Lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë ka në objektivin e saj edhe Kosovën

29
Mar
2025
Shkruan: Dr. Sadri RAMABAJA

Ka shenja në rritje se Rusia dhe Serbia tok po thellojnë kursin e luftës hibride edhe kundër Kosovës, siç po bëjnë edhe në rrafshin e gjerë kundër Europës. Kjo dëshmohet nga incidentet e përsëritura misterioze në Detin Baltik dhe sulmet kibernetike kundër autoriteteve politike. Rrengu i 11 shkurtit ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës është pjesë e këtij skenari.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Rusia ka intensifikuar përdorimin e taktikave të luftës hibride në Evropë, duke përfshirë dezinformimin, spiunazhin dhe sabotazhin. Ajo ka për qëllim destabilizimin e vendeve dhe institucioneve demokratike. Në Ballkanin Perëndimor, ky ndikim është veçanërisht i theksuar.
Tutje Rusia po vepron me intenzitet përmes aleatëve të saj rajonalë, si Serbia.
Po flasim për sulme kibernetike, aktivitete subversive në internet, lajme të rreme, fushata propagandistike, nxitje të ekstremizmit dhe tensioneve të brendshme, akte sabotazhi të maskuara si aksidente, sulme ndaj infrastrukturës së ndjeshme, vrasje me porosi – me pak fjalë, luftë të fshehtë.

Sipas të përditshmes zvicerane Neuer Zuericher Zeitung [27.03.2025] Rusia vetëm gjatë vitit 2022 ka investuar mëse 320 milion dollarë në fushbetejën e lufëts hibride. Nuk ka të dhëna se sa investime ka bërë Serbia në këtë sferë, por nëse kemi parasysh investimet e përgjithshme në sfeërn e armatimit, që kalojnë shumën e përbashkët të të gjitha vendeve tjera të Ballkanit marrë së bashku, atëherë mund të supozohet qartë sa shuma milionshe janë derdhur edhe në këtë fushë. Ndërkaq përqëndrimi i saj në Kosovë ka kulmuar me agresionin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjë [Banjska] dhe me atë të nëntorit të vitit 2024 ndaj infrastrukturës jetike [Kanain Ibër-Lepenc].

Lufta hibride e Rusisë është fokusuar në Ukrainë që nga viti 2022, por Evropa gjithashtu po bëhet gjithnjë e më shumë një objektiv, siç dëshmohet nga komplotet e atentateve në Gjermani, sulmet me zjarrvënie në Poloni dhe shkëputja e kabllove të nëndetëseve në Detin Baltik. Qëllimi është të ndërgjegjësohet Evropa për cenueshmërinë e saj, të shkaktojë trazira të brendshme dhe të jashtme dhe të zhvendosë kushtet demokratike drejt autoritarizmit pro-rus.

Lufta e fshehtë ruse në përgjithësi është rritur gjatë fundit të vitit 2024 dhe fillimin e 2025-ës. Hakerët rusë, që punojnë kryesisht për shërbimin e inteligjencës ushtarake (GRU), siç është rasti me dy hakerët që ushtruan akt subversiv më 11 shkurt ndaj Kosovës, janë liderë botërorë.
Nga njëra anë, sulmet kanë të bëjnë me mbledhjen e informacionit (si sulmi ndaj Bundestagut gjerman ose selisë së SPD). Nga ana tjetër, zgjedhjet duhet të ndikohen: në Moldavi u blenë 300 mijë vota dhe në Rumani priftërinjtë morën 1000 euro për predikimet në favor të kandidatëve pro-rusë.

Së fundmi, inteligjenca ruse ka ndërhyrë në 26 zgjedhje parlamentare gjithandej në shtetet e etbaluara demokratike dhe në fqinjësinë e afërt të saj. Prandaj mund të supozohet se mbështetja elektorale e Listës Serbe nga Serbia është edhe për shkak të ndikimit rus. Në Tenesi, Russia Today shpenzoi 10 milionë dollarë për klipe pro-ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Hulumtimet dhe hetimet e mirëfillta, saktësisht do të dëshmonin se edhe në procesin e zgjedhjeve tek ne më 9 shkurt ka pas ndërhyrje të Rusisë dhe Serbisë në përmasa shumë më të mëdha ngasa kanë vlerësuar institucionet e BE-së. Nuk është fjala këtu thjeshtë vetëm tek komuniteti serb. Inxhinjeringu i votave të mërgatës me postë është vetëm maja e ajsbergut.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, në një takim të tij të rregullt me Komisionin Posaçëm Parlamentar më 4 dhjetor 2024, ka deklaruar se 90% e propagandës ruse në rajon zhvillohet në gjuhën serbe, por gjithashtu ka shtuar se janë identifikuar edhe portale në gjuhën shqipe që përhapin dezinformata pro-ruse.

Në Kosovë nuk ka raportime zyrtare për këtë çështje, por hulumtimet e Institutit OCTPUS dhe analizat e publikura, madje që gjatë vitit 2020, në faqen e Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, me kohë kanë paralajmruar për praninë e aktiviteteve të shërbimeve serbe e ruse dhe aplikimin e luftës hibride, duke potencur elemente të saj [si dezinformimin, përhapjen e lajmeve të rreme…] edhe në ca prej portaleve në gjuhën shqipe dhe televizione në Kosovë.

Ministri Ervin Hoxha në fjallën e tij atbotë kishte konkluduar se, të dhënat nga studimi dhe hulumtimi I këtij fenomeni, flasin se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit evropian të këtyre vendeve, nëpërmjet influencës politike, por edhe ekonomike.
Gjithashtu pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet nëpërmjet satelitëve të saj në rajon.

Një raport i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së ka evidentuar rreth 150 operacione hibride të dyshuara ruse në territorin e NATO-s që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Këto operacione përfshijnë sulme ndaj infrastrukturës kritike, fushata dezinformimi dhe akte sabotazhi, duke synuar destabilizimin e vendeve anëtare të NATO-s dhe minimin e mbështetjes për Ukrainën.

Në këtë kontekst, Kosova mbetet në qendër të vëmendjes për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe tensioneve të vazhdueshme në rajon. Aksioni i Shërbimit Sekret Rus [GRU-së], pjesë e të cilit janë hakerët në fjalë, nuk ishte i rastësishëm më 11 shkurt, ashtu siç nuk është i rastësishme as momenti kur ai bëhet publik.
Në karremin e kësaj lufte hibride, përveç strukturave përgjegjëse të Sigurisë dhe Komunikimit me Publikun në Zyrën e Kryeminsitrit, më 11 shurt, ka rënë edhe një lagje e madhe e mediave. Ndërkohë gjatë këtyre tri ditëve sa ai është top lajm dhe materie e debateve banale gjithandej në mediat tona vizive e rrjetet sociale ai ka arritur në piamidën e propagandës undër qeverisë me theks kundër kryeministrit!

Ndikimi i propagandës dhe dezinformimit rus mund të ketë pasoja në stabilitetin dhe proceset demokratike të vendit. Prandaj, është thelbësore që institucionet dhe qytetarët e Kosovës të jenë vigjilentë ndaj këtyre kërcënimeve hibride dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, Kosova duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse. Disa nga masat më adekuate për mbrojtje përfshijnë një varg fushash, do të ishin: Forcimi i sigurisë kibernetike; luftimi i dezinformimit dhe propagandës; fuqizimi i kapaciteteve mbrojtëse; forcimi dhe profesionalizimi i diplomacisë dhe krijimi i aleancave strategjike [ kjo e fundit me Shqipërinë dhe Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është qenësore]; kontrolli i influencës ekonomike dhe energjetike; përgatitja e shoqërisë për rezistencë [sidomos në lëmin e edukimit të qytetarëve për taktikat e luftës hibride dhe mbrojtjen nga manipulimi mediatik] etj.

Për sukses të venerushëm në tërë kët gamë veprimi, Kosova duhet të ketë një strategji të integruar dhe fleksibël për t’u mbrojtur nga këto lloj kërcënimesh dhe për të ruajtur sovranitetin e saj në një mjedis gjeopolitik të ndërlikuar.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/03/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk