Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Reflekse
Me shkas, ndarja e mirënjohjeve me motivacion: “Nënshkrues i parë për iniciativën e themelimit të Universitetit të Tetovës”
Se kanë rënë nga provimi një pjesë e intelektualëve shqiptarë nga Maqedonia, ndoshta pa fajin e tyre, duke rënë në kurthin e përgatitur mirë nga kuzhinat e propagandave të huaja, kjo nuk diskutohet. Për këtë duhet të mendojnë, reflektojnë dhe reagojnë vetë ata që i kanë pranuar ato mirënjohje me përmbajtje të çuditshme, nga një subjekt jokompetent dhe të nënshkruara nga një ish-funksionar i lartë, zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës Fizike në Qeverinë e Maqedonisë së asaj kohe (1994), e cila me të gjitha mjetet e ka luftuar themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Tetovës, duke i larë me gjak shtigjet e këtij tempulli të dijes, i cili sapo u kishte hapur rrugën e dritës dhe lirisë shqiptarëve të këtij vendi dhe jo vetëm.
Nga ky rast, shqiptarët duhet t’i kuptojnë qartë dy porositë kryesore që ua përcjellin drejtuesit e kësaj Shoqate përmes përmbajtjes së tekstit të motivacionit dhe nënshkruesit të këtyre mirënjohjeve.
E para, tani e tutje, sipas konstruktimit të historisë, në variantin siç ua paraqet kjo Shoqatë dhe drejtuesit e saj, shqiptarët duhet ta pranojnë se, Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike dhe Qeveria e Maqedonisë, të asaj kohe, paskan qenë iniciues për hapjen e Universitetit të Tetovës, sipas kësaj edhe duhet t’u kërkohet falje asaj ministrie dhe qeverie gjakatare, sa shumë u paskan dhënë siklet disa intelektualë shqiptarë “të pabindur”. Në këtë rast pretendohet ndërrimi i tezave mbi të vërtetën për historinë e themelimit të këtij Universiteti.
E dyta, tani e tutje, drejtuesit e Universitetit të Tetovës, të sotëm e të ardhshëm, duhet të heqin dorë nga shkrimi i historisë së këtij institucioni, sepse profesorët, disa tani të pensionuar, nga një universitet tjetër, Universiteti i Evropës Juglindore, i themeluar 7 vjet më vonë si universitet privat, qenkan më kompetentë për ta shkruar këtë histori të themelimit të Universitetit të Tetovës dhe të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, jo profesorët e Universitetit të Tetovës, aq më pak personat kompetentë, ideatorët, ndërtuesit dhe kontribuuesit e tij.
Porositë tjera, më pak të rëndësishme, që u përcillen shqiptarëve me këtë rast, siç është përkatësia partiake aktuale, që nuk është e para dhe besojmë nuk do të jetë e fundit e drejtuesve të kësaj Shoqate, do të trajtohen një herë tjetër, në pritje të sihariqeve të tyre “strategjike” të radhës. Deri atëherë, le ta shikojnë veten si në pasqyrë në këto mirënjohje, ata që i kanë pranuar dhe mburren me këtë arritje dhe suksesin e tyre. Bëjnë përjashtim nga ky tabor, ata që kanë rënë pa dashje në këtë kurth me prapavijë të rrezikshme politike.
Me shëndet!
(18 mars 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!