Shkruan: Dilaver Goxhaj
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Qysh e mori historia,
luft’ e Italisë së Parë,
u fitia Shqipëria, por
hëngri shumë shqipëtarë.
Vjershëria popullore shqiptare, thotë Ismail Kadare, u rrit gjer në përmasat e një universi, me një zotësi të saj vetjake të habitshme, që ka qenë njëkohësisht epos dhe kronikë e përditshme, shtyp dhe universitet, kalendar dhe pedagogji. Edhe në rastin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 i gjejmë të gjitha këtë aftësi të saj në përsosmëri. Arti poetik popullor edhe për këtë faqe të histories sonë është renditur si plotësues apo korrigjues i saj, krahas artit të kultivuar dhe historisë së shkruar.
Lufta e Vlorës filloi më 5 Qershor 1920 dhe më 3 Shtator 1920 u festua me madhështi fitorja, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorë.
Dimë që Luftrat Ballkanike 1912-1913 i thelluan shumë kontraditat midis shteteve të Ballkanit ashtu edhe midis Fuqive të Mëdha. E gjithë Shqipëria në këtë periudhë vuante ngaqë mungonte bashkimi: Shkodra qe më vehte; në Durrës sundonte Esat Toptani si vegël e bindur e shovinistëve të huaj; Vlora u pushtua nga Italia më 25 Dhjetor 1914; viset e Shqipërisë Veriore u pushtuan nga Serbia; Greqia mbante pushtuar viset e Shqipërisë së Jugut.
Duke shfrytëzuar këto rrethana, më 26 prill 1915 hartohet në fshehtësi Traktati Famëkeq i Londrës, një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden, sipas të cilit Shqipëria ndahej midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë.
Italia “mike”
bëri dhelpërinë:
“Të mos ipet Vlora
me Sazan nisinë,
tjetrën le ta marrë
Serbi me Greqinë”.
Italia, duke qenë se fuqitë e Antantës i pranuan kërkesat e saj për pushtime sipas atij Traktati, shpejtoi dhe në maj 1915 zbarkoi në Sazan e Vlorë, duke pas edhe pëlqimin e Anglisë dhe të Francës, dhe pas zbarkimit të forcave të shumta në Nëtor 1915, sundimin e Vlorës e mori komanda ushtarake, me komandant të përgjithshëm gjenerali Settimo Piançentini, i cili mbante titullin Komandant I Përgjithshëm I Forcave Italiane në Ballkan.
“Ky Adriatiku ndjerë,
Pse s’bën valë këtë herë,
Valë, dallgë dhe furtunë?”
“Sepse Vlorën na e zunë,
Topat në Sazan i prunë,
Kundrejt Kaninës i vunë”.
Mirëpo, në 1915 Austro-Hungaria e rimori veten dhe në fund të po atij viti ushtritë gjermane, austriake e bullgare pushtuan Shqipërinë e Veriut dhe arritën deri në Vjosë, duke e thyer Frontin Serb.
O moj Shqipëri e bardhë,
Gjith’ bota ta kanë sevdanë!
Në fund të 1916-s Italia pushtoi edhe Himarën; forcat franceze vinë në Korçë dhe më 16 dhjetor 1916 shpallën Republikën e Korçës; më 23 janar 1917 u shpall autonomia e Shqipërisë nga austriakët në Shkodër; më 3 qershor 1917 shpallet nga italianët në Gjirokastër “Shqipëria e pavarur” nën protektoratin e Italisë.
Më 9 dhjetor 1919 me anë të memorandumit, Fuqitë e Mëdha i japin Italisë si pjesë të vetën Vlorën bashkë me krahinat e saj, të cilën e përjetësoi në vargje edhe Ali Asllani:
Konferenca në Paris
i dha shkelmin Shqipëris’,
sa për Vlor’ e interlandë
–Jo se është propagandë, –
Po për fat të keqin tënë
Italisë ja kanë dhënë!
duke marrë më herët edhe pëlqimin e Qeverisë së Durrësit me në krye Esat Pashën, sipas traktatit të 20 gushtit 1919; prandaj dhe populli thotë për Esat pashën:
Mos ja zini emrin në gojë,
se dhe emri të kafshon,
të shajton e të helmon!
Të gjitha këto e trimëruan Italinë dhe, në prag të 28 Nëntorit 1919, komanda italiane urdhëron që të mos festohej më Dita e Flamurit Shqiptar se, sipas saj, Vlora nuk i përkiste më Shqipërisë. Ky urdhër shpërtheu demonstratën e popullit të Vlorës. Flamuri mbahej prej dy djemve vlonjatë Rexhep Arapi e Faik Xhaferi dhe prej dy djemve nga Kumanova Jonus e Mursel Kumanova që kishin ardhur qysh në vitin 1913. Pranë flamurit Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Abas Mezini etj. Fjalimin e mbajti Jani Minga, të cilin italianët e arrestuan dhe e internuan në Sazan:
Për ditëm Njëzetetetë
Të Nëntorit Nëntëmbëdhjetë
Vlonjatët gjetnë bashkimnë,
Te Sheshi Flamutit zbritnë
Dhe të gjithë thërrisnë:
“Dil e fol o Jani Mingë,
Siç flisje kur ishe djalë,
Folë, o Jani Minga, folë,
Fol’ t’u lumtë ajo gojë.
Edhe Jan Minga ka folë:
“Që kur ndritën diell e hënë,
Neve jemi në vend tënë.”
Dhe menjëherë gjëmoi kënga me tekst të Lasgush Poradecit, sado që ishin të bindur se shkonin drejt një masakre:
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora!
Buçet kënga për liri,
Ja do mbetet Vlora jona,
Ja do bëhet gurë e hi!
Si rrjedhojë, në dhjetor 1919 krijohet Komiteti i Fshehtë, që më vonë u quajt Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me qendër në Tiranë dhe, në prill 1920 ky Komitet vjen në Vlorë, ku u organizua mbledhja me përfaqësuesit e borgjezisë së qytetit e të fshatrave dhe u zgjodh Këshilli i Mbrojtjes Kombtare prej 32 veta, si dhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i përbërë prej 12 anëtarë, por shkurtimisht quhej gjithnjë Komisioni. Kryetar I Komisionit u zgjodh Osman Haxhiu:
Rrofsh!, more Osman Haxhi,
të qenë dy a tri si ti,
do të bëhej Shqipëri!
Anëtarë të Komisionit u zgjodhën Duro Shashka, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo, Ahmet Agalliu, Hamit selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzaraj, Murat Tërbaçi dhe Sali Bedini. Komandant I Përgjithshëm Ahmet Lepenixca, Komisar i Përgjithshëm I Policisë së Luftës Shero Emini.
Më 14 janar 1920 Anglia, Franca dhe Italia bien në ujdi për t’i dhënë Serbisë Luginën e Drinit, Shkodrën dhe Shëngjinin; Greqisë Korçën e Gjirokastrën; duke u vënë kështu në jetë Traktati i Fshehtë i Londrës. Italia dhe Greqia kishin bërë edhe një marrëveshje tjetër të fshehtë, e cila u quajt marrëveshja Tittoni-Venizelloss. Sipas kësaj marrëveshjeje Greqia duhej të merrte Bregun e detit (Himarën), të dy kurveleshet dhe, duke lënë Tepelenën në duar të Italisë, arrinte tek Ura e Dragotit në Vjosë dhe vazhdonte më tej bregun jugor të Vjosës gjer në Përmet e më tutje, prandaj dhe u tërhoq Italia nga Gjirokastra pa asnjë kundërshtim. Kjo marrëveshje Greqi-Itali iu duk Vlorës si një dënim i dytë edhe më i keq nga ai i Traktatit të fshehtë të Londrës.
Italia me Greqinë,
Si rruspia me rruspinë,
Në një marrëveshje vinë,
Të fshehtë e bënë tertipnë,
Që të ndajnë Shqipërinë,
“Këtë unë e këtë tinë”!
Këto vendime të Konferencës së Paqes në Paris, për të cilën Ali Asllani shkruante:
Konferenca në Paris,
i dha shkelmin Shqipëris’,
sa për Vlor’ e interlandë
—jo se është propagandë—
Po për fat të keqin tënë
Italisë ia kanë dhënë!
Organizatorët e demonstratës së 28 Nëntorit, duke shpërndarë gojë më gojë këtë poezi në qytet dhe nëpër fshatra, erdhi momenti dhe një lajm shpresdhënës, që u prit prej të gjithëve me kënaqësi të jashtëzakonshme, por u mbajt I fshehtë midis pak vetave: prej nacionalistëve të gjithë Shqipërisë ishte vendosur të bëhej një mbledhje e fshehtë në Lushnjë më 21 Janar 1920, nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit, e cila do të vendoste masat që duhej të merreshin për të shpëtuar kombin nga coptimi. Në shkrt lajmi mori dhenë e cila kaloi gojë më gojë në të gjithë shtresën patriotike të popullit shqiptar, duke nxitur mbledhjen e Kongresit të Lushnjës më 21 Janar 1920:
I pari Kongres që u bë,
në qytet të Lushnjës-ë.
Andej dolli qeveria.
-Çfarë vendime muarn-ë,
për qeverinë e Durrsit-ë?
-Të luftohet tradhëtia!
Poshtë, poshtë Italija!
Kongresi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit dhe emëroi delegacionin e saj për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila qe hapur më 18 janar 1919, ku kishte shkuar edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit bashkë me Esat Toptanin në pritje të kthimit të tij në Shqipëri me ndihmën e Beogratit për të marrë pushtetin duke rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi Lushnjës, se vetëm me ndihmën e Esatit Beogradi mund të merrte territore shqiptare. Për këtë qëllim Beogradi ishte kundër depërtimit të Italisë në Ballkan. Madje, Mufit bej Libohova në atë pranverë botoi një broshurë në frëngjisht kundër Kongresit të Lushnjës për t’u tallur me vendimet e tij.
Më 11 shkurt 1920 qeveria kombëtare u vendos në Tiranë.
Në mars 1920 bashkohet me qeverinë e Tiranës Shkodra; në prill Gjirokastra; në fund të majit 1920 u bashkua edhe Korça. Ndërkohë Italia mbante të pushtuar Vlorën, Tepelenën dhe Sarandën. Forcat serbe e malazeze pushtuan Dibrën dhe Malësinë e Veriut. Greqia mbante të pushtuar 26 fshatra shqiptare të Shqipërisë së Jugut sipas marrëveshjes së Kapshticës.
Gjendja keqësohet edhe më shumë pasi, Esat Pasha që nga Parisi, në bashkëpunim me shovinistët serbo-malazezë e grekë, vë në lëvizje njerëzit e tij, esadistët, duke krijuar banda të armatosura në Dibër, Tiranë e deri në Rrogozhinë për rrëzimin e qeverisë së Tiranës.
Shqipëria ishte në prag të luftës civile. Atëhere ministri pa portofol, patrioti revolucionar Bajram Curri, kryen edhe një herë detyrën e lartë ndaj atdheut, kryeson forcat qeveritare, shpartallon kryengrytësit esadistë dhe i siguron qeverisë qetësinë për të vazhduar veprën e bashkimit.
Shokë, rroftë Bajram Curi,
Që për Shqipërinë nguli.
Ahmet Zog, o faqe zi,
Vdiq Esati, u ngjalle ti.
Qeveria e Tiranë e kryesuar nga Sulejman Delvina ngulte këmbë që çlirimi i pjesëve të pushtuara të arrihej në rrugë diplomatike, ngaqë kishte anëtarë të qeverisë që besonin se Shqipëria nuk do të ishte në gjendje që t’i bënte ballë një lufte me Italinë, prandaj dhe nuk u solidarizua haptazi me Komitetin e Luftës së Vlorës, me qëllim që të kish mundësi të shfrytëzohej rruga diplomatike.
Kryeministri Sulejman Delvina, fshehurazi nga Ahmet Zogu (Ministër i Brendshëm) merret vesh me përfaqësuesit e Vlorës lidhur me përgatitjet e luftës, duke i mbajtur këto lidhje të fshehta gjatë gjithë Lufës së Vlorës.
Pasi mbaroi Lufta e Parë Botërore, pasi qenë mësuar 14 pikat e Uillsonit gjendja në Vlorë dhe krahinat e saj ishte e tillë: popullsia qe ndarë në dy parti. Për çudi, vijon ai, I takoi që edhe topografikisht në dy zona të përkufizuara mirë. Antiitalianët ishte e gjithë fshatarësia e Vlorës dhe një pjesë e vegjëlisë së qytetit dhe një pjesë e parësisë së qytetit si Kokoshajt, Sharrajt, Mezinajt, Koculi etj., të cilët nuk e duronin dot Vlorën të pushtuar. Proitalianët mbështeteshin në shumicën e Kaninës dhe të bejlerëve të Risilisë, prandaj klasa e çifligarëve u bashkua me Italinë:
Bejlerët nga Risilia
Thonë: rroftë Italia!
Të na rrojë edhe ca kohë,
se na hanë oriz fëmija.
Kaninjotë, jazëk u qoftë,
Mahmut Efendiu ç’thotë?
Me bujqit po bën dava,
“Populli të drejtë s’ka!
Për ne Italia rroftë,
Me makarona na mba!
Më 18 maj 1920 ushtria italiane shpall shtetrrethimin.
Më 20 maj 1920 u organizua mbledhja e gjithë pleqësisë e parësisë së gjashtëdhjetë e dy fshatrave të Prefekturës së Vlorës në mal të Tragjasit, te burimi, në sheshe të Barçellasë. Në këtë mbledhje shihej qartë struktura mijëvjeçare e kuvendeve shoqërore e Labërisë, e ngritur mbi zotësinë, trimërinë, mënçurinë e veçanërisht mbi barazinë. Në rrethet familjare labi është shumë patriarkal, aristokrat dhe diktator, por në mbledhje jashtë familjes për punë të përgjithshme gjithsekund është zot i lirë e i pavarur, qoftë edhe më i varfëri i fshatit dhe s’ja lëshon shtegun, veçse atij që e meriton me cilësitë e tij. “Ajo mbledhje qe një shembull pjekurie e dinjiteti dhe gjithsecili tregoi se ishte mësuar me rregullat e një kuvendi, fliste me ngadalë dhe shkoqur, paanësisht, me gja të ftohtë, pa e ngritur zërin më tepër se ç’duhet për t’u dëgjuar prej të gjithëve dhe pa fyer e përbuzur njeri.”, shkruan pjesmarrësi në atë kuvend, Ago Agaj. Në këtë mbledhje u vendos: “Kundërshtim armikut dhe me armë dhe gjer në shuarje e shfarrosje të njërës palë, në qoftë se nuk do të lironte vetë e me të mirë vendin e zaptuar pa asnjë të drejtë… Tiranës do t’i kërkojmë ndihmë e, në na dhëntë, pastë faqen e bardhë, e në mos: dy duar janë për një kokë dhe si ta ketë thënë Perëndia. Luftë domosdo, në qoftë se vendi nuk lirohet nga I huaji vullnetarisht”.
Kush është burrë shesh për shesh,
Kush të vritet le të vdes,
Kush të rroj’, me nder të jesë,
Vatanin do ta qerdhesë.
U muar gjithashtu vendim që të lihen mënjanë grindjet e mëparshme e të pajtohen gjaqet si dhe të njoftohej popullsia se, në rast se Italia nuk do të pranonte të largohet tërësisht nga Vlora, do t’i shpallej luftë.
Njëkohësishtë u dërguan delegatë në Berat, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës e gjetkë ku u krijuan komisione të posaçme, që do të kujdeseshin për ndihmën kur të shpërthente lufta. Në Barçella u bisedua çështja e organizimit të formacioneve luftarake, çështja e armatosjes, si dhe u caktuan anëtarët e Komitetit që do të përgatisnin planin e kryengritjes.
Më 24 maj 1920 u përzunë italianët nga Kurveleshi.
Më 29 maj 1920 u mblodhën në mal të Beunit, në mal të Smokthinës te Rrapi i Gurrave, mijëra luftëtarët vullnetarë për të marrë pjesë në mbledhjen pranë Komitetit, nga zonat e pushtuara ku ishin formuar çetat vullnetare: vlonjatë, tepelenas, kurveleshas, Lumi Vlorës, mallakastriotë, toskëri dhe himariotë:
“Po pleqtë e Bregut ç’thonë?”
“Është e mira që të shkojmë,
Vëllezërit t’i ndihmojmë,
Ta dëgjojmë shoqi-shoqnë”.
Vendimi më me rëndësi i kësaj mbledhjeje ishte: shpallja e luftës kundër pushtuesve italianë:
“Në Beun seç u mblodhë
Dymbëdhjetë komisionë.
Edhe mbledhjen e filluan,
Muarn letrën dhe po shkruajn,
E shkruajnë për Piaçentinë,
Të lërë Vlorën të lirë”.
Njëkohësisht u bë i njohur Shtabi i drejtimit të Luftës, (Alem Mehmeti nga Tragjasi, Hamit Selmani nga Dukati, Murat Miftari nga Tërbaçi, Halim Xhelua, Beqir Veliu dhe Osman Haxhiu):
Barçellaja bëjnë terpinë,
Ç’i shënuan parësinë:
Alem aganë e Hamitnë,
Murat Miftar e Halimnë,
Beqir e Osman Haxhinë!
Forcat kryengritëse u ndanë në pesë çeta të mëdha (njësi sulmuese): çetat që do sulmonin garnizonin Italian të Kotës; ato në Drashovicë; ato në Gjorm; ato në Tepelenë e Matohasanaj dhe çetat që do të sulmonin në Llogara, si dhe u caktuan komandantët e njësive të çetave dhe më së fundi u bë betimi:
Ti Selam do shkosh në Vlorë
Komanndant mbi tre taborë!
Salami ia hipi kalit,
Se ç’mori buzën e malit,
Kundruall Pasha-Limanit,
Seç i foli gjeneralit:
“Dil steresë e jo limanit,
Të shohç të zot’t e vatanit!”
Më 3 qershor 1920, e premte, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dergon komandantit të forcave italianë në Shqipëri ,Setimio Piaçenttinit, një letër:
Njëzetën proto qershorë,
Një letër seç e dërgojnë,
Nga Beuni për në Vlorë.
Ajo letër ishte Ultimatum para se të fillonte lufta, i shkruar shqip dhe përkthyer në italisht:
Ultimatum i dërguan
Nga Beuni Piaçentinit,
Me kondita për një javë
Vlora të jetë e liruar.
Ultimatumi u dërgua me Mehmet Selimin nga Mallkeqi dhe Manxhar Selfo nga Shkoza:
Te porta në konsullatë,
Mehmet trimi dha një kartë.
Ultimatumi hidhte poshtë Traktatin e Londrës. Ndër të tjera në ultimatum thuhej: “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që, nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, por fuqia italiane, sado e madhe që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë e nderin e atdheut të tyre”.
Me anë të ultimatumit Komiteti kërkonte përgjigje deri në ora 19.00 të datës 4 qershor 1920.
Komandanti i forcave pushtuese italiane në Shqipëri, me shtabin e tij prej 12 gjeneralësh, nuk i dha rëndësi dhe as që begenisi t’i përgjigjej ultimatumit:
Ditën e shtunë më darkë,
Sa mbaroi ultimatumi,
Në një orë e më çdo anë,
Përnjëherë filloi sulmi.
Forcat italiane përbëheshin prej dy divizione këmbsorie: divizioni 13-të, nën komandën e gjeneralit Raimondo, dhe divizioni i 36-të nën komandën gjeneralit Pulieze. Përveç këtyre dy divizioneve kishte disa brigada autonome, reparte të logjistikës, reparte bersaliere malore, disa reparte autonome artilerie, xhenjoje, karabinierësh, autoblionda, tanke, një skuadrile aeroplanësh gjujëts-bombardues fronti dhe një skuadrile të forcave detare. Forca të tjera të mjaftueshme kishin zënë pozita gjatë rrugës Vlorë-Gjirokastër e Vlorë-Himarë, si dhe në Tepelenë, në Dukaj, në Kotë, në Gjorm, në Himarë, në Llogara, në Babicë, në Drashovicë, në Mavrovë, në Selenicë, në Sevaster etj.
Vullnetarët vlonjatë nuk e kalonin shifrën prej 4500 luftëtarë, (sipas dëshmisë së intelektualit pjesmarrës në atë luftë, Ago Agaj), ishin armatosur dikush me armë, dikush pa armë të sistemeve të ndryshme, dikush me fishekë në gjerdan ose në xhep, dikush pa fishekë, zhveshur e zbathur, pa xhenjo, pa artileri, pa spitale, pa kuadro ushtarake për luftë, guximin dhe zotësinë luftarake dhe asgjë tjetër. Vullnetarë të tjerë jo vlonjatë në sasi të konsiderueshme erdhën më vonë, e cila mendohet se arriti gjithsejt shifrën e gati 10 mijë kryengritës.
Logjistika e Luftës së Vlorës ishte fshatarësia e krahinave të saj, të cilën e krahason bukur shumë Ali Asllani me logjistikën e ushtrisë italiane:
Njëri ha, pi, vish e ngjish,
tjetri, dhe kur ka për të vdekur,
e fshin gjakun me këmishë.
Në Vlorë ndodhej një milici prej 1000 milicë shqiptarë të rekrutuar prej bejlerëve të Vlorës e të Risilisë, të cilëve u bëri thirrje Komiteti që t’i bashkoheshin kryengritjes, dhe ata iu bashkuan asaj.
Raportin e forcave midis dy ushtrive ndërluftuese poeti popullor e ka shprehur më mirë se çdo historian ushtarak:
Andej bomba e ballona,
Mitralozë edhe vaporë;
Këtej një flamur valon,
Udhëtonte për në Vlorë.
Andej dinamit e topa,
Një mijë gjyle në një orë,
Këtej një shpatë copa–copa
Dhe një kobure në dorë.
Plani ishte që fillimisht të goditeshin njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të ndërpriteshin menjeherë linjat telefonike mes garnizoneve dhe mes atyre dhe komandës në Vlorë.
Urdhëri për sulm u dha në 5 qershor 1920, dy orë pas perëndimit të diellit, e Shtunë duke u gdhirë e Dielë, ku menjeherë u prenë linjat e komunikimit të italianëve. Ushtria italiane nuk u befasua prej nisies së luftimieve dhe e priste sulmin me gishtin në këmbëz, se pas tri të shtënave të para nga ana e kryengritësve, nuk shkuan sekonda dhe hapën zjarr në të gjitha drejtimet nga u sulmuan, pa e kursyer aspak municionin.
Nëndëqint’ e njëzet viti,
Mu më pesë qershor,
Rrethi Vlorës krye ngriti,
Të drejtat e tij kërkon.
Kryengritja filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara, duke u goditur menjëherë Kota, Tepelena, Gorishti, Dukati, Drashovica, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj dhe Llogaraja.
Drashovica u muar pas dy orë luftime të ashpra, si dhe u çliruan Vajza, Mavrova, Dukati, Mazhari, Matohasanajt, u morën dhe postkomanda të tjera armike.
Shumë e ashpër u bë lufta për çlirimin e Kotës dhe Gjormit duke gdhirë 6 qershori 1920:
Telatë po venë e vinë,
Lidhet Kota me Kaninë,
Flet Goti me Piaçentinë:
-Qysh do bëjmë ne nashtinë,
Se shqiptarët errinë,
Gjorm zunë e poshtë po vinë,
Janë përmbi katër mijë,
Si breshër me kërcëllimë!
Në Kotë (e cila u konsiderua si çelësi i Vlorës), nën komandën e Gjeneralit Enriko Gotti, italianët kishin një regjiment këmbsorie, bateri malore me artileri, mitraliza të rëndë, transhe të rrethuara me tela me gjëmba. Ja si e pasqyron poeti popullor:
O djema, ç’qënkej kjo Kota!
Më e bukur nga Evropa!
Bytim mitralozë e topa.
U ndez vedi, gjëmon toka.
Dy orë para se të lindte Dielli, pa komandim e pa urdhër, filluan sulmin e fundit me sokëllimat e paprera “ha,ha,ha”, e nxjerrë me zënë më të fortë, një thirrje origjinale për sulm, që e përdornin për të ndezur qentë kundër ujqve, por një thirrje origjinale, që nuk përngjante as me “allah-allah” të ushtrisë turke, as me “urra e urra” të popujve të tjerë europianë. Pas 6 orë luftimesh u muar garnizoni i Kotës. Në sulmin mbi Kotë morrën pjesë çetat: Salarisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Plloçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës të shpërndarë nëpër këto çeta:
Ç’u zu dyfeku në Kotë,
top e mitraloz i fortë,
ç’u vranë ca djem të zotë!
Në momentin që ra dielli në Kotë, ajo u ishte kthyer të zotërve të saj mijëvjeçarë. Armikut në Kotë iu vranë shumë ushtarë përfshi edhe gjeneralin Enriko Gotti si dhe koloneli Kavallo, dhe iu zunë robër rreth 600 të tjerë. Robërit e luftës u çuan në Vajzë, në kufi me Tepelenën, 25 km larg Vlorës, kamp që e kishin ngritur vetë italianët për arsye shëndetësore:
“Mbi Kotë ia bënë: Hopa!
I prenë telat me kamë,
Gjeneralit iu pre koka,
Ushtarët iu zunë të gjallë.
As për të besuar ishte
që një popull për ibret,
dymijë robër t’ia zinte,
Italisë goxha dovlet”.
Në Kotë u vranë dhe një numur jo i vogël luftëtarësh, midis tyre komandanti çetës së Shkozës, luftëtari i vjetër, Kanan Mazia:
Ç’u vra Kanan Mazija,
nofulla në gjoks i ra,
dhe bëri sikur s’e pa,
me shokët bënte shaka,
për të mos mërzitur na.
Ndër të vrarët u nderua në mënyrë të veçantë edhe Zigur Lelua, për të cilin s’mbeti kryengritës pa vajtuar, i cili edhe e kishte paralajmëruar vdekjen e tij kur kishte parë shpatulën e mishit në Beun:
Ç’u vra Ziguri më portë,
U vra Zigur Lelua,
Që kur ra Beunit poshtë,
Vdekjen në shpatull e pa,
Burra djemt’ e smokthinjotë
Se ç’u bëtë lakëra.
Komisioni “Mbrojta Kombëtare” u vendos në një shtëpi të fshatit të vjetër Drashovicë lart në mal. Çetat e Tragjasit, Gjormit, Bolenës e të tjera sulmuan forcat italiane njëkohësisht në Gjorm:
Në atë Luftën e Madhe,
çet’ e Gjormit hane-hane,
bëri trimëri të madhe
Po ashtu edhe në Drashovicë, e cila ishte shmdërruar në garnizon ushtarak, të cilin e kishin ndërtuar italianët pranë lumit dhe pranë rrugës Vlorë-Gjirokastër, pranë urës së gurtë:
Atje te hani në grykë,
Te ura në Drashovicë,
Qëllon top’ i Italisë;
Ka nijet që ta vithisë
Komisjon’ e Shqipërisë.
Të keqen ia kanë marrë,
Se ka trima kordhëtarë.
Njëkohësishtë, paralel sulmit në Kotë, Gjorm e Drashovicë, filloi sulmi edhe në Llogara nga çetat e Tërbaçi, Radhimës, Lepenicës e tjerë.
O të zestë pleqtë tanë,
nëpër vapë e muar malë,
vanë e zunë Llogaranë,
u hodhë mbi italianë.
Tetëdhjet’ karabinierë,
poshtë tutje i krethtë.
Karabinierë e marshallë,
dyfekët sheshit i lanë!
Luftimet këtu zgjatën tri ditë dhe pas tri ditë luftimesh të ashpra ushtarët dhe oficerët italianë që kishin mbetur gjallë, u dorëzuan:
Piaçentini kur dëgjoi
mandatën e Llogarasë,
u mahnit e s’e besoi
që ta gjen koqja e belasë.
Qendra më e fuqishme në viset e pushtuara nga ushtria italiane, pas Vlorës ishte Tepelena, ku armiku kishte batalion këmbsorie, artileri, reparte karabiniere, mitraloza të rëndë dhe lloje të tjera armatimesh, ndërsa rreth Kalasë së Tepelenës armiku kishte hapur llogore dhe rrethuar me tela me gjemba. Në këto luftime muarën pjesë çetat e fshtarave të Tepelenës, të Skraparit me Riza Cerova në krye, e Këlcyrës me Ali Këlcyrën, dhe disa çeta të Kurveleshit: Golëm, Gusmar, Nivicë, Lekdush dhe disa progonatas nëpër to. Më 10 qershor, pas pesë ditë luftimesh të ashpra, komandanti i forcave italiane, major Kalçini me 6 oficerë e me një turmë të madhe ushtarësh, arritën të dalin nga rrethimi dhe u nisën për në Vlorë, por në fshatin Memaliaj u ndalën nga forcat që qenë lënë në rezervë dhe u kapën robër.
Historia flet më fortë
Ç’bënë dyfeqet me gjalmë,
Si në Tepelenë e Kotë,
Çobanët mbi gjeneralë.
Për t’i ardhur në ndihmë forcave në Tepelenë Vlora dërgoi dy batalione bersalierësh, por nuk mundën të arrinin.
Më 8 qershor 1920 kryengritësit iu afruan qytetit të Vlorës deri në Asna ku u ndez lufta. Po në këtë datë, në të zbardhur të ditës kryengritësit sulmuan në qafën e Babicës e në Kaninë. Lufta zgjati deri në mëngjes.
Më 9 qershor kryengritësit muarën edhe një sërë fshatrash të tjera.
Rezultatet e pesë ditëve të para të luftës qenë të shkëlqyeshme; përveç të vrarëve armikut iu zunë gjithsej 1200 robër si dhe shumë materiale luftarake.
Pesë sulmet e suksesshme: Kotë, Drashovicë, Llogara, Tepelenë e Gjorm siguruan përmbysjen e plotë të qëllimeve të armikut. Mbeteshin në duart e armikut vetëm Vlora dhe Kanina. Për hakmarrje Gjenerali Piaçentini urdhëron arrestimet në masë, çnderimin e femrave në Vlorë, djegien e shtëpive dhe të dyqaneve, arreston dhe i çon në Sazan 1400 shqiptarë si dhe i kërkon qeverisë së Romës forca të reja. Repartet ushtarake që qenë në Sarandë e në Gjirokastër i kishte përqëndruar në Vlorë.
Vlora dhe Kanina qenë fortifikuar si dhe rrethuar me tela me gjemba.
Çetat vullnetare shtrënguan rrethimin e Kaninës dhe të Vlorës. Çeta e Rëzës iu afrua kalasë së Kaninës; çeta e Smokthinës do të sulmonte përgjatë brigjeve të Qishëbardhës; çeta e Kudhësit do të merrte drejtimin e rrugës së vjetër; çetat e Kurveleshit dhe të Tepelenës shkuan nga Babica dhe këtu u ndanë në tre drejtime: Selam Musai me 57 tepelenas në një drejtim; Rakip Duka me çetën e Gusmarit, Golëmit, Lekdushit dhe pak progonatas në një drejtim tjetër; Riza Runa me çetën e Nivicës, Rexhinit, Libohovës e Nepravishtës në një drejtim tjetër, por me objektiv bashkëqëndror. Të 17 vullentarët Veliqotë u ndanë më tresh që të shërbenin edhe si kallauzë për çetat e Kurveleshit ngaqë e njihnin terrenin shumë mirë. Çeta e Mallakastrës së Sipërme do të zbriste në Risili. Çeta e Mallakastrës së Poshtme do të vinte nga Narta. Çeta e Mavrovës nga qafa e Fierit. Sektorin më të rëndësishëm, sekrorin e Babicës, e kishin çeta e Lopsit dhe ajo e Salarisë:
Luftë e madhe në Babicë
Me tela, me alitrikë,
Aty nata bëhej ditë,
I zutë topçijt’ në grykë.
Shumë çeta të tjera qëndruan në rezervë përreth Vlorës dhe Kaninës, ndërsa disa të tjera në Drashovicë.
Më 9 qershor, para se të fillonte sulmi, komanda e kryengritjes i dërgoi një thirrje tjetër komandës italianë, gjeneral Piaçentinit, duke i kërkuar të zbraste Vlorën, dhe përfundonte me fjalët: “Përndryshe përgjegjësia do të përfundoi mbi ju”. Por komanda italiane vijonte t’i nënvleftësonte kryengritësit, ngaqë qeveria e Romës u pat premtuar ndihma. Qëndrimin e qeverisë së Romës e inkurajonte edhe qëndrimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë duke i premtuar ndihma.
Më 10 qershor në mëngjes, bateritë e luftanijeve dhe një aeroplan goditën kodrat ku ishin kryengritësit dhe me forca këmbsorie armiku kaloi në sulm për të pushtuar kodrat, por pa sukses.
Më 11 qershor duke gdhirë 12 qershori Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare lëshoi urdhërin për sulm mbi Vlorë dhe Kaninë.
Nga qafa e Vlorës sulmuan çetat e Smokthinës, Gorishtit, Kudhësit:
Atë ditën e xhuma,
Në Qafë përmbi kala,
Smokthinë, Velçë e Vajza
Bëjnë hyxhim përmbi ta!
Gjysm’ e djemve na u vra!
Ndërsa nga kodrat e Babicës sulmuan çetat e Lopsit e të Salarisë me Selam Musanë e Dule Dalanin në krye.
Te spitali, më të dalë,
Ballë për ballë me xheneralë;
Flakën shoshoqit ia dhanë:
Një në zemër, një në ballë!
Selam Musa Salaria,
Po të qan gjithë Shqipëria!
Luftëtarët kaluan gardhin e telave me gjemba duke vënë mbi ta degë e guna dhe hynë në ullishtet përmbi spital. Nga lagjia e Topalltisë sulmuan çetat e fshtrave të Vlorës. Mbi Kaninë u hodhën çetat: e Rëzës, Tërbaçit, Bolenës, Kallaratit etj:
Bolenës hallall i qoftë,
E dha fjalën, më s’u nda,
Doli xhenerali, thotë:
“Nga m’u futën në kala?!”
Forcat italiane përveç zjarrit me artileri dhe gjithë llojet e tjera të armëve verbonte kryengritësit edhe me prozhektorë të fuqishëm. Brenda 30 minutave lufta u përhap gjithandej. Në mëngjesin e 12 qershorit kryengritësit arritën në shtëpitë e para të qytetit. Në këtë betejë dhanë jetën komandanti i çetës së Salarisë Selam Musai, i çetës së Dhëmblanit Dule Dalani etj.
Kush vete gjer në spitalë?
Dulja me Selam Musanë.
Met Selimi një trim djalë,
Merrte hakë për Selamnë.
Por u vra edhe komandanti i çetës së Gusmarit, Xhafer Meta, e shumë të tjerë.
Do këndoj një këngë trimi,
Xhafer leshëra bërshimi,
u fole djeme: Ku jini?
Ua bëre djeme me dorë,
bëni uxhum për në Vlorë,
përmbi tela të kaptojmë,
vdekjen të mos e mendojmë,
Shqipërinë ta çlirojmë!
Komanda italiane, kur e pa se të gjitha kundërsulmet e forcave të veta u thyen nga vullnetarët, atëhere i dergoi njoftim Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që të tërhiqte forcat, në të kundërt, do të therreshin të gjitë të internuarit në Sazan dhe Vlora si dhe do të bombardohej e do t’i vihej zjarri Vlorës. Komiteti urdhëroi tërheqjen e forcave nga qyteti në pritje të bisedimeve.
Këshish mileti s’kam parë,
S’ma peshojnë istikamnë,
Kot e Gjorm m’i kanë marrë
Dhe Dukat e Llogaranë.
Unë mbret, ai komit,
Në istikam u vërvit.
Komandanti i forcave të pushtimit në Shqipëri, Piaçentini, së bashku me gjeneralin Raimondo u thirrën me urgjencë në Romë dhe u kthyen në Vlorë më 15 qershor 1920 me forca të reja, me bindjen se do t’i mbysnin në gjak kryengritësit.
Më 13 qershor bie qeveria italiane e kryesuar nga Nitti, e diskredituar nga rezultati i disfatës të saj në çështjen shqiptare.
Kur erdhi në fuqi qeveria e Gjolitit, i kërkoi parlamentit që të tërhiqeshin forcat nga Shqipëria; por parlamenti nuk e miratoi, ngaqë deputetët reaksionarë dhe ministrat e qeverisë, të cilët përbënin shumicën në parlament, ishin të bindur se do ta mbysnin me gjak kryengritjen.
Po atë ditë, më 13 qershor 1920, vritet në Paris tradhëtari Esat Pashë Toptani nga studenti 25 vjeçari Avni Rustemi:
U ngren’ policët e vanë:
“Kush e qëlloi pashanë?”
-Unë e vrava qerratanë,
Se punonte propagandë
Me Serbinë e me Junanë.
Në 16 qershor, përmes agjentve vendas, komanda italiane mësoi se një pjesë e luftëtarëve kishin shkuar pranë familjeve për të festuar Bajramin, dhe vendosi ta shfrytëzonte rastin. Në 17 qershor forcat armike zunë malin e Shashicës dhe më 18 qershor urdhëruan sulm në front të gjerë me më shumë se 5.000 forca, të mbështetura me zjarr masiv artilerie si dhe me bombardim e mitralim nga ajri me avjona. Luftëtarët rrëzuan një prej avjonave:
Në fushë të Peshkëpisë,
Ra ballon’ i Italisë.
Këta djemt’ e Shqipërisë,
Me manxerin e Turqisë,
E hodhën në shesh si mizë.
Pas disa orë luftimi, forcat italiane tërhiqen me turp:
Tanët ranë, në bark u shtruan,
I lanë sa u afruan.
Trimat tanë, të zot e gjakut,
Ç’u hapën zhapën e barkut.
Dyfeqet e Italisë,
Bëm ja bëjnë, e dot nuk vrisnë.
Në aksionin e 18 qershorit armiku pati rreth 200 oficerë e ushtarë të vrarë, ndersa nga vullnetarët vetëm një i vrarë!
Si rrjedhojë e humbjeve të pësuara, Qeveria italiane e Gjolitit dergoi për bisedime me qeverinë e Tiranës Baronin Alioti, i cili mbriti në Vlorë më 2 korrik dhe në 4 korrik niset për në Tiranë. Ndërkohë Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u dha urdhër luftëtarëve të tërhiqeshin në pozicionet e tyre, për të pritur rezultatin e bisedimeve. Në këtë periudhë shkojnë në Vlorë vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare:
Në këtë luftë të shënjtë,
S’lufton vetëm Labëria,
Po i gjithë atdheu i shtrenjtë,
Lufton gjithë Shqipëria!
Kur niseshin vullnetarët për në Vlorë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë, populli i përcillte me këngën luftarake:
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Rroki armët, bënia fora!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, më t’u lumtë dora!
Jam me ty si mish e thua,
Mos u tut se më ke mua!
Bisedimet po zgjateshin, herë në Tiranë e herë në Durrës. Deri më 8 korrik bisedimet nuk dhanë ndonjë rezultat. Kështu që Baron Alioti kërkoi që lufta të pushonte dhe Italia të qëndroi në Sazan dhe në Skelën e Vlorës. Këto ngjarje shqetësuan kryengritësit dhe niset një delagacion për në Tiranë, i cili i kërkon qeverisë së Sulejman Delvinës që të mos bëjë lëshime dhe të mos e pranoi kërkesën e italianëve.
Në Tiranë, më 9 korrik, populli mori pjesë në një miting të madh dhe tregoi indinjatën e tij kundër pretendimeve italiane, duke kënduar dhe brohoritur “Rroftë Vlora jonë!”
Duke parë se bisedimet nuk kishin të mbaruar, Komiteti Mbrojtjes Kombëtare vendosi të rifillonte sulmin për çlirimin e Vlorës. Sulmi filloi më 22 korrik 1920, në ora 22.00.
Më njëzetë e dy korrikut,
Kaptuan telat me gjëmba,
Iu futën armikut brënda,
S’ju tremb syri e s’ju droth zemra,
Se një herë i kish bërë nëna.
Të gjitha çetat u hodhën në sulm. U muar Qafa e Koçiut. Lufta vijoi deri në mesditën e së nesërmes. U vranë rreth 500 ushtarë e oficerë italianë por dhe shumë kryengritës.
Qafë e Koçiut, moj grykë,
Ç’hata bëre atë ditë,
Nga gjylet që pëllcisnë,
Katërqind e ca shehitë,
Katërqind e ca të vrarë,
Vallë qysh e dhanë xhanë?!
Pa ujë e pa njeri pranë?!
Le të dalim dhe ne gratë,
Të marrëm peshqir e napë,
T’u njomëm buzën e thatë,
T’u shpiem buk’ e fishekë,
T’u hapim ndonjë hendek!
Qeveria e Romës, për t’i shpëtuar konseguencave të mëtejshme, nëpërmjet Komandës së Vlorës kërkon nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare që të ndalej sulmi dhe deklaroi se do bisedonte me qeverinë e Tiranës për zbrazjen e Vlorës.
Më 28 korrik vjen në Tiranë konti Manzoni. Bisedimet do të vijonin në bazë të pranimit nga pala italiane për zbrazjen e Vlorës. Vetëm çifligarët që qenë lidhur prej kohe me pushtuesin, si Myfit Libohova, Mustafa Kruja, Fejzi Alizoti, bejlerët e Vlorës, të Risilisë etj, nuk u pajtuan dhe mbajtën qëndrim armiqësor karshi Luftës së Vlorës.
Sipas marrëveshjes, tërheqja e forcave italiane do të fillonte më 17 gusht 1920 dhe pas 15 ditësh qeveria e Tiranës do të dërgonte focat e xhandarmërisë për të marrë në dorëzim administratën e qytetit. Me zbrazjen e Vlorës do të bëhej edhe lirimi i të burgosurve nga të dy palët.
Protokolli i bisedimeve nuk e sqaronte mirë çështjen e Sazanit dhe kjo për verbësinë e qeverisë së Tiranës, për faj të Ministri të Jashtëm të saj, Mehmet bej Konica. Italianët përdorën dredhinë e pabesinë dhe e mbajtën të okupuar ishillin e Sazanit, i cili mbeti i pushtuar deri më 22 tetor 1944, kur u çlirua përfundimisht nga Br.12 S Partizane. Edhe këtë radhë Sulejman Delvina nuk dijti të shfrytëzonte pozitën e fitonjësit në interest ë atdheut.
Më 17 gusht 1920 italianët përqëndrohen në Skelë, filluan largimin.
Më 28 gusht 1920 lirohen 1200 robër oficerë e ushtarë italianë që mbaheshin në kampin e Vajzës, ndërsa italianët liruan 1400 të internuarit e të burgosurit në ishillin e Sazanit.
Më 2 shtatoe 1920, 15 ditë pasi kishte filluar largimi i forcave italiane, Vlora dhe Skela u zbrazën.
Më 3 shtator 1920 hynë në Vlorë forcat kryengritëse dhe u festua me madhështi dita e shpëtimit nga zgjedha e huaj e Shqipërisë. Dhe populli atë ditë këndoi:
“Moj Vlorë, po të lirojmë
nga kthetrat e Italisë,
se pa ty ne s’mund të rrojmë,
që je djepi i lirisë”.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qytetit mbetën përsëri në mëshirën e çifligarëve dhe fajdexhinjëve. Pas asaj lufte, Vlora u bë flamurtarja e antibejlerizmës, e cila alarmoi gjithë bejlerët e Shqipërisë dhe u bënë një front I përbashkët kundër Vlorës, sidomos pas rrahjes së Fejzi Alizotit në Vlorë dhe vrasjes së seri Bej Vlorës e atentatit kundër Mufid Libohovës.
