Libri i shenjtë i shqiptarizmës!

06
Jun
2023

Shkruan: Genta Petrit Kaloçi
Para disa javësh nga shoku i mirë i idealeve të vegjëlisë Xhemal Shehu më ra në dorë libri, “Enver Hoxha – Një jetë për Kombin”, shtëpia botuese Neraida, Ilir Hoxha, 2008, botuar për 100 vjetorin e lindjes. Pa ekzagjerimin më të vogël është një kryevepër enciklopedike historiobiografike i shkruar e përmbledhur me një mjeshtëri që i ka munguar publikimeve shqiptare dekadave të fundit për lexuesin e thjeshtë nga autori Ilir Hoxha. Një libër që përcjell në mënyrën më të saktë periodike të çështjeve politiko dipllomatike të punës, jetës dhe veprës së prijësit të trojeve shqiptare, Titanit Enver. Personalisht nuk jam tip që lexoj me qef histori gjeografi (nga halli) janë të lodhshme e të mërzitshme (çështja e datave, emrave), por Duhet të lexohen. Pra, siç përmenda për një si unë, dembele në shkrim e lexim, sidomos përtace në të folur, ky libër ishte surpriza dhe kënaqësia më e madhe në këto tre dekada si lexuese e rregullt e librave të ndryshëm për të krijuar një mendim kritik sa më afër fakteve, dokumenteve, arkivave dhe sa më larg mashtrimeve, gënjeshtrave, trillimeve, intrigave që qarkullojnë kundër shqiptarit dhe Shqipërisë nëpërmjet shqipfolësve në fushat kryesore të jetës sotme. Lexuesi i thjeshtë që bombardohet përditë nga të gjitha palët në një sulm frontal si nga, media, politika, pseudohistorianët e intelektuhalët e llojeve të ndryshme, ky libër i ndihmon të pastrojnë mjegullën dhe baltën e qëllimshme. Sa më injorant individi aq më lehtë nënshtrohet, frikësohet dhe me nënshtrimin vjen ikja, largimi nga përballja me problematikat e jetës nga ku buron dhe merr jetë pushteti i ligësisë shumëpartiake që mbizotëron me frymën antishqiptare e antikombëtare në vend pas 85ës. Ky libër ndihmon lexuesin e thjeshtë pa patur nevojë të harxhojë kohë, energji, financa (që i mungojnë) të “shmangi” punën kërkimore të të gjitha materialeve, tematikave, problematikave, çështjeve në libra, burime, artikuj, arkiva, dokumente pa fund, por që vijnë në një libër të vetëm. Brenda tij gjeni pyetje të vjetra e të reja, përgjigjet e çështjeve shumë të lakuara nga pushteti i sotëm që i sulmon me zell e propagandë mediatike politike institucionale pas 90ës. Të gjitha këto e të tjera i gjen të përmbledhura në 506 faqe të jashtëzakonshme për një shtet, komb e popull vital si populli ynë, që mund të ndihmoj në informimin tuaj objegtiv për një shekull histori që vunë themelin për zhvillimin modern të shtetit Shqiptar nën udhëheqjen e Titanit Enver. Në pak reshta mund të përmend se, në këto faqe gjen për jetën e udhëheqësit si fëmijë, si i ri, si nxënës, student, vuajtjet si emigrant në Francë, Belgjikë, mësues në liceun e Korçës, jetën si anëtar në shoqërinë “Puna” të Korçës. Enveri nuk ka mohuar vështirësitë e tij financiare gjatë jetës në Francë, si nënpunës në Belgjikë, heqjen e bursës nga Zogu dhe më pas pa marrë dipllomën në studimet juridike që aq shumë e dëshironte. Këto tematika i shohim në median e historinë e rikrijuar pas 90ës plotësisht të deformuara, të manipuluara dhe të nxjerra nga konteksti nëpërmjet artit të hiq, merr, qep e shqep fjalë, shprehje, fjali sipas orekseve të palëve në pushtet.
Sipas mendimit tim modest ky libër për nga përmbajtja Duhet të jetë në librat shkollorë, nëse jo me zgjedhje që në 9vjeçare, atëherë një lëndë e domosdoshme në gjimnaz. Nëse sërish edhe aty fitojnë qarqet antishqiptare që ndodhen në institucione si ballistët nazofashistët e rinj duhet të studjohet e të futet në lëndët universitare. Mendimin tim e shpreh duke marrë parasysh se, materialet janë me burime nga dora e parë e historisë së Shqipërisë së re para dhe pas luftës. Përmban tematika si pjesëmarrja në luftë, organizimi krijimi i PKSH-së, Mukja, çështja e Kosovës, UDB-ja, Dalja nga Traktati i Varshavës, çështja e Mehmet Shehut, rreth marrëdhënieve me Gjermaninë pas 80ës dhe jo vetëm këto.
Përmend me emër mbiemër çirakun e UDB-së se nën direktivat e padronëve të tij në beograd krijon skenarin e mohimit, përçarjes së shqiptarëve (çuditërisht lakohet e përsëritet prej tre dekadash) siç e përshkruan me fjalët e tij, “një qen serb, Sinan Hasani që hedh baltë e thotë se, janë jugosllavët që formuan Partinë tonë”, fq, 473.
Përveç informacioneve të tilla lexuesi në një libër të vetëm ka pothuajse një panoramë të plotë për historinë e vendit me fakte të dokumentuara nga burime të ndryshme pa emocione, ndjenja, personalizime, kushtëzime individualiste, kornizave të ngushta të interesave të caktuara vetjake, por kryesisht objegtive. Për mendimin tim pa frikë dhe pa megalomaninë e autorucëve mediokër të dekadave të fundit të depresionit shqiptar mund të quhet, Libri i Shenjtë i shqiptarit dhe i Shqiptarizmës. Koha jonë që jetojmë është karakterizuar nga shpejtësia e informacionit që është pushtet dhe pikërisht për njeriun e ri të kësaj toke ky libër përveç kthjellimit i jep dhe armën për tu përballur me veten, çështjet sublime të jetës nëpërmjet tematikave që trajton pa patur nevojën të lexojë mbi 80 libra që la lideri Enver. Në rreshtat e tij mund të lexosh e të vëresh largpamësinë e tij jo vetëm në çështje ushtarake politike dipllomatike por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e veprave kryesore ekonomike të vendit si psh ndërtimin e hidrocentraleve të Skavicës dhe të Bushatit. Nënvizon mjeshtrinë sesi përballet në b/punim me grupin e punës ndaj problematikave që lindën me ish jugosllavinë për këto çështje. Bisedimet dhe kërkesat e tij me Titon/Stalinin për Kosovën pas luftës dhe prishjen për këtë çështje dhe jo vetëm me sllavët serborus. Ndër të tjera ka për marrëdhëniet me perëndimin, qëndrimet, vendimet, direktiva, qëllimet dhe objegtivat e qarta të një Shqipërie të pavarur ekonomikisht dhe politikisht nga të huajt. Nga e gjithë vepra e tij që është ylli polar i shqiptarizmës dhe busulla e shqiptarit të vërtetë më mbeten disa postulate, Kosova është republikë. Kosova është shqipëri, e kosovari shqiptar. I varur ekonomikisht, i varur politikisht. Nuk dua të shkruaj të gjithë librin, por po e mbyll me fjalët e titanit Enver, “Shqipëria e shqiptarët luftuan e fituan, ata ishin, janë e do të jenë të pavdekshëm”(fq.498).
Kush e quan veten shqiptar duhet ta lexoj këtë libër enciklopedi.
Një libër që përmban materialet kryesore nga libra, kujtime, ditare e shënime nga titujt si më poshtë (pasqyra sipas librit fq 501);
– Me Stalinin, botuar 1979.
– Hrushovianët, 1980
– Kur lindi Partia, 1980
– Vite të vegjëlisë, 1981
– Titistët, 1982
– Vite të rinisë, 1983
– Rreziku angloamerikan për Shqipërinë, /1983
– Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re, 1984
– Ditar (për çështje ndërkombëtare)
– Në vend të Testamentit- Përshëndetje popullit me rastin e 40 vjetorit të Çlirimit, Nëntor 1984, (broshurë).
Me kaq, ju uroj lexim të mbarë. Ju falenderoj paraprakisht për leximin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk