LUFTA E SELENICËS, 1 PRILL 1943, DHE INTRIGA SE MEHMET SHEHU VRAU SHOKUN E KLASËS

01
Apr
2023


Shkruan: Dilaver Goxhaj

Prej ndryshimit të sistemit shoqëror në vendin tonë, krahas gjithë përmbysjeve të tjera, kanë dalë edhe një kategori personash, pinjollë të ish kolaboracionistëve gjatë periudhës së Luftës
Nacionalçlirimtare, që po mundohen ta përmbysin tërë të vërtetën e asaj lufte shpëtimtare me interpretime dhe sajesa nga më dinaket. Mirëpo, sikundër thotë dhe Francis Bacon, nuk ka rrezik më të madh për historinë e një kombi, se kur njerëzit dinakë i shikon dhe i beson për të urtë. Kjo kategori “historianësh”, me në krye z.Uran Butka, përmes botimeve të përditshme të tyre po mundohen të na bindin se luftën kundër pushtuesve italianë e kanë zhvilluar kryesishtë forcat e Balli Kombëtar dhe jo Fronti Nacionalçlirimtar! Ndërsa periudhën e luftës kundër pushtuesve nazistë, ngaqë prindërit e tyre u bënë haptas aleatë me ta, duan ta quajnë luftë civile. Dhe kjo ndodh ngaqë e vërteta e fakteve, e cila gjëndet me vështirësi e që kërkon studime, kjo e vërtetë është e huaj për ta. Një prej “të vërtetave” të tyre është edhe përpjekja për përvehtësimin nga ana e Ballit Kombëtar të autorësisë së Luftës së Selenicës, Vlorë, zhvilluar më 1 prill të vitit 1943. Në pamje të parë këta “historianë” duken se “e duan” të vërtetën, por e keqja e tyre është se të vërtetën nuk duan ta njohin. I tillë është edhe rasti për këtë luftim.
Dëshmia e parë e kohës së ngjarjes .
Se cilat ishin rrethanat e zhvillimit të Luftës së Selnicës na e sqaron gazeta “Zëri i Popullit”, Nr.18, e majit 1943, në të cilën shkruhet: “Pas veprimit të parë të kryer prej çetave partizane të Vlorës e të Mallakastrës kundër minierave të Selenicës, fuqitë qeveritare qenë
shpartalluar dhe kështu Selenica kish mbetur e çliruar nga okupacioni armik. Çeta i kishte vënë disa kondita Shoqërisë italiane të Minierave të Selenicës (S.I.M.S.A.) për përmirësimin e konditave
të jetës së puntorëve. Shoqëria angazhohej gjithashtu që të mos kërkonte fuqi qeveritare në ndihmë. Autoritet fashiste duke ndier se prestigji i tyre kishte humbur krejt me rënien e Selenicës
në duart e partizanëve, pasi Selenica ishte një nga vëndet minerare më me rëndësi të okupatorit të Shqipërisë, vendosën të dërgojnë një fuqi të madhe prej dyqind karabinierësh të armatosur mire,
për të sulmuar dhe ripushtuar Selenicën. Lufta filloi ditën e 1 prillit, në orën 12 e 30 të mesditës.”
Ndërsa në tekstin e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vitit 1975, thuhet: “Më 1 prill 1943 pushtuesit nisën nga Vlora në drejtim të Selenicës një kompani karabinierësh (150 vetë) të përforcuar nga dy toga mitralierësh (65 vetë), nën komandën e një nënkoloneli karabinierie. Këto forca kishin marrë për detyrë të ripushtonin minierën dhe të vendoseshin aty në mbrojtje të kantjereve të saja, të cilat duhej të rifillonin menjëherë nga nxjerrja e bitumit. Trupat fashiste shkuan me automjete deri te ura e Penkovës mbi lumin Shushicë… Ndërkaq, komanda e Çetës Plakë të Vlorës kishte marrë të gjitha masat e nevojshme… Ajo kishte zënë pozicione mbi kodrat në lindje e në perëndim të minierës duke krijuar kështu një xhep, ku mendohej se do të futeshin armiqtë. Qe njoftuar me ngutësi edhe Çeta Plakë e Mallakastrës, e cila mbriti menjëherë dhe u vendos në buzën e djathtë të lumit Vjosë, në Selishtë, përballë Selenicës… Rreth orës 13.00, kur karabinierët italianë ndodheshin në fushë të Selenicës… ata kishin rënë në rrethim. Nga jugu, juglindia e jugperëndimi i sulmonin luftëtarët çlirimtarë të Vlorës, nga veriu i godisnin me zjarr luftëtarët çlirimtarë të Mallakastrës….. Luftimet me sulme e kundërsulme vazhduan afër katër orë e gjysëm… Nga kazani përvëlues ku qenë futur mundën të dilnn, natën, vetëm një oficer dhe disa karabinierë të veçuar… Në luftimet që u zhvilluan në Selenicë më 1 prill, forcat kryengritëse kishin vrarë më se 50 karabinierë e ushtarë armiq, kishin kapur robër rreth 80 të tjerë, midis të cilëve katër oficerë, kishin zënë një plaçkë lufte mjaft të pasur…” (Historia e Luftës Antifashiste Nacional]lirimtare të popullit shqiptar 1939-1944”, Tiranë, 1975, v.1, f.369-371)
Hysni Kapo, nismëtari i luftimit.
Që u thirrën me ngutësi edhe forcat e Çetës Plakë të Mallakastrës, këtë na e vërteton edhe Letra e Hysni Kapos dërguar Mehmet Shehut disa orë para asaj beteje: “Shoku Vjosa, Ushtria po vjen në Selenicë. Mundësishtë do i presim. Çeta ndodhet në Karbunarë. Afroi se mund të kemi nevojë për ndihmë në rast zjarri. Nuk kam asnjë njeri me kë të konsultohem. .. Është e domosdoshme prita, përndryshe u del krejt frika. V.F.L.P. Të fala Besniku.
1 prill 1943” (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.21)
Privatizimi i luftimit prej Isuf Luzaj.
Si në komunikatën e “Zërit të Popullit”, dhe në tekstin e Historisë së LANÇ-it si dhe në letrën e H. Kapos, nuk përmenden aspak forcat e Ballit Kombëtar. Megjithatë, një prej kuadrove të larta të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj, në kujtimet e tij pretendon se atë luftë e ka zhvilluar ai me forcat e komanduara prej tij dhe jo forcat partizane! Dhe ja çfarë shkruan ai: “Edhe më vonë, në luftën e Selenicës, që planifikoi, komandoi dhe fitoi Isuf Luzaj me çetën e vogël 38 vetëshe, kundër 127 karabinierëve, pesë oficerëve dhe komandant kolonel Ricit, Partia Komuniste, Xharxhanezi (Qani Shena), erdhi në perëndim të diellit kur kishin filluar të dorëzoheshin karabinierët e
pararojës. Në Shkozë arriti Hysni Lepenica, Skënder Muçua, me Mehmet Shehun dhe Ibrahim Dervishin. Arritën sa për të bërë gabimin trashanik që u dorëzuan kryepleqësisë së Hekalit dhe
Drizarit robërit e gjallë që t’i mbanin nën rojë derisa të sqarohej ultimatumi që Isuf Luzi i dërgoi kont Salvonit në Vlorë, me pak a shumë këtë tekst: “Keni 30 ditë kohë të vendosni: ose do të
çlironi nga burgjet dhe fushat e përqëndrimit të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, ose ne do të ekzekutojmë kolonel Ricin me të pesë ficerat e kuadrot”… Porse lajmi nga Tirana erdhi vonë,
sepse robërit italianë, këshilli i Hekalit e i Drizarit, ia dorëzoi Mehmet Shehut, i cili i pushkatoi, pa u marrë vesh me Ballin Kobëtar.” (Isuf Luzaj: “Filozofia e bukurisë” pjesë ditaresh, esse dhe
rrëfime për veten”, OMBRA GVG, 2009, f.91-92).
Sikundër shihet Isuf Luzaj nuk e sqaron se kush i kapi robërit dhe, së dyti, në fjalinë e fundit të tij kemi një nonsens: “lajmi erdhi vonë se robërit i pushkatoi Mehmet Shehu pa u marrë vesh me Ballin”(!). Nga kush e priste lajmin? Kuptoje po deshe.
Mirëpo, është po ky Isuf Luzaj që pak rreshta më poshtë e demanton “luftën e madhe” të forcave të Ballit, kur thotë: “Hasan Dosti dhe Faik Quku, nën këshillën dhe influencën e Thoma
Orogollait, qëndronin besnikë të Jakomonit. Këtë të vërtetë e kam të provuar nga vetë zevendësmbreti i Shqipërisë, kur e njoha së afërmi në kështjellën e tij, më 1948. Unë isha atëherë mësonjës i letërsisë frënge në Frozinome dhe Ati Superior i Institutit Françesko Martini, mik i Jakomonit, më vuri në kontakt me ish zevendës mbretin, tani qytetar i thjeshtë, që jetonte në pallatin e tij në Bulole të Frozinomes. Për konsekuencë, politika e“Ballit Kombëtar”, nëse quhet politikë, ndahej në dy drejtime. Më një anë, MIT’HATI, me shpresë të afrohej me aleatët, me anë të disa zhurmave të pak pushkëve, që do të hidhnin kundër Italisë. Mit’hati mundohej të merrte kontakt me aleatët por kurrë s’ia arriti. Më anë tjetër, Mit’hati pranonte Akordin – Këlcyra Dalmacio: mos më qëllo, të të mos qëlloj. Lufta e Selnicës e dëmtoi këtë akord, siç më tha më vonë Aliu.” (I. Luzaj,Po aty, f.93-94).
Le të mësojmë se çfarë thotë Sekretari i Përgjithshëm i BK.
Një bashkëdrejtues i lartë i Ballit Kombëtar, së bashku me Isuf Luzaj, madje edhe epror i tij, Sekretari i Përgjithshëm i BK, Faik Quku, Isuf Luzajn nuk e përmend aspak si komandant çete të Ballit, por thjesht si propagandist të saj. Kështu që, atë çka shkruan Isufi, Faiku e demanton. Ja çfarë shkruan Faik Quku: “… Hysni Kapos i vjen një letër, me të cilën e lajmërojnë se një forcë italiane do të vinte në Selenicë. Letrën ia tregon Qenanit, i cili e pyet se çfarë të bënte. Hysniu i përgjigjet: “Asgja, sepse nuk kam forca. Po ty?” Hysniu gjithashtu e pyet Qenanin se çfarë do të bënte dhe ky i kthen të njëjtën përgjigje. Një baon Italian, i përbamë prej 500-600 vetë, vjen në shtëpi të Osman Haxhiut, djeg disa shtëpi bujqish dhe internon 12 vetë. Dërgon në Selenicë forcën e karabinierisë që kishte marrë me vete, me 257 karabinierë, me nji nënkolonel, nji kapiten Italian dhe nji toger shqiptar, Tahsin Spahiun nga Luma. Siç duket, italianët kishin në plan me organizue nji operacion në Selenicë.
Më 1 prill Qenan Hysi me çetën e tij i del në pritë para Selenicës dhe vendoset në gatishmëri luftarake, në tre grupe, në forrnën e nji trekëndshi, gjithsej 26 vetë me 4 mitraloza të lehtë. 9 vetë të tjerë i len mbrapa për sigurim. Luftarët kishin vetëm nga 250 fishekë. Hysni Kapo ndodhej rreth nji ore larg.
Forca e karabinierisë, e nisur prej Picari, gjatë rrugës vrasin tre partizanë. Në orën 12 e 45’ forcat e karabinierisë bien nën zjarrin e çetës së Qenanit. Lufta vazhdon deri në orën 18 e 20’.
Hysni Kapo me 16 vetë vjen në orën 18, kur italianët kishin fillue me u dorzue e me u çarmatosë.
Në orën 18 e 15’ vjen edhe Çeta Plakë, e përbame prej 40 vetësh. Mbasi mbaron lufta vjen edhe Mehmet Shehu nga Mallakastra. Mbetet i vramë nji partizan dhe nji ballist i plagosun. Prej
italianëve: 13 kalojnë lumin e Vjosës, 13 mbyten në lumë; karabinierët e tjerë me tre oficera dorëzohen. Merren shumë armë e material lufte. Të gjithë robërit ishin në dorë të Ballit, përveç toger Tahsin Spahiut. Mirpo, Jonuz Luzaj, propagandisti dhe nji nga eksponentët e çetës së Hysni Lepenicës, ia dorzon partizanëve të gjithë robërit, me përjashtim të tetë karabinierëve dhe dy
oficerave. Arsyeja nuk dihet. Jusuf Luzaj më ka deklarue që këta robër ia dorzoi komunistave nji roje që i kishte në ngarkim. Kështu, ballistat shkëmbyen nënkolonel Bizin e kapitenin me toger Tahsin Spahinë.
Qenani i nis për Karbunarë tetë karabinierë me materialin e marrun. Mbasi i mbajnë disa ditë nëpër shtëpi, i lirojnë. Forcat e Ballit dhe të Nacionalçlirimtares shkojnë në Mallakastër. Të nesërmen në
mbramje, në nji luginë të Romsit, parizanët i mbysin me thika të gjithë robërit. Mbahen vetëm dy oficera për me i shkëmbye me rreth 15 partizanë të burgosun. Me që italianët nuk pranojnë, i
ekzekutojnë edhe këta. Për t’u shënue asht se nënkoloneli asht tregue shumë trim dhe me dinjitet i ka përbuzë komunistat”. (Faik Quku “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-
1944), “ILAR”, 2006, v.2,f.188-190).
Nëse do ta merrnim të mirëqenë atë që na thotë Faiku: “Të nesërmen në mbramje, parizanët i mbysin me thika të gjithë robërit”, këtë duhet ta kenë bërë bashkë me Ballin, pasi në fjalinë
pararendëse për pushkatim, Faiku na thotë: “Forcat e Ballit dhe të Nacionalçlirimtares shkojnë në Mallakastër.” Cilën fjali t’i marrim për të vërtetë FaikuQukut?! Ndërsa në f.41 të këtij libri, Faik Quku shkruan se “natën e 2-3 prillit, në një luginë të Romsit të Mallakastrësu mbytën me thika ma se 200 karabinierë italianë”! Gjë që len të kuptojmë se BK nuk ka luftuar fare.
Por kemi edhe një koinçidencë interesante midis Faik Qukut dhe Isuf Luzaj, edhe pse kujtimet i kanë shkruar njëri në Kanada e tjetri në SHBA, e në kohë të ndryshme. Edhe Faiku e pohon me sinqeritet se çetat e Ballit nuk i kanë sulmuar asnjëherë forcat italiane:
“Çetat e Ballit, deri në Marrëveshjen e Mukjes, kanë luftue për mbrojtjen e popullit… ato janë përpjekë mos me provokue forcat e anmikut, gjithnji në mbrojtje të popullit. Ndërsa çetat komuniste, të quejtuna Nacionalçliritare, kanë ba vetëm aksione… Gati të gjitha luftimet janë provokue prej çetave komuniste”. (Po aty,f.224).
Një tjetër Muço bej.
Ndërsa Hasan Dosti, anëtari tjetër i KQ të Ballit Kombëtar, e hiperbolizon “fitoren” e Ballit në Selenicë, ku na paskanë vrarë gati një divizion karabinierie italiane: “E me të vërtetë an’emb’anë Shqypnisë u banë prej anës së Ballit aq aksione energjike sa qi anmiku u hutue. Lufta e Selenicës: U rrethuen ma se 2500 ushtarë t’anmikut; nji pjesë u vra në luftë, pjesa tjetër u zu rob, u çarmatos dhe u la e lirë”. (Hasan Dosti: “Një jetë për çështjen shqiptare”, botart, 2008, f.124).
Por, me sa duket, edhe Hasan Dosti, kur ka shkruar këto kujtime do ketë qenë në ndonjë moment kthjelltësie dhe tregon të njëtën gjë për “luftën e madhe” të Ballit: “Ushtarët në të cilët BK kishte vënë të gjitha shpresat, nuk dëgjuan urdhërat e oficerave, muarën armët dhe shkuan në shtëpitë e tyre. Kjo ngjau nga mungesa e aftësisë së oficerave të cilët na ishin mburrur shumë.” (Po aty, f.89).
Gjë të cilën e konfirmon plotësishtë Sekretari i Përgjithshëm i BK, Faik Quku, i cili thotë: “Çetat e Ballit ishin të paorganizuara e të padisiplinuara, iu mungonte gjerarkia e drejtimit…Balli, tue
mos u militarizue, por tue mbetë si turmë bashibozukësh, do të dobësohej gjithnji e ma tepër, në luftën kundër pushtuesit, do të vinte tue u demoralizue dhe tue ra në nji gjendje gjithnji e ma
inferiore karshi Nacionalçlirimtares.”, (F.Quku, vepër e cituar, v.2,f.124,169).
Dizinformimi nga Uran Butka.
E megjithatë, z.Uran Butka, edhe pse e ka të qartë atë çka pranon Faik Quku e Hasan Dosti, për aftësitë luftarake të formacioneve të BK, përsëri mundohet të na e mohoi të vërtetën se cilat forca e zhvilluan atë luftim të suksesshëm të para 79 vitesh. Por që të fshehësh të vërtetën dihet se është një art i lodhshëm, i cili kërkon domosdoshmërishtë një njohje të mirë të saj, ndryshe nuk bëhesh i besueshëm. Mund të fshehësh vetëm atë që di. Ndërsa z.Uran Butka, duke mos dashur me e dijtë të vërtetën e Luftës së Selenicës, nuk ka mundësi të bëhet i besueshëm për atë çka shkruan:
“Në luftën e Selenicë, 1 prill 1943, fillimisht e nisën sulmin forcat balliste të komanduara nga Isuf Luzaj, Hasan Lepenica e Shahin Nuredini kundër 126 karabinierëve dhe 116 bersalierëve italianë. Pas tre orësh lufte të rreptë forcat e prof. Isuf Luzajt i shpartalluan italianët, duke lënë mjaft të vrarë e të plagosur dhe 10 robër, që u lanë të lirë. Në këtë luftë u plagos nënkomandanti i çetës së Ballit, Hasan Lepenica. Gjatë tërheqjes forcat italiane u goditën nga çeta partizane “Plakë” e Vlorës e komanduar nga Neki Ymeraj, që vinte në ndihmë të çetave nacionaliste. Italianët u shpartalluan plotësishtë dhe pjesa më e madhe e tyre u zu rob. Pas luftës, atje arriti Mehmet Shehu, i cili i mori robërit me gjithë nënkolonelin, që e kishte pasur shok shkolle në Itali. Por ai i pushkatoi dhe i masakroi barbarisht 63 robër italianë, bashkë me nënkolonelin natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër”. (Uran Butka “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, ISKK-2015, v.1, f.33, duke ju referuar: AQSH F.270, v.1943 d.11 dhe dokuenta të tjera të Çetës Plakë).
Po ta lexojmë me kujdes këtë lëvdatë të z.Uran për BK shohim se, në vend që t’i verë vetulla, i nxjerr sytë Ballit. E pranon që Balli kish kapur vetëm 10 robër dhe pas 12 fjalësh pohon: “Gjatë tërheqjes forcat italiane u goditën nga çeta partizane “Plakë” e Vlorës e komanduar nga Neki Ymeraj, që vinte në ndihmë të çetave nacionaliste. Italianët u shpartalluan plotësishtë dhe
pjesa më e madhe e tyre u zu rob.”
Pra robërit i kapën partizanët dhe jo ballistët. Mos ndoshta z.Uran ka dashë të na thotë që karabinierët u janë dorëzuar vetë partizanëve, nga frika se mos i sulmonin përsëri ballistët?! Ndryshe nuk ka se si kuptohet. Prandaj, natyrshëm na lind pyetja: Si është e mundur që një “historian” kalibri si z.Uran Butka, ende nuk e di se dy javë më herët se të ndodhte Lufta e Selenicës, më 15 mars 1943, me autorizim të udhëheqjes së Ballit Kombëtar, nga antarët e Komitetit Qëndror të tij Ali Bej Këlcyra dhe Nuredin Bej Vlora kishin nënshkruar Protokollin me gjeneral Dalmaco, komandanti epror i fuqive italiane në Shqipëri, ku midis të tjerave thuhej: “Ne, duke marrë çdo përgjegjësi personale, sigurojmë shkëlqesinë e tij gjeneral Dalmaco, se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjasë në Shqipërinë jugore..”?!
Që protokollit Dalmaco-Këlcyra është zbatuar me rigorozitet nga forcat e BK, sikundër e pamë, e pohojnë edhe vetë Isuf Luzaj dhe Faik Quku. Kështu që z.Uran kot mundohet të na mashtrojë.
Përveç kësaj, z.Uran edhe pse mundohet të jetë sa më lakonik, ai jo vetëm që nuk puqet me ish udhëheqësit e BK, por në 10 rreshta bie në kundërshtim edhe me veten e tij: një herë thotë se u zunë 10 robër, pastaj “pjesa më e madhe u zunë rob”!
Që të jenë zënë robër “pjesa më e madhe e karabinierëve” nga BK, nuk kanë guxuar ta thonë as Isuf Luzaj dhe as Faiku, por ja që e di
z.Uran. Gjithashtu, Isuf Luzaj nuk pohon atë çka shkruan z.Uran, se bashkë me Isufin ishin edhe Hasan Lepenica e Shahin Nuredini. Thuaj po deshe që nuk është historian z.Uran!
Gjithashtu do të ishte mirë që z.Uran të na e sqaronte se kujt i përket Fondi 270 i AQSH; po ashtu, nuk do të ishte keq të na tregoi se në cilin fond të AQSH mund të gjejmë edhe ne dokumentat e Çetës Plakë (të Vlorës apo të Mallakastrës), pasi nuk na e sqaron.
Po ashtu, z.Uran do të bënte mirë t’i shfletonte të gjitha arkivat që flasin për Luftën e Selenicës. Një fakt që na bind për këtë mos dije të së vërtetës prej tij është ai kur na thotë se “63 robër italianë, bashkë me nënkolonelin u masakruan barbarisht natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit”.
Mirëpo dëshmitarët e tjerë okularë dhe arkivat nuk na e konfirmojnë se ka ndodhur pikërisht kështu, të cilën do ta shohim më poshtë. Që të jemi sa më objektivë, duhet të pranojmë se z.Uran Butka dhe Faik Quku shprehin të njëjtën keqardhje për pushkatimin e karbainierëve të kapur rob, madje Faiku flet tërë simpati për
nënkolonelin, komandanti i forcave gjakatare të karabinerisë: “Për t’u shënue asht se nënkoloneli asht tregue shumë trim dhe me dinjitet i ka përbuzë komunistat.”, kur dihet që të gjitha vrasjet dhe
krimet masive, djegiet e fshatrave dhe torturimin e popullit të pafajshëm e bënin kryesishtë formacionet e karabinierisë. Por edhe sikur të ketë ndodhur në këtë mënyrë, nuk është bërë ndonjë
e pabërë, pasi ishin në luftë mes tyre për jetë a vdekje. Aq më shumë kur dihet që edhe në Urdhërin e mëvonshëm të Shtabit të Përgjithshëm, datë 30 korrik 1943, thuhej shprehimisht: “Për
karabinierët dhe këmishat e zeza me veprue si ngahera”. (Dokumenta të SHP të UNÇlSH., Tiranë 1976, v.1,f.32).
Pushkatim u krye vetëm ndaj robërve karabinierë, sikundër e pranon edhe ballisti Isuf Luzaj në letrën dërguar kont Salvonit.
Dëshmitari okular – pjesmarrës në atë luftim.
Që të kenë marrë pjesë edhe çetat Balliste në Luftën e Selenicës do të kishte thënë të paktën një fjalë edhe veterani Murat Agarai, pjesmarrës në atë lufim. E themi këtë për faktin se ende ngulej këmbë për bashkimin e NÇL me BK, të cilën na e konfirmon edhe vetë Faik Quku: “Në maj 1943, erdhi në Labinot, ku ishte një pjesë e Komitetit Qëndror, përfaqësuesi i Titos, kolonel Svetozar Vukmanoviç Tempo… Ai kërkonte formimin e një ushtrie të fortë e dinamike dhe shtypjen e Ballit Kombëtar….Për këtë çështje Tempo u gjet në kundërshtim me Komitetin Qëndror të partisë e, sidomos Ymer Dishnica e Enver Hoxha, ngulnin këmbë për arritjen e një marrëveshjeje me krerët e Ballit”. (F.Quku, po aty, f.96-97).
Mirëpo veterani Murat Agarai nuk na e konfirmon këtë fakt. Ai thotë: “Komiteti Qarkor i Partisë u informua me kohë për këto forca dhe për këto plane të komandës italiane dhe mori menjëherë masa për t’u zënë pritë dhe për t’i asgjësuar. “Çeta Plakë” e Vlorës ndodhej në Karbunarë. “Çeta Plakë” e Mallakastrës, që ishte në fshatin Kreshpan, hodhi Vjosën. Kështu të dyja çetat u bashkuan…. Jo vetëm komandat e çetave, por edhe partizanët e kishin të qartë detyrën që do të kryenin… Armiku u shpartallua plotësishtë në fushën e Selenicës dhe në bishtin e kodrave të Armenit. Nga ana jonë ra heroikisht partizani trim Xhevit Pronjo”.(“Veteranët tregojnë”, Tiranë 1984, v.3, f.97).
Xhelal Staravecka – një tjetër dëshmitar okular.
Mirëpo, këta vitet e fundit ka dalë edhe një dëshmitar tjetër okular i asaj lufte në Selenicë, zhvilluar në 1 Prillin e vitit 1943. Dhe ai është ish-oficeri me akademi ushtarake, Xhelal Staravecka (1912-1975), i cili ka mbetë gjithnjë në dritë të errët, i cilësuar: herë dezertor nga
ushtria partizane, herë tradhëtar, herë ballist, më pas komandant i xhandarmërisë së Tiranës në periudhën naziste, emigrant politik në Francë pas luftës. I cilësuar i tillë jo vetëm deri më 1990, por edhe deri sot ka mbetur “gogol” i historisë. Ky dëshmitar okular, edhe pse dezertoi nga Br1S e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dhe u hodh më pas, në vjeshtën e vitit 1943, me Ballin Kombëtar, megjithatë i përgënjeshtron aleatët e tij Ballistë që cituam më lartë. Madje tregimi i Xh. Staraveckës e konfirmon edhe atë çka tregon veterani Murat Agarai, siç do ta shohim, edhe me gazetën “Zëri i Popullit”. Por Staravecka përputhet edhe me z. Uran edhe me Faik Qukun kur flet për mënyrën e ekzekutimit nga M. Shehu të karabinierëve robër, pavarësishtë se nuk qëndron ashtu.
Tregimi i Staraveckës është më se interesant. Dhe ja se si e përshkruan ai Luftën e Selenicës: “Do të flas për Mehmet Shehun dhe çetën e tij që luajti një rol të madh në Luftën Nacional Çlirimtare… Nga fillimi i vitit 1943 Mehmeti sulmoi dhe shkatërroi instalacionet e shfrytëzimit të bitumit në Selenicën e Vlorës. Italianët që kishin gati 40 vjet që shfrytëzonin ato shtresa të serës, pse i kishin marrë me konçesion nga Turqia, donin të ktheheshin prapë e të vazhdonin punën, mirëpo më parë vendosën t’u jepnin një mësim të mirë shqiptarëve që të mos u shkonte më ndërmend të bënin ndonjë aksion tjetër mbi Selenicën. (Në 21 shkurt 1943 partizanët i kishin përzënë Italianët nga Selenica dhe ajo ishte e çliruar D.G). Dikush tjetër më ka thënë se Mehmeti u kishte kërkuar italianëve një shumë të hollash për arkën e Nacional Çlirimtares, nëse ata donin të rifillonin punën, dhe italianët, në vend që t’u nënshtroheshin konditave dhe rrethanave të kohës që jetonin, vendosën të bënin një operacion të ashpër sesa të paguanin një tribut për Naciona Çlirimtaren. Sidoqoftë ky version ka fare pak mundësi të ketë qenë i vërtetë. Nga ana tjetër dua të shtoj se mosditja me saktësi se cili nga këto dy versione është i vërtetë, rrjedh nga neglizhenca ime që gjatë kohës që qeshë me Mehmetin bashkë, nuk më ra ndër mend kjo çështje dhe ta pyesja si qëndronte e vërteta.
I zhveshur nga shkaku i rrethanave që determinuan vendimin e italianëve për reprezalie kundër Selenicës, këtu do të diskutoj ndeshjen që u bë mes Mehmetit dhe kolonel Feliçes, komandant i legjionit të karabinierisë së Vlorës, i cili me pesëqind oficerë, nënoficerë dhe karabinierë të Vlorës marrshoi duke bërë operacion në katunde rrugës e deri në Selenicë për të terrorizuar gjthëkushin që të mos mendohej më përsëritja e një fenomeni të tillë që përshkova më lartë.
Në një brinjë ku bashkohet Cakrani me Kreshpanin, sikundër kam thënë më lart kur shkova të blija armë tek ai katundari, me dylbi pashë një grup njerëzish në buzë të Vjosës që për një çast m’u zhduk dhe pa shkuar as dhjetë minuta pashë një barkë plot me njerëz që lundronte drejt Selenicës. Nuk e mbaj mend nëse barka u përdor vetëm një herë për të hedhur gjithë njerëzit, apo dy e më shumë herë. Mbas gati dyzetë minutave përtej në Llakatund dhe në Armen, filluan të çohej tym e më pas degjova krisma pushkësh dhe mitralozash dhe u binda se ai ishte një operacion i nisur nga italianët, pse italianët marrshonin me zjarr në dorë duke u rënë me pushkë e me mitraloza katundarëve dhe barinjve që punonin në tokat dhe kullosnin bagëtitë, porse nuk munda ta kuptoj se ç’ishte ai grup njerëzish që nga Gjonça apo afër Gjonçës u hodh në Selenicë.
Të them të vërtetën për atë grup që kaloi Vjosën, kur konstatova kollonën që ishte nisur nga Vlora e marrshonte me zjarr drejt Selenicës dhe kurrë nuk më shkoi dyshimi se mund të ishte
Mehmet Shehu me çetën e tij, se për mua ishte një çmëndi e madhe një veprim i tillë. Nga ana tjetër, pa u vënë në lëvizje çmëndia dhe unë atë veprim në fakt e quaj trimëri, as mrekullia dhe as heroizma nuk mund të realizohen në fushën e epopeve. Këtu po e shpjegoj pse m’u duk çmëndësi.
Të nisesh nga Mallakastra me më pak se 100 partizanë, të kalosh Vjosën, duke e lënë prapa atë lumë dhe të hidhesh në Selenicë për t’u përleshur me armikun që është pesë herë më shumë në numër dhe i armatosur deri në dhëmbë me mjetet më modern të kohës, një luftë e tillë sigurisht është e fituar nga armiku. Mehmeti e la kolonën derisa hyri në Selenicë e kur arriti në distancën e duhur me shokët e tij trima, u hodh mbi italianët si luan i plagosur e në një kohë jo më shumë se tetëdhjetë minuta luftë grykë për grykë e shpartalloi atë fuqi nga e cila gati gjysma u mbyt në lumë duke kërkuar shpëtim me ikje, pjesa tjetër, përveç të vrarëve, e kapi rob çeta trime e Mehmetit.
Duke bërë sehir atë luftë, që po e admiroja pa masë, më ra ndër mend ndërmarrja e arabëve kundër Spanjës. Treqind arabë kur zbritën në buzëdetin e Spanjës i dogjën anijet e tyre. Ata kishin
vendosur ose të fitonin ose të linin lëkurën e tyre në atë dërmarrje, pa pasur mundësinë të ktheheshin të gjallë në vendin e nisjes. Episodi që më ra ndër mend nga vepra e Mehmetit, që ishte luftë çlirimi nga i huaji, më ka prekur më shumë nga ana e vendosmërisë dhe e guximit dhe jo nga ana politike. Mehmeti kishte vendosur ta shkallmonte armikun, ose të përfundonte ai vetë dhe çeta e tij pa mbetur asnjë i gjallë, mbasi prapa krahëve nuk kishte kthim, pse Vjosa do t’i bënte atë dasmë që u bëri italianëve që u munduan të shpëtonin nga vdekja dhe vdekjen e gjetën në lumë.
Në atë episod trimëria e bijve të popullit shqiptar qëndron krahas tradhëtisë, paburrërisë, servilizmës, meskinitetit dhe gjithë gamës negative të poshtërsive pse, porsa u nis lufta, çetat e Ballit prisnin në afërsi të ndeshjes derisa u përfundua çështja, pra, derisa Mehmeti e shkatërroi armikun. Atëherë ballistët dolën dhe i kërkuan Mehmetit disa nga karabinierët të cilët ai i kishte zënë rob, natyrisht me pretekst të tregonin se gjoja kishin marrë pjesë në luftë. Dhe Mehmeti u dha dhjetë karabinierë, pa dyshuar aspak se ballistët do t’i çonin në Vlorë, ashtu si ia çuan padronit Italian, si shenjë besnikërie se “vetëm ata karabinierë kishin mundur të shpëtonin nga dora e kriminelit Mehmet Shehu”. Karabinierët, nënoficerët dhe oficerët e kolonel Feliçes, bashkë me këtë të fundit që i zuri të gjallë, Mehmeti i çoi në Mallakastër dhe u propozoi italianëve shkëmbimin e tyre me disa shqiptarë të Nacional Çlirimtares që italianët i mbanin si peng. Mirëpo nuk ranë në ujdi. Atëherë Mehmeti mbas një muaj e ca që priti të përfundoheshin negociatat, me disa shokë të çetës së tij mori italianët e në një gropë të Kremenarit, mbasi u ngulnin nga një thikë në trup i hidhnin në atë sterrë që duhej të ishte nja njëqind metra e thellë. Këto hollësira të ekzekutimit të italianëve m’i ka thënë edhe Qazim Çakërri që qe një nga autorët e asaj vrasjeje me shumë vend.
Ekzekutimin e atyre italianëve Ali Këlcyra dhe Bektash Cakrani e shfrytëzuan si një kartë me të cilën nxitnin ashtu si në fakt e nxitën okupatorin të bënte një operacion në Mallakastër gjoja për ta penguar këtë të fundit të mos rrëshqiste në truallin e Nacional Çlirimtares. Ata besuan se një operacion në Mallakastër nga ana e okupatorit do të kishte armiqësuar popullin me Nacional
Çlirimtaren apo me komunizmin. Të rrejtur nga ajo shpresë makabre e shtynë të huajin të digjte Mallakastrën, duke qenë të bindur se italianët do të bënin diferencime, do me thënë të digjnin
vetëm katundet që ishin lidhur me Nacional Çlirimtaren. Mirëpo dy divizionet që erdhën nga Mali i Zi nuk e vunë aspak në zjarr ujin e diferencimit që të dallonin katundet balliste nga ato që ishin të lidhur me Nacional Çlirimtaren, por i ranë dhe rënuan krejtësish jo vetëm Mallakastrën, por edhe shumë katunde të Nahijes së Beratit dhe të nënprefekturës së Tepelenës.
Nga ai operacion i shëmtuar ku gati 100 katunde armiku i bëri gur e hi, ballistët jo vetëm e paguan me djegien e shtëpive të tyre dhe shkatërrimin e plotë të mallit e të gjësë së tyre, por një pjesë e shëndoshë e popullit të vogël që ishte ballist, pse hala nuk e kishte kuptuar të vërtetën mbi tradhëtinë e Ballit, jo vetëm hyri në Nacional Çlirimtaren, por u bë komunist i tërbuar dhe më i vendosur se kushdo tjetër…. Domethënë se populli sa më fukara të jetë aq më tepër i bëhet besnik komunizmit. Dhe sa më tepër t’i hyjë tradhëtisë borgjezia, aq më tepër populli bëhet idealist për
atdheun e vet.” (Xhelal Staravecka “Përpara gjyqit të historisë, kujtime historike 1912-1966”, “Naimi”, Tiranë, 2012, f.239-242).
Komunkata e “Zëri i Popullit” për atë luftim.
Shumë më afër të vërtetës së kësaj lufte është komunikata e gazetës “Zëri i Popullit”, nr.18, e muajit Maj 1943, në të cilën thuhet:
“Komunikatë e jashtëzakonshme. ……Ditën e 1 prillit, në orën 12 e 30 të mesditës, forcat sulmuese të armikut u pritën me pushkë, u kundërsulmuan dhe u rrethuan në fushë të Selenicës prej çetave partizane të Vlorës dhe Mallakastrës… Lufta vazhdoi për katër orë e gjysëm dhe përfundoi me shpartallimin e plotë të forcave të armikut. Ranë në duart e çetave partizane 64 robër nga të cilët 9 ushtarë italianë, të cilëve mbasi i u mbajt në gjuhën e tyre një fjalim dhe pasi shprehën se lufta që ata bëjnë është një luftë e imponuar nga forca brutale e fashizmit dhe krejt kundër vullnetit të tyre, u lanë të lirë. U lanë gjithashtu të lirë katër karabinierë italianë të plagosur rëndë pasi u mjekuan nga çetat tona. Çetat partizane të Vlorës e të Mallakastrës kanë në duart e tyre si rob lufte: një nënkolonel Italian të karabinierisë, një kapiten Italian të karabinierisë, një toger shqiptar të karabinierisë dhe 48 karabinierë italianë. U zu shumë material lufte, pushkë, mitraloza të lehtë e të rëndë, bomba dore, municion i ndryshëm, veshmbathje dhe ushqime. (Vazhdon numërimi i tyreD.G). Pati më shumë se 41 karabinierë të vrarë, një pjesë e të cilëve, duke dashur të shpëtojnë, në ikje e sipër u mbyt në lumin Vjosë. Vetëm një luftëtar nga të çetës partizane të Vlorës mbeti i rënë në fushën e betejës.
Asnjë humbje ose plagosje tjetër. Populli u tregua mjaft i inkurajuar. Ai shfaqi besimin e vet të sigurtë ndaj fitores që po i sjell lufta e çetave të tij. Çetat kanë marrë gjithë masat kundër çdo lloj reaksioni eventual që mund të tentoi armiku. I kanë dërguar gjithashtu ultimatum armikut se në rast se ky do të kryejë reprezalie në popullatën civile, ata do të kundërveprojnë duke pushatuar 20
prej ushtarëve italianë robër në duart e tyre, për çdo shqiptar të masakruar. Vdekje Fashizmit, Liri Popullit”. (Marrë prej: “Zëri i Popullit dhe buletinet e tij”, Tiranë, 1986, v.1, f.415-416).
Dëshmia e Kuesturës së Vlorës – rrëzon deklaratat e ballistave.
Nuk thonë më kotë se të vërtetën e zbulon koha. Para disa muajve m’u desh të punoja për një studim timin në Arkivin Qëndror të Shetit. Gjatë kohës që po punoja me dokumentat e policisë e karabinierisë së vitit 1942, rastësishtë gjeta në Dosjen nr.2 të kataloguar të nënzërit: “Neki Hoxha Ymeri – bandat e armatosura”, dy dokumenta që bëjnë fjalë për Luftën e Selenicës të 1 prillit 1943, dy telegrame, të cilët mund të jenë vendosur gabimisht në fondin e vitit 1942. Ata telegrame janë raporte të Kuestorit të Vlorës drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Fashiste, Tiranë, në gjuhën italiane, të nënshkruar nga Kuestori Çela:
TELEGRAM N. 02954 2/4/1943 XXI0. N.0362. “Dje pasdite grupi i parë i kompanisë karabiniere i është drejtuar Selenicës për të rrethuar atë lokalitet. Pak para se të mbrinte u sulmua dhe u shpërbë nga banditët rebelë. Disa të plagosur që mbritën në Vlorë tregojnë për humbje të mëdha në radhët e ushtarakëve të Armës. Me sa duket është zënë rob Nënkolonel Rici, Komandanti i Grupit të Vlorës si dhe një kapiten e një toger, rreth të cilëve nuk kemi as edhe një lloj lajmi préçiz. Na është sinjalizuar që banditët kanë pasur mbështetjen e popullatës së Selenicës. Sot kemi dërguar trupa në vendngjarje. Do t’iu vëmë në dijeni porsa të marrim njoftime të reja më preçize. Kuestori Çela”
“Rajoni Kuestura e Vlorës: 4 prill 1943. Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë Tiranë. N.0362 Telegrami që po dërgojmë është në vijim të telegramit të mëparshëm me nr.362, me të cilin informojmë se reparti i karabinierëve që shkoi në Selenicë, ndeshjen e parë e pati në Pankovë, ku mbetën të vrarë 5 banorë dhe një komunist nga Armeni. Akoma i paidentifikuar. Bandat komuniste të kryesuara nga Neki Ymeri nga Gjormi, Qazim Çakërri nga Tragjasi, Hysni Kapo nga
Tërbaçi dhe Mehmet Shehu nga Çorushi i Mallakastrës, që ndodheshin në Selenicë për t’u hakmarrë për të vrarët në Penkovë lejuan që karabinierët të hynin në Selenicë rreth orës 17.00 dhe
i sulmuan me pushkë, mitraloza, mortaja dhe me bomba dore. Mbetën të zënë robër Nënkolonel Rici, një kapiten Italian i karabinierisë si dhe një toger i karabinierëve shqiptarë. Rezulton që 12 karabinierë që tentuan të kalonin lumin e Vjosës, për të kaluar në zonën e Mallakastrës, u mbytën në lumin Vjosë. 44 karabinierë me në krye një toger u kthyen në bazë. Karabinierët e zënë rob janë
drejtuar drejt zonës së Sevasterit, ndërsa Nënkoloneli dhe kapiteni janë çuar në drejtim të fshatit Drizar të Mallakastrës. Të vdekurit gjatë konfliktit nuk është përcaktuar akoma. Për të liruar robërit
kemi nisur trupa dhe shpresojmë që t’i rimarim si dhe që trupat të mos kryejnë aksione reprezaliesh kundër popullsisë civile, gjë kjo që na është këshilluar nga Komisariati Civil Lokal. Kuestori Çela”
(AQSH, Drejtoria e Policisë, F.153, 1942, D.245, Fl.3).
Bazuar në këto çka trajtuam deri tashti për Luftën e Selenicës, besojmë se z. Uran Butka do të kthjellohet e do t’i kërkoi lexuesit ndjesë. Njëkohësishtë del e nevojshme të bëhet edhe një sqarim, bazuar në materialet që flasin për këtë luftë, zhvilluar në 1 prill 1943, në Selenicë të Vlorës.
Në këtë luftë rezulton se sasia e forcave armike nuk ka qenë as 500-600 vetë sa thotë Faik Quku e Xhelal Staravecka, as 215 sa thuhet në Historinë e LANÇ-it, as 242 sa thotë Uran Butka, as 2500 sa na thotë Hasan Dosti, as 133 sa na thotë Isuf Luzi, por ishin vetëm161 oficerë, nënoficerë, karabinierë dhe ushtarë, prej të cilëve: 44 mundën të shkëpëtonin nga luftimi dhe u kthyen në Vlorë, 41 u vranë gjatë betejës, 12 u mbytën në lumë, 13 prej robërve u liruar (9 ushtarë dhe 4 karabinierë të plagosur) dhe 51 u pushkatuan (ku bëjnë pjesë edhe tre oficerat).
Odisea e pushkatimit të robërve italianë.
Sikundër është cekur edhe më lartë, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu me karabinierët robër u përpoqën të bënin shkëmbim robërish. Nga ana tjetër, edhe italianët bënë presion që të liroheshin të gjithë robërit karabinierë pa kushte. Këto na i vërtetojnë letrat që shkëmbehen midis Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut. Ja çfarë i shkruan Hysniu Mehmetit pesë ditë pas asaj lufte:
“I dashur Vjosa, Puna këtej shkon shumë mirë. Deri dje, më datën 4/4/43 populli ka qenë i mobilizuar. Italianët, 400 ushtarë ardhën në Selnicë e Roms, dogjën shtëpi e dje u kthyen në Vlorë. Qeveria e filloi prap punën me komisione. Shkova në Sevaster, mbasi u dhashë një dajak të mirë u kthyen në Vlorë pa bërë gjë dhe
dërguam lajm se nëse do qeveria të merremi vesh, pasi të largoi ushtrinë pastaj merremi vesh për oficerat. Koloneli është njeri me rëndësi të madhe sa që u ka ngelë goja gjithë italianëve: “Duam
kolonelin, pa kërkoni ç’të doni.” Në Vlorë, për këtë arsye kanë bërë disa arrestime por nuk kanë bërë dëme të tjera. E bëjnë vetëm për frikësime. Gjëndja paraqitet e mirë. Parashikohet të mos ketë
reaksion tash për tash. Po të jesh i lirë hajde këtej ca ditë se mund të jetë e nevojshme të konsultohemi. Të plagosuit i shpura vetë me maqinë në Tërbaç., natën, dhe atje u takova me Man Filipin dhe puna me të shkon mirë….. 6.4.43, V.F.L.P. Besniku”. (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.22).
Italianët, pasi nuk i frikësuan dot forcat partizane me inkursionet, të cilat tregohen te letra e mësipërme e Hysni Kapos, kanë pranuar që të hyjnë në bisedime. Dhe këtë na e vërteton letra tjetër e Hysniut dërguar M. Shehut, në dy letrat e mëposhtme:
“I dashur Vjosa. Kërkesat u bënë siç e parashikoje tinë në letrën e mëparshme. Kështu që nuk ka si të ndryshohen kërkesat. Do kish qenë me të vërtetë madhështore një kërkesë siç më lajmëroje tinë, por tashti më duket jo e logjikshme që ta ndryshojmë, mbasi tregohemi se nuk kemi menduar siç duhet. Sidoqoftë të na pranohen këto është një fitore, por më duket si zor. Tash që jam duke shkruar, marr vesh se në Vlorë janë pushkatuar 6 veta: Brahim Shyto me djalë (2), Brahim Bino me të vëllanë, Kristaq Gjili. Gjendia në qytet dita ditës vete duke u keqësuar. Ky lajm për pushkatim nuk është nga burimet tona… Përgjigjen nga fashizmi e presim më datë 15, ora 3 mbasdite, prandaj besoj se operacioni do fillohet më vonë. Bëj si ta mendosh, sipas gjendjes. Unë nuk mund të largohem nga zonat ku mund të rezistojmë. Municioni më mungon. Gjirokastra u lajmërua. Kemi për shërbim të shpejtë një motoçikletë që e kanë kap partizanët. E punon Gjon Vranishti. Shokët e plagosur janë mirë. V.F.L.P., 11.4.43. Besniku”. (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.24).
Vijon letërlëmbimi midis Hysni kapos e mehmet Shehut: “I dashur Vjosa. Nuk di nëse u kthye përgjigje nga qeveria për kërkesat që bëmë. Njoftona mundësishtë sa më parë përgjigjen e qeverisë simbas kërkesës së dytë. V.F.L.P., 20.4.43. Besniku”. (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.29).
“I dashur Vjosa. Puna është siç të shkrova në letrën që të dërgova me anën e Mavrovës. Nga qeveria italiane për oficerat muarmë përgjigje ku më thanë se pranojnë të lirojnë 16 veta, duke u paraqitur neve listën prej 30 shokësh dhe ata të zgjedhin 16. Këtë neve nuk e hamë. Po u dërgoj prapë që duhet të pranojnë që 16 personat të zgjidhen prej nesh ose s’bëhet ndryshe. Sot po u
kthehet përgjigja. V.F.L.P. Besniku, 4/5/43”. (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive VlorëGjirokastër”, D.12, 1943, Fl.46).
Sikundër na tregon edhe Xhelal Staravecka, italianët i mbanin varur përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares, derisa të përgatisnin operacionin kundër Mallakastrës. Dhe kjo periudhë ka zgjatur mbi një muaj, gjë që i hedh poshtë pretendimet e “historianëve” të Ballit se gjoja karabinierët robër dhe tre oficerat e tyre janë pushkatuar të nesërmen e asaj lufte. Njëkohësishtë hidhet poshtë edhe shpifja tjetër se gjoja një nga oficerat karabinierë italianë kish qenë shok klase me Mehmet Shehun, dhe se është ky që e ka vrarë me dorën e tij. Në këtë sajesë bie viktimë edhe djali i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu, i cili në librin e tij “Vjeshta e ankthit”,(albin, 1994), ne faqet 112-118, bashkohet me atë çfarë shkruajnë Drejtuesit e Ballit Kombëtar, se gjoja, Mehmet Shehu e vrau shokun e klasës ngaqë “qe betuar për yllin e kuq”, e paska pushkatuar vetë kapitenin e karbinierisë italiane, të cilin e ka pasur shok shkolle në Napoli!
Mirëpo, gjithçka që tregon Bashkim Shehu në këtë esse të tij, lidhur me trajtimin e tre oficerave robër të karabinierisë italiane nuk përkon aspak me realitetin.
Së pari, nuk kërkohej shkëmbimi i 11 partizanëve robër me tre oficerat italianë, por, sikundër dëshmojnë arkivat, kërkohej lirimi i 16 aktivistëve të LANÇ-it të burgosur me tre oficerat robër.
Së dyti, ata oficerë nuk ishin dezertorë, ndryshe nuk do kërkohej
shkëmbimi, por ishin robër; nuk ishin oficerë robër të ushtrisë italiane, por oficera të karabinierisë, formacionet më kriminele e më gjakatare që kish Italia Fashiste.
Së treti, Mehmet Shehu nuk ka qenë në shkollën e Karabinierisë Italiane, por në atë të Ushtrisë, gjë që s’kish se si të kish shok klase një oficer italian karabinier.
Së katërti, oficerat italianë robër nuk mbaheshin në Mallakastër,
por në Skrapar, në fshatin Omzezë, nën ruajtjen e çetës me komisar Ramiz Aranitasin.
Së pesti, pushkatimi i këtyre oficerave nuk është bërë pas dy ditësh, sikundër shkruajnë komandantët ballistë dhe avukati i tyre Uran Butka, por pas një muaji e gjysëm e më shumë, pasi kishin pritur
që italianët të pranonin shkëmbimin e propozuar nga Mehmet Shehu e Hysni Kapo.
Së gjashti, pse Mehmetit i është dashur të qëndroi gjashtë muaj në shtëpinë e kapitenit Italian në Napoli, kur ai “më 1935 shkoi me bursë në Itali për studime në Kolegjin e Napolit.”? (shih Kalendari ushtarak”, 1950, f.12), dhe nuk ishte student i jashtëm.
Së shtati, pse Mehmet Shehu duhej ta trajtonte si shok klase kapitenin e karabinierisë italiane (edhe sikur ta kishte) atë që kish vrarë me qindra shqiptarë e djegur po me qindra shtëpi në fshatra, ndërsa italiani nuk duhej ta kish parasysh këtë fakt?! Kjo do të thotë që ne shqiptarët, meqenëse një të huaji i kemi qenë dikur mysafir në shtëpi, duhet ta lejojmë atë mikpritës të dikurshëm të vijë e të na vrasë nënën, babanë, vëllanë, motrën, djalin e vajzën dhe të na djegë edhe fshatin e qytetin ku banojmë?! Ç’është kjo logjikë mjerane?!
Dhe së fundi, (sikundër e tregon gazeta “Zëri i Popullit” e asaj periudhe), karabinierët robër nuk u pushkatuan të nesërmen e asaj
lufte, por qenë mbajtur peng për një periudhë mbi një muaj për shkëmbim robërish: “I kanë dërguar gjithashtu ultimatum armikut se në rast se ky do të kryejë reprezalie në popullatën civile, ata do të kundërveprojnë duke pushkatuar 20 prej ushtarëve italianë robër në duart e tyre, për çdo shqiptar të masakruar”.
Kush e pushkatoi “shokun e klasës” të Mehmet Shehut?
Por e vërteta e pushkatimit të atyre oficerave është krejt ndryshe. Këtë është mirë ta mësoi edhe i biri i Mehmet Shehut, Bashkimi. Duke shkruar këto radhë, nuk e kuptoj pse m’u kujtuan vargje 276-277 e 281-282 te Kënga e Dytë, te “Odisea” e Homerit:
“Se janë të pakët fëmijët, që u ngjasojnë prindërve. / Më të shumtët më keq, më të mirët më pak… ..Prandaj mos përfill ç’thonë
pretenduesit e pa mend, / se u mungon gjykimi, të drejtën nuk e dinë”.
Ata oficerë karabinierë nuk i ka pushkatuar babi i tij, por çeta e Skraparit me komisar Ramiz Aranitasin. Dhe këtë na e sqaron letra e vetë Ramiz Aranitasit dërguar Mehmet Shehut dhe Qazim Çakërrit:
“Të dashur shokë Vjosa dhe Difi! …. Sot u mbush afati i kolonelit. Simbas vendimit që kemi marrë, këta shokë, në qoftë se nuk u ka ardhur përgjigja, shkruani një letër që t’i pushkatojmë.
Spiuni i kapur deklaroi se ka qenë i futur nga Ali Këlcyra me ndërmjetësinë e Dervish Merkos dhe Kiço Brezhdanit që të merrte vesh ku kishte komunistë që donin luftë kundra fashizmit, dhe ku
kish fashistë, domethënë nga ata që donin paqe me Italinë, pse, me fjalë të tjera, i kunguar se fashizmi është shumë i fortë dhe se pa atë nuk rrojmë dotë. Këta bandillë, së bashku me kriminelin e Fratarit dhe italianin që kemi në çetë do t’i pushkatojmë…..Populli do luftë këtej. Edhe ana e përtejme është penduar pse s’i pritën me luftë fashistat. V.F.L.P., 21.4.43. Ramiz Aranitasi. Omzezë, Skrapar.” (AQFA, Fondi “Zona e Parë Opertive Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.30).
Fallsifikimi i historisë është fatkeqësi kombëtare. Jo më kot shkrimtari spanjoll Servantes ka thënë se, historianët e rremë duhen ndëshkuar njësoj si fallsifikatorët e monedhave.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk