Lot Krokodili për Drejtësinë që Vetë Votuan

14
Feb
2025
Shkruan: Ferat Selimi Oslo


Ky është një rast tipik i hipokrizisë politike, ku ata që dikur mbështetën dhe votuan për krijimin e Gjykatës Speciale, tani po e denoncojnë atë si të padrejtë kur preken vetë apo njerëzit e tyre të afërt. Në atë kohë, shumica e deputetëve të partisë së znj. Çitaku, përfshirë edhe liderët e tyre, votuan pro krijimit të kësaj gjykate, ndoshta për shkak të presionit ndërkombëtar, duke e paraqitur si një mjet për të mbyllur kapitullin e akuzave për luftën dhe për të “pastruar” imazhin e Kosovës.
Tani që Gjykata Speciale ka ngritur aktakuza të rënda dhe ka publikuar prova të forta për ndërhyrje dhe manipulim të dëshmive, të njëjtët politikanë, që dikur e votuan këtë mekanizëm drejtësie, po e quajnë të padrejtë dhe po derdhin “lot krokodili”. Kjo është një lojë e njohur politike: kur drejtësia i godet kundërshtarët, është e mirëpritur, por kur prek aleatët ose vetë ata, bëhet e padrejtë dhe politike.
Në vend të viktimizimit dhe akuzave të paqëndrueshme, do të kishte më shumë dinjitet të pranohej përgjegjësia për vendimet e dikurshme dhe të lihen institucionet të bëjnë punën e tyre. Edhe nëse ka padrejtësi apo tejkalime, ato duhet të sfidohen me mjete ligjore, jo me retorikë emocionale për të përfituar kapital politik.
Ata që sot ankohen për “padrejtësinë” e Gjykatës Speciale, janë po ata që dikur e votuan atë, duke zgjedhur rrugën e Hagës në vend të ndërtimit të një sistemi të drejtësisë brenda Kosovës. Në vend që të krijonin një gjykatë vendase dhe të përballeshin me të vërtetën, ata ishin të zënë duke u pasuruar dhe duke e lënë drejtësinë në hije.
Sot, kur drejtësia po troket në derën e tyre, ata luajnë rolin e viktimës dhe derdhin lot krokodili. Po a nuk ishin vetë ata që e hapën këtë rrugë? Nëse atëherë do të kishin ndërtuar institucione të forta dhe të paanshme në Kosovë, nuk do të kishim nevojë për një gjykatë speciale jashtë vendit.
Kjo është një mësim i hidhur: drejtësia nuk është lojë politike që përdoret kur të konvenon. Dhe kur përfundon në prehrin e asaj drejtësie që vetë ndihmove të krijohet, atëherë nuk mund të ankohesh se është e padrejtë.
Në fund, ky rast është një kujtesë e hidhur se vendimet që merren nën presion apo për kalkulime politike një ditë mund të kthehen si bumerang. Për ata që po “derdhin lot” sot, ndoshta do të ishte më e ndershme të pranonin që kanë kontribuar vetë në krijimin e një mekanizmi që sot i ndjek penalisht. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pavarësisht emrave apo pozitave.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk