri im monografik në dorëshkrim: “Sllatina – paradigmë shqiptare e Pollogut”)
Ndër banorët rezidentë të kësaj ane (zonës verilindore të Tetovës), qarkullojnë shumë legjenda e gojëdhëna në lidhje me paraardhësit e tyre, me vendbanimet e kohërave të thella të historisë, ndër të cilat spikatet edhe ajo për qytetin e quajtur Legen. Kështu, sipas këtyre burimeve, qyteti ka qenë i ndërtuar në afërsi të një vendbanimi shumë të vjetër e të paidentifikuar, në një gur, i cili lartësohej mbi lumin e sotëm të Sllatinës, përkatësisht në anën perëndimore të tij, ku shquhet me thepisje e pjerrësira të theksuara. Në anën veriore të lokalitetit ka një toponim që quhet “Kovaçhanë”. Në anën jugore ka qenë i mbrojtur me një hendek të madh toke. Emri i qytetit më së pari përmendet me rastin e pushtimit nga ana e ushtrisë feudale sllave, aty kah fundi i sh. XII.
Në sh. XIV Ipeshkvia e Prizrenit ka poseduar 3 prona kishtare në Legen të Pollogut të Poshtëm. (Nga autorë të ndryshëm, ky qytet emërtohet edhe si: Legjen, Legjan e Legjin apo me ndonjë sufiks dhe prefiks tjetër), mirëpo deri sot kur shkruajmë këtë monografi, nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë toponim të këtillë në afërsi apo më larg (në Sllatinë apo Leshkë). Një emërtim : Legjen, e hasim në një këngë të titulluar: “Martesa e mbretit”, me ç’rast thuhet se qyteti Legjen ka qenë vendbanim latin dhe deri këtu të çon rruga nga Vushtria dhe Anamali. Madje, në një këngë tjetër (kishtare): “Mbreti llatin dhe zarmi”, këndohet për tokën legjene, për të krishterët legjen, për qytetin Legjen dhe për vajzat e tokës legjene.
Sipas këtyre këngëve, ku përmendet qyteti në fjalë, thuhet edhe kjo: “Nën qytetin Legjan shtrihet fusha e Legjanit. Qyteti ka “Derë Legjane” dhe kulla. Në qytet jeton mbretëresha Legjane”. (Për Legjenin flet edhe një burim bullgar, Todor Gerov në librin: Pri Shara).
Në vazhdim do të pretendojmë të zbërthejmë domethënien e toponimit (ruronimit) L e gj e n. Sipas të gjitha gjasave, emri që potencuam rrjedh nga një fjalë hungareze: “Lenguel” që në gjuhën shqipe ka kuptimin: Fusharak, banor që jeton në fushë apo në rrafsh. Me këtë rast mund të intrigohemi, sepse këtu në mes Sllatinës dhe Leshkës kanë ekzistuar dy qyteza, një në rrafsh (në antikitet) dhe tjetri në kodrinë (Te Kalaja), që në këtë rast është antipod i Legenit. Sidoqoftë, për këtë qytet, qytezë apo vendbanim, qoftë edhe virtual apo i sajuar në imagjinatën e banorëve autoktonë, ne do të flasim dhe do të glorifikojmë gjithçka që është e ndërlidhur me këtë emërtim, sepse Ushinski në një rast thot: “Atje ku s’ka njohuri të sakta, jepen supozime, e, dhjetë supozime janë nëntë gabime”, për të vijuar më tej:
Në fillim të sh.XIX, mitet për qytetin e Legenit transformohen nga tradita gojore edhe në krijimtarinë letrare, me ç’rast Legeni identifikohet me Tetovën. Megjithatë, ky unifikim nuk mund të konsiderohet si i qëndrueshëm dhe nuk mund të argumentohet me të dhëna plotësuese dhe bindëse. Kështu, më vonë, nga autorë të ndryshëm, duke u bazuar edhe në gojëdhënat e banorëve të Sllatinës dhe Leshkës, e me këtë edhe shkrimet dhe krijimet letrare në lidhje me këtë, mund të na “qetësohet” kureshtja për ekzistencën e vendbanimit të dikurshëm të quajtur: Legen. Bile, deri vonë banorët vendasë kanë bashkëjetuar dhe po vazhdojnë të jetojnë mbi rrënojat e vendbanimeve të të parëve të tyre në kohëra dhe periudha të ndryshme kohore, e, në këtë rast : “Mbi rrënojat e qytetit përreth të cilit ka ujëra mineralë“, siç do të shprehet edhe Selishçevi.
Në këtë amallgamë zhvillimesh, mjaft interesante dhe sinjifikative është edhe gojëdhëna apo legjenda e Peshkut, që ndër banorët sllatinasë është e gjallë, të cilën do ta paraqes në vazhdim:
PESHKI XHI KCI PI TAVE
Kur ka ardh Llatini ktaune (n’Legen), nji grue Te Kalipica ka kën tu fërgjau peshk n’tav. Vejn habieri se du hije Llatini. Kjo thuët: Kur du mxhallet ki peshki xhi e këm n’tav, athere du mund ta mare Llatini Legenin. Kur n’at dakik, peshki nxhallet ene,“pup” – e n’uj. Athiere ajo thuët: “Nëse vejn Llatini, ne hije pi sejpri (pi ka bgjieshka, dmth. nga ana e Sharrit) se pi ka Rafshi, Legenin s’ën e mer kurri”. Ene ashtau buhët. Askiria hijn pi mas shpejne e marën viendin, ene Llatini ka sunau me mija vjet ktaune.
Tregoi: Hadije Salihi,lindur më 1927

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk