Shpalime historie
Gjurmët e vendbanimeve të lashta, qyteti antik Parthini, qyteti i periudhës Romake – Marcianopoli dhe qyteti Devne i mëvonshëm, ruajnë misterin e pranisë së vazhdueshme dhe autoktonisë së shqiptarëve, pasardhës të fiseve pellazge-ilire edhe të Trakisë, në brigjet e Detit të Zi, në territoret e shteteve të sotme, të Bullgarisë, Rumanisë, Gjeorgjisë, Ukrainës, Turqisë dhe shteteve të tjera.
Për rolin e banorëve shqiptarë të qytetit Devne (disa studiues e quajnë edhe katund) në periudhat e ndryshme historike dhe sidomos në luftën për pavarësinë e Bullgarisë dhe të rajonit ballkanik nga sundimi i Perandorisë Osmane do të shkruajmë më gjerësisht një herë tjetër, mbështetur në burime historike shkencore relevante.
Kësaj radhe ju paraqesim vetëm disa të dhëna historike dhe gjeografike për qytetin e lashtë Marcianopoli, qyteti Devne në Bullgarinë e sotme.
Poshtëshënim:
Lidhja mes qyteteve antike, Parthini-um, me të njëjtin emër, në territorin e Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë, sigurisht nuk është një rastësi, por dëshmi e shtrirjes së fiseve të lashta pellazge-ilire nga Deti Adriatik (Joni) deri në Detin e Zi, dhe mëpërtej tyre, nga mali Kaukaz në lindje deri te Alpet evropiane në perëndim.
* * *
QYTETI MARCIANOPOLI – KRYEQENDËR E TRAKËVE NË PERIUDHËN ROMAKE
Marcianopoli ka qenë një qytet i lashtë në Ilirikun Lindor, i cili këtë emër e morri në periudhën e sundimit Romak, vendndodhja e tij ishte në vendbanimin e sotëm të qytetit Devne, në Republikën e Bullgarisë. Ky qytet u rindërtua në vendin e një vendbanimi të lashtë trakas, qytetit me emrin Parthenolopoli, pas përfundimit të fushatës së dytë në Daki në vitin 106 nën udhëheqjen e perandorit Trajan.
“Ky qytet u ndërtua nga perandori Trajan me rastin e mëposhtëm, siç thonë: shërbëtorja e motrës së tij Marcia (Marsia) u la në lumin që kalonte aty, ujërat e të cilit dalloheshin për kthjelltësi dhe shije të jashtëzakonshme. Lumi quhej Potama, që kalonte përmes qytetit. Kur shërbëtorja e Marcias deshi të mbushte ujë, ena e artë që ajo solli ra aksidentalisht në thellësi, por, megjithëse e rënduar nga pesha e metalit, pas një kohe të gjatë doli nga fundi në sipërfaqe të ujit. Natyrisht, është e pazakontë që gjërat e rënda të mos fundosen. Duke e vërejtur këtë fenomen me habi, Trajani besoi se disa hyjni ishin në burim dhe, pasi e ndërtoi qytetin, ai e quajti atë Marcianopolis, sipas emrit të motrës së tij.”
Markianopoli ishte një qendër e rëndësishme strategjike. Që nga momenti i themelimit i përkiste provincës së Trakisë dhe më pas u bë kryeqyteti i provincës së Mezisë së Poshtme (Moesia Inferior. Qyteti arriti një lulëzim të lartë ekonomik dhe kulturor nën dinastinë Severine. Qyteti u rrethua me një mur pas pushtimeve të Kostobocit. Fundi i lulëzimit të Marcianopolisit filloi me inkursionet e gotëve. Në vitin 248, ky fis, i udhëhequr në aleancë me Caprit, e sulmoi dhe rrethoi qytetin, por nuk mundi ta merrte atë.
Mbrojtja e qytetit iu besua filozofit Maksim. Gjatë pushtimit të madh të gotëve nën perandorin Decius, Marcianopolis u pushtua. Një vit më vonë, ai e merr atë përsëri. Nën Klaudi II, muret e Marcianopolisit u rindërtuan. Gjatë sundimit të Perandorit Diokleciani, Marcianopolisi u bë kryeqyteti i provincës së Mezisë së Poshtme, një nga gjashtë provincat e dioqezës së Trakisë. Në shekullin IV, rëndësia e qytetit u rrit për faktin se ai ruante rrugën më të shkurtër nga Danubi në kryeqytetin e ri të perandorisë – Kostandininë. Në vitin 332, Konstandini i Madh udhëheq ushtrinë e tij përmes Markianopolisit. Gjatë luftës së parë gotike të Valensit, qyteti bëhet kryeqyteti i përkohshëm i Perandorisë Romake Lindore. Gjatë këtyre viteve Markianopoli përjetoi një kulm të ri. Gjatë luftës së dytë gotike, qyteti pothuajse u pushtua plotësisht.
Në shekullin V, Markianopolisi vazhdoi të ishte një qendër e rëndësishme strategjike. Në vitin 447, Hunët, të udhëhequr nga Atila, e pushtuan dhe shkatërruan qytetin. Më 471, Markianopolisi u restaurua dhe fiset Ostrogote u vendosën në të, të cilët qëndruan aty deri në vjeshtën e vitit 488. Qyteti kishte një rëndësi të caktuar gjatë sundimit të perandorit bizantin Justiniani I, me urdhër të të cilit u rindërtuan muret e fortesës së Markianopolisit. Qyteti u pushtua më 586 nga Avarët. Përmendja e fundit e Marcianopolisit shfaqet në vitin 596 në lidhje me fushatën e Pjetrit, vëllait të perandorit Mauritius. Me sa duket pas kësaj qyteti u shkatërrua.
Marcianopolisi ose Parthenopolisi ishte një kryeqytet i lashtë i Trakisë, më pas romak dhe kryepeshkopatë e Mesisë së Poshtme. Ndodhet në vendin e sotëm Devnya, Bullgari. Qyteti antik është gërmuar pjesërisht dhe është i njohur për koleksionin e tij muzeor të dyshemeve të mozaikut të lashtë nga pallatet e qytetit.
QYTETI DEVNE – HISTORIKISHT I BANUAR NGA SHQIPTARËT, DERI NË SHPËNGULJEN E TYRE ME DHUNË GJATË SHEK. XIX DHE XX
Devne [ˈdɛvnjɐ] (e shkruar gjithashtu Devnya, bullgarisht Девня, në greqishten e lashtë: Marcianopolis) është një qytet në Bullgarinë verilindore, 25 km në perëndim të qytetit Varna. Aty pranë është qyteti i Provadia – 17 km në perëndim të Devnes, rrethina e Varnës, Devne është qyteti i tretë më i madh pas Varnës dhe Provadisë në këtë rajon.
Qyteti ndodhet në skajin verilindor të luginës së Devnes, përgjatë rrjedhës jugore të rrafshnaltës së Dobruxhës, në bregun perëndimor të liqenit Beloslav (i cili është i lidhur artificialisht me Liqenin Varna dhe Detin e Zi), në të cilin derdhen dy lumenjtë, Devna dhe Provadia, 25 km larg Detit të Zi.
Zona është karstike. Ka 25 burime, nga të cilat rrjedhin gjithsej 3500 litra ujë në sekondë, i cili përdoret për furnizimin me ujë të pijshëm dhe industrinë e qyteteve Devne dhe Varna.
Në kohët e lashta qyteti quhej Marcianopolis (greqisht Μαρκιανούπολις; bullgarisht Marcianopolis) dhe ishte kryeqyteti i provincës romake të Mezisë së Poshtme (Moesia inferior).
Pas ardhjes së sllavëve në Ballkan, emri i qytetit Marcianopolis është zhdukur nga burimet historike. Përdoret vetëm në shkrimet kishtare.
Vendbanimi sllav në territorin e qytetit antik të Marcianopolis mbante emrin Devina, marrë nga indo-evropianishtja* dhev-(i)na ose *dhev-eina, me burim në gjuhën e trakëve vendës, fjala dhe – dheu e shqipes së sotme. Disa studiues janë munduar ta lidhin këtë fjalë edhe me gjuhën sllave, me deva (virgjëresha). Gjatë mesjetës në këtë vend ka ekzistuar edhe një kështjellë e vogël bullgare, e ndërtuar ndoshta nga Omurtag, në shekullin e 9-të dhe e shtrirë më në veri të këtij qyteti, në shekujt e 10-të ose të 11-të.
Me pushtimin e Bullgarisë nga Johannes Tzimiskes në 971, qyteti u bë përsëri bizantin dhe mbeti i tillë derisa Bullgaria e hershme e rifitoi një lloj pavarësie në vitin 1187.
Pasi Perandoria Osmane e pushtoi Ballkanin, kalaja u shkatërrua dhe u braktis. Vendbanimi u zhvendos pak më në perëndim. Në një regjistër tatimor (Defter) të vitit 1573 përmendet fshati Devne. Forma të tjera të emrit dëshmohen gjithashtu nga udhëpërshkruesit e huaj në shekujt XVI dhe XVII, dhe emri Devne ndonjëherë i referohej edhe lumit, jo vetëm qytetit Devne.
Vetëm në vitin 1829, gjatë Luftës Ruse-Osmane (1828-1829) rrënojat e qytetit të lashtë u zbuluan nga arkeologu rus Ivan Pavlovich Blaramberg (rusisht Иван Павлович Бларамберг; 1772-1831) si qyteti antik i njohur me emrin Marcianopolis.
Pas lirimit të Bullgarisë nga sundimi osman (lufta Ruse-Osmane e viteve 1877-1878), fshati deri në vitin 1934 quhej Devne. Pas kësaj periudhe u emërua me emrin aktual Devnya.
Deri në vitet 1950 qyteti dhe rajoni me këtë emër – Devne, përbëhej nga tre fshatra – Devne (Девня ), Reka Devne (Река Девня; Lumi Devne) dhe Markova (Марково). Më 27 gusht 1969 Devne u shpall qytet në shtetin e Bullgarisë.
(19 qershor 2022)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!