LETËR E HAPUR NË MBROJTJE TË UKSHIN HOTIT

16
May
2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shkruan: Xhemil Zeqiri
Drejtuar qeverisë së Danimarkës, Ministrit të Punëve të Jashtme Niels Helveg Petersen, Këshillit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Danez

Unë, qytetari Xhemil Zeqiri, i jap vetes të drejtë vetes që t’i drejtohem Qeverisë së Danimarkës, si udhëheqëse e radhës e OSBE-së, për t’u bërë me dije, se në Kosovë vazhdon shtypja politike me intensitet të pazvogëlar. Në qendër të fushatës serbe janë vënë posaçërisht politikanët dhe intelektualët shqiptarë, të cilët nuk i binden Beogradit.

Në maj të vitit 1994 u burgos Ukshin Hoti, për të tretën herë që nga viti 1981. Ai u burgos për shkak të bindjeve të tij politike. Ukshin Hoti është një prej intelektualëve më të shquar shqiptarë. Ai ishte profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Njëkohësisht është kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar (UNIKOMBI). Në kohën kur Kosova në ish-Jogosllavi kishte disa të drejta të kufizuara, Ukshin Hoti, disa vite me radhë, ishte përgjegjës për marrdhëniet e Kosovës me botën e jashtme.

Më 17 korrik 1996, së bashku me të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë në Serbi, profesor Hoti dërgohet për vuajtjen e dënimit në burgun e Nishit, ku keqtrajtohet dhe gjendja e tij shëndetësore keqësohet. Atë e detyrojnë të vuajë dënimin me disa të burgosur për vepra kriminale. Po ashtu, ai detyrohet të kryejë punë të rënda fizike, duke ia mohuar punën intelektuale dhe shkencore, gjë që bëhet në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare.

Jo më pak se njëzet organizata dhe parti politike të Kosovës kanë nënshkruar një protestë të ashpër zyrtare për lirimin e profesor Ukshin Hotit. Edhe në Danimarkë disa qindra vetë kanë nënshkruar peticion, ndër të cilët edhe:

Henen Severiensen – i Partisë Majtë Liberale;

Helin Beim – i Partisë Socialdemokrate;

Soren Södergäd – i Partisë së Listës së Bashkuar;

Björn Elmqvsit – i Partisë së Majtë Radikale;

Per Stigg Möller – i Partisë Konservatore Popullore;

Gert Pedersen – i Partisë Socialiste Popullore.

Veç tyre, këtë peticion e kanë nënshkruar një varg njerëzish të shquar të artit dhe shumë intelektualë të tjerë për lirimin e Prof.Ukshin Hotit.

Për shkak të situatës tepër të rëndë në Kosovë, i bëj lutje Qeverisë së Danimarkës që të ushtrojë ndikimin e saj dhe të punojë për lirimin e profesor Hotit, faji i vetëm i të cilit është lufta për pluralizëm, demokraci dhe vetëvendosje, vlera me të cilat mburret sot bota e civilizuar.

Me nderime, Xhemil Zeqiri,

Kryetar i KMDLNJ-së në Kosovë – dega në Danimarkë

Kopenhagë, 13 mars 1997 Botuar e përditshmja “Fri Aktuelt”
/ Mar Nga Arkivi i Diplomacis.dk/

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk