/Nga Arkivi i diplomacis/
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Rilexim për reflektim në 5-vjetorin e nënshkrimit të saj
(17 qershor 2018)
Datës 17 qershor, në kalendarin historik do t’i shtohet edhe një ngjarje e rëndësishme, tepër e veçantë për rrethanat ballkanike, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë me Greqinë fqinje.
Rastësi, apo punë diplomacie, janë edhe dy ngjarje të rëndësishme për Maqedoninë dhe diplomacinë ndërkombëtare, të cilat lidhen me këtë datë kur u nënshkrua kjo Marrëveshje:
1. Më 17 qershor 1939 është lindur në Bruklin të Nju Jorkut, diplomati amerikan Matthew Nimetz, i cila si ndërmjetës i OKB-së i ka udhëhequr negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë në kontestin për emrin e shtetit. Pas kësaj marrëveshje ai do të shkojë në pension, duke e përfunduar me sukses karrierën e tij të bujshme diplomatike.
2. Më 17 qershor 1990, në prag të pavarësimit të Republikës ish jugosllave të Maqedonisë (1991), është formuar partia nacionaliste maqedonase, OBRM – PDUKM (VMRO-DPMNE), si trashëgimtare e organizatës së fshehtë me emër të ngjashëm (me akronimet: VMRO – TMRO – VMORO – MRO etj.), e themeluar më 1893 në qytetin e Selanikut, i cili atëkohë ka qenë nën Perandorinë Osmane.
Kjo parti politike ka qeverisur në periudhë më të gjatë në Maqedoni, nga viti 1991 deri më 2016, ndërsa me politikat e saj është dëshmuar si parti politike antishqiptare dhe kundërshtare e përbetuar për arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit me Greqinë.
(17. VI. 2018)
* * *
MARRËVESHJA PËR EMRIN E RI TË MAQEDONISË, KTHESË PËR TË ARDHMEN E RAJONIT
(Kur ndryshojnë rrjedhat e historisë…)
17 qershor 2018
Sot, më 17 qershor 2018, në katundin shqiptar Nivicë (Nivisi) të Prespës, u nënshkrua Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë me Greqinë.
Pas negociatave që zgjatën mbi 25 vjet, në bazë të kësaj marrëveshje, shteti i Maqedonisë në të ardhmen do të quhet, në gjuhën shqipe: Republika e Maqedonisë Veriore; në gjuhën maqedonase: Република Северна Македонија; në gjuhën angleze: Republic of North Macedonia.
Këtë marrëveshje e nënshkruan ministrat për Punë të Jashtme të dy shteteve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, e cila konsiderohet edhe si një pakt për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes dy shteteve në të ardhmen.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka marrë pjesë edhe ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimetz, i cili në 25 vitet e kaluara ka qenë ndërmjetësues (negociator) mes dy shteteve në kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë.
Në delegacionin e Maqedonisë, përveç kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit për Punë të Jashtme, Nikolla Dimitrov, kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Delegacioni i Greqisë përbëhej nga homologët e tyre të delegacionit nga Maqedonia, ndërsa në aktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje kanë marrë pjesë si mbështetës edhe përfaqësues të OKB-së dhe BE-së.
* Diplomacia rusomadhe dhe evropiane, pushteti dhe qarqet shkencore në Bullgarinë fqinje, që nga fillimi i shek. XX (1906), para rënies së Perandorisë Osmane, dhe para Marrëveshjes së Bukureshtit (1913), për copëtimin dhe ndarjen e këtij rajoni mes shteteve ballkanike, këtë pjesë të rajonit gjeografik të Maqedonisë historike, që sot e përbën territorin e shtetit të Maqedonisë Veriore e kanë njohur me emrin Maqedonia Veriore, përkundër pjesës jugore të saj, me qendër në Selanik, nën Greqinë e sotme.
(17. VI. 2018)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!