LEXONI, MËSONI, REFLEKTONI, VEPRONI . . .

24
Nov
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti


Për mbamendje dhe reflektim
POLITIKA DHE QEVERISJA E KEQE DUKE E ZVOGËLUAR NUMRIN E SHQIPTARËVE NË TROJET ETNIKE, E TKURR GJUHËN SHQIPE DHE E RREZIKON ARDHMËRINË E SAJ!
Në 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit – Ditën e njësimit të Abecesë së Gjuhës Shqipe
Mbi 30% e shqiptarëve janë larguar nga trojet e veta etnike vetëm në tri dekadat e fundit, nga sundimi i keq dhe mungesa e prijësve të denjë për udhëheqjen dhe mbrojtjen e kombit shqiptar, ndërsa numri i fëmijëve shqiptarë që lindin jashtë vendit, e folësve potencialë të gjuhës shqipe, rreth 40% e tyre sot lindin dhe rriten jashtë atdheut, në shtete të tjera, ndër popuj, kultura dhe gjuhë të huaja.
GJUHA SHQIPE SOT ËSHTË MË E RREZIKUAR SE KURRË, AJO PO TKURRET, SEPSE ZVOGËLOHET NDJESHËM NUMRI I FOLËSVE TË SAJ NË GJITHË HAPËSIRËN ETNIKE SHQIPTARE
Sot është njëra nga ditët e shënuara në faqet e historisë së popullit shqiptar, e ditës kur u soll vendimi në Kongresin e Manastirit, i mbajtur më 14 -22 dhjetor 1908, për njësimin e Abecesë së gjuhës shqipe.
Përveç rëndësisë së këtij Kongresi për gjuhën dhe kulturën tonë, në këtë Kongres u brumos edhe ideja për krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, që u realizua vetëm katër vjet më vonë, më 28 Nëntor 1912.
Sot, kur krenohemi me këtë ngjarje të rëndësishme, festojmë dhe urojmë për Abecenë dhe Gjuhën Shqipe, nuk duhet të harrojmë se e sotmja nuk është më e ndritur se periudha e errët e pushtimeve të huaja, që e ndaluan për shekuj me radhë përdorimin e lirë të Abecesë dhe të gjuhës shqipe, në shkolla, në predikimet fetare në xhamia dhe kisha, në administratën nën pushtetet e huaja, në jetën e përditshme të shqiptarëve.
Nuk duhet të harrojmë se, për Abecenë, Gjuhën shipe dhe Shkollën shqipe, janë derdhur rrëke gjaku ndër breza, nga atdhetarët shqiptarë, mësuesit, dijetarët dhe prijësit e lëvizjes për liri dhe bashkim kombëtar.
Edhe sot, kur po e shënojmë 115 vjetorin e kësaj ngjarje të lavdishme nga e kaluara jonë, nuk duhet të rrëmbehemi nga euforia dhe të mos e shikojmë në sy realitetin e sotëm, të mos reflektojmë se cila është gjendja e sotme e gjuhës shqipe, e shkollës shqipe, e frymës kombëtare që duhet ta përshkojë çdo fjalë e shkruar apo e folur në medie, në shtypin e kohës, në librat shkollorë, në literaturën shkencore dhe letërsinë artistike, në institucionet e pushtetit dhe në jetën e përditshme të shqiptarëve.
Sot, duhet të mendojmë dhe reflektojmë më tepër se kurrë, se gjuha shqipe po zvogëlohet e tkurret, në shtetet shqiptare, në trojet etnike shqiptare të mbetura nën sundime të huaja në shtetet fqinje dhe kudo në botë, mes shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të tyre.
Në gjithë hapësirën etnike shqiptare, vetëm në tri dekadat e fundit mbi 30% e shqiptarëve e kanë braktisur vendin e tyre, kështu është zvogëluar dhe tkurrur edhe gjuha shqipe, sepse afërsisht 40% e fëmijëve shqiptarë sot lindin në vende të tjera, mes popujve, kulturave dhe gjuhëve të huaja (joamtare).
Nuk është fajtore vetëm politika e gabuar e udhëhequr këto tri dekadat e fundit, në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe vendet tjera shqiptare, por jemi të gjithë ne përgjegjës përpara historisë për këto rrjedha të mbrapshta, që thellësisht e dëmtojnë qenien kombëtare, bashkë me atë edhe gjuhën shqipe dhe të ardhmen e saj.
(22 Nëntor, 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk