Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime historie
Kush janë Gurianët e Bullgarisë që nuk e pranuan asnjëherë komunizmin dhe ndikimin e Rusisë në trojet e veta, në Gadishullin Ilirik?
Lëvizja Guriane – Goriane* (bullgarisht: Горянско движение) ose Gurianizmi (bullgarisht: горянство: Goryanism) ishte një rezistencë aktive guerile kundër regjimit komunist në Bullgari. Kjo kryengritje e armatosur filloi menjëherë pas grushtshtetit komunist, më 9 shtator të vitit 1944, i cili hapi rrugën drejt sundimit komunist në Bullgari. Kjo kryengritje e arriti kulmin e saj midis viteve 1947 dhe 1954, u qetësua nga fundi i viteve 1950 dhe përfundoi në fillim të viteve 1960. Lëvizja mbuloi të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë kryesisht zonat malore (katundet) dhe ishte rezistenca e parë e organizuar dhe kryengritja e më e gjatë e armatosur antisovjetike në Evropën Lindore.
Sipas disa studiuesve bullgarë, numri i këtyre kryengritësve në vitet 1944/45 ishte trefish më i madh se numri i partizanëve dhe forcave politike e ushtarake prosovjetike në Bullgari.
Deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shek. XX, me hapjen e proceseve demokratike dhe të pluralizmit në Bullgari, historia dhe e vërteta lidhur me këtë kryengritje kanë qenë sekreti më i madh i regjimit ish-komunist në këtë shtet. Forcat politike progresive në vend pas kësaj periudhe arritën ta ndriçojnë të vërtetën për këtë lëvizje atdhetare dhe udhëheqësit e saj i ngritën në nivelin e merituar, si luftëtarë dhe heronj për lirinë e vendit të tyre.
Pse kjo kryengritje e armatosur u quajt Lëvizje e gurianëve-gorianëve (malësorëve), e banorëve nga zonat më të thella malore, ku më herët kjo popullsi ishte tërhequr (strehuar) për të mbijetuar gjatë sundimeve të huaja, dhe nuk u quajt me ndonjë emër tjetër, sipas përktësisë etnike, rajonale, ideologjike, sipas ideve dhe bindjeve që përfaqësonin udhëheqësit e kësaj kryengritje?
Gjatë ditëve në vazhdim do të shkruajmë më hollësisht për këtë kryengritje dhe udhëheqësit e saj, jo vetëm për shkak të nevojës për njohjen e historisë së popujve dhe shteteve fqinje, por si shembull për ne shqiptarët, në cilin drejtim kemi ecur gjatë këtyre tri dekadave të fundit dhe nga shkojnë sot, duke i përkrahur dhe afirmuar grupimet dhe lëvizjet reaksionare neokomuniste dhe personalitetet më kontroverse e antikombëtare në historinë më të re të popullit shqiptar.
* Termi gurianë (formë e sllavizuar goriani), nuk nënkupton në këtë rast emrin e disa banorëve të guajtur goranë apo gorarë (në Gorë, Zagori etj.), të cilët pseudoshkenca dhe politika sllavomadhe në shumicën e rasteve i trajton si sllavë (bullgarë, serbë, maqedonas), sllavë të islamizuar.
(5 shkurt 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!