Në këtë vendbanim, pra, në Sllatinë e më gjërë , nga ngjarja më e trishtë, por edhe më epike, e cila, përveç që është evidentuar edhe në dokumente të kohës, copëza të memories kolektive kanë mbetur të “gjalla” deri vonë edhe ndër popullatën autoktone të kësaj ane. Së pari t’i referohemi një dokumenti mjaft indikativ të një eprori të lartë të ushtrisë serbe, të mbajtur në formë ditari (“Дневник рата”), përkatësisht ditarit të nënkolonelit, Nikolla Jorgovanoviç, i cili na jep shumë detaje nga kjo betejë, përkatësisht beteja e zhvilluar në Sllatinë e Leshkë, ndërmjet forcave serbe dhe bullgare, në anën e së cilës marrin pjesë edhe shumë shqiptarë të këtij katundi dhe katundeve shqiptare përreth, që u printe sllatinasi, Beqir Asani.
Përveç tjerash, kështu potencohet në këtë shënim: “Aradha në natën e mbrëmshme lëvizte drejt Rogaçevës. Nëpër Tetovë kaloi më 17 tetor rreth orës 4 të mëngjesit dhe vazhdon drejt Sllatinës. Më 5-40 min., aradha arrin në Leshkë dhe u ndal të pushojë dy orë.“ Sipas Jorgovanoviçit, “Aradha u ndal për pushim në verilindje të Manastirit (të Leshkës). Përderisa ushtria pushon, ushtritë bullgare kalojnë Sllatinën dhe hyjnë përmes livadheve nën fshat, pa u diktuar nga ana e serbëve. Bullgarët pikasin ushtarët serbë , u afrohen dhe përgatiten për sulm. Në orën 7 të mëngjesit, ata në befasi sulmojnë. Muret dhe lisat e mëdhenj u bëhen mburojë edhe e njërës edhe palës tjetër. U zhvillua një luftë tejet e ashpër me topa dhe me pushkë, e cila zgjati deri kah ora 11. Më 12-30 minuta vazhdoi sërish, ndërsa në orën 15-00 sebëve u vijnë përforcime nga Tetova. Atëherë, një pjesë e ushtarëve serbë, të mbrojtur mirë nga ana e shkureve dhe drunjve , nga rrugica ndërmjet Kalasë dhe Manastirit, hyjnë në luginën e lumit të Sllatinës për t’i sulmuar ushtarët bullgarë, në anën e djathtë; disa kaluan përmes katundit, përmes rrugicës ndërmjet të ashtuquajturave: Mllaka dhe livadheve të Sandarëve, ndërsa grupi i tretë del në xhade. Kështu serbët me sukses arritën t’i zbrapsin bullgarët, të cilët filluan të tërhiqen. Lufta vazhdoi deri në 16-30 min. Pas mbarimit të saj, ushtria serbe kalon natën në katundin Sllatinë dhe Tearcë”.
Kështu, mëtej, Jorgovanoviçi vazhdon evidentimet me shënimet në ditar: “U vra një oficer, një rreshter dhe 14 ushtarë; plagosen 53 dhe zhduken 6, (të gjithë u vranë në Mllakë, jo larg mëhallës së Poshtme dhe varrezave). Ishin të vrarë nga një mashën (kasollë) – nga një shqiptar mirë i përgatitur “, përfundon Jorgovanoviçi.
Pas përfundimit të luftës, komandanti, me siguri, Jorgovanoviçi, organizon fshatarët e Leshkës për varrosjen e ushtarëve serb të vrarë. Këta, me kere e kije, i sjellin të vrarët te varrezat e fshatit për t’i varrosur, ndërsa oficerin dhe rreshterin – në Manastirin e Leshkës. Oficeri i vrarë ishte nga Negotin Kraina (Serbi), ndërsa rreshteri dhe ushtarët e vrarë ishin nga katundet e Kumanovës, të rekrutuar nga ana e Serbisë.
(Emri i oficerit të vrarë është, Nikolla Ristiç – kapiten i aradhës së Parë të Pukit të Trembëdhjetë të Këmbësorisë, ndërsa emri i rreshterit është Rista Nikoliç, me ç’rast për këta dhe 14 ushtarët e mbetur në këtë betejë, me autorizimin e pushteti serb për komunën e Leshkës, në vitin 1932 ngritet përmendore).
Sipas disa deklaratave të ushtarëve bullgarë të zënë robë, ushtria bullgare i takonte Pukit të Njëmbëdhjetë të këmbësorisë të divizionit të Tretë Ballkanik, që udhëhiqej nga Komandanti i çetës, Nizov, ndërsa të Pukit – kolonelit Zhekov. Ata hyjnë në Pollog përmes Vratnicës; më 15 tetor ndalen në Dobrosht, ndërsa më 16 tetor – në Tearcë dhe me datë: 17 tetor vijnë në Sllatinë dhe ndeshen me serbët në Leshkë.
Ka ndodhur kjo që ka ndodhur… Të tjerët kanë shënuar, ne “mbajmë mend” dhe nuk shënojmë, sepse “jemi të mençur, prandaj – dhe, nuk është e nevojshme të shënojmë , as të kujtojmë përmes ndonjë akademie, qoftë nga ana e ndonjë shoqate rezidente, qoftë nga ana e kufomave tona “akademike – anemike” të institucioneve të vakta që u mungon dija dhe sensi i veprimeve të matura.
Nuk ka thënë kotë Papa Klementi XI – Albani: “Populli em u ba rob se nuk pati dien”.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!