Thotë Vrioni me Toptanë,
Vërlaci me gjithë Syrjanë (Vlora):
“S’bëhen punët me fjalë,
Tonat janë e do t’i mbajmë
Çifligjet edhe rajanë,
Ku është dëgjuar kjo,
Të heqim dorë nga to?!
Edhe krerët borgjezë të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare (Komisioni) u hoqën mënjanë e u ndanë nga masat e popullit.
More dëshmorët e shkretë,
në atë vitin Njëzetë,
ju luftuat pa të metë,
po udhëheqja s’qe e drejtë.
Bejlerët me agallarë,
kërkuan kolltuk e shalë:
ç’e ujdis me fukaranë,
që u prenë e që u vranë,
për të mbrojturë vatanë!
Paradoksi është më se I habitshëm dhe lexuesi ka të drejtë të bëjë pyetjen: si është e mundur? Prandaj dhe poeti Ali Asllani i stigmatizoi rëndë ata dhe administratën shtetërore të qeverisë qëndrore dhe ato locale që e mbush tejembanë rënkimin e tij të madhërishëm për patriotët çlirimtarë, sëmundje kjo tradicionale e të gjitha kohrave shqiptare:
Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tufë Ah!, e një tufë lotë,
një njeri i pa njeri.
Gjithë epopenë e Luftës së Vlorës të vitit 1920 e ka përmbledhur në pak vargje rapsodi dhe patrioti nga Vunoi i Himarës, Thanas Beni:
Evropa shkruajnë e thonë
“Çështë kështu që dëgjojmë?”
“Bëhet dyfek në Vlorë,
Shqipërtarët po luftojnë
Me një mbret dyzet milionë”.
“Po me se luftojnë vallë?”
“Me sopata me hanxharë,
Dyfekët lidhur me gjalmë,
Fishekët në xhep i mbajnë,
Në tri ditë bukë hanë”.
Lufta e Vlorës e vitit 1920 ka qenë lufta e shpëtimit të kombit shqiptar, shpëtoi përjetësisht Shqipërinë. Ajo luftë ktheu në favor të tërësisë tokësore të Shqipërisë që kemi sot, qëndrimin e kabineteve të si të Anglisë e të Francës ashtu edhe të Shteteve të bashkuara të Amerikës. Edhe këto të fundit e kishin miratuar vendimin e Konferencës së parisit, për të cilën Ali Asllani shpërndau poezinë “Konferenca e Parisit”:
Si e dini e dëgjoni,
ja vulosi dhe Vilsoni.
Konferenca në Paris
për coptim të Shqipëris’
le të bëj’ çfarë të doj
si me kartë dhe me gojë!
Shqipëria ka të zonë,
djemt e Shqipes dy milionë,
dy milionë e ca shqiptarë
gati jemi t’u vëmë zjarrë
gjith’ armiqve gjer’ e thellë,
t’u vej’ flaka gjer në qjellë!
Ja se çfarë shkruan për dakordësinë e Amerikës, historian dhe juristi Hasan Dosti, më 1962, në letrën dërguar Ago Agaj, me rastin e botimit prej tij të librit “Lufta e Vlorës” më 1962, (botuar në Egjypt), si dhe për rëndësinë e asaj lufte epope, i cili gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ishte nënkryetari i Ballit Kombëtar kolaboracionist, ndërsa pas lufte kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë” (1949-1956) në emrigracion në Amerikë:
“Dërgata Amerikane, e kryesuar prej Ë.I.Ëeserman (gjatë Konferncës së Paqes në Paris D.G.) e njeh Korçën për Shqipëri por dënon provincën e Gjirokastrës për t’ia dhënë Greqisë. Në fak dërgata Amerikane cakton këtë vijë kufiri: Fillon nga maja e një nga këmbat e malit Tumba, në very-lindje të Kakavisë, del në Nermënçkë, zbret në Vjosë, vjen në Sinanaj, ngjitet në Këndrevicë, lidhet në majë të Çikës e zbret në Gramata – gabimisht shkruar Gravala – që është ajo që vendasit t’anë e quajn Gjiri i Dedë Mëhillit, afërsisht 4-5 kilometra në jug të Pashalimanit të sotëm. Në disa trajta kjo vijë kapërcen edhe atë të caktuarën prej Greqisë më 1913 e 1919, dhe këtë për t’i dhënë satisfaksion Greqisë për humbjen e Përmetit, Kolonjës, Korçës dhe njëkohësisht për arsye sentimentale se emir Gramata I këtij vendi vjen nga fjala greke “grama” (germë) dhe ky emër është inspiruar nga fakti se në shkëmbinj të atij vendi gjenden të gdhendura disa emra e shprehje të detarëve lundrues të kohëve të vjetra, të cilët gjenin strehim kundra valëve të egra të asaj baze të Adriatikut, të sektorit të atyre maleve…
Këto bisedidime e vendime janë vënë në protokollin e datës 5 Mars 1919, dokument i cili i është paraqitur për zbatim Këshillit të Nalt (Suprem Concil). Më pastaj, gjatë negociatave të tjera, është arritur në një vendim tjetër. Sipas këtij plani të pagëzuar Memorandumi I 9 Dhjetorit 1919 (I cili përmban edhe nënshkrimin e delegatit amerikan, Francis Polk, vija e caktuar në pikën Gramata (Gravala), Gjiri i Dedë Mëhillit, tërhiqet më në jug të llogarasë, në very të Palasës, në prroin Aspri Ruga dhe prej këtej – duke ndjekur rrjedhën e ujrave të sistemit të maleve – shkon në Këndrevicë dhe zbret në Vjosë në mes të Dhëmblanit e Lopës-Martallozit. Ky ndryshim u bë për t’I siguruar Italisë një kufi strategjik – njëkohësisht – për të kënaqur Ëillsonin që kishte ngulur këmbë për shpëtimin e Korçës.
Mbi kundërshtimin e Italisë dhe njëkohësisht dhe të Jugosllavisë, që nuk kënaqen me zgjidhjet që u jep çështjeve tokësore të Adriatikut të Veriut, Këshilli i Naltë në mbledhjen e famshme të 13 Janarit 1920, vendos njohjen e rivendikimeve të Greqisë jo vetëm mbi Gjirokastrën, por edhe mbi Korçën dhe ato të Jugosllavisë në vijën e Drinit.
Vendimi në fjalë u komunikohet Jugosllavëve. Këta nuk pranojnë dhe deklarojnë se përsa I përket Shqipërisë, duan të shohin një shtet shqiptar independent në truallin e caktuar në vitin 1913.
Në këtë rast ndërhyn Ëillsoni me mesazhin e 10 Shkurtit 1920, ku deklaron dhe e quan të padrejtë zgjidhjen e gjetur më 13 Janar 1920, por se vertikalisht ngelet në vendimet e Memorandumit 9 Dhjetor 1919. Në këtë pra kufizohet roli i Ëillsonit, rol mbi të cilin është bërë ajo bujë. Kështu pra vula e Amerikës e vënë më 1919 mbetet e pashuar….Kështu dhe Londra njihte një shtet shqiptar independent me kufijtë e 1913-tës nga Veriu në Lindje me Korçën Brenda, por ngulte këmbë në njohjen e të drejtave të Greqisë mbi Gjirokastrën në kufijtë e Memorandumit të 9 Dhjetor 1919 të ipotekuar dhe me aktin e Senatit Amerikan: rëzoluta e 17 Maj 1920…
Një filozof sociolog anglez ka thënë se gjaku i derdhur për një ideal është substancë materiale mbi të cilën mbin e rritet pema e lirisë.
Theroritë e gjakut të derdhur në luftën e hapur dhe vazhduar për një ideal bëjnë mrekullira. E madhe ka qenë edhe mrekullia e luftës së labërve, e hapur më 5 Qershor 1920 dhe e mbaruar e vulosur me gjak më Gusht 1920… Faktori i parë dhe kryesor në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që erdhën si rrjedhim I Luftës së Parë Botërore ka qenë gjesti trimëror i popullit të Vlorës.” (Hasan Dosti “Një jetë për çështjen shqiptare” ”Botart”, 2008, f.399-402, si dhe Ago Agaj “Lufta e Vlorës”,Toena, 2002,f.363-366)
Përfundimisht mund të themi: Nëse nuk do të ishte fituar Lufta e Vlorës e vitit 1920 ka pas gjasa që Shqipëria të mos ekzistonte prej atëhere si shtet i pavarur.
Ajo luftë e pasqyruar edhe nga këngët popullore, ka frymëzuar edhe shumë poetë, një prej të cilëve edhe shkrimtarin e poetin Dritero Agolli, poezia e të cilit është kompozuar edhe këngë prej kompozitorit Agim Prodani dhe interpretuar nga këngëtari Qemal Kërtusha:
Thonë se Selam Musai me shokë,
Para sulmit mbi telat me gjëmba,
Gunën zhveshi dhe bëri me kokë:
– Djema, hop! –
e djemat:
hop ,në këmbë!
Pa ja morrën valles labërishte,
Pa ja hodhën valles si furtuna.
Vala e valles zjeu në Drashovicë,
Vala telat ç’i buloi me guna
Hej ti valle laberishte,valle!
Cili lab s’u ndez si prush prej teje?
Ti je hequr dhe ne çaste dasme,
Ti je hequr dhe në çast beteje…
Tiranë, 28 gusht 2021
ME RASTIN E 103 VJETORIT TË KONGRESIT TË LUSHNJËS
28-31 Janar 1920
Dihet se 5 fuqite kryesore që fituan Luften e Pare Boterore: SHBA, Angli, Franca, Italia dhe Japonia organizuan Konferencen e Paqes, e cila u hap zyrtarisht ne Paris, më 18 janar 1919 per ta ndarë botën sipas interesave të tyre dhe njekohesisht të përmbysnin pushtetin sovjetik në Rusi.
Italia imperiaiste me Traktatin e fshehtë të Londrës kishte siguruar zotërimin e Vlorës dhe protektoratin mbi “shtetin autonom shqiptar”, që do të formohej në Shqipërinë e Mesme e do ushëhiqej nga Esat Pashë Toptani.
Italia ishte për ruajtjen e kufijve të vitit 1913 në Jug. Ndërsa përfaqësuesit francezë e anglezë donin që bregdeti shqiptar që kontrollonte kanalin e Korfuzit dhe rruga Sarandë-Janinë-Korë-Follorinë, të mos mbeteshin në kufijtë e një Shqipërie nën vartësinë e Italisë, dhe propozuan që Korça dhe Gjirokastra t’i kalonin Greqisë.
Përfaqësuesit e SHBA, që nuk ishin të lidhura me detyrimet e Traktatit të Fshehtë të Londrës, mbajtjen e Vlorës nga ana e Italisë e quanin të mjaftueshme për “sigurimin” e imperializmit Italian në Adriatikun jugor, dolën me propozimin që krahina e Gjirokastrës deri në bregdet t’i jepej Greqisë, ndërsa Korça të mbejtej në kufijtë e Shqipërisë, sikundër thuhej në memorandumin e saj të datës 14 Prillit drejtuar qeverisë italiane
Qeveria Greke në memorandumin e saj të 30 dhjetorit 1918, përveç të tjerave, kërkonte aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës
Teksti i Traktatit të Fshehtë i Londrës u bë publik për herë të pare nga Lenini, në shtypin sovjetik, në Janar 1918 dhe u riprodhua më pas nga shtypi i mbarë botës.
Dhe në Mars 1918 e botoi gazeta “Dielli” në SHBA, me titullin: “SY PËR TË VERBËRIT DHE VESHË PËR TË SHURDHËRIT”, duke e vlerësuar përmbajtjen e atij Traktati të Londrës: si “QEFINI I SHQIPËRISË”.
Si rrjedhojë e të mësuarit të këtij Traktati të Fshehtë nga shqiptarët në Shqipëri, mblidhet Kongresi i Lushnjës më 21 Janar 1920, por, meqenëse shumë delegatë nuk kishin mundur të vinin me kohë, punimet u zhvilluan më 28 deri më 31 Janar 1920, në të cilin morrën pjesë 50 delegatë nga të gjitha krahinat shqiptare, duke marrë në shqyrtim Planet e Konferencës së Paqes në Paris për coptimin e Shqipërisë sipas Traktatit të Londrës, duke i hedhur poshtë me zemërim dhe u betuan përpara Këshillit të Lartë se do ta ruanin pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Qeveria e dalë nga ky Kongres, i bën thirrje më
20 Shkurt 1920 popullit shqiptar, për të vëvë në vend vendimet e Kongresit të Lushnjës të lidhte “në një besë të përgjithshme” për mbrojtjen e tokave shqiptare të bashkohej rreth saj.
Më 9 Mars 1920 qeveria amerikane, duke ripohuar përmbajtjen e memorandimit të 9 Dhjetorit 1919, duke u aprovuar edhe nga fuqitë e tjera, krijonte një rrethanë të re për “çështjen shqiptare” sepse e shkëpuste atë nga rregullimi i “çështjes së Adriatikut”, si pasojë e të cilit Shqipëria ishte përdorur si objekt kompesimi; njëkohësisht e shtynte për më vonë aprovimin përfundimtar të memorandumit të 9 Dhjetorit 1919.
Ky ishte një përfitim i dobishëm kohe për qeverinë e Tiranës, e cila hyri në bisedime me gjeneralin italian S.Piaçentini në Vlorë që Italia të hiqte dorë nga Vlora dhe t’i lejohejvetëm mbajtja e ishullit të Sazanit për interest e saj “strategjike”.
Qeveria italiane nuk i pranoi ato propozime.
Kjo bëri që të krijohet Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, i cili më 29 Maj 1920 u mblodh ilegaklisht në Barçalla, një shpat mali, pranë fshatit Dukat, në jug të Vlorës. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetësh, të cilëve iu ngarkua drejtimi i kryengritjes që njihet me emrin Lufta e Vlorës.
Ky komitet më 3 Qershor 1920 i drejtoi ultimatumin gjeneralit Piaçentini, ku i kërjkohej t’i dorëzoheshin Qeverisë Shqiptare administrimi i Vlorës, Tepelenës e Himarës dhe t’i përgjigjej kësaj kërkese më 4 Qershor 1920, përndryshe fillonte kryengritja.
Meqenëse gjenerali italian Piaçentini nuk e pranoi ultimatumin, atëhere, më 5 Qershor 1920 filloi Lufta e Vlorës
Më 13 qershor 1920 Avni Rustemi vret në Paris Esat Toptaninj, i cili, i përkrahur nga qeveria e beogradit, nuk e pranonte qeverinë shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Dhe më 3 Shtator 1920 u festua me madhështi fitorja, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!