LUMPENË BORGJEZË, EDHE NË “TIK – TOK” IU MUNDI ENVER HOXHA!

11
Nov
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

Për arsye çensure, po e afishoj në FB, për miqtë e shokët.

Të dielën me datë 10 Nëntor 2024, Televizioni TOP Channel shfaqi një dokumentar (eskluziv) me titull “Enver Hoxha dhe Tik-Toku”. Inisiativën për këtë dokumentar e kishte marrë studentja e vitit të tretë të gazetarisë, në Fakultetin e Historisë e Filozofisë të UT, zonjusha Jona Sinojmeri. Zonjusha në fjalë, në platformën “Tik – Tok” të të vëllait, tre vite më të vogël, kishte parë dhjetra e qindra foto, pamje, takime e fjalime të Enver Hoxhës me popullin, zhvilluar në rrethe të ndryshme të vendit gjatë periudhës së socializmit. Nxitur nga kjo “risi”, ajo nisi hulumtimin në këtë rrjet, për të konstatuar se deri ku venin pasqyrimet e veprimtarisë së ish “Diktatorit”, që kishte “pushtuar” pjesën më të madhe të këtij portali, sidomos nga një shumicë të rinjsh, nga mosha 17 vjeçare e poshtë.
Hulumtimeve të studentes së gazetarisë, përveç ekipit të produksionit, skenarit, filmimit, xhirimit, modelimit e montazhit të dokumentarit, iu bashkëngjitën edhe katër – pesë persona nga fusha e inteligjencës, ku spikaste gazetarja e njohur, Godole, Prof. Dr. Artan Fuga,
dhe studentja që përmenda më sipër, e cila siç dukej, realizonte moderatoren.
Ideja e dokumentarit në fjalë, sa i bukur, aq dhe provokativ, lidhej me rrezikun e propagandës komuniste, e cila na paska depërtuar edhe në Tik – Tok, platforma më interesante e rrjetit social, i vetmi “libër jashtë klase” për moshat e reja sidomos për moshat 17 vjeç e poshtë, tek të cilët transmetoka nostalgjinë për diktaturën dhe diktatorin e periudhës socialiste. Për të mos e mërzitur lexuesin me historira, le të kalojmë si në revistë, “alarmin” e përbashkët të personazheve të mësipërme, për këtë “risi” që na paskan zbuluar tani pas 34 vitesh të sistemit, për të cilin ata u “shkrinë” në fundvitet nëntëdhjetë:
Studentja e gazetarisë, Jona, siç thashë në krye, as që e kishte menduar të merrej me “Tik-Tokun”, por e kishte turbulluar telefoni i të vëllait më të vogël, dhe më shumë nga korioziteti se sa nga detyrimi, kishte nisur “hulumtimin” në platforman e gjërë të këtij rrjeti social. Pasi ajo na njeh me qindra e mijëra pamje e klikime të të rinjëve mbi veprimtarinë e Enver Hoxhës dhe kohën e socializmit, del në konkluzionin se kjo është bërë tashmë “Një trend” për të rinjtë. “Kur këto gjëra, – thotë ajo, – përsëriten disa herë në Tik – Tok, atëherë të rinjtë krijojnë bindjen se në kohën e diktaturës kemi qenë më mirë”. Më tej studentja na thotë se, pasi kontrollova shumë profile tek platforma e vëllait, konstatova mjat të rinj, që deklaronin “se unë besoj shumë tek ajo periudhë”, se “në socializëm jeta ka qenë më e mire”, etj. Studentja habitet me të drejtë, kur sheh në dokumentar “Diktatorin” të puthë flamurin Kombëtar, dhe të mbajë fjalime të zjarrta përpara mijëra qytetarëve që manifestojnë me flamuj e banderola në bulevardin e madh të Kryeqytetit. Habitet sespse në 20 vitet e jetës së saj, ajo nuk ka parë asnjë politikan apo shtetar të puthë flamurin, apo të mbajë fjalime në bulevard, përveçse kur gjendet me militantët e partisë së tij, ose në protesta pë karriken e pushtetit.
Por mungesën e prononcimit e të reagimit të plotë të studentes së gazetarisë, e zëvendësojnë gazetarja profesioniste, zonjusha apo zonja Godole, dhe Prof. Dr. Artan Fuga. Të dy këta intelektualë, me shkollë e nivel në profesionet e tyre, alarmohen për situatën dhe mundohen të arsyetojnë, duke manovruar me lloj – lloj ligjëratash, por pa asnjë argument për të qenë. “Të rinjtë nuk kanë informacion; informacionin ata e marrin të cunguar, të manipuluar e të nxjerrë jashtë kontekstit”. “Fatkeqësisht ne nuk mbjatëm shënim dëshmitë e atyre që vuajtën nga diktatura” – thotë mes të tjerash Godole. Po, pse ju intelektualët dhe gazetarët e demokracisë nuk u jepni informacione të sakta e të pamanipuluara të rinjëve të kohës së sotme? Nuk ua jepni, sepse ju vetë jeni të manipuluar nga borgjezia ndërkombëtare, dhe nuk mund të jepni informacione të sakta e të dobishme. “Propaganda e regjimit të ri (“demokratik”), – thotë Prof. Dr. Fuga. – nuk arrin të paraqesë si duhet regjimin e vjetër, sepse e ka të vështirë të paraqesë pritshmërinë e sistemit të ri”. Po, e vërtetë! Regjimin e vjetër, atë të socializmit, politikani e shtetari i sotëm e denigron me shpifje e trillime, ndërsa për këtë sistemin e ri, këtë “demokratikun”, as që ia ka haberin se si duhet të jetë, por e ka pranuar për ta përdorun në pasurimin sa më të shpejtë individual, familjar e klanor. Këta politikanë e shtetarë të sotëm, po të tentonin të bënin analizë të saktë të socializmit, do të binin nokdaun që në raundin e parë të ndeshjes. “Sot Shqipëria, – thotë Fuga, – po udhëhiqet nga komunistët”, – një gënjeshtër e trashë që nuk e mendon as çobani i fshatit më të largët, jo ta thotë një profesor-doktor i filozofisë. “Ne mbyllëm sytë dhe në vend që të dënomin diktaturën, – perifrazon Godole, – e lamë brezin e ri në terrin informativ”. Nga ana tjetër Fuga plotëson: “Kush duhet ta bëjë edukimin: Shkolla, filmi, arti, familja, shoqëria” . Mirëpo profesori nuk thotë se është pikërisht ky regjim i sotëm që dërmoi arsimin, shkatërroi e përdhosi artin, degjeneroi familjen dhe shoqërinë, dhe ja ku kemi një rini që merret gjithë ditën me Tik Tok. Dhe për rrezikun tuaj, edhe “Tik – Tokun” e mbush, jo me përrallat e “gërrmërrkracisë”, por me jetën dhe veprimtarinë e kohës së socializmit. Kjo ndodh, sepse rinia, edhe kur e harron dhe e mënjanon, në fund të ditës do të zgjedhë pozitiven, të renë, modernen. Dhe e reja e modernia ishin tek socializmi, dhe jo tek mjekrrat, veshjet e sjelljet mesjetare të liderëve të sotëm të “gerrmerrkracisë”.
Duke na cituar shkrimtarin George Oëuell, profesor Fuga thotë: Në romanin e shkruar në vitin 1984, njëri nga personazhet pyet shokun: “Kur ishit më mirë, atëherë, apo tani?” “Sigurisht atëherë”, – ishte përgjigja. “Atëherë që ishim më keq”?-ripyeti personazhi. “Atëherë vuaje!” “Oh, vuaja, por isha i ri. Prandaj më mirë të isha i ri në regjimin e keq, se sa të jem i vjetër në një regjim të mirë”! –ishte përgjigja përfundimtare. Por kjo lojë fjalësh që përdor Profesor Fuga, është një paravoli e gënjeshtërt dhe hipokrite. Në asnjë detaj, regjimi i sotëm i demokracisë borgjeze në vendin tonë, nuk është i mirë. Në krahasim me periudhën e socializmit, 34 vjetëshi i gjertanishëm i sistemit që po aplikojmë, është me plot gojën një mashtrim, një denigrim, një asgjesim i hapur i lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe prosperitetit të Shqipërisë. Këtë e din fort mirë Prof. Dr. Fuga, por ia don politika dhe situata të recitojë parovolitë e tij mashtruese, me të cilat forcon e mban karriken e analistit të filozofisë, siç mban edhe Godole karriken e gazetares, ku qëmton thërrimet e ndyra të borgjezëve të mëdhenj.
Në mbyllje të këtij shkrimi replikë, për dokumentarin “Enver Hoxha dhe Tik-Toku”, po sjell ligjëratën e komentatores, e cila me një shqetësim të dukshëm në të gjitha shqisat, tha: “Enver Hoxha është ende i gjallë. Të paktën në rrjetet sociale. Si dhe i pazëvendësueshëm në mendjet e disa shqiptarëve, të cilët me vetëdije apo jo, po përdorin teknologjinë, sidomos platformën e pëlqyer në internet “Tik – Tokun”, për të vijuar një propagandë komuniste”. Më tej ajo tha se me këtë dokumentar do të përpiqemi të shpjegojmë pse figura e Enver Hoxhës mbetet në qendër të vëmendjes, sidomos tek brezi i ri?; Pse disa shqiptarë e quajnë kohën e tij, kohë të artë? Pse idealizohet figura e Enver Hoxhës? Pse ai klikohet kaq shumë në internet?, etj. etj.
Përgjigja është tepër e thjeshtë: Sistemi i sotëm, që ju lumpenë borgjeze përqafoni me kaq dashuri, mbushi plot 34 vite, pothuajse i barabartë në kohë me periudhën e Socializmit. Krahasojeni këtë sistem të sotëm me socializmin e djeshëm, dhe do të konstatoni në çdo element e në çdo detaj, ndryshimin si nata me ditën në favor të Socializmit. Dhe kjo, pa marrë në konsideratë që Socializmi e nisi nga “zeroja”, ndërsa ju e nisët kur ishin hedhur bazat e Socializmit të vërtetë dhe Shqipëria kishte në atë kohë rreth katër million banorë, me të gjitha degët e zhvillimit ekonomik e social të nivelit europian.
Sa për figurën e Enver Hoxhës, ju, edhe po ta ndërtoni Shqipërinë siç e la Ai, apo më mirë se Ai, figurën e tij nuk mund të arrini e as ta imitoni. Natyra, apo po të doni ju, dhe Perendia, i pati dhenë atij Burri, edhe Bukurinë, edhe Oratorinë, edhe Mençurinë, edhe Trimërinë, edhe Atdhedashurinë, edhe Guximin e një Shqiptari të madh, që nuk mund t’’ia gjesh shokun as në historinë moderne, e as në historinë e lashtë.
Merreni veprën dhe portretin e tij, dhe gjeni një burrë në Shqipërinë e dymijë vjetëve që të krahasohet me të. Po e arritët këtë, unë do t’ju bashkohem ju, duke pranuar epitetin e merituar “lumpenë borgjezë”, që po të ishte Marksi gjallë, do t’ua pagëzonte edhe në “KAPITALIN” e tij, në krah të “Lumpen proletarëve”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk