Mallkim i padrejtë i arkeologut

21
Nov
2023
Shkruan: Beqir Elshani


Akuzë të rëndë i drejton faqja “Historia Shqiptare” ndërtimit të punës së frytshme të Shqipërisë Socialiste në kohën e Enver Hoxhës, për ndërtimin e Liqenit të Fierzës mbi lumin Drin në Kukës, prej nga e ka marrë emrin me meritë. Në vitin 1971 nisi ndërtimi i Hidrocentralit më të madh të vendit, kurse në vitin 1978 e ndriçoi mbarë vendin. Banorët që dikur jetonin nën dritat e llambave me vajgur, u ndriçuan nga llambat elektrike të Hidrocentralit Energjetik në Fierzë. Pikërisht sot për shkak të modernizimit kërkesat për shfrytëzimin e energjisë elektrike janë të mëdha. Sot HC i Fierzës ka një kapacitet prodhimi prej 500 megavat (MW), dhe është ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. Prodhimi i turbinave është bërë nga inxhinieria shqiptare, kuadro që kishin dalë nga dera e madhe e Universiteti të Tiranës. Sot Hidrocentrali i Fierzës është një digë e fuqishme me gurë prej 160 metrash, i cili është i pajisur me katër turbina vertikale.
Me të drejtë parashtrohet pyetja, po kush nuk i do zbulimet arkeologjike të të parëve tanë – ilirë?! Faqja Shqiptare mund ta akuzonte ndërtimin, po qe se në atë vend do të ishte ndërtuar ndonjë reaktor bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike, siç veprojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, dhe jo të kritikohet, besa edhe të mallkohet ndërtimi gjigant i hidrocentralit me lumenj që vijnë nga alpet shqiptare dhe shkojnë në drejtim të Bunës. Populli duhet të jetë i lumtur që Hidrocentrali i Fierzës qëndron krenar në këmbë të forta, pa asnjë dëmtim dhe amortizim të kohës, dhe ende vazhdon ta furnizojë vendin me energji elektrike, prej së cilës ndriçohet mbarë Shqipëria. Me ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, inxhinierët u specializuan edhe për ndërtimin e hidrocentraleve tjerë për nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit, të cilët kanë rënie të furishme të lumenjve.
Kur në vitin 1889 u ndërtua Kulla Eeifel në Paris, inxhinieri dhe projektuesi, Gustaf Eifel, mendonte që pas një kohe mund të rrënohet, mirëpo kulla vazhdon të jetojë, duke u bërë ikonë kulturore e mbarë botës turistike, e cila është përfshirë në mesin e shtatë mrekullive në botë. Ndryshe me Kullën gjigante të Eifelit në gjendje statike, Hidrocentrali i Fierzës është në gjendje aktive që i jep dritë mbarë Shqipërisë, duke përfshirë edhe Kosovën. Sipas vargjeve të poetit rilindës, Naim Frashëri, që natën t’ua bëj ditë, ngjashëm edhe Enver Hoxha e ndriçoi mbarë Shqipërinë me llamba elektrike. Si rezultat i elektrifikimit të vendit, ka lindur edhe kënga popullore “Kur lindi Partia, lindi drita jonë”, që ushtonte në të gjitha anët e mëmëdheut.
Më vije mirë që autori është dashamir i gërmimeve arkeologjike të kohës së vjetër ilire, por nuk ka të drejtë të akuzojë një ndërmarrje të madhe energjetike, që zhvillimin e vendit e mban në këmbë. Tekembramja, nuk është vetëm Gjiganti i Fierzës mbi rrënojat ilire, me mijëra objekte në Evropë janë ndërtuar mbi rrënojat antike. Për habi, autori i shkrimit përmbytjen e rrënojave ilire me anën e Liqenit të Fierzës e quan fat të zi dhe masakër të historiografisë së vendit tonë. Megjithatë nuk besoj që kuksianët dhe mbarë populli shqiptar solidarizohet me mallkimin e autorit të shkrimit, që me të drejtë populli e quan “Drita e Partisë”. Përkundrazi fat i zi është që pas përfundimit me sukses të HEC-it në Fierzë dhe të HEC-it të Komanit në kohën e pluralizmit të vendit nuk u ndërtua asnjë hidrocentral që ishin parashikuar sipas planit.
Suedi, 21 nëntor 2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk