MARKA BRUNGA I MIRDITËS DHE “MARKA BRUNGAT” E PARLAMENTIT!

28
Feb
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
(Gazeta SOT, 28 shkurt 2023)
Marka Brunga i Mirditës ka qenë një nga personazhet më të njohura e më interesante të krahinës së tij. Edhe pse është ndarë nga jeta, këtu e katër – pesë dekada më parë, ai përsëri ka mbetur në kujtesën e bashkëkrahinorëve, të cilët e kujtojnë shpesh herë në bisedat e tyre.
Personazhi në fjalë, ishte një i sëmurë psiqik, sëmundje të cilën i ndjeri e pati që nga fëmijëria, gjer sa u nda nga jeta. Nuk kishte pothuajse asnjë nga familja e afërt, përveç disa kushërinjëve të largët. Gjithë jeta e tij ishte një jetë endacaku nëpër katunde, ku gjente strehim dhe ushqim. Në pamjen e parë nuk të jepte përshtypjen e një të sëmuri psiqik, por kur i vinte “sahati”, niste e fliste me vete me zë të ulët, aty në qoshen ku e vendoste i zoti i shtëpisë. Kur në odë, kishte burra të tjerë që kuvendonin, nuk fliste kurrë pa marrë leje. Por ama nuk mungonte t’u përgjigjej pyetjeve që i bëheshin, edhe kur ato kishin brenda ironinë e talljen. Vërtet ishte i sëmurë psiqik, ose siç e quanin të tjerët “i çmendur”, por në mjaft raste, kur ndodhej midis burrave dhe e pyesnin për diçka, fliste me qetësi, ngadalë dhe në mjaft raste më saktë se edhe njerëzit normal e të mençur.
Ka mbetur në historinë gojore të krahinës, dialogu i Marka Brungës me Murat Kaloshin, një personalitet shumë i njohur për kohën në zonën e Dibrës. Tek kulla e tij, ndalonin për të pushuar jo vetëm miq e shokë të shtëpisë, por edhe udhëtarë të rastësishëm e hallexhinj nga katunde të tjera. Kulla e Murat Kaloshit në vitet tridhjetë, ishte kthyer si një hotel e restorant falas për udhëtarët e nevojtarët, që i zinte dreka apo darka. Mënyja mund të mos ishte e zgjedhur, por buka dhe grosha nuk mungonte kurrë në sofrën e Kaloshit, për udhëtarë të njohur e të panjohur. Në një nga këto raste, së bashku me disa hallexhinj të tjerë nga katundet e Dibrës, u ndodh në kullën e Murat Kaloshit, edhe Marka Brunga i Mirditës.
Murat Kaloshi, e njihte Marka Brungën, se e kishte patur disa herë mysafir. Për të mos e ofenduar si mirditor, nuk i shtroi bukë më vete, por e vuri në sofër së bashku me të tjerët. Ushqimi ishte bukë e groshë. Marka Brungës, për rastësi, apo për djallëzi të atyre që shtruan sofrën, i takoi një lugë e vogël. Marku nuk u ankue, por ndërsa të tjerët merrnin nga një lugë pas çdo kafshate buke, ai merrte dy apo tri të tilla. Murat Kaloshi, që rrinte në qoshe të oxhakut, duke thithur nargjilen e duhanit, e pa këtë veprim, dhe për të lozur me Marka Brungën, i thotë:
– Or Marka Brunga, allahile, due me ta ba një pyetje!
– Urdhno, or Kalosh, po të dëgjoj! – Ia ktheu Marka Brunga.
– Si i varrosni të vdekunit në Mirditë, nga një për çdo vorr, apo nga dy e nga tre?!
Marka Brunga nuk e vonoi përgjigjen. E kuptoi se bëhej fjalë për dy e tri lugët që merrte në sahanin e groshëve.
– Paj, or Kalosh, kur janë të mëdhenj, nga nja. Kur janë të vegjël, i varrosim edhe nga dy e nga tre së bashku!
Murat Kaloshi, qeshi me cepin e mustaqes për përgjigjen e saktë. Ai iu drejtua dibranëve që ishin në sofër, duke i pyetur nëse e kuptuan bisedën me Marka Brungën. Por asnjëri prej tyre nuk foli. Atëhere, për ta ngacmuar më tej Marka Brungën, Murati e pyet përsëri:
– Allahile, or Marka Brunga, a ka shumë Mirdita kështu budalla si puna jote?!
– Jo, or Kalosh, Mirdita, gjithë budallëkun e marrinë ma ka varë mue, prandaj jam ba karroqe; ndërsa ju e paski budallëkun për derë. . . .
Këtu u mbyll dialogu me Marka Brungën, përgjigja e të cilit e befasoi të zotin e shtëpisë, që ishte nja nga burrat e mençur të Dibrës.
. . .
Kjo histori e thjeshtë, që m’u kujtua këto ditë, më bëri ta lidh me Parlamentin tonë, ndërtesa e të cilit emërtohet “Kuvendi i Shqipërisë”. Them ndërtesa e tij, sepse ata që janë brenda nuk mund të jenë burra kuvendi, as sa Marka Brunga i Mirditës.
Marka Brunga, siç thamë në krye, ishte një person i sëmurë psiqik, sëmundjen e të cilit e njihte gjithë krahina e tij. E megjithatë, ai kishte momente që fliste më qartë e më saktë se njerëzit normalë. Të paktën kur ndodhej në kuvend me burra. Po, si t’ia bëjmë, që në Parlamentin tonë, ndonëse kemi 140 burrat më të zgjedhur të vendit, sillen më keq se Marka Brunga i Mirditës?!
Ndryshe nga Europa dhe shumë vende të tjera të botës, që institucionin ligjvënës e quajnë “Parlament”, ne shqiptarët e kemi emërtuar “Kuvend”. Kjo ka ndodhur për të përcjellur traditën e trashëguar të popullit tonë, në historinë e të cilit janë sanksionuar Kuvendet e famshme për çështjet më themelore e kombëtare. Por edhe kuvendet e zakonshme në odat e burrave, janë quajtur e quhen të tilla. Ata që njohin kuvendet e jashtëzakonshme, por edhe të zakonshme të Mirditorëve, të Malësorëve, të Mallakstrës, të Labërisë, të Kosovës dhe shumë viseve të tjera shqiptare, e dinë fort mirë rregullin e zhvillimit të kuvendit. Në këto kuvende, kanë të drejtë të flasin e të dëgjohen të gjithë, pavarësisht nga mosha apo pozicioni shoqëror e pasuror që kanë në komunitet. Askush nuk mundet ta ndërpresë fjalën e tij, edhe kur thotë të pavërteta. Po ashtu, askush nuk mund t’i thotë kurrsesi folësit se “po rrenë” (po gënjen), apo fjalë të tjera ofenduese. E shumta, kur ai nuk thotë të vërtetën, mund të thuhet se “këtë gjë s’e kam dëgjuar ndonjëherë”, “po më duket e pabesueshme”, etj. kësisoj. Ndërsa kur fjala e tjetrit është e vërtetë dhe e shoqëruar më argumenta bindës, tjetri apo të tjerët ia kthejnë: “Po besa, ç’ashtu asht. Kemi zanë” (jemi dakort). Kuvendet në odat burrave dhe kudo zhvillohn ato, nuk mund të bëhen me zë të lartë, aq më pak me kërcënime dhe ofendime. Këto të fundit, janë të paimagjinueshme për të tillë mjedis.
Merreni një kuvend të tillë, nga më të thjeshtët e popullit tonë, krahasojeni me kuvendet që bëhen në “Kuvendin e Shqipërisë”, dhe do të shihni diferencën e madhe midis tyre. Le ta provojë ndonjëri nga deputetët e “Kuvend – Parlamentit” tonë, të përdorë bilbila, fishkëllima, rropama tavolinash e sofrash, aq më tepër sharje me fjalë banale, në një kuvend të zakonshëm të një mirditori, të një labi, të një malësori, të një shqiptari të Kosovës, dhe do ta shohë veten jashtë derës, për të mos e parë më odën e kuvendit të burrave. Dhe mos harroni, Kuvendet e shqiptarëve nuk kanë patur, e nuk kanë policë, ushtarë të Gardës, apo boodigardë për të mbajtur rregullin dhe qetësinë. Se rregulli dhe etika e bisedimit, ishin skalitur në normat më elementare të jetesës në komunitet, të cilat askush nuk guxonte t’i kapërcente.
Sikur të ngjallej sot Marka Brunga e të vinte në “Kuvend – Parlamentin” e shqiptarëve të shekulli XXI, kur të dëgjonte ligjëratat kontraverse të deputetëve tanë, me siguri do të fliste me vete, jo me zë të ulët, por me zë të lartë, e do të thoshte këto fjalë:
“Pasha bukën, mua Mirdita m’i pati varun të gjitha marrinat sa u bana “karroqe”, ndërsa këtu në Kuvendin e Tiranës, qenkan ba “karroqe” të gjithë!”
Por me “karroqe” nuk mund të ketë as Kuvend, e as Parlament!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